Mustafa Merlika Kruja – Aleksandri 1952
Cilat ishin arsyet që e shtynë një nacionalist të paepur si Mustafa Merlika Kruja, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare në Konferencën e paqes, të merrte përsipër rolin e kryeministrit të një qeverie të regjencës? Ky dokument i rrallë na shpjegon jetën dhe arsyet e një “të munduri”, një ndër të shumtët patriotë që dhanë ndihmesën e tyre për themelimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar të pavarur. “Paraqitja personale” e Mustafa Merlika Krujës, botohet për herë të parë në shqip. Frëngjisht në origjinal, është pjesë e dokumenteve për kërkim të azilit politik në SHBA që Mustafa Merlika Kruja bëri më 1952, nga Aleksandria, 8 vjet pas largimit nga Shqipëria. Mustafa Merlika Kruja vdiq në Niagara Falls, SHBA, më 27. 12. 1958.
Kam lindur në Krujë, Shqipëri, më 15 mars 1887.
Studimet i kam kryer në Janinë (tashmë e përfshirë në kufijtë e Greqisë, kryeqendër e Epirit) dhe në Stamboll.
Që në të ri, rrethanat më përfshinë në luftën për çlirimin e atdheut tim nga pushtimi otoman. Pas këtij çlirimi, më 1912, i kam shërbyer atdheut tim si nëpunës dhe më pas si ministër, si i dërguar për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, dhe si deputet në parlament.
Ndodhesha në Zvicër kur Italia fashiste, në prill 1939, pushtoi vendin tim. Si gjithë të tjerët, edhe unë e kisha mjaft të qartë se vendi im i vogël me një milion banorë nuk do të ishte në gjendje t’i bënte ballë agresionit të një fuqie të madhe. Por kishte vend të shpresohej se bota e qytetëruar, sidomos fuqitë e kërcënuara drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga ky agresion do të bënin ç’ishte e mundur për ta penguar, dhe do të viheshin përkrah Shqipërisë. Fatkeqësisht, krimi i pushtimit u krye pa shumë bujë dhe kurrkush nuk ngriti as gishtin e vogël për të bërë diçka. Në të kundërt, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara dhe të Francës, të gjitha fuqitë e tjera njohën gjendjen e re të krijuar dhe pozicionin e Italisë brenda vendit të vogël të pushtuar! Aq e pat Shqipëria e pavarur.
Në një dëshpërim pa rrugëdalje, u ndje një farë ngushëllimi kur vumë re, në fillim, se italianët e panë të arsyeshme ta linin krejt të paprekur formën e qeverisjes së pavarur me gjithë tiparet e saj të jashtme, me përjashtim të kreut të shtetit i cili u zëvendësua nga mbreti i Italisë nën një bashkim personal të dy monarkive.
Atëherë u ktheva në atdheun tim me vendosmërinë e patundur për të mos pranuar të hyja në asnjë qeveri të një vendi të skllavëruar; aq më tepër kur pak kohë më pas, edhe ajo formë pavarësie që na kishin lënë për ndoca muaj, u hoq nëpërmjet konvencioneve të veçanta midis Romës dhe Tiranës; Shqipëria nuk do të kishte më as ministri mbrojtjeje dhe forca kombëtare të armatosura, as ministri të punëve të jashtme e marrëdhënie diplomatike.
Tre herë, nga viti 1939 deri në fund të vitit 1941, më propozuan të hyja në qeveri si ministër i punëve të brendshme. Gjithmonë refuzova në mënyrë kategorike.
Pas agresionit gjerman kundër Bashkimit Sovietik, organizatat komuniste, deri më atëherë të qeta dhe thuajse të kënaqura, u vunë kudo në lëvizje. Kështu edhe në Shqipëri. Mëkëmbësi i Lartë i mbretit të Italisë në Shqipëri, Z. Jacomoni, njihte pikën time të dobët, domethënë e dinte që isha një kundërshtar i patundur i komunizmit. Një ditë më ftoi të takoheshim dhe më fjalosi gjatë mbi rrezikun e madh të komunizmit që kërcënonte në atë periudhë atdheun tim dhe mbi nevojën për t’i bërë ballë përhapjes. Sipas tij, qeveria në fuqi nuk ishte në lartësinë e duhur për të përballuar këtë detyre dhe më propozoi të formoja një qeveri të re të drejtuar nga unë duke më lejuar liri të plotë në zgjedhjen e kolegëve të mi dhe kohë sa të doja për të vendosur.
