Ndikimi i Rusisë në rajon, çfarë fshihet pas vizitës së shefit të CIA-s në Tiranë

Nga Sebi Alla

Ardhja e Drejtorit të CIA-s John Brennan dhe takimet intensive me drejtuesit më të lartë të vendit, kanë pështjelluar politikën në vend.

Çështje terrorizmi, dosjet konkrete, por mbi gjithçka një situatë aspak e qetë për shkak të ndikimit rus në rajon duket se kanë qenë në qendër të takimeve.

Dhe jo vetëm takime formale, pasi burime të gazetës MAPO shprehen se fill pas diskutimeve që kreu i CIA-s pati me drejtuesin e SHISH, Visho Ajazi Lika, ky i fundit ka takuar kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Pas vizitës së Brennan, mund të ketë edhe ndonjë arrestim, por dosja e madhe për t’u hapur fletë më fletë, mbetet roli rus, shtet i cili është rizgjuar nga një lloj letargjie prej rreth dy dekadash dhe tashmë po rikthen qëllimet e dikurshme, ku kontrollonte jo vetëm gjithë Europën Lindore, por herë pas herë bëhej kërcënuese për sigurinë globale.

Rusia, larg dhe afër…

Për ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi, ardhja e drejtorit të CIA-s në Tiranë dhe takimet e tij në nivele të larta, mund të lidhen kryesisht me politikën ndërkombëtare dhe ndikimit rus.

“Në gjykimin tim diskutimet janë në frymën e re që po përhapet në Ballkan dhe më gjerë të rolit të Rusisë. Ka një situatë jo normale në Europë dhe Ballkan për sa i përket ndërhyrjes nga Rusia, që po kërkon për interes të saj shtrirjen më të gjerë, jo më me ndikim tradicional si në kohën komuniste, por në aspektin politik dhe ekonomik” -thotë Klosi, duke shtuar se qëllimi kryesor i saj mbetet ndikimi në Mesdhe dhe Ballkani është porta e parë.

Ish-numri një i shërbimit inteligjent e përjashton mundësinë që kreu i CIA-s të ketë ardhur konkretisht për çështje të terrorizmit ndërkombëtar, veçanërisht atij Islamik, siç është ISIS.

“Për terrorizmin dhe dosje konkrete çështjet janë më shumë teknike dhe në raste të tilla nuk angazhohen nivele të larta të CIA-s. Këmbëngul se në qendër të diskutimeve mes Drejtorit të CIA-s dhe drejtuesve të politikës sonë besoj se lidhet kryesisht ndikimi rus në Ballkan” -komenton Klosi.

Për të qenë “politikisht korrekt” mbi këtë vizitë, Ambasada Amerikane në Tiranë, në një njoftim të shkurtër zyrtar u shpreh se: “Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) John Brennan vizitoi Shqipërinë për t’u takuar me drejtues të ndryshëm dhe për të diskutuar një gamë çështjesh, përfshi sigurinë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe çështje të tjera dypalëshe”.

Nderet mikut që mbërriti nga Amerika drejtuesit tanë politikë ia bënë një më një, ku Presidenti Nishani, Kryeministri Rama, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe Drejtori i Përgjithshëm Haki Çako, nxituan të bënin publike fotot gjatë takimeve me Brennan.

Ndikimi rus në kohë të mjegullta

Europa Perëndimore prej muajsh po njeh rrëshqitje nga politika tradicionale, ku Britania tashmë është larguar nga BE, në shtete të tjera të rëndësishme po marrin hov parti të ekstremit djathtas dhe majtas që nuk njohin më “familjen e përbashkët” Europiane dhe si pasojë Rusisë i ka ardhur në dorë mundësia të risjellë ndikim e saj politik, ekonomik dhe ushtarak.

“Arsyeja kryesore është ripozicionimi i qëndrimit të Rusisë në rajon, e cila ka filluar të jetë shumë aktive si në aspektin diplomatik por dhe në aspekte të tjera, të cilat lidhen me mjete më direkte ndërhyrëse si shërbimi sekret apo dhe ndërhyrje subversive që mund të sjellin destabilizim politik. Ballkani perëndimor qeveriset ende nga elita të cilat janë rritur nën indoktrinimin e ish-Bashkimit Sovjetik. Pra, Rusët e kanë shumë të lehtë të riaktivizojnë këto lidhje në rajon”.

Kështu shprehet Fabian Zhilla, njohës i çështjeve ndërkombëtare dhe ekspert i sigurisë.

Që loja e madhe është hapur edhe në vendet krejt të vogla të Ballkanit, mjaftohet që t’i bëhet një “skaner” situatës aspak normale në Mal të Zi, ku kryeministri i “përjetshëm” Milo Gjukanoviç, edhe pse rifitoi zgjedhjet, dha dorëheqjen pasi u zbulua një tentativë për ta rrëmbyer, apo eliminuar fizikisht.

U arrestuan disa ish-ushtarakë madhorë që kishin shërbyer në Serbi, por “instruksionet” dyshohet se mund t’i kishin marrë në një tjetër vend, me ndikim të madh në politikën botërore, si Rusia.

