Nakdomonicipedija

Gjergj Fishta

Ti me gjasë, Nakdo Monici (1) ,
S’din si hecë n’ketë jetë “cicmici”.
Qysh se ty mund t’a hajë palla
Se po u kape m’breg me prralla:
Due me thanë, tue vu mbi letra,
Se ç’ka, ndodhë nder kohë të vjetra,
Kinse t’njohë fara e Shqyptarvet
Si pat kenë besa e të Parvet!
Eh! zotni, t’ngjatët Zoti jetën!
Pa shikjoe’i herë kuletën,
E ajo ty ka me t’kallxue
Se shka t’zit ti ke fitue
Me njatë t’bukren Histori,
Qi ke shkrue përmbi Shqypni:
Asë, idhnim pa fe nevoje,
E ndo’i borxh edhë n’shtypshkroje?…
Sod n’Shqypni, more lum miku,
Histori asht meteliku
Pse per tjeter, per ketë besë,
Veç se i qet ti zavall kresë,
Veç se i lan ti kryet gomarit,
Tu u mundue per fis t’Shqyptarit,
Paj Shqyptarët, si jem’tue pa,
Sod me sod s’janë tue pasë nga
Me u hutue me shkrime t’ona,
T’cillat s’pjellin napolona,
As nuk bahen, besa, shkallë
Per me u njitë ku bahet pallë:
Punë qi lypën sod nder në,
Per me u rrekun per atdhé,
Ktu, zotni, t’ngjatët Zoti jetën!
Per pa e luejtë pak gja kuleten,
S’çilet shtek as bahet kangë,
Pse e kanë xanë Shqyptarët atë kangë:
Haja qenit — pija qenit,
Edhe bjeri karaduzenit!…
Prandej sod letrarët e shkretë
Poshtë — n’fund t’hunve — i lanë pështetë,
Me’i grusht miza në kuletë,
E, hae i keq, kurrkush s’i pvetë
As per osh! — as per balosh!
Kush pat kenun si Allighieri?
E pra n’shekull, thonë, i mjeri
E pat punën rrokopujë,
Tu’u rropatun n’per dhê t’hujë
Me Divinen Komedi
Si Per Curri n’per Mal t’Zi:
Jo ma na qi i shkojm per nget
Sa prej Vraket der n’Shkorret!…
E ma teper jem’Shqyptarë,
Qi, per t’ urtë e per letrarë,
Kurr n’Shqypni s’mund t’çojm kandarë.
Po e sheh vetë, Zotni, se kokrra
Nuk mund t’lidhim veç me dokrra (2) ;
Se me shkrime — e sterhollime
S’mund t’ia mbushim menden kujë,
Veç kot qesim petlla n’ujë…
Po, a thue e din, mor t’u ngjatët jeta!
Perse libra edhe gazeta,
E pse istore — e kangë arbnore
Sod me sod nder zogj t’Shqyptarit
S’janë tue pasun kurrfarë zarit?
N’mos e dijsh, due me t’kallxue,
Per n’paç ngae ti me m’ndigjue.
Zoti i lum per njerzit mbarë,
Tue xanë fill m’baben e parë
E der m’t’mbramin — rend e rend,
Veç treqind derhema mend
Se ma teper s’u pat da.
Me kaq mend, tash, more vlla,
A mund t’mushen sa e sa koka
Qi per randë, n’oshta, i ka toka?
Besa, jo; pse edh’asht ndo’i koke
S’cillës s’t’i dalin as gjashtë okë,
Jo se ma treqind derhem
Qi janë dhanë per njerzit xhem (ka i fjalë turçe ban lazem) ,
Shka po u del nji pjesë e vogel,
Qi s’mbaston me mbushë nji gogel!
Prandej gjindja edhe si t’plaken
Disi golle e kanë rradaken,
Si me thanë, po e thom’per gjasë,
Si me thanë nji kungull hasë.