U gjenda përballë brerjesh mjaft të thella të ndërgjegjes. Rreziqet për të cilat më ishte folur dukeshin haptas dhe ishin realë, i shihja edhe unë vetë me sytë e mi, dhe e ndjeja si detyrë timen të bëja çmos për t’i penguar dhe për t’i luftuar. Por nga ana tjetër, ishte e qartë se pushtuesi, sadopak, do të përfitonte, nga puna ime. Bëra këtë arsyetim: në krye, nëse Boshti duhej ta fitonte luftën, nuk do të ishin padyshim komunistët shqiptarë ata që do t’a pengonin; dhe nëse duhej ta humbte, Shqipëria nuk do të ishte vërtet e lirë nëse nuk i pritej rruga komunizmit: pra, në këtë pikë vendimi im ishte marrë. Përveç kësaj mora parasysh edhe dy gjëra nga ana personale: së pari, nëse detyra që më besohej, në kohë normale dhe në një vend të lirë mund të konsiderohej si nder për një politikan, në kushtet që gjendej vendi im unë e gjykoja në kundërshti me dinjitetin tim vetjak; nga ana tjetër, nëse ia dilja mbanë për të çrrënjosur komunizmin nga vendi im, kjo do t’i vinte kapakun kundërshtive; porse rrethanat atëbotë ishin tepër të pafavorshme për të mos iu druajtur një dështimi.
Të tëra këto arsyetime e të tjera që shtoheshin, familja, e shkuara ime, e ardhmja ime, më bënë të ngurroj gjatë. Por ndërsa unë lëkundesha në këtë pavendosmëri, një ditë mësoj se disa agjentë komunistë sllavë qarkullonin nga njëri cep i vendit tek tjetri për të organizuar dhe drejtuar partinë komuniste shqiptare. Nuk ngurrova më: le të ndodhte ç’të ndodhte, unë vendosa të marr përgjegjësitë e mia. I parashtrova Jakomonit kushtet e mia për të marrë përsipër detyrën që më kishte propozuar; kushtet ishin si më poshtë:
1) Rikthimi në fuqi i vendimeve të Asamblesë Kushtetuese të 12 prillit, pra tek e vetmja lidhje kushtetuese me Italinë që përbëhej nga bashkimi personal i dy kurorave, gjë që donte të thoshte abrogimin e traktateve që kishin të bënin me shkrirjen e forcave të armatosura dhe të marrëdhënieve të jashtme të të dy vendeve.
2) Në pritje të kryerjes së formaliteteve të nevojshme për zbatimin praktik të kushtit të parë, formalitete të cilat kishin nevojë për një kohë mjaft të gjatë, kërkova themelimin e menjëhershëm të një force milicie shqiptare, deri në njëzet batalione prej 500 vetësh, nën urdhrat e drejtpërdrejta të ministrisë së brendshme si forcë policore për fshatin dhe për përforcimin e sigurisë publike nëpër qytete. Rindërtimin e forcave të armatosura kombëtare e konsideroja si të rëndësisë më të lartë, jo vetëm për t’i bërë ballë rrezikut të çastit, por gjithashtu dhe sidomos për rolin që ato mund të luanin në raste të ndryshme që gjasat e kishin se mund të shfaqeshin më vonë.
3) Kthimin e menjëhershëm të formës origjinale të flamurit kombëtar shqiptar. E kishin përdhosur duke i shtuar emblemën fashiste, d.m.th. fashat e liktorit, dhe stemat e Savojës.
Kuptohet që këto nuk ishin kushte që mund të hynin në kompetencat e Mëkëmbësit të Lartë. Ndaj ai kërkoi, nga ana e vet, kohën e nevojshme për të marrë direktivat dhe udhëzimet nga Roma. Shkoi ai vetë në Romë. Kur u kthye, më thirri dhe më komunikoi pranimin në parim të të gjitha kushteve të mia dhe m’u lut të mos bëja të ditur asgjë për publikun deri në arritjen e një marrëveshjeje të plotë midis qeverisë italiane dhe meje vetë pas emërimit tim zyrtar. A ishte e sinqertë qeveria fashiste? Apo donte thjesht të më shfrytëzonte dhe të më komprometonte? Fatkeqësisht, vetë ngjarjet e mëvonshme dhe botimi pas vdekjes i Ditarit të Çanos, ministër i punëve të jashtëm dhe dhëndër i Musolinit, u desh të më tregonin se fashistët, në makiavelizmin e tyre, nuk kishin pasur aspak ndër mend të bënin një përjashtim me mua.
