MUSTAFA MERLIKA KRUJA DHE RISHIKIMI I HISTORISË KOMBËTARE

Shkruan, Mërgim Korça

Nisma zyrtare për t’a rishkruar historinë e kombit tonë në bazë të dokumentave si edhe fakteve, ësht’e qartë se nuk kishte se si në përgjithësi të mos ngjallte interes të madh. Kjo, në parim. Mirëpo mbas çdo rrethane dhe nisme të tillë, janë aq të shumta dhe të ndryshme pengesat sa që dëndur ato mbeten vetëm… nisma. Po shpresat që ato ngjallin ndër njerëz? Ato mbeten veç ëndërra të parealizuara.

E ngushtojmë tashti rrethin e konsideratave. Sërishmi në parim, tek flitet për një rishikim të historisë së shkruar e cila veçanërisht gjatë periudhës së diktaturës u deformua, u cungua dhe u shfytyrua lidhur me njerën anë kurse u fry me të dhëna fare të pavërteta nga ana tjetër, si edhe u bë ushqim shkollor për breza të tërë, është fare e qartë se barra duhej t’u binte mbi supe historianëve që me vullnetin dhe ndershmërinë më të madhe të përballoheshin me këtë detyrë nderi kombëtar dhe punën t’a çonin përpara.

Mirëpo realiteti i hidhur krejtë ndryshe qëndron!

Gjuhëtarët dhe jo historianët janë ata që po tregohen se më shumë e kanë ndjerë këtë padrejtësí e kësisoji po mundohen t’a çajnë shtegun e ri. Konkretisht, në fushën e tij, qe gjuhëtari tejet i shquar Prof. Eqrem Çabej, i cili përgjatë diktaturës tregoi shëmbullin se si parimet nuk shkelen me këmbë. Në studimet e tija rreth etimologjisë së Gjuhës Shqipe, ai në mënyrë të përsëritur i referohet autorit “Shpend Bardhi” dhe përfundimeve të tija. E kush fshihej nën pseudonimin Shpend Bardhi? Askush tjetër veç kollosi i gjuhësisë shqiptare, Mustafa Merlika Kruja! Mirëpo zëri i profesor Çabejt mbeti një zë në shkretëtirë asokohe. Askush tjetër nuk guxoi të luante me zjarrin si ai.

Më në fund u shkërmoq edhe diktatura. U erdhi koha historianëve si edhe historianëve akademikë t’a thonin fjalën e tyre. Mirëpo heshtja i karakterizoi ata ! Të mëdha ishin shumatoret e lëpirjeve që ata duhej të bënin se e tillë qe sasija e pështymave të tyre që kishin shpërndarë: nuk i a dilnin dot! Ata konkretisht rreth figurës së Mustafa Merlika Krujës, (me që këtij shëmbulli po i referohem), kishin ndërtuar një gardh-digë masiv shpifjesh, deformimesh e sharjesh të pafund nga më të ulëtat, aq sa personi i Mustafa Merlikës u paraqit para syve të shqiptarëve si Kuislingu tipik shqiptar, kriminel … tradhëtar i Shqipërisë e shto të shtojmë të këqija e asgjë tjetër ! Më shumë për të nuk kishe nga të mësoje. Kështu që asnjeriu nga studjuesit e brezave më të rinj, nuk i shkonte ndërmënd se Mustafa Merlika Kruja ishte njeri nga ata që e kishin përligjur themelimin e Shtetit Shqiptar më 28 Nëntorin e largët të 1912-ës. As e konceptonin dot se si ai, ndonëse i akuzuar si fashist i skajshëm, si kryeministër këmbënguli që të hiqeshin nga flamuri ynë kombëtar shënjat e Liktorit dhe nyja e Savojës. A mund t’a konceptonte njeri se me urdhërin e tij u sollën mbi 300 familje hebreje nga Kosova duke u a shpëtuar atyre jetët nga holokausti ? Nga t’a mësonin se ai ishte njëkohësisht edhe lavrues i madh i Gjuhës Shqipe ? Gardhi-digë rreth personalitetit të tij qe ndërtuar me çpifje edhe sharje nga ana e politikanëve si edhe pseudohistorianëve të realizmit socialist, ngjizur ato me pështymat e tyre. Kjo e dënoi me errësirë – njohje ndaj tij si edhe veprës tij deri sot, këtë personalitet të madh.

Kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë vëllime me karakter historik studjuesit Pjetër Pepa, Fritz Radovani – De Angeliis, Uran Butka, Agim Musta, (i nënëshkruari), si edhe të tjerë. Ose së fundi studjuesi dhe gazetari zoti Kastriot Dervishi, ka botuar një vëllim me interes madhor të titulluar “Historia e Shtetit Shqiptar 1912 – 2005” ku studiuesit e ardhëshëm do të gjejnë strukturat e shtetit përgjatë periudhave të ndryshëme kohore si edhe listat emërore të drejtuesve të shtetit. Kurse akademikët tanë historianë si profesorët Paskal Milo e Xhelal Gjeçovi me shokë, vazhdojnë dhe ecin mbi binarët e shtrembër që vetë kanë pasë shtruar gjatë diktaturës pa thënë kurrë “faji im, faji im, faji im”! Kaq për ata që të parët duhej t’i a kishin hyrë rrugës së të vërtetës.

E përqëndrojmë tashti vëmëndjen tonë ndaj gjuhëtarëve që po i marrin në dorë ata frena që historianëve ligjërisht u takonin.
Më 30 maj të vitit 2003, gjuhëtari Mehmet Elezi ka botuar e zezë mbi të bardhë dhe ka shtruar pyetjen madhore: Kush e zhduku Fjalorin e Gjuhës Shqipe të Mustafa Krujës? -Ndoshta është mirë që akademikët të flasin për historinë, që historia të mos flasë nesër për ta- Në vazhdim zoti Elezi shkruan: Deri tash së voni pakkush e ka ditur se Mustafa Kruja ka qenë, përveçse një kundërkomunist i madh, edhe një dijetar e gjuhëtar i madh shqiptar. Disa trajtime të dala në dritë kohët e fundit, sado të pjesshme, duket se mbështesin thëniet e njohura se e vërteta gjithësesi zhytet, po nuk mbytet, hollohet po s’këputet. Ose, le të themi, vonon po nuk harron. Ato dëshmojnë se Kruja ka një vend nderi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe në kujtesën mbarëshqiptare, si autori i të parit fjalor të madh njëgjuhësh të gjuhës shqipe. Ka një vend nderi të mohuar për arsye që vetëm interesave kombëtare nuk mund t’u shërbejnë. Duke parë heshtjen bizantine të institucioneve akademike për të cilat të tërë ne jemi taksapagues, heshtjen e disa akademikëve të emëruar si të tillë më shumë prej shtetit se sa prej veprave të tyre, e ndiej të domosdoshme me iu rikthye për së dyti kësaj çështjeje. Them për së dyti, sepse e kam trajtuar edhe para do muajsh në librin “Gjuha shqipe ne bunker?”… “Ku ka shkuar ky fjalor, kush e zhduku? Ka mundësi që ky fjalor të jetë shfrytëzuar pa iu zënë kurrë në gojë emri autorit, siç ka ngjarë me shumë të tjerë, deri edhe me një pjesë të veprave muzikore të Ramadan Sokolit … Ezra Paund ka qenë një fashist i shpallur me bindje, por kjo s’e ka hijesuar madhështinë e artit të tij poetik, që vlerësohet jashtë politikës për gjeninë e tij. E për M. Krujën, si dhe për disa figura të tjera madhore, ka zëra dhe po dalin në dritë dokumente sipas të cilave vlerësimi i deritashëm për të si politikan ka qenë i pambështetur, se personalitetit i tij është i kundërt me atë që ka vizatuar për dhjetëra vjet propaganda zyrtare. Por kjo është çështje tjetër. Tashti po flasim për fjalorin e tij.”