Per ketë punë, po e sheh ti vet,
Se, sa njerz jemi n’ketë jetë,
N’hatlla t’truvet te kaptina
Ka’i drrasë mangut t’gjith e kina:
Due me thanë, kem’zi urtije,
Pse e kem’t’gjith ka’i rrem marrije.
Por ktu vet s’po due me u djerrë,
Holl e gjat tue dashtë m’e tjerrë
Sa marri qi ban gjithkush;
Veç seicilli t’vej m’rabush
Punët e veta, e ka me pa
Se, perzet, fort ia kam gja.
Paj me kenë na bash mirë n’krye,
S’kjem tue pa seri me sye
Ke na shkojn punët kambë e krye
Bre, e’ma zi kjen punët tue shkue,
Pse kto mend vijn tu’u pakue,
Kah vijn krenat tuj u shtue;
Por Njaj i lum, qi prej Empirit
Sheh e njeh tanë punët e nierit,
Aj mend-lehtit t’bijt e Adamit
Me i ndihmue desht n’ketë rod skamit,
Prande’i thotë nji ditë Shën’Kollit:
Tue kundrue un prej ktij trollit
Si hecë puna e rruzullimit
Po baj seri prej njerzimit
Ke s’u bini nji herë n’kokë
Se ata vllazen janë mbi tokë,
E se s’asht fort punë e lmut
Shoqi shoqit m’i a xjerrë trut,
Un kujtoj, s’asht tjeter send
Qi s’u xehet vendi vend,
Veç pse u dava vet pak mend.
Prandej ulu tash mbi dhê,
E me mend ngarko’i gale:
Del tue shitë kush t’duen me ble.
Por ket fjalë po t’tham ma t’mbramen:
Ke me shitë sa i biri t’amën,
Pse bajn mendt — ma shum se dhent.
Ai Shën’Kolli, kjoftë levdue!
S’ndej atbotë tuj u hutue;
Por ngarkoi nji barkë me mend,
Edhe duel aj per gjith vend,
Per gjith vend e per gjith fise.
Tue shitë mend e tue shitë shise,
Shiti i lumi mend sa shiti,
N’e mbramta udha n’Sh’Njin e qiti.
Por sa i uli n’det spirancet,
Qe’i barkë tjeter vjen prej Francet:
Kisht’dalë Djalli me’i gale
Me shitë shkarpa neper dhê.
U dha zani n’Shqyptari
Se dy barkë n’atë Sh’Njin kanë hi:
Njana mbushë me shkarpa t’vjetra,
Me mend t’holla mbushun tjetra.
Ran Shqyptarët, at-herë, n’kuvend,
E tue folun rend-e-rend (4) ,
E pleqnuen se per ketë vend
Duhen shkarpa e jo mend.
E prandej kta bane toben,
E ma tepër vunë gjoben
Per me u la me desh e qe,
Mend Shën’Kollit mos me i ble.
Mandej çuen n’Sh’Njin ke djalli:
Per m’e pvete sa i bate malli.
Edhe Djalli — dreq i vjetër,
Qi tue dashtë nuk ishte tjeter
Veç m’e lanë at mall n’Shqypni,
U a la shkarpat veresi
Per me dajtë por ma bujar,
S’desht atë ditë me u dhanë pazar,
As s’desht vade me ju da,
Veç se u tha se kish me u la
Gja — ç’do gja, kushdi se kur
Tue lanë mbrapa ka’i kusur.
Kshtu u tha Djalli, e atje ma vonë,
Mbathën shkarpat babat t’onë.
E s’banë keq, jo, per Tënzonë;
Pse pat thanë nji plak pa dhambë:
Kush s’ka mend do t’ketë n’kambë,
A e din tash, o lum zotnija,
Pse s’kanë zari kangët e mija
Me sa t’ka ty Historija?
Paj Shqyptarët, t’thaçë, kanë ba be
Mend e shise mos me ble…
Pra, zotni, a e din shka ban?
