SHKRUAR NGA PROF. DR. JAHJA DRANÇOLLI
Nga mesi i shek. XI, nisi procesi i krijimit të formacionit të parë shtetëror në treva arbërore. Burimet historike nga kapërcyelli i shek. XII, nxorën në dritë Principatën e Arbërit me seli në Krujë, paraardhëse e shtetit të Gjergj Kastriot-Skënderbeut.
Sundimtari i parë ishte Progoni (1190-1198), dhe më pas bijtë: Gjini (1198-1206) dhe Dhimitri (1206-1216). Principata e Arbërit e arriti fuqizimin më të madh në kohën e sundimit të Dhimitër Progonit. Në një akt të marrëveshjes tregtare të nënshkruar prej tij më 1210 (?), atëherë me komunën autonome të Raguzës, përmendet titulli Arkont (Arhond). Në këtë marrëveshje, e njohur si marrëveshje e parë ndërkombëtare e shtetit të Arbërit, Dhimitri e quan veten “Panhipersebast” dhe “Arkont i Madh” (“Demetrius Die gratia panypersebastos et magnus archon”). Akti i marrëveshjes është realizuar në kancelarinë shtetërore të Principatës së Arbërit, dhe është nënshkruar nga Dhimitri e nga vasalet e tij: Jonema, Markeni, Serneli, Peltus, Len, e ndonjë tjetër, që mbanin emra kalendarik dhe bizantinë.
Titulli i parë ka në rrënjë fjalën sevast, titull ky i përhapur në kohën e dinastisë së Komnenëve, e cila atëbotë zotëronte Perandorinë e Bizantit. Në Arbëri atë titull e zotëronte dhe sevasti i Skurjes, sevasti i Misjes, sevasti i Kurbinit, e ndonjë tjetër. Titullin në fjalë zakonisht e mbanin funksionarët që kishin lidhje farefisnie me familjen perandorake bizantine. Këtë titull e mori Dhimitri i biri Progonit, që kishte lidhje farefisnore me perandorin bizantin, Aleksi III Engjëll Komneni.
Titulli dytë megas arhond (arkont i madh) ishte një përngjasim i titullit Zhupan i Madh, që mbante atë kohë dhe Stefan Nemanja i Rashës (Serbisë).
Të dy këta tituj (panhipersevast dhe arkont i madh), në diplomatiken lindore ishin ekuivalente me titullin princ sipas diplomatikes Europiane Perëndimore.
Dhimitri përmendet edhe me një titull të tretë – me titullin “princ” (princeps) dhe “gjykatës” (iudex), me të cilin titull, Dhimitrin e quante Papa Inoçenti III (1208). Titulli princ si sovran i Principatës së Arbërit, e kishte legjitimuar Dhimitrin dhe sipas terminologjisë zyrtare Perëndimore, por dhe atë Lindore!
Fotografia: Marrëveshja e parë ndërkombëtare e shtetit të Arbërit me Raguzën në vitin 1210!