SHKRUAN: LIRI LOSHI
Kryeministri nuk është i vetëdijshëm se ajo çfarë bëri ai duke larguar dhunshëm një person nga foltorja, është shkelje e ligjit, sepse ajo ishte detyrë e organeve të sigurisë dhe jo e kryeministrit. Ndaj një gruaje u përdor dhunë nga kryeministri dhe ajo grua ka të drejtë të ngre padi kundër tij. A nuk është kjo turp për një shtet?! Nëse atë grua do ta largonte personeli i sigurimit, nuk do të ishte shkelje e ligjit. Kjo që bëri kryeministri nuk ishte punë e tij, edhe sikur ai për nga profesioni të ishte një specialist në fushën e sigurimit dhe të interveninit fizik e jo një “izbacivaç” siç thuhet të ketë qenë në Zvicër. Nesër kryeministri mund të dalë në një udhëkryq dhe ta drejtojë komunikacionin kur nuk punojnë semaforët, ndërkohë që ajo është punë e policit. Por kjo gjë do të ishte një gomarllëk?!
Kur Kryeministri thotë se ai veproi për ta ruajtur shtetin, është arsyetim banal dhe i pakuptimtë. Gruaja që doli në foltore nuk e cenoi shtetin, ajo cenoi agjendën e ceremonisë, meqë nuk ishte e paraparë për ta marrë fjalën. Pse ajo u gjet aty, mund të mos ketë qenë faj i saj, ajo mund të ketë qenë një person me hendikep psiqik, pa kontroll mbi aksionet e veta, për shembull. Shtetin e cenoi kryeministri në momentin kur e kapi për duarsh dhe e shtyu gruan që po fliste në foltore, në vend se atë ta bënte ai që ishte i autorizuar për ta bërë. Kryeministri pra ishte impulsiv, i papërmbajtur dhe i dhunshëm.
Ky ishtë një akt i turpshëm që flet për nivelin e mjerë intelektual dhe për vlerat e ulëta kulturore e morale të kryeministrit. Shqetësimi i një gruaje që pashë në një televizion tonin se veprimi i kryeministrit e kishte bërë të dyshonte se ai është i dhunshëm edhe në familje, është shqetësim i logjjkshëm dhe legjitim. Në praktikën time si mjek, kam pasur rastin kur pacientë të ndryshëm e kanë thyer rendin ndërkohë që të tjerët prisnin me durim, por kurrë nuk më ka shkuar mendja që ta merrja përsipër mbajtjen e rendit. Në praktikën time të mjekut, ka pasur raste edhe kur dikush më ka kërcënuar, por nuk i jam përgjegjur me gjuhën e dhunës, ose ka kërkuar përballje fizike me mua, por nuk e kam pranuar! Dhe, nuk jam ndjerë i turpëruar. Një intelektual duhet të ndihet i turpëruar nëse e bën atë çka nuk pritet ta bëjë intelektuali e jo kur vendos të mos përfshihet në dhunë. Nuk është me rëndësi kush e fiton betejën. Përfshirja në dhunë, pa ezauruar të gjitha format tjera të menagjimit të një konflikti, është veprim tepër i ulët për intelektualin. Është pra një vijë e kuqe që nuk mund ta kalojmë pa pasur pasoja në imazhin tonë. Kryeministri as që lodhet për të kërkuar falje për imazhin e dhunës që na e solli në ekranet televizive aty ku duhej të shihnim imazhe festive dhe jo kryeministrin e vendit duke u ballafaquar fizikisht me një grua.
Bota e pa imazhin e një kryeministri të pabalancuar psiqikisht, emocionalisht dhe intelektualisht. Bota pa imazhin e një kryeministri të dhunshëm. Bota e di që ky person moralisht e mban mbi supe një akuzë shumë të rëndë e ajo është akuza për krime lufte. Fakti se ai është shpallur i pafajshëm, nuk e pastron 100 për qind nga veprat me të cilat ngarkohet. Kundërshtarët e tij gjithnjë kanë folur për eliminimin fizik të deshmitarëve nga ana e një strukture të organizuar nga ai. Një gjë e tillë nuk është provuar në ndonjë gjyq, por një lajm i tillë është dhënë në të katër anët. Dhe kur ky person, nga posti i kryeministrit manifeston gjeste dhune, një dyshim i fjetur ngjallet përseri. Kjo është një situtë e turpshme dhe pikëlluese për atë vet, për familjen e tij dhe për të gjithë ne.
Kryeministri tha se po të ishte një burrë në vend të asaj gruaje, ai do ta “kryente ndryshe”! Kjo do të thotë se shtyerja e gruas që pamë nuk qe asgjë në krahasim me shtrirjen përtoke të një burri që do ta shihnim në rastin tjetër! Po sikur ai burrë të ishte dikush i ikur nga spitali i psikiatrisë, apo një person ashtu i përgatitur për t’iu kundërvënë me ndonjë armë të ftohët, apo me armë zjarri? Pasojat do të mund të ishin tragjike. Në fakt, dështimi i organeve të sigurisë nuk ishte vetëm pse nuk u moren me atë grua, por edhe pse nuk u morën me atë burrin muskuloz, i cili u mor me gruan para kamerave televizive, para popullit. Pra, me njeriun që e ka emrin Ramush Haradinaj dhe që aksidentalisht është kryeministër i shtetit të Kosovës.
Organet e sigurisë kanë për detyrë të parandalojnë situatat kur kryeministri mund të lëndohet, sidomos tash e tutje kur e kemi të qartë se Ramush Haradinaj është impulsiv dhe i paparashikuar, që do të thotë se ai mud ta godasë dikë në çdo rast, por edhe të pësojë kundërgoditje. Është person që nuk ka evoluar, është i njëjti Ramush me sy të enjtur e të nxier kur e rrhahën ushtarët rusë dhe është Ramushi që mori plagë në trup nga një konflikt tjetër brendashqiptar pas luftës.
Pyetja është, a i duhet Kosovës një kësi kryeministri me prirje të çrregullimeve antisociale të personalitetit, një person konfliktuoz dhe belaxhi?! A e meritojnë qytetarët e Kosovës një person të tillë për udhëheqës të tyre?!
Dhe, krejt në fund, të gjithë jemi njerëz dhe gabojmë, prandaj është institucioni i kërkimfaljes që i bjen gjerat në vend. Kryeministri nuk e njeh këtë institucion. Ai madje ua sheh për të madhe analistve që kërkojnë kërkimfaljen e tij! Ndonse, shkalla e përgjegjësisë së një kryeministri është aq e lartë sa edhe kërkimfalja në këtë rast nuk mjafton. Por, ai nuk çan kokën fare. Pra, ai nuk ka faj. Kemi faj ne që merremi me të.
Na fal, kryeministër! Në emrin tim personal dhe në emrin e të gjithë atyre që të kanë kritikuar për gjestin tënd të pakulturuar ndaj një gruaje, na fal! Ndoshta edhe populli e do një kryeministër të tillë, me prirje dhune dhe me gjestet e një kloshari. Epo, edhe ti o popull, na fal!