Hidhi librat mbi tavan,
Edhe rri mandej pështetë
Me duer kryq, me sy përpjetë,
Tue njehë miza — përmbi lpiza;
Pse m’a thotë porsi shum kujë,
Ka me t’hecë kunglli mbi ujë,
Ka me t’vu ty barku peta,
Kanë me t’ba t’gjith t’u ngjatët jeta!
E ti, i lmuet si nji mermer,
Tuj u shkarrafendë m’minder,
— Kurr me punë, gjithmonë pa nga —
Gjyqin shokve ke m’u a da.
Se me istore e Skanderbeg.,
Per ketë besë, s’ke me u kapë m’breg,
As kurr ty s’ka me t’hecë zari:
Ka me t’mbetë nen bark samari;
Pse nder ne kjo kohë ka ardhë,
Qi nji e zezë me u thirrë e bardhë:
N’emen t’vet sendet s’duen qujtë
Per n’don qyqja mos me t’mujtë
E me t’fry era n’kuletë,
Por me t’shkue tymi përpjetë
Edhë fyellit me i ra pshtetë.
Po, por shka, letrarve t’ngratë
U a ka lanë lija zanatë
Me i thirrë sendet t’gjitha m’ emen,
Mashkllin, mashkull — femnën, femën:
E prandej kanë shatin n’ujë
E u shkon puna rrokopujë.
Por, pse vetë due t’mirën, t’ande,
E ma tepër pse m’a kande
Qi t’t’nderojë Roma e Stamolla,
Po t’i çoj do kshilla t’holla
Qi Tartufi (5) i ka pasë shkrue,
Per me dijtë si me jetue,
Per me dijtë si me vozitë
N’per tallaze t’shekllit t’ndritë,
Per n’do shndosh me dalun n’va
E n’do n’mjaltë spata me t’ra.

(1)    Nakdomonici; Dom Ndoc Nikaj
(2)    (Dokrra thirren kah Shqypnija. Dija, Kanga e Historija…)
(3)    Ka’i fjalë turqë ban lazem.
(4)    Shka nder në nuk mbahet mend.
(5)    Molliere ka shkrue nji Komedi mbi Tartufin.

PJESË E DYTË

Me t’pvetë Kush se ç’ishte jeta,
Mik e fis thuej ktu asht kuleta!
FJALË E VJETËR.

Tartufi plak, kryetul e bark-sandall,
Nji ftyrë-fudull, sy-xhizhë si gjeraçina,
Dhelpen per vedi e ndryshej krejt batall;
Qi pa shum mund e dije, me dredhina,
Porsi hardall i gjatë mbi lule tjera,
Tue kenë vetë hith, u rrit mbi shokë stervina:
T’cillit, kur vodh, i u duk e vogël dera,
E kur n’ketë jetë atij i a leverdisi
Krishtin si Juda e shiti disa hera,
10    Pa pasë nevojë mandej m’u vjerrë te lisi:
Tue dashtë limuet m’e shkue mbi shekull jeten,
Kto kshille t’bukra rresht e rresht ujdisi,
T’cillat me Kempis njitë mbas dekës ia gjetën;

O i biri i Adamit,
A do me gzue
Sa t’jesh mbi shekull
Ti tue jetue?
Ti ke me mbajtun
Gjithmonë ket rregull:
Erzin e shpirtin
Do t’losish shrregull.
Do t’shesish vllazent,
Do t’mohojsh fisin,
Sa herë qi n’shekull
T’a leverdisin.
Gjithmonë perkulu
Kah t’bjen ma mirë:
Perse t’a marrish
Veten me t’shtirë?
Prandej ti rueju
Se thue t’vërtetën,
N’daç t’xet m’e pasun
Gjithmonë kuleten.
Mundou me u dukun
Gjithmonë shka s’je:
Ma mirë se duka
S’asht gja m’ket dhê,
T’nanddhetenandtat
Ti n’terr n’daç bani,
Por para shekllit
Mos t’dale zani,
Prandej kurr qafen
Mos e drejto,
Gjithmonë germuqas
Pak gja ti shko:
Pse kshtu i pervujtun
Ti ke me u dukun,
E t’mdhejt nen sjetull
Ty kanë me t’strukun,
Kurr sy per sy
Mos kqyr ti njerin.