“Në fund të tetorit, Shefi i Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse Nikolai Patrushev, bëri një vizitë në Serbi, pikërisht në ditët që rezultatet e zgjedhjeve në Mal të Zi diskutonin skandalin e puçit politik. Në këtë vizitë Patrushev nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme Serbe për të pasur kanale të drejtpërdrejta komunikimi në çështjet e sigurisë” -kujton Zhilla.

Sipas tij, Rusia po përdor një strategji të një lloj propagande shpesh duke përdorur mediat lokale në ato shtete apo rajone që ka interes. Kjo propagandë lidhet kryesisht me glorifikimin e Rusisë duke shpërfaqur forcën e saj ushtarake por duke lënë në hije problemet ekonomike që ka.

“Nuk duhet të harrojmë se shembja e ish-Jugosllavisë konsiderohet si një humbje e madhe për të gjithë sllavët në përgjithësi dhe sidomos për Rusët përballë perëndimit. Rasti i Kosovës është një ndër alibitë kryesore që Putin përdori kur sulmoi Abkazinë në 2004, Osetinë e Jugut në 2008, apo dhe Krimenë në 2014. Prej kohësh Rusia propagandon një farë unifikimi të sllavëve duke u mbështetur shumë në shtetet me popullsi sllave në Ballkanin Perëndimor” -shprehet Zhilla.

Nuk ka çuditur edhe qëndrimi i kryeministrit tonë Edi Rama në lidhje me rolin rus një javë më parë.

“Ne duam qëndrueshmëri dhe siguri në Union dhe një Europë e sigurt nuk është e mirë nëse ka hapësira. Në të kundërt ne nuk duhet të harrojmë se ka edhe aktorë të tretë, të cilët po luajnë lojën e tyre dhe që mund të përfitojnë nga boshllëqet që krijohen brenda Unionit. Po flas për Rusinë, por po flas edhe për islamizmin radikal” -tha Rama.

Qëndrimi i tij nuk ishte i një “analisti mediatik” por i kreut të qeverisë, që la të nënkuptohej se nëse Bashkimi Europian dhe veçanërisht disa shtete me ndikim do të lënë pas në rrugën e integrimit vende të Ballkanit që aderojnë të jenë pjesë e BE-së, Rusia është gati të shtrijë ndikimin e saj në këto zona.

Në ditët në vazhdim priten me interes edhe zgjedhjet në Maqedoninë fort të trazuar në përplasjet politike dhe SHBA-ja duket se nuk do të lërë jashtë vëmendjes shtetin e brishtë maqedonas.

“Mendoj se jo vetëm zgjedhjet në Maqedoni por dhe zgjedhjet politike të qershorit në Shqipëri janë arsye të rëndësishme të kësaj vizite. Tashmë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në rajonin tonë nuk konsiderohen thjesht si çështje të brendshme por dhe si çështje që lidhen me sigurinë kombëtare me implikim përtej kufijve të shtetit-komb” -thotë Zhilla, që shton se është normale që vizita të këtij niveli të lartë përfaqësimi si rasti i Brennan, pritet që të shpeshtohen në Shqipëri, e cila është dhe anëtare e NATO-s.

Padyshim që vizita e Brennan nuk ka lënë pa cekur edhe çështjen e terrorizmit ndërkombëtar, konkretisht rolin e ISIS, por e ndodhur në situatën ku Rusia po merr ndikim gjithnjë e më të madh, drejtori në ikje i CIA-s, vendosi të vijë vetë personalisht për të lënë “direktiva” pak ditë para se të largohet.

2 thoughts on “Ndikimi i Rusisë në rajon, çfarë fshihet pas vizitës së shefit të CIA-s në Tiranë”

  1. ILMI FEHIM PRODANI

    le te mos harojme gjat luftes se dyte botnore, kur levizja komuniste fiulloj te shperdahesh ne evrope si dhe ne ballkan, e kam fjalen per kombin tim vend lindjen time kombi shqipri, isha shum i ri por kisha ne moishe me te medhenj sa une, nuk haroj kur ime moter u largua nga shtepija pa ditur as gje per te me shoqet e saj, perfunduan neper malet me partine te quajtur lufte kunder okupatorve nacjonalizem, cfar njau krimi i komunizmit perparoj sllavet i mashtruan shqiptaret, serbet dhe ruset, gjeten shoket e tyre te koreptuar dhe u bashkuan, qe keshtu kombi vuajti per 70 dhjet e ca vitve, arsyeja eshte se englezet, francezet dhe amerikanet , u larguan nga partit si balli kombetar, dhe monarkija e vendit , qe keta shtete paten fajuin qe komunuzmi u vendos , pra une sjam diplomat por i kalova keto njgjarje mos e ler kriminelin ne shtepi brenda mbasi eshte vone, qe ta nxjeresh jashte, me nje fjale perendimi nuk pati zotsine qe ti ndalonte ,me politikanet qe i kishin ne ato kohera, mos beni te njeten gabim kur te del ijku per opara bjeri dhe vrije se do te kafshoje,, ost po njgjet e njrjta gje ruset po i futin hundet kudo /

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top