Dhe zoti Mehmet Elezi, duke e kërkuar fillin e fjalorit të Mustafa Krujës, e mbyll shkrimin e tij si vijon : “Zotërinj të nderuar akademikë, ndoshta është mirë të flisni ju për historinë, që historia të mos flasë nesër për ju!” Vazhdojmë me dëshmit’e studjuesit zotit Shaban Sinani.
Më 4 gusht 2005, në analizën me titull “Kultura Hebraike në Shqipëri”, studjuesi dhe gjuhëtari zoti Shaban Sinani, (aso kohe Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit), sjell disa shëmbuj të dokumentuar se si administrata shtetërore shqiptare e para vitit 1945 vepronte me përgjegjësi të plotë dhe qëndrim antikonformist me autoritetet e ushtrisë shkelëse gjermane. Ai sjell shëmbull shkresën e Zyrës Politike të M.P.B.drejtuar M.P.J. në maj 1944, (duke i u referuar telegramit me # 191 të prefektit të Shkodrës z.Javer Hurshiti, (i pushkatuar nga diktatura), ku kërkohet: “… lutemi të kini mirësinë me ndërmjetsue ku duhet qi autoritetet ushtarake gjermane të mos ndërhyjnë në punët e mbrendëshme tonat, vetëm ndër ato rasa qi kanë të bajnë drejtpërsëdrejti me ushtrinë gjermane. Në emër të ministrit: Gjon Çoba
Në vazhdim zoti Sh.Sinani sjell si shëmbull origjinal përkthimin e tekstit të nxjerrë nga vëllimi me titull “La politica dell’Italia in Albania” me autor Francesco Jacomonin, (faqe 288 – 289 Edizione Cappelli – 1965), ku Mëkëmbësi i Mbretit të Italisë në Shqipëri dëshmon se si kryeministri Mustafa Kruja i ishte drejtuar Jacomonit duke kërkuar ndihmë për t’u shpëtuar jetën qindra hebrenjëve që gjëndeshin në Kosovë dhe për ekstradimin e të cilëve në Gjermani Komanda Gjermane i kishte paraqitur kryeministrit Mustafa Kruja një listë të detajuar. Kështu Jacomoni, me vullnetin e plotë për t’a mbështetur kërkesën e Mustafa Krujës, nuk i drejtohet për të kërkuar miratim Romës zyrtare, por privatisht informoi drejtorin e përgjithshëm të “çeshtjeve sekrete”, ministrin fuqiplotë Vidau, që ishte njeri me zemër të gjerë. Menjëherë kryeministri organizoi transferimin e hebrenjëve nga Kosova në Shqipëri e kështu, mbas disa ditëve, kryeministri Kruja i u përgjig konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë se mbas verifikimeve rezultoi se informacioni që kishte dhënë komanda gjermane nuk ishte i saktë. Në vazhdim Shqipëria u bë strehë e një pjese të madhe hebrenjsh që u paisën me dokumenta të rregullta shqiptare me urdhërin e vetë kryeministrit Mustafa Kruja.

Sa u paraqitën më lart ishin, duke përdorur një term nga muzika, “uvertura”, ose ajo pjesë muzikore që luhet nga orkestra para fillimit të vetë pjesës kryesore të çfaqjes. E ndjeva t’a bëja këtë përqasje duke dashur që, intervistën e dhënë nga gjuhëtarja dhe studjuesja zonja Ledi Shamku lidhur me veprën e shkruar nga Mustafa Merlika Kruja në vitin 1955 me titull:

“Një studim analitik – Ç’na mëson Frangu i Bardhë me fjalorin e vet”, në vazhdim të uverturës, t’a emërtoj pjesa kryesore e çfaqjes. Pse, mund të pyesë ndokush?