Pse ndryshe t’zemres
T’a knojnë tefterin.
Kurr mos ban llafe
Kur t’jeshë n’shoqni:
Ma e zezë asht llafja
Se nji turpni.
Ma e zezë, po, asht llafja
Qi asht thanë pa sherr,
Se nji turpni
E kryeme n’terr,
Hodum do t’dukesh
Perpara shekllit,
Sepse ti msheftas
T’bajsh punët e mrekllit.
Kqyr se t’rren mendja
Me thanë ndo’i fjalë,
Qi t’perkasë fisin
Prej kah ke dalë.
Kush don me shkue
Limuet mbi tokë
Aj s’do t’ket vllazen,
As fis, as shokë.
Me t’pvetë ndokushi
Se ç’fisi je,
Thuej, fis e atme
Na s’kem’mbi dhê
N’daç p’rherë me t’shkue
Kunglli mbi ujë,
Gjithmonë do t’flasish
Ti n’gjuhë të huej.
Si shtupë ti mrrudhu
Perpara t ’mdhejvet,
Dridhu si qeni
Nen cirka t’heivet,
T’u rrish perpara
Me turi dashit,
N’t’u kandët ty shkopi
I koçobashit
Sa herë t’i ndeshish
Ban me u puthë kamen,
Prrallave t’tyne
Përgjegju: Amen!
Me lavd tymyti
Kryq e terthuer,
Pse tash t’qet tymi
T’pjekmen dikuer
Mundou sa t’mundesh
Me hupë ti veten,
N’daç t’xet m’e pasun
Gjithmonë kuletën,
Prandej mos t’lodhesh
Me u zbe nder kndime,
Persë ty dija
T’pertrin ankime.
Mjaft asht per ty
Qi t’dijsh me kndue,
Edhë ndo’i letër
Si do m’e shkrue;
Pse per ma tepër
Nuk asht nevoja:
Ma fort se mendja
Do t’lodhet goja
Ku duerët me i njoun
Ti munde t’dyja,
Ani se t’rrije
Mbas shpinës arsyja.
Per Zot e mbreten
Mos ban shum fjalë
Pse, m’beso mue,
Mirë ka me t’dalë.
Hyjit ndezia qirin,
O i biri i Adamit,
Ndezia edhe djallit
Nji tjeter vjamit
Me kto msime sado t’vokrra
Nuk jam rrejtë me fjalë e dokrra,
Porsi rrehet pula n’kokrra;
Por kam ngranë, e por kam pi,
Kam ndej pshtetun si zotni,
Tu’u da gjygjin shok vet t’mi,
Tue mbajtë ket rregull
Un hypa m’shrregull
(Po thom, per vedi)
E jam tue kndue
Pa fe kujdesit,
Edhe e kam shkue
Si duhet jetën,
E xet kam pasun
Gjithmonë kuletën,
E pa u perplasun
Un n’baft kam hasun,
E dij fort mirë,
Kjo jetë a’e vshtirë;
A’i det i mnershem
Me guma plot;
Por mbrendë veç mbytet
Njaj qi s’din not,
Qi hyllin arit
S’ndjekë t’leverdis,
Por kqyrë ma s’parit
Punët e njerzis,
E jo t’dobis.
Un sod u plaka;
Por kurr nafaka
Der m’ditë të sodit
Mue nuk m’ka lanun,
Edhë kam pasun
Gjithmonë me ngranun:
Jam majë si njala
E, si kam dashtun,
M’ka hecun fjala:
Jam kenë i drashtun,
Sepse i padashtun.
