SHKRUAN: EDISON YPI
Puntori i ndërmarrjes ishte një rreckaman pisanjos që bënte sikur punonte, hiqej si i lumtur, fliste nëpër mbledhje, shkonte nëpër mitingje, parakalime.
Drejtori ishte një pijanec dinak dhe llafazan me zell të papërmbajtur partiak për të cilin spiunët që i rrinin rrotull thoshin me krenari; “është bollshevik”.
Për të ruajtur hierarkinë e fëlliqësisë, kryeinxhinieri ishte më pak partiak se drejtori. Kryeinxhinieri ishte dikush që cilësohej “i ri me perspektivë”. Një çun oficeri a me lidhje familjare ose farefisnore me Sigurimin i shenjuar nga partia si “i besuar” që pas pak do merrte stafetën etj. etj. broçkulla sa të duash..
Shefi i kuadrit e kishte zyrën të siguruar me shufra hekuri si të kopështit zoologjik. Ky ishte një sigurimist çehrevrërët që mbante shënime për të gjithë dhe për gjithçka.
Shefi i planit, shefi i financës, shefi i furnizimit, dhe një lukuni shefash të tjerë ishin një gërrditje e ndyrë përtej aftësisë time deskriptuese.
Sekretari i partisë ishte një hajvan i emëruar me marifet nga drejtori për t’i mundësuar drejtorit hapësirë të shtuar manovrimi.
Të dalloje spiunët institucionalë nga spiunët vullnetarë që ishin më të zellshmit dhe më të rrezikshmit, ishte stërmundim që lidhej me merakun se mund t’i bije kot më qafë ndonjë gjynafqari që me spiunllëkun s’kishte lidhje.
Mbledhja e organizatës së partisë, nuk kam asnjë ide si mund të ketë qënë. Di vetëm se vendoste në mungesë fatet e secilit.
Mbledhja e kolektivit ishte një delir verbal brenda një llumnaje shoqërore, ku të njëjtët zagarë thoshin të njëjtat marrëzira për të njëjtat “suksese” dhe “objektiva” imagjinare.
Ndërmarrja kishte një mencë të neveritëshme me qen e mace nën tavolina.
Në mencë shërbehej kafe prej gjethe çikore ose plepi, të cilën kafe shumica e rrufisnin me murin përballë.
Në mencë mund të haje supë. Supa ishte një koleksion dhjamrash dhe lëkurash që vinin me bidona nga “1984” e Orwellit.
Për këndin e emulacionit kujdesej një spiun.
Sloganet mbi mure i shkruante një koleg i tij.
Zërin e Popullit e lexonte çdo mëngjëz i njëjti surratbaltë.
Pjesë nga “veprat’ e kurvit i llomotiste një turiqen.
Orën e edukimit politik e drejtonte një kurvë.
Të dashuroheshe dhe të martoheshe me një lopë, të shpallnin “çun flori” që vlerëson thellësinë dhe jo sipëfaqen mashtruese.
Sa më pak të punoje, sa më i pisët të ishe, aq më puntor të shpallnin.
Po të kishe ndonjë “cen” sado të vogël në biografi, ishe një i vdekur i pakallur që duhej të falenderoje në fshehtësi Zotin që ende merrje frymë.
Në prag të festave tre a katër puntorë të ndërmarrjes zhdukeshin. Vonë mora vesh se ditzinjtë leckamanë i internonin ngaqë konsideroheshin “kontigjent krimi” që mund të prishnin festën.
Mbaj ment dy që vdiqën nga uria.
I pari ishte një i vetmuar që jetonte në një barrakë rrëzë përroit në kinostudio. Thuhej se kishte qënë i togës së pushkatimit. U gjet dy ditë pasi kishte vdekur, mbledhur shuk me barkun bosh dhe zorrët e thara.
Tjetrit, që kishte mbaruar Shkollën Teknike të Fultz-it, j’a gjetën kufomën mbuluar me miza pas tre ditësh brenda një barrake tek “Kroi i Fokës”, ku nis ngjitja për në Krujë.
Në ndërmarrje mund të bëje sa të doje punë private. Të ndreqje biçikletën, për shembull, ishte më se normale.
Nëse dikujt i duhej ndonjë gjë dhe nuk e gjente dot, nuk mërzitej. Një ditë do dilte me siguri një mik që do t’i thoshte; Ta sjell unë, “kam te puna”.
Në ndërmarrje mund të vidhje gjithçka. Madje të gjithë ndërmarrjen nëse arrije ta ndaje në copa të vogla sa i nxinte trasta.
Ndërmarrja prodhonte një artikull me vlerë të pallogaritëshme për çarjen e bllokadës imperialisto revizioniste që quhej “Lesht e Currit”.
Në ndërmarrje kishte edhe njerëz me të cilët mund të flisje për çfarë të doje.
Me Ëngjëll Kodhelin, për shembull, mund të flisje për kanconeta dhe për filmin e natës së shkuar tek “Cinema di Notte”.
Pyete shqiptarin e sotëm; Si ishte ndërmarrja ? Po nisi të tregojë episode gazmore me shef kuadri, drejtor, kryeinxhinier, brigadier, e ke gjetur atë që të ka spiunuar, ndyrësirën që ta ka nxirë jetën.
Surretër të shtrembëruar nga pangrënia, veshur si mos o Zot, me “bukë me vete” nën sqetull mbështjellë me gazetë, turma mëngjezore e puntorëve shkonte drejt portës së ndërmarrjes si mizat drejt mutit.
Në mbarim të gjoja orarit të mender punës, puntorët dilnin nga ndërmarrja si shpërthimi i pusetës së ujrave të zeza.