Mustafa Kruja: Me urdhër të Enverit, Titoja zhduku fizikisht intelektualët shqiptarë në Jugosllavi

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

Romë 11.10.1953

I ndershmi Zotni Mustafë,

Sikur të kishin të bâjnë këto letra me ndonji nevojë urgjente, pa dyshim nga ana e eme kishin me mbetë barrët në mal, por, faleminderës Zotit e durimit të pashembullt të Zotnís së Juej e edhe përgjegjet dy – tre – gjashtmujore nuk më kuqin aq sa me mohue shka, tue e pasë fort për zemër kam premtue e dishroj t’a mbajë deri ke të mos Ju kemë mërzitë dhe t’a shifni të nevojshëm fufkimin qi Ju bâj.

Letrën e parë të drejtueme Kapidan Ndojt kam mrrijtë me e shtí në dorë vetëm tash vonë, mbasi ia kërkova me ngulmim. Ju në përgjegjen e letrës s’eme të parë e keni pasë përhirue rasën e t’imtën qi më pat shtý me Ju shkrue e tash, mbasi e lexova disa herë atë letër po thom me bindje se “nuk mund të kthjellohet pa u turbullue”. Me këte nuk do të thotë se uji rrin gjithmonë i kthjellët, porse kthjelltësija qindron gjithmonë sipër turbullimës e fundrrinave. Kapitan Ndoj nuk m’a la shum atë letër, pse kishte frigë se mos ia pshtjellojshe kund a nuk ia dorzojshe mâ si thesár qi ishte. Ka vendosë të Ju përgjegjet vetë, mbasi ashtu më ka thanë nja dy herë kur më ka kërkue mendimin t’em mbi disa çashtje qi e ka pa t’udhës me u këshillue.

***

Në lidhje me çekjen e fjalorit të Martin Camajt dhe të veprimtarís s’intelektualve shqiptar në Jugosllavi, mbasi kam jetue atje në momentat mâ vendimtar të jetës politike e kulturore të periudhës së mbasluftës, po due me e arsyetue e pahesue ate zjermín e të rijvet; për të cilën interesoheni.

Intelektualët e kualifikuem shqiptar e veçanisht arsimtarët dhe patriotët e vërtetë, klika e Titos – lejue e madje edhe nxitë marrisht e pavetdijshmenisht prej partis së kuqe shqiptare me Enverin në krye – i zhduki fizikisht nga faqja e dheut. Për arsimin e mesëm mbetën vetëm arsimtarë qyqar të filloreve, ardhun nga Shqipnija, qi e qitën cekën me shërbye atje nën çdo kusht për shum arsyena. Shumica tjetër e arsimtarve u përflak e u përavullue nëpër kurse ngarendëse, si “spirana” e dikurshme e oficeravet t’onë. Kuptohet vetiu shkalla e kulturës së këtij kuadri, qi bante gara vetëm për numër e qëllim propagandistik. Elementat e squetë e mâ fort të rij qi patën fatin t’i pshtojnë furís së tërbueme shovenisto-komuniste dhe vijuen mësimet e mesme e të nalta, e kuptuen shterpsimin dhe dështimin e tyne përpara popujve përbâs të Jugosllavis, kuptuen dredhimet e rrenat dhe pellgun e madh qi dojshin me krijue pushtet – mbajtsat me pakicat kombtare, ashtu sikurse kuptuen e vuejtën fizikisht ndrrimin e papremë të planeve ekonomike-shoqnore e politike në kurriz të popullit, qi u bâ shesh provash të pamësuemish; kuptuen edhe se asnji drudhëz kulture shqiptare e frymëzueme nga patriotët e vuejtun, nuk mund të brumzohej mâ në bukën qi do t’ushqente shqiptarët