Ndërsa prisja, veprimtaria komuniste në Shqipëri, falë sidomos agjentëve sllavë, ia kishte marrë revanit, dhe unë, që të arrija t’a luftoja para se të ishte tepër vonë, me mirëbesim i pranova premtimet italiane si të sinqerta.
Ja, kështu u bëra, edhe unë, një kuisling, siç kanë emërtuar prej kohësh, në vende shumë më të rëndësishëm se sa Shqipëria, njerëz shumë më të rëndësishëm se sa unë, u bëra “Pëteni i Shqipërisë”, siç ia desh qejfi të më quante autori i “Internacionales së tradhtarëve”, komunisti i Zhuvënelit.
Po, e pranoj me ndërgjegje të plotë këtë situatë. E quaja detyrë time të shenjtë patriotike të përpiqesha të ndaloja fatkeqësinë më të madhe që kishte pësuar ndonjëherë vendi im. Nëse do t’ia kisha dalë mbanë, epitetet dhe nofkat e shumta që më vunë për të më njollosur do t’i kisha për nder. Por unë dështova, pasi më mashtruan fashistët të cilët më prenë në besë. Nëse italianët do të më kishin dhënë me besnikëri gjithë ç’më kishin premtuar dhe nëse tërë bashkëpatriotët e mi nacionalistë do të më kishin besuar, Aleatët perëndimorë ngadhënjimtarë, në nëntor 1944 do të kishin gjetur padyshim në breg të Adriatikut një Shqipëri që do t’u përkushtohej dhe që do t’u ishte mirënjohëse për lirinë dhe pavarësinë që kishin sjellë, dhe populli shqiptar nuk do të vuante mjerimin më të zi, zgjedhën më barbare, terrorin më të dhunshëm që po e fshikullon që prej tetë vjetësh dhe që kush e di se kur mund të përfundojë.
Nga të gjitha premtimet e Romës në lidhje me kushtet e mia për të marrë përsipër përgjegjësinë e një qeverie të re shqiptare, vetëm njërën pata rastin ta shoh të zbatuar: atë që kishte të bënte me flamurin shqiptar. Moralisht, ishte gjëja që shqiptarët e kishin më për zemër, simboli i pavarësisë së tyre kombëtare. Por ishte tepër pak për t’i kënaqur e për të penguar komunistët t’u hidhnin trutë e gomarit me parullat e tyre që fshiheshin nën maskën të çlirimit kombëtar. Më dhanë një milici shqiptare të kufizuar, por çdo batalion kishte në krye një oficer italian, i cili, për të zbatuar urdhrat e mi, shkonte e merrte fshehurazi udhëzime nga eprorët e tij italianë. Kisha riorganizuar mjaft mirë policinë qytetëse, por pjesa më e madhe e nëpunësve nacionalistë që kisha emëruar, merrnin urdhër nga Komiteti i tyre i Rezistencës që të mbronin komunistët. Ndodhesha përballë një situate krejtësisht të çuditshme, paradoksale, që më rrëshqiste nga duart.
Pas një viti lufte të pabarabartë kundër komunizmit nga njëra anë dhe shkopinjve ndër rrota të italianëve dhe vetë bashkatdhetarëve të mi, të cilët duhej të më mbështesnin, vendosa të jap dorëheqjen. Në fillim të nëntorit, ia thashë prerë Mëkëmbësit të Përgjithshëm se nuk mund të kënaqesha më me premtime në erë dhe as të punoja mes pengesave që vazhdonin të më krijonin nga çdo anë. Ai m’u lut të bëja durim edhe për ca kohë, dhe më premtoi se do të shkonte vetë në Romë për të shpjeguar gjendjen dhe për të arritur në një zgjidhje të shqetësimeve dhe desiderata-ve të mia. U nis vërtet.Çka ai i tha eprorëve të vet në kryeqytetin italian, çka kërkoi të arrinte, ma bëri të ditur si gjithmonë Ditari i Çanos: „14 Nëntor 1942. Jacomoni mendon ta heqë Krujën por nuk është dhe aq i bindur. Është një njeri, thotë ai, që duhet ta shfrytëzojmë për interesat tona.”. Nëse diplomacia është arti i mbajtjes të fshehtë të qëllimeve , M. Jacomoni është diplomat i hollë. Kur vura re që u kthye duarbosh nga Roma, i bëra të qartë vendimin tim të pakthyeshëm për dhënien e dorëheqjes dhe iu luta të merrej vesh sa më shpejt me Romën për të gjetur njeriun që duhej të më zëvendësonte. Natyrisht, deklaratat e mia kësaj radhe nuk duhet ta kenë habitur pasi nuk priste tjetër gjë prej meje. Në fytyrë i lexohej edhe një farë shpërfilljeje, dhe me të drejtë. Pasi ai nuk dinte ç’të bënte më me një rebel të urdhrave të Duçes, me një njeri që donte të mendonte dhe të vepronte me kokën e vet, për të mirën e tashme dhe të ardhme të popullit të tij. Nga ana tjetër, komunistët shqiptarë nuk i mbante vendi nga gëzimi që po iu hiqesha qafe. Megjithatë, më vonë më treguan se ajo që donin nuk ishte vetëm largimi im nga qeveria.: Më 12 tetor 1943, në mes të Tiranës më bënë një atentat me automatik, dhe krejt për mrekulli shpëtova me një plagosje të lehtë.