Sepse, së paku sipas meje, unë e konsideroj se mbas përçapjeve të bëra deri më sot, (nga dy autorët e lartpërmendur gjuhëtarë, nga Dr.Ardian Ndreca ose nga autori i këtyre radhëve), për t’a thyer atë mur heshtje dhe mospërfillje që e rrethonte figurën madhore të Mustafa Merlika Krujës vetëm me çpifjet dhe shtrembërimet politike të historiano-politikanëve të kohës së diktaturës, fati e desh që, siç shprehet studjuesja gjuhëtare zonja L.Shamku: “Ishte një rastësi fatlume (për mua) që pasardhësit e familjes së Krujës, nëpërmjet miqve të tyre kishin rënë në kontakt me disa libra të gjerdanit Excipere që unë drejtoj. Ishte poashtu fatlum fakti që bijtë e M. Krujës vijonin ta ruanin ndjeshmërinë ndaj filologjisë shqipe, ushqyer me siguri nga ai vetë. Dhe këta dy faktorë bënë që midis nesh të krijohej ajo frymë e domosdoshme afiniteti për të besuar në seriozitetin e një ndërmarrjeje të tillë.” Ndërsa, përgjatë kësaj hullie, unë do të shtoja se edhe vetë të ndjerin Mustafa Merlika Kruja do t’a quaja fatlum. Kjo sepse ka akoma gjallë djemtë Bashkimi me Fatosin si edhe i nipi Eugjeni, të cilët i kanë dorëshkrimet e Atit edhe gjyshit të tyre, arritën e ballafaquan një studjuese si zonja Ledi Shamku me veprën e përmendur më lart dhe ajo u befasua. U befasua ajo por edhe veproi! E mbas këtij veprimi fillestar kjo studjuese e ndershme dhe e paanëshme nuk ka se si më të rrijë pa u ballafaquar me befasime të tjera sa më shum’e më thellë do të njihet me veprën e Mustafa Merlika Krujës! Kjo më bën të shpresoj se tashmë gardhi-digë q’e rrethoi deri më tashti figurën e tij madhore filloi e po copëzohet. E njihnin veprën madhore të tijën, Fjalorin, gjuhëtarët e akademikët e Institutit të Gjuhësisë? Pa as më të voglin dyshim! Si vepruan ata? E ç’frytëzuan veprën duke e lënë në harresë autorin. Nga marr shkas të mendoj se e çfrytëzuan veprën e tij? Sepse mos t’a kishin çfrytëzuar, mirë derisa u shkërmoq diktatura se nga frika kanë heshtur, po përgjatë këtyre viteve në vazhdim pse nuk folën? Pa dashur të vazhdoj me hetime të mirëfillta, ndalem te zonja Ledi Shamku. Kjo gjuhëtare e dashuruar me fushën e dijes së cilës i është përkushtuar, sapo i është hapur një dritare e vogël për t’a kundruar e njohur figurën shumëkëndore të Mustafa Merlika Krujës, pa vonesë fillon e ndriçohet duke i u zhdukur para syve ajo mjegullnajë e rreme me të cilën akademikët e emëruar, (siç i quan studiuesi Mehmet Elezi akademikët pa vepra), për dhjetravjeçarë e kishin fshehur M.Krujën dhe bën një pohim që unë e quaj shumë me rëndësi, duke qenë dhe jashtë fushës së saj. Ajo figurën e Mustafa Merlika Krujës e përcakton tanimë: “Ndofta vërtet figura e Mustafa Krujës apo Merlikës sikundër e kemi dëgjuar shpesh në të kaluarën është e lidhur me rolin e tij përkrahës ndaj Italisë së Musolinit. Kjo periudhë e jetës së Krujës, e nxitur fort edhe nga propaganda komuniste, hodhi një hije të paarsyeshme mbi krejt veprën morale dhe materiale të këtij personaliteti shqiptar.” Dhe në vazhdim pohon: “Si Kryeministër i vendit u angazhua për nxjerrjen në pah të shqiptarisë nën kurorën italiane dhe ndër të tjera themeloi Institutin e Studimeve Shqiptare duke e shndërruar atë në një pol të rëndësishëm të studimeve albanologjike.” Tek pyetet zonja L.Shamku në se duhet përkthyer në gjuhën shqipe vepra e M.Krujës, ajo përgjigjet prerë dhe me kompetencë se jo vetëm Kruja po as Fishta e as Camaj nuk ka pse mendohet se duhet të përkthehen. Moskuptimin e gjuhës së tyre studjuesja e quan mangësi të shkollës sonë dhe këto bindje i formulon: “Ajo ku unë ngulmoj është se shqipfolësit kanë nevojë jetike të marrin në shkollë një kulturë gjuhësore të gjerë. Është turp për shkollën tonë, për filologjinë tonë, për linguistikën tonë, të mohojë ende sot, në kushtet e një demokratizimi të thellë të jetës, pjesë të tëra të vetëdijes sonë kombëtare ku gjuha, siç dihet, te ne luan rol parësor.”