Perse kam dijtun
N’shekull me vijtun,
E nuk kam ndejun,
Tue rrue kot voe,
Erzin e shpirtin
Tue i vu n’oroe;
Por, tue luejtë shrregull
Krahas me djallë,
U vuna m’rregull
E sod jam gjallë
Tue bamun palle.
Pse, pra, t’pves ty,
Tue pasë mendt n’kry,
Pa pune t’a marrish
Veten me t’keq?
Lumnija e erzi
S’janë gja, hae dreq;
Erzi e lumnija
(Ndiej, se t’verteta, Janë fjalë e mija),
Ku s’lot kuleta,
Janë dy f jalë t’shkreta.
Sa njerz t’permendun
Janë kalamendun
Prej usë e skamit
E kanë mbarue
Pa pasë as vorrin
M’e salikue?
Por vet, — kqyr seri! —
Qe pa shum dije,
Shndosh si skyferi,
Jam ndejë nen hije,
Tue ngranë me shije.
Njeri me letër,
(Asht shkrolë e vjetër),
Kurr m’breg s’mund t’kapet:
Shekllin e njof!
T’a dijsh, sot njerzit
I kanë trut n’zgrof,
Kush din sot çarkun
Ma t’mirë m’e ngrehun
Per me zgja barkun,
Aj ka me u njehun
Per mende-prehun.
Kur barku koder
T’kersase loder,
At-herë punët t’gjitha
Hecin per fille,
E per në sheklli
Qet drandofille;
At-herë asht vlla
Seicilli nieri:
Mollë e pa-da
A’i keqi e i miri
E dreqi e i biri.
Vllazen na jemi,
At-herë, pse i kemi
T’tanë nanat gra,
Per kshtu jem’, po,
Lazer — e vllazer,
Per ndryshe, jo;
Per ndryshe moter
E vlla njimendit
Mos mbaj kend n’voter,
N’dashtë t’jet i vendit.
N’dashtë i Kelmendit.
Prandej sa t’jesh
Nder mend t’a kesh,
Se asht barku n’shekull
E fis e erz,
Atme e liri,
E Zot per njerz;
E se, pa fjalë,
Njeti n’u daresh,
Ti ke me dalë
(Si e dij prej s’parësh)
Së dy gomarësh.

Fecit indignatio versum.

PJESë E TRETë
A e din tash, Nakdo Monici,
Se si hecë n’ketë jetë “cicmici”:
Se me kangë e pendë e letra
E me istore — prralla t’vjetra,
Veç se e mbajm na shatin n’ujë
Per t’zezë t’onë e jo t’tjeterkujë?…
S’duhet, jo, sod mendja e hollë
Per me u ndie n’Romë e n’Stamollë
Por se duhet veleti,
Pak burrni — ma shum dredhi;
Me e mbajtë g’juhën ngritë nder dhambë,
E me i zgjatun veshët nji pllambë
Per me ndie se kah fryn era…
Me vozitë andej m’at-hera,
Oh! po besa, e kam pa qeshë.
N’Shqyptari sod duhen veshë,
Sa, krejt veshë, tham, do t’jet nieri,
Per me u kapë ku e shtyn dishiri.
Duhen veshë, e s’duhet tjeter,
(M’ndigjo mue, pse asht fjalë e vjetër).
Duhen veshët me u matë me meter,
E atbotë s’ke nevojë per leter
Pse ty puna t’hecë per fille
E t’qet shkjopa drandofille…
— Jo, ma m’thue, se duhet dija,
Pse sod n’terr ka ngelë Shqypnija
E pse gjuha, sado vona,
Kisht’me hupë pa shkrime t’ona. —
Pse Shqypnija asht n’erresi,
Ku po t’dhemb, more zotni?
Mu, asht per t’ba ma lum e lum!
Me kenë n’terr edhë ma shum;
Perse n’terr shum e shum herë
Gjuhen pare pa tefterë,
Edhe n’terr ma se nji nieri,
T’parin vend ka xanë pa hiri
Ka pasë thanë edhe’i krye-repët:
Verë e dimen kualt e shkepët
Gjejn kullosë në dhe të verbët.