Unë njihja tërë krerët nacionalistë të Lëvizjes së Rezistencës. Më të moshuarit, në të kaluarën, kishin qenë shokët e mi të luftës patriotike. Jo vetëm nuk u kisha prekur një qime floku, por përkundrazi, i kisha mbrojtur dhe u kisha kërkuar të bashkëpunonin. Dy prej tyre ishin anëtarë të kabinetit, njëri prej të cilëve, Hasan Dosti, ministër drejtësie në qeverinë time, tashmë kryetar i komitetit „Shqipëria e lirë”, banues në Nju Jork. Shumë të tjerë ishin nëpunës të misi prefektë apo shefa policie nëpër rrethe. Shpresoja që të jepnin ndihmesën e tyre në luftën kundër komunizmit. Fatkeqësisht, pak mes tyre u sollën si besnikë, të tjerët besuan se i shërbenin më mirë atdheut duke ndihmuar dhe mbrojtur komunistët në vend që t’i luftonin. Mes tyre dhe meje kishte mospërputhje idesh. Ata mendonin: „Meqë sot bota komuniste është në aleancë me botën demokratike të perëndimit, duhet të ndjekim shembullin dhe këshillat e kësaj të fundit.” Fantazia ime, përkundrazi, nuk rrihte aq larg. Mendoja se detyra ime parësore ishte të shpëtoja vendin tim, këtë vend të vogël kaq kafshatë e lehtë për sllavo-komunizmin, t’a shpëtoja nga rreziku që e kërcënonte nga aq pranë; vetëm në këtë mënyrë atdheu im do të zinte vendin përkrah perëndimit. Në fjalimin tim të fundit publik si kryeministër shqiptar mbajtur më 22 nëntor 1942, thashë se Bashkimi Sovietik i tradhtonte aleatët e vet sapo nuk kishte më nevojë për ta, dhe se nëse përfundimi i luftës do ta gjente Shqipërinë komuniste, ajo do të shndërrohej në një provinckë të perandorisë sllavo-komuniste që do të shtrihej nga deti i Japonisë deri në Adriatik. Isha në prag të dhënies së dorëheqjes. Si kryetar qeverie, desha t’i hidhja këtë paralajmërim të fundit bashkatdhetarëve të mi. Njeriu verbohet nga pasionet, bëhet shurdh, humb ndërgjegjen. Por jam i sigurt që në Shqipëri janë të shumtë ata që tani e kujtojnë atë paralajmërim.
Pra, pa marrë pjesë aktive në lëvizjen shqiptare, ngaqë shihja qartë që kjo do të çonte ujë në mullirin e komunizmit, u orvata, sidoqoftë, t’a ndihmoj, e ndihmova. Asnjë kundërshtar nacionalist nuk e pa derën e burgut për veprimtari politike për sa kohë qeverisa. Pas dorëheqjes, i dhashë tërë mbështetjen time Lëvizjes Legaliste në lidhje të ngushtë me kreun e saj Z. Abas Kupi, tanimë anëtar i Komitetit „Shqipëria e lirë”.