I lexoj këta pohime të studjueses dhe nënvetëdija e ime goditet rëndë. Po, goditet vërtet rëndë dhe më vret ndërgjegja. Para disa kohësh lexova një shkrim me titullin e pakuptimtë “Riciklimi i Historisë” të gjuhëtarit Ardian Vehbiu. Shtysa fillestare ishte të ulesha e t’i bëja një analizë shkrimit të tij. Mirëpo nisur nga fakti se kohë më parë i pata bërë një kritikë rreth një shkrimi përgjatë të cilit ai hidhte idera duke e quajtur Malësinë Shqiptare gangrenë të vëndit, (?) dhe rrekjen time për gjetjen e kreut të fillit atij lëmshi aq të ngatërruar psikologjikisht siç është truri i z.Ardian Vehbiu, unë e gjeja tek ajo ideja fikse e tij …mos më pyesni pse, nuk më pëlqen Fishta … kur nuk i shpifet imazhi (Malësísë- M.K.) nga faqet e zverdhura të poemave … malësorët si mishërim krenar të heronjve të Fishtës… si poet Fishta sinqerisht më mërzit. Ose kur i zihet në gojë se si Prof. Eqrem Çabej ishte shprehur botërisht se … “Lahuta e Malcisë është vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetvete” z.A.Vehbiu shprehet … estetikisht edhe Çabejt i kishte mbetur ora në Vienën romantike të shekullit të XX-të … i u mënjanova kundërvënjes me z.Vehbiu.

Mirëpo racionaliteti i logjikës së zonjës Shamku i binjakëzuar edhe me ndershmërin’e saj shkencore, duke e ngarkuar veten si gjuhëtare e studjuese e shqipes me turp për mohimin që u bëhet akoma sot pjesëve të tëra të vetëdijes kombëtare ku gjuha luan rol parësor, më bëri t’a ndjej veten edhe unë të turpëruar që i u shmanga detyrimit t’a çfaqja publikisht, edhe një herë, se sa e ndjeja veten të zhgënjyer nga shkrimi i zotit A.Vehbiu i cili nuk pozicionohet e të verë në vënd shtrembërimet e kaluara. Ja pra, krejtë fluturimthi, dy tiparet më të qenësishëm të shkrimit të gjuhëtarit A.Vehbiu:

1- Përdorimi i fjalëve të huaja vetëm për të bërë efekt mbi lexuesin e radhës.

2- Hedhja e disa koncepteve, sipas meje, tejet të mbrapshta.

Lidhur me pikën e parë, po radhis disa pjesëza fjalishë duke filluar nga titulli i shkrimit “Historia e Ricikluar”. Tek asnjeri fjalor i gjuhës shqipe, as ai i grup autorëve e as ai i M.Elezit, nuk e gjeta dot kuptimin e termit “ricikluar”. “… rolin e vizionit historik për t’ia shtuar kohezionin shoqërisë …”. “… alfabetizim kulturor e që lidhet me ato njohuri historike që shqiptarët e sotëm i njohin dhe i lexojnë pak a shumë njëlloj …” (pse mos të quhej oktavë kulturore, ose varg numrash realë kulturorë, sepse alfabeti i gjuhës së shkruar përkon me oktavën muzikore ose me vargun e numrave realë matematikorë, simbas fushës përkatëse). “… misioni i tyre eksplicit …”. “… figura pak kontraversiale, si Skënderbeu …” (me që huazuar nga italishtja, termi origjinal është “controversiale”). “… në këtë mori interpretimesh dhe ekstrapolimesh …”. “… në emër të ndonjë etatizmi mitik …”.

Ndërsa zonja L.Shamku e ndjen veten fajtore për mangësitë që ka programi i gjuhës shqipe në shkolla, kolegu i saj z.A.Vehbiu, përdor një gjuhë … aspak shqipe. Dy fjalë tashti edhe lidhur me konceptet e hedhura nga z.Vehbiu.

Në një kohë që të katër gjuhëtarët e analizuar përparandej, si Prof. E.Çabej e gjithashtu edhe zonja Shamku me gjithë zotërinjtë M.Elezi si edhe Sh.Sinani, janë shëmbuj për t’u ndjekur lidhur me pozicionimet e tyre tejet të qarta dhe të drejtpeshuara ndaj fakteve dhe të vërtetave historike, është për të ardhur keq se si tek z.A.Vehbiu shohim një mendësí e cila tregon paqartësí gjykimi. Po sjell vetëm ndonjë shëmbull, (por këtë herë shprehjen e tij të plotë dhe jo të copëzuar si më lart), ku objektivi ynë ishte vetëm qëmtimi i barbarizmave të përdorura prej tij.

“Megjithatë, edhe Rilindja edhe komunizmi ishin lëvizje programatike, të cilat duhen gjykuar jo vetëm nga misioni i tyre eksplicit, por edhe nga amputacionet që i bënë historisë kombëtare; për të mos thënë falsifikimet.”

