NDËRRIMI I KORSISË

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI

Shumë shpejt do të braktis animet politike. Do të filloj të shkruaj gjëra tjera.

Paraprakisht do të gjej dhe paguaj disa emra të njohur në Shqipëri që do të m’i lavdërojnë shkrimet edhe nëse do të jenë të tilla që s’i ha as qeni. Të zgjedhurit e mi, do të kërkojë të jenë të majtë, sepse shqiptarët u besojnë vetëm gënjeshtrave të tyre. Të djathtët, shqiptarëve, edhe hallvë sikur t’iu japnin tri herë në ditë nuk u besojnë dhe do t’iu thonë këta është çervish!

Pastaj, nëse t’i lavdërojnë shkrimet “intelektualët” majtistë të Shqipërisë, shqiptarët e kombit kosovar gënjeshtrat e tyre i pijnë sikur sherbetin. Kam bërë kujdes që pagesën ta bëj cash, sepse në Shqipëri kartave të bankave iu besojnë pak ose aspak.

Ndoshta, do ta blej edhe një diplomë, vetëm për titull, se asgjë s’më duhet. Pastaj, është edhe në modë blerja e diplomave.

Në Kosovë e kam më lehtë. Këto gjëra i bëj pa shpenzime. Më mjafton (tinës ose me nofkë) të loboj për LVV, pa u bërë fare anëtar dhe armata e saj edhe rrufetë m’i pret. Ata për pesë minuta e nxjerrin gjithë arsenalin e sharjeve dhe ofendimeve nga më të ndytat dhe do të baltosin çdo njeri.

Kryesorja, asnjë plan nuk e kam me këta të LDK-së, sepse këta të marrin në qafë. Aq shumë ia kanë marrë inati vetëvetes për vetëshkatërrim saqë edhe Rugova sikur të ngjallej, s’i shpeton (nëse vazhdojnë me ketë ritëm). Krejt çka do të mbetet do të jetë vetëm Darka e Lamës (në Diasporë)

Me “krahun e luftës” s’do të merrem më, sepse më kanë “duruar” shumë. Me sharje, thashethëme, sidomos me kërcënime, as këta s’më kanë lënë keq, por nga dënimi më i dhimbshëm më kanë kursyer… Faleminderit!

NB: Do të mundohem të gjej tema të pa thëna, si psh: Cili intelektual shqiptar me famë ose cili shkrimtar e ka humbur virgjinitetin në shtëpi publike!?

Ose: Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve 100%, sepse i kanë tri karakteristika të tyre: janë kusarë, janë kurvarë dhe janë idhujtarë!

Kjo e fundit është karakteristikë tepër tipike dhe e sigurt, sepse ilirët i adhuronin zotërtat që i krijonin vetë (pasi gratë i kishin bashkë) dhe shqiptarët i adhurojnë politikanët sikur dashnoret.

Atëherë, ç’dreqin iu duhen gratë!?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *