Ndërrimi i kufijve është fyerje që kërkojnë t’iu bëjnë shqiptarëve

SHKRUAN: SPARTAK NGJELA

Asgjë nuk mund të ndodhë nëse Ramush Haradinaj do të ketë shumicën në Parlament. Ndërrimi i kufijve është fyerje që kërkojnë t’iu bëjnë shqiptarëve kur këta janë sot në kulmin e suksesit të tyre historik. Dobësimi i Serbisë është mision historik i shqiptarëve për të neutralizuar në Ballkan një shoqëri që e ka të identifikuar territorin e saj me një krim 200-vjeçar kundër shqiptarëve. Të shiturit e të korruptuarit e Shqipërisë duhet të tërhiqen nga kjo lojë, se do ta kenë më të rëndë akuzën që i pret.

I.

Çështja e Kosovës ka qenë në 200 vjet një nga çështjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. E gjithë vëmendja ruse ka qenë që të zhbënte katolicizmin në Shqipëri. Me lejen e Stambollit në këto toka u sulën agjentët ushtarakë rusë të veshur si priftërinj ortodoksë dhe me dhunën e kalorësve serbë, të përkrahur nga Sulltanati, i kthyen katolikët e Dardanisë ose në ortodoksë për t’i sllavizuar dhe për të formuar kishën ortodokse serbe; ose në myslimanë. Çështja ishte që të merrnin kishat. Dhe kështu ndodhi. Të gjitha kishat ortodokse serbe që mashtrohet sot se janë morali i tyre kristian, janë kisha dhe manastire katolike shqiptare. Pavarësia e Kosovës sigurisht që do t’i nxjerrë në pah të gjitha këto, por këto fakte historike dëmtojnë rëndë të gjithë gënjeshtrën serbo-greke për historinë e Ballkanit Perëndimor.

II.

Suksesi i arritur po kërkohet me ngulm që të errësohet nga politikat e blera në Shqipëri dhe në Kosovë. Korrupsioni në Tiranë dhe në Prishtinë është hedhur i gjithë kundër interesit shqiptar. Sigurisht që këtu ka njëfarë lëkundjeje të politikës perëndimore, sepse ka rrethe të caktuara politike që nuk e duan forcimin e Shqipërisë së bashkuar kundrejt një Serbie të dobët, dhe prandaj, politika serbo-greko-ruse se shqiptarët janë myslimanë fondamentalë po luhet ende. Agjentë serbë në Shqipëri dhe në Kosovë dallohet tani se janë hedhur drejt një islami radikal, por asgjë nuk po ngjit. As në Shqipëri dhe as në Kosovë. Madje kjo i ka tërbuar më shumë, sepse Dardania madje po tenton nga feja e të parëve, sepse gjesti i presidentit Rugova i kthyer sërish në katolik, i ka shqetësuar shumë qarqet serbe që në fakt shumica janë ushtarakë të veshur si priftërinj ortodoksë. Kjo është arsyeja që gjithçka është përqendruar te korrupsioni i lartë i politikës shqiptare. Por nuk kanë asnjë argument, me përjashtim të tregtisë që kërkon të bëjë korrupsioni Rama -Thaçi në Tiranë dhe në Prishtinë. Veçse këtë nuk e arrijnë dot. Ndërkohë në politikë spikat se ka dalë një qëndrueshmëri shqiptare, e cila kishte një shekull që nuk ekzistonte kundër Beogradit dhe Athinës. Është patriotizmi klasik i kosovarëve dhe patriotizmi i spikatur sot i brezit të ri në Shqipëri, që nuk e lejon asfare vallen makabër Rama-Thaçi. Dhe, bashkë me ta, vjen edhe qëndresa shembullore kastriotiane e Ramush Haradinajt që po shquhet në krye të këtij patriotizmi të avancuar shqiptar.

III.

Pritej që pavarësia e Kosovës do ta ringjallte realisht patriotizmin shqiptar. Por të huajt grabitqarë në Beograd e kanë ditur këtë. Këtë e dinte edhe Milosheviqi dhe e di edhe Vuçiqi, madje edhe të gjithë të tjerët. Pikërisht në këtë kohë dolën në skenë të korruptuarit e Shqipërisë dhe të Kosovës. Në të vërtetë gjithçka këta e kanë ngritur për interesin e tyre, veçse këtë e dinë edhe Beogradi, edhe Moska. Korrupsioni shqiptar i të dy krahëve kërkon që t’i japë oksigjen Serbisë dhe në këtë mënyrë të ndalojë rikrijimin e një shteti shqiptar ligjor në Tiranë dhe në Kosovë. Një Serbi ende e fortë u jep këtyre shpresën e destabilizimit të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kjo po kërkohet sot sidomos në Tiranë, njëlloj si me Çadrën makabër të Berishës, ngritur nga histeria ruso-serbe, por që u prish me ndërhyrjen e politikës amerikan, e cila ua vuri krerëve shqiptarë mbi tryezë faktet e konspiracionit rus.

IV.

Sigurisht ashtu siç qe bërë në 200 vjet, pas pavarësisë së Kosovës, madje shumë shpejt pas saj, i gjithë reaksioni ruso-serbe u hodh në Shqipëri. Tani këta janë përqendruar te shkëputja e territorit të Kosovës. Atje ndërkohë po kërkohet të krijohen dy rryma: njëra që pretendon të fitojë pavarësinë e plotë duke dorëzuar Mitrovicën, dhe tjetra duke ruajtur territorialitetin e Kosovës sipas pavarësisë së saj të shpallur. Pikërisht kjo mendohet të sjellë përplasjen e dëshiruar nga Rama dhe nga Thaçi. Por tani të dy janë në hall se politika perëndimore kërkon shumicë parlamentare. Asnjë lloj territori nuk mund të shkëmbehet pa Parlamentin dhe Referendumin në Kosovë. Pikërisht këtu do të bjerë ngecje e tyre, dhe pikërisht këtu do të spikasë hapur patriotizmi i kryeministrit të Kosovës dhe shumicës parlamentare në Prishtinë, por edhe patriotizmi i brezit të ri në Shqipëri. Do të vijë një çast kur vendosmëria kastriotiane e kryeministrit Haradinaj do të jetë një fakt historik që do të nisë bashkimin e padiskutueshëm të Arbërisë. Pikërisht kjo po tremb Ramën dhe Thaçin dhe që të dy janë nisur njëri te lobi ruso-serb në Uashington dhe tjetri me brekushe në Riad. Që të dy naivë dhe qesharakë. Kjo sepse sot në Uashington lobi rus është nën hetim, dhe nuk ia jep dot hapur mbështetjen Thaçit. Kurse ky prandaj vërtitet pa thënë një gjë konkrete. Po ç’të duhet o Thaç ziu që futesh në hetimin e FBI-së amerikane! Rama është edhe më kaqol. Po ky nuk bën dot gjë. Në fund, të dyve këtyre iu duhet lexuar vargu i bukur i Homerit tek Odiseja: “Ku shkoni o të mjerë, pse rendni me vrap për të vdekur!”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.