Mendoj se kuadri politik që dua të nxjerr në pah me këtë paraqitje mbi Shqipërinë nën pushtimin e huaj gjatë luftës së fundit, nuk do të ishte i plotë nëse nuk flisja shkurt edhe për politikën, në e nëpër atë vend, të dy grupeve të fuqive luftarake dhe të politikës të secilës. Pasi është pikërisht politika e tyre ajo që ka luajtur një rol kryesor në përcaktimin e ndjenjave dhe, si pasojë të qëndrimeve të patriotëve shqiptarë.
Italia ishte aleatja e madhe e e Shqipërisë që nga viti 1928 deri më 1939. Patriotët shqiptarë, me mbretin në krye, nuk e shpërfillnin rrezikun e marrëdhënieve të ngushta me fqinjin e fuqishëm të përtej Adriatikut. Por ishin të detyruar. Fqinjët sllavë mbanin nën vete një masë të madhe të bashkatdhetarëve tanë që përbënin më shumë se një të tretat e gjithë popullsisë shqiptare të gadishullit ballkanik, dhe as kjo nuk u mjaftonte! Nuk kishin reshtur kurrë së thururi intriga dhe së ushqyeri trazira në vendin tonë që prej përfundimit të traktatit të aleancës italo-shqiptare. Ekonomia jonë ishte e lidhur pothuajse e tëra me atë të Italisë. Financat tona kishin nevojë për hua dhe asnjë vend, përveç Italisë nuk tergohej i gatshëm të na jepte hua. Kërkesave të një përfaqësuesi të qeverisë shqiptare, një burrë shteti anglez i ishte përgjigjur me një fjali të prerë dhe fyese „Nëse ka ndonjë gjë, kish thënë, që nuk i pëlqen aventura, kjo është paraja!” Rinia jonë u formua kryesisht në universitetet italiane. Edhe vetë fuqitë e mëdha i njohën Italisë „interesa të veçanta”në Shqipëri, i kishim, mund të themi, duart e lidhura mga Italia. Britania e Madhe e shpërfillte aq shumë tashmë Shqipërinë, saqë i kishte kaluar Italisë një koncesion nafte që kishte blerë, pa u konsultuar me qeverinë shqiptare. Pra, duke pranuar traktatin e aleancës me Italinë më 1928, qeveria shqiptare ishte përpjekur ta shenjtëronte situatën në mënyrë që të angazhonte Musolinin moralisht, politikisht dhe juridikisht për të respektuar më së miri sovranitetin tonë. Por diktatori fashist u soll njësoj si aleati i vet siç e pa dhe tashmë e di bota mbarë.
Pas pushtimit, Italia fashiste shpresonte ta bënte për vete popullin shqiptar nëpërmjet korruptimit. Gjatë gjithë periudhës së pushtimit, me produktet bujqësore të territoreve të çliruara nga pushtimi jugosllav dhe me miellin italian që arrinte thuajse çdo ditë me qindra e mijëra thasë në portin e durrësit, populli shqiptar pati një bollëk mallrash ushqimorë si asnjë popull në Europë. Fshatarët u pasuruan duke shitur në qytet si frëngu pulën prodhimet e tyre, tregtarët po aq e më shumë nëpërmjet shitjes së mallrave të të gjitha llojeve të importuara nga Italia me mjaft lehtësime. Çdo italian, ushtarak apo civil, që kthehej nga Shqipëria, merrte me vete mallra me bollëk të cilat në Itali i kishte të racionuara ndonëse ishin mallra që kishin ardhur po nga Italia. Punimet publike të kryera nga italianët u shtuan dhe ndihmuan zhvillimin e ekonomisë të vendit, lehtësuan komunikimin. E gjithë kjo ishte gjë e shkëlqyer, e mrekullueshme, por qëllimi ishte i keq: deshën të blinin kështu lirinë e popullit shqiptar
Me gjermanët punët shkuan ndryshe. E pabesueshme por e vërtetë: Ky komb, i cili, që pas vdekjes së Bismarkut, nuk është shquar kurrë për diplomaci dhe që ka kryer një thes me gabime psikologjike dhe politike në shumë vende të tjera të pushtuara gjatë luftës, diti si të zhvillojë në Shqipëri, me apo pa sinqeritet, një politikë të aftë. Qarqet politike dhe ushtarake gjermane, në aleancë të plotë dhe në luftë të përbashkët me italianët, kryen një propagandë mjaft aktive mes nacionalistëve shqiptarë për t’i bindur se fitorja e Boshtit nuk nënkuptonte në asnjë mënyrë mbetjen e Shqipërisë nën zgjedhën e Italisë. Ata përbetoheshin se do ta bënin Shqipërinë jo vetëm një shtet të pavarur, por deri edhe të bashkuar me territoret e shkëputura të banuara nga shqiptarët dhe nën sundim të huaj, në veri në Jugosllavi, pjesa më e rëndësishme, dhe në jug në Greqi, Çamëri. Këto premtime u mbajtën vërtet nga ana e gjermanëve. Dhe gjermanët nuk harruan ta përmendnin në propagandën e tyre anti-italiane për të fituar simpatinë e shqiptarëve. Nga ana tjetër, këta të fundit nuk kishin harruar që Austro-Hungaria, në vitet 1912-1913, kishte qenë fuqia kryesore që kishte mbështetur me të gjitha mjetet pavarësinë dhe të drejtat e popullit shqiptar. E gjermanët nuk munguan të përdornin edhe këtë fakt, duke u shpallur veten vazhdues të politikës së Vjenës në Ballkan. Ata respektonin me shumë kujdes zakonet e vendit dhe pronën private. Nuk bënë kurrë reprezalje kundër popullsisë për t’u hakmarrë ndaj partizanëve. Më 1943, ata i dhanë rreth njëqind bursa studimi disa të rinjve shqiptarë që donin të shkonin të studionin në Vjenë ashtu siç kishte bërë Austro-Hungaria gjatë pushtimit më 1916-1918. Italianët nuk ditën t’i përgjigjeshin kësaj taktike gjermane.
Kështu shpjegohet dobësimi mjaft i ndjeshëm i rezistencës nacionaliste në Shqipëri pas rënies së Italisë dhe zëvendësimi i pushtimit italian me atë gjerman.
Nga ana tjetër, cili ishte qëndrimi i Aleatëve perëndimorë ndaj Shqipërisë? Burrat e tyre të shtetit i kishin gjithë të drejtat të mburreshin me politikën që kishin ndjekur në Shqipëri ose ndaj saj, pa dashur kështu të guxoj t’i gjykoj përsa i përket interesave të vendeve të tyre. Por meqenëse jam duke shpjeguar një situatë që ka të bëjë me vendin tim dhe me mua vetë, e kam për detyrë të mos lë jashtë analizës asnjë element thelbësor që mund të hedhë dritë.
Përveç masave pa formë, të pandërgjegjshme dhe të papërgjegjshme, të cilave mund t’u shkonte për shtat politika italiane që i lejonte të jetonin në rehati; përveç komunistëve, të komanduar nga lart poshtë nën një disiplinë të hekurt dhe nën një qëllim të vendosur nga Moska; përveç edhe atyre nacionalistëve që nuk gjenin më mirë se sa të ndiqnin verbazi këshillat e BBC-së dhe të oficerëve të misionit Britanik, për patriotët shqiptarë që mendonin, për të gjithë ata që që shqetësoheshin para së gjithash mbi fatin e atdheut, politika që Aleatët perëndimorë ndoqën ndaj Shqipërisë, nga pikëpamja thjesht shqiptare dhe duke folur haptazi, nuk ka qenë e lumtur.
Po, na premtuat lirinë tonë, pavarësinë tonë, natyrisht pas fitores. Them veçse të vërtetën nëse pranoj se pjesa më e madhe e patriotëve shqiptarë donte dhe uronte të arrinte lirinë dhe të drejta e veta kombëtare nëpërmjet fitores së aleatëve. Por ata kishin gjithashtu të drejtën të dyshonin, sidomos deri me hyrjen në luftë të Shteteve të Bashkuara. Pasi gjer atëherë dukej gati haptazi e kundërta. Dhe për më tepër një shqetësim kishte hedhur rrënjë mes tyre: Aleatët i premtonin shqiptarëve lirinë, pavarësinë, menjëherë; por ata donin të dinin diçka më shumë. Po kufijtë e atdheut? Patriotët shqiptarë nuk e kishin të qartë politikën, synimet e aleatëve përballë Shqipërisë. Ata kishin detyrën të shmangnin nga Shqipëria murtajën komuniste: aleatët i jepnin kurajo komunistëve, i mbështesnin me të gjitha mjetet. Patriotët shqiptarë prisnin një fjalë nga mbreti i tyre, nga kreu i tyre i shtetit në mërgim: aleatët e mbanin mbretin, për arsye që shqiptarët nuk njihnin apo nuk dinin të shpjegonin, larg çdo gjëje që ndodhte në Shqipëri. Patriotët shqiptarë prisnin, fundja, nga ana e aleatëve ndonjë fjalë ngushëlluese mbi të ardhmen e bashkimit kombëtar, i bërë më në fund realitet: dëgjonin veçse fjalë qortuese, ku u tërhiqej vërejtja, nëpërmjet deklaratsh zyrtare, edhe pse me kufijtë të katandisur në minimum, se shumë akte ndërkombëtare i kishin përcaktuar, konfirmuar, sanksionuar. Kështu, në këto kushte, a është e drejtë të qortohen patriotët shqiptarë, a duhet të habitemi pse ata u gjendën ngushtë dhe të pavendosur dhe nuk ditën të vepronin as në njërin drejtim, as në tjetrin me atë vendosmëri, me atë energji që vetëm një bindje e thellë dhe e qartë arrin të frymëzojë?