Në parim z.Vehbiu e paraqit veten si gjykues asnjanës, duke shtruar nevojën e gjykimit si të Lëvizjes Rilindase edhe të Diktaturës Komuniste me objektivitet nisur nga misionet e tyre të shkoqitura. Por, në vazhdim, dukshëm i a mëkon lexuesit dyshimin rreth rilindasve jo vetëm si cungues të historisë por edhe si falsifikatorë të saj, baras me komunistët. E gjithë kjo, e shikuar e lidhur edhe me si e trajton ai figurën e Skënderbeut, vërtet që të dëshpron. Ai flet fillimisht se si Rilindja u dha shqiptarëve atë histori e cila do t’ua konsolidonte vetëdijen kombëtare. Ndërsa për komunizmin shprehet se ai i mëshoi metaforës historike që shqiptarët i paraqiste si komb proletar. E pastaj vazhdon me pohimin: “Ndonjë narrativë, si ajo e Skënderbeut, u përshtatej bukur të dy paradigmave”. Në këtë pohim vetë termi narrativë nuk gjëndet në asnjerin nga fjalorët e mëdhenj të gjuhës shqipe me gjithsej 82000 fjalë. Por nga ana tjetër, duke përdorur këtë term të vagët për lexuesin e radhës, (i cili mbase as nuk ndalet të hulumtojë më gjerë rreth tij), z.Vehbiu, mbase edhe jo me keqdashje por nga mosdija e kuptimit të mirëfilltë të termit, historitë e shkruara për Skënderbeun i quan tregime të trilluara nga fantazia e shkruesit të tyre. E unë shtroj pyetjen: kujt i shërben ky përkufizim i historisë së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut?

Më tutje z.Vehbiu vazhdon me një pohim të shkoqur e për të, i fundmë: Ka edhe një rrymë kombëtariste që kërkon t’i rehabilitojë pushtetarët e ashtuquajtur “kuislingë”, pavarësisht se këta bashkëpunuan hapur me italianët, përkatësisht gjermanët. Pikërisht ky pozicionim i z.Vehbiu, si pinjoll i mësuesve të tij marksistë-leninistë, i cili as sot nga lartësit’e viteve 2000 nuk arrin të gjykojë në mënyrë të paindoktrinuar e të shkëputet prej tyre, më mbush me respekt akoma më të rritur ndaj studjueses Ledi Shamku. Z.Vehbiu nuk del dot nga bunkeri ku ai është instaluar. Jo vepra e Mustafa Merlika Krujës “Një studim analitik – Ç’na mëson Frangu i Bardhë me fjalorin e vet”, por as vepra tjetër “Letërkëmbimi i Mustafa Krujës me Patër Paulin Margjokajn”, (11 vite letërkëmbim i ndërsjellë që do t’a quaja vepër vërtet monumentale), e doemos as vepra tjetër e të njejtit autor “Antologji Historike”, këtë studjues nuk e tundin dot nga llogorja e tij ! E kjo ësht’ edhe fatkeqësia e madhe e kombit tonë : as brezi i A.Vehbiut nuk po shkëputen dot nga e kaluara diktatoriale dhe nuk po e thonë dot fjalën e tyre me peshë drejtësie.

Në mbyllje të shkrimit z.Vehbiu jep edhe direktivën madhore të fundit: “Rishikimi i historisë, më shumë sesa “ndreqjes së gabimeve” që janë bërë në të shkuarën, duhet t’i shërbejë ndreqjes së gabimeve që, përndryshe, nuk do t’i shmangim dot në të ardhmen”.
Lidhur me këtë pohim të fundit të z.Vehbiu çdo gjë që të them është pak. Kur e patën pyetur gazetarin italian nga më të shquarit e gjysëmshekullit të kaluar, Indro Montanellin, se si kishte ndryshuar bindje politike dhe nuk militonte më me socialistët, ai qe përgjigjur: “Col passare del tempo, solo gli idioti non cambiano vedute e punti di vista”, (Me kalimin e kohës, vetëm budallenjtë nuk ndërrojnë këndvështrime si edhe pikëpamje).

Mbas trajtimit të pikave që më lëndonin nga shkrimi i z.Vehbiu, (duke e ndjerë veten edhe të lehtësuar nga vrasja e ndërgjegjes sikur t’a kaloja në heshtje shkrimin e tij), e duke pohuar se sinqerisht më vjen keq që një gjuhëtari të specializuar si ai jo vetëm që forma e shkrimit në rastin konkret le shumë për të dëshiruar, pa le përmbajtja, u kthehem pohimeve dhe pozicionimeve të zonjës Shamku. Kjo studjuese, sapo përballet me një studim, (të një personi për të cilin ka qenë e frymëzuar në mos për keq por aspak për mirë), edhe sheh tek metoda e tij racionale e analizës gjuhësore se ai në themel të hulumtimeve të tija vendos krahasimin e gjuhës së folur me atë të shkruar, për të vazhduar me përfundimet e tija, ajo ndalet e gjykon. Para syve të saj kalojnë në të gjithë shtrirjen e tyre kohore filozofët e gjuhësisë moderne. Ajo njeh si gur themeli të kësaj metode Derrida-n e madh i cili konsiderohet pararojë në këtë drejtim. Mirëpo studjuesja, nga ana tjetër, ka përpara syve të saj dhe lexon me dorëshkrimin e Mustafa Merlikës se si ky i fundit, disa dhjetëvjeçarë para Derrida-s po e analizon fjalorin e Frang Bardhit me të njejtën metodë analitike. Z.Shamku pohon se “… rruga dhe metoda që ai (M.Kruja – M.K.) ndoqi shpunë në përfundime të përafërta e shpesh më efikase se ato në të cilat dekonstruksionistët do të arrinin në vitet ’70, përhapur fjala vjen me tekste programatike si “ L’écriture et la différence”.

Befasimi i saj padyshim e mbush gjuhëtaren me gëzim, me gëzim të madh e pse jo edhe me krenarí: nuk është fjala se kësisoji nderohet Mustafa Kruja. Studjuesja e shikon qartë se nxjerrja në dukje e metodës krahasuese të përdorur në analizën e fjalorit të Frangut të Bardhë, e nxjerr studjuesin M.Kruja nga errësira ku edhe sot e kësaj dite z.A.Vehbiu me shokë duan t’a lenë, (duke dhënë direktiva se sa pa rëndësi është rishikimi i historisë kaluar), dhe vërtet me vonesë, por lavruesit të gjuhës shqipe më në fund i jepet nderi si edhe vëndi që i takon e krahas tij, vepra e tij i jep nder, vërtet me vonesë, gjuhësisë sonë kombëtare! Do ta mbyll këtë analizë duke iu referuar titullit që i kam dhënë shkrimit. Fati e desh që në vitet e para të shekullit XXI një studjuese me emrin Ledi Shamku-Shkreli u ballafaqua me njerin nga studimet e Mustafa Merlika Krujës. Mos t’ishte kjo ngjarje fatlume, (siç e shpreh vetë studjuesja), mund të kalonin edhe tre shekuj të tjerë … dhe një tjetër studjueseje Ledi Shamku mund t’i binin në dorë disa faqe nga studimi i Mustafa Merlika Krujës dhe faqet e humbura … kurrë nuk do të hetoheshin më. Kush do të konsiderohej humbës në këtë rast ? Mustafa Merlika Kruja apo Gjuhësia Jonë Kombëtare? Pikërisht, mbështetur në këto konsiderata, edhe i nisur nga fakti se tanimë u thye akulli dhe personaliteti Kruja nuk mund të mbahet më i fshehur në të ashtuquajturit fonde të ndaluar të Arkivit Shtetit, mendoj dhe e dëshiroj me zemër që studjuesja zonja Ledi Shamku Shkreli do të bëhet shkëndija ndezëse e reaksionit zinxhir të nxjerrjes nga errësira e fondeve të ndaluara të arkivave të personaliteteve tona kombëtare si edhe veprave të tyre ! Kësisoji do të thyhen ato “tabu” aq keqdashëse që ngriti diktatura ndaj të gjithë kategorisë së atyre që kanë qenë nderi i Kombit tonë! Studjuesve patjetër që do t’u jepet nderimi që u takon atyre. Të dënuarit me harresë deri dje, me gjithë veprat e tyre, padyshim që do të nderohen. Por më të madhin nder do t’a marrë Kultura e Kombit Shqiptar!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top