Pra, zotni, nder mend asht shterbë
Kushdo sod, a plak a i ri
Don m’u ba kandil n’Shqypni;
Pse, qe besa, aj tjeter s’ban,
Veç se kot rreh ujë n’havan
E i a lanë t’gjith n’tallagan.
Mbasandej per gjuhë shqyptare
S’ke pse e ban, jo, kryet matare;
Pse Shqyptarve, asht tue m’u ba,
S’u vyen gjuha tjeter gja,
Veç me pshtjellë e me ngatrrue,
Per shoshojn veç me shprrallue,
Punët e mbara me i shkatrrue:
Sa per kta edhe’i gjuhë magjype
Na hin n’punë sa gjuha shqype
Pos ksajë fjale, kem’pas ndi’,
Kur kem’kenun n’shkollë si fmi,
Kem’pas ndie se asht gjuhë barbare
Njikjo gjuha e jonë shqyptare.
Pra le t’hupë kjo gjuha e jonë
N’dashtë sivjet a n’dashtë ma vonë,
Pse kjo asht shkalla e qytetnis
Prej kah rrjedhë drita e Shqypnis
E, medje, kso drite s’re
Mjaft tue shndritë asht sod mbi ne:
Kshtu, po e xam, s’asht dritë e vogel
Qi jo veç se fmi krye-gogel.
Qi jo veç se kalamaj
Por magjypë edhe hamaj
Nepër shkolla — e nepër ksolla
Sod na flasin n’gjuhë të hujë,
Si asht dishiri i s’dij se kujë.
Per ketë punë mujm me shpresue
Se per s’mbarit jem’tue shkue;
Pse, si shqypja t’jet harrue,
(Si do mjeshtra e pa’n spjegue),
Ka me u hapun atbotë Feja,
Kanë me bijtë lulzime t’reja
Kanë me u shtuemun fise e… t’dheta,
E per mjeshtra, — eh, u ngjatë jeta! —
Kanë me çilë bibaj e pata
Edhe n’mjaltë ka m’u ra spata
Qe, pra, ty s’t’bin kurrnji sherr
Pse Shqypnija t’jese n’terr,
E pse vendin gjuhës shqype
N’dashtë t’i a xajë nji gjuhë magjype.
Pra, gajret! mos merr n’qafë veten,
Mos e shkyej ma fort kuleten
Tuj u rrekë per t’mirë t’Shqypnis.
Shporru gjuhës e Historisë;
Shko mbas hyllit t’leverdis,
Per n’daç shndosh m’u kapun m’breg.
Sa me istore e Skanderbeg
Po t’kallzoj, ke me mbetë n’zalle,
Tue vajtue vehten per t’gjallë
Qe edhe vet per udhë sod t’vuna
N’do me t’hecë per s’mbarit puna.
Pra: n’kje send qi nuk m’ndigjove
Per ketë besë vrik u pendove!
Un e dij, se ti m’at’anë
Tue m’qestisun ke me m’thanë:
— Pade’i herë se ç’ke fitue
Me kto kshille qi m’ke çue:
A veç t’duket nji farë fallit
Pse, si hut ndeje m’atë breg zallit,
Je ma e mbramja birë kavallit? —
Eh! kadalë, — moj zemer valë,
Pse vjen moti per kadalë,
Njado kunguj qi n’ditë t’sodit
I sheh nalt, sado t’jen rodit,
M’beso mue se per nji ditë
M’ato maje ata s’janë njitë;
Por janë dashtë do javë e mujë
Per me i kcye m’qafë tjetërkujë —
Per m’u njitun ata grreça
M’maje t’lisave ’iqindvjeça,
Kshtu edhe na, kadalë-kadalë
Si ata kunguj kem’me dalë
Vrik m’ndo’i maje, e atbotë shih seri
Se si ndrron me’i herë tefteri.
Pra, ndigjo kto kshille t’mbara
E m’mbajë mik porsi përpara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top