Çka kam thënë gjer tani, me sinqeritet dhe vërtetësi të plotë, mund të më lejonte, ndoshta, t’i shmangia detajet e mëtejshme për t’u dhënë autoriteteve amerikane mundësinë për të gjykuar nëse duhet të më mikpresin në vendin e tyre të madh të lirë e të qytetëruar ku im bir gjendet e punon.
E megjithatë po vazhdoj të jap sqarime të tjera. Zura në gojë tim bir i cili pati fatin e mirë të jetojë e të marrë frymë i lirë në Shtetet e Bashkuara. Shtoj se ai është vëllai i dy të tjerëve njëri prej të cilëve është dënuar në Shqipëri me 15 vjet burg dhe tjetri me pesë nën akuza të sajuara. I kam rritur bijtë e mi me ndjenja patriotike ashtu si edhe njerëzore, por njëherazi u kam treguar udhën larg politikës, drejt iniciativës private. Ata janë marrë vetëm me studime dhe me punët e tyre personale e të familjes. Kjo është arsyeja që ata dy fatkeqë patën besim e ndenjën në shtëpi. Edhe sime shoqeje, duke mos qenë në gjendje të përballonte vështirësitë e një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm në çastin e largimit tim, iu desh të qëndronte dhe tashmë gjendet, bashkë me nusen dhe nipin tonë tetëvjeçar, në një kamp përqendrimi. Atje në burg janë edhe tre vëllezër të mitë.
U largova nga Tirana më 1 shtator 1944. Mund të kisha ndenjur edhe disa javë në Shqipëri, siç bëri pjesa më e madhe e drejtuesve antikomunistë. Por një lajm i hidhur më thirri me urgjencë në Vjenë: djali im i katërt, më i vogli, i cili studionte aty, ishte sëmurur rëndë dhe mjekët e quanin të domosdoshme praninë time për të vendosur mbi operimin e tij. Pas dhjetë ditësh udhëtimi të mundimshëm dhe të rrezikshëm nëpër Shqipëri, Jugosllavi, Hungari dhe Austri, arrita në Vjenë. Im bir vdiq më 21 nëntor. Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e tij të fundit para se të binte në agoni. Kish mbi krevat një të përditshme të asaj dite. E mori në dorë e më tha: “Kam lexuar një lajm ngushëllues, baba, por kushedi nëse është e vërtetë: Anglezët kanë zbarkuar me trupat e tyre në Shqipërinë jugore.” E kuptoj menjëherë shpirtin e tij fisnik e të përvuajtur dhe e siguroj: “Po, i dashur, i thashë, ashtu është, edhe unë e di nga një burim i fshehtë mjaft i sigurt.” Iu hap çehrja, i ndritën sytë nga një gëzim i thellë, dhe tha fjalët e fundit të jetës së vet të re e të pafajshme: “Oh! Falë zotit,: populli ynë ahere është i lirë, familja jonë, tërë njerëzit tanë atje shpëtuan, apo jo baba?” Ishte ankthi i rrezikut komunist që i kishte ngërthyer shpirtin. Lajmi ishte i rremë dhe unë, në të vërtetë, nuk kisha dëgjuar asgjë, deri më atë çast. Megjithatë, edhe pse lajm i rremë, shërbeu për diçka. Ai e besoi dhe vdiq i lumtur.
Pas kësaj mynxyre, s’kisha ç’bëja më në Vjenë. Në Itali kisha një djalë tjetër, atë që tani jeton në SHBA, dhe një motër të re, atëherë të dy studentë, të cilëve, para se të largohesh nga Shqipëria, u kisha shkruar të mos u shkonte ndër mend të ktheheshin në Shqipëri. Kishte ca kohë që jetonin në një hotel të vogël të Dolomiteve (Tiroli jugor) në provincën e Bolcanos. E gjithë Italia veriore ishte e pushtuar nga gjermanët. U kërkova autoriteteve austriake lejekalimin për të shkuar tek djali e motra. Pas ca kohësh, autoritetet politike ma dhanë lejen, por thanë se kompetencat ushtarake nuk ishin në dorë të tyre. Duhej të kërkoja leje në Insbruk, kryeqendër e Tirolit verior, (austriak) ku gjendej një seksion ad hoc i komandës mbi Italinë. Nuk qe dhe aq e lehtë. Përkundrazi, pas një pritjeje prej tetë ditësh, nuk mu dha leja për të kaluar kufirin italian, ndërsa në të njëjtën kohë shihja që kjo leje u jepej pa asnjë vështirësi shumë vetëve, edhe bashkëpatriotëve të mi. Mbeta i habitur dhe mora guximin të ankohem duke kërkuar shpjegime për këtë qëndrim të veçantë ndaj meje. Për fat, kisha njohur aty një shef mjaft të njerëzishëm. Ai më la të kuptoja se nëse ndërroja vendvajtje mund të kisha ndonjë shpresë. Gjë që e bëra pa ngurrim dhe që brenda 24 orësh më dha rezultatin që prisja. Shkoja, merret vesh, në Lodi. Por, në rrugë e sipër, zbrita në Kiuza, mora teleferikun dhe në mbrëmje arrita në hotelin Jakoberhof të Ortiseit ku takova më në fund tim bir e time motër. Ishte fundi i marsit a fillimi i prillit 1945. Pronari i hotelit, i cili më njihte prej kohësh, pati mirësinë dhe kurajën të mos lajmëronte autoritetet kompetente mbi vajtjen time. Kështu pata mundësinë të njoh edhe unë emocionin e jetës ilegale për ndoca muaj në atë vend alpin, piktoresk e të këndshëm. Aty mësova, ca kohë më vonë, arsyen pse komanda gjermane nuk kishte dashur të lejonte qëndrimin tim në këtë provincë të Dolomiteve: aty po kryheshin përgatitje ushtarake të jashtëzakonshme I Lojturi i Berlinit kishte menduar t’i shndërronte Alpet austriake në kështjellën e tij të fundit të rezistencës.
Kur Italia u çlirua dhe gjendja u normalizua, zbrita në Bolonjë, ku im bir duhej të vazhdonte studimet, ndërsa ime motër shkoi në Romë për t’u specializuar si rrobaqepëse: duhet të përgatiteshim për një jetë të ashpër e të gjatë në mërgim.
Duke plotësuar dëshirën e Madhërisë së Tij Mbretit Zog të Shqipërisë dhe i shtyrë edhe nga vullneti im, më 25 shkurt 1948 u shpërngula pranë Tij në Egjipt, dhe pas një viti solla aty edhe time motër.
Në mërgim jam marrë gjithkund e gjithherë me studime dhe kërkime historike dhe filologjike mbi popullin shqiptar. Atij ia kam kushtuar jetën time dhe atij kam ndërmend t’i kushtoj edhe ato ditë që Zoti do të më japë të jetoj. Shumë pjesëtarë të familjes sime kanë dhënë jetën për atdheun shqiptar duke luftuar kundër skllavërisë komuniste; të tjerë vuajnë një vdekje të ngadaltë nën kasollet e errëta e të lagështa duke ngrënë bukë thatë; të tjerë akoma, gra e fëmijë, janë nëpër kampe përqendrimi. S’më mbetet tjetër, në këtë mërgim të hidhur, veç një djali që gëzon lirinë, që është i sigurt mbi jetën e tij: është Bashkimi, në Shtetet e Bashkuara; dhe ime motër Haxhire, që është këtu me mua. Im bir ka bërë kërkesë pranë autoriteteve përkatëse të vendbanimit të tij (Niagara Falls) për emigrimin tonë pranë tij dhe do të jetë për të tre bashkë ngushëllimi më i madh në dhimbjen e këtij mërgimi që të kemi fatin të mblidhemi në atë tokë të bekuar me liri, ku kombi i madh është vënë në krye të popujve të lirë të botës për të shpëtuar njerëzimin dhe qytetërimin nga rreziku vdekjeprurës që i kërcënon.
te tille njerez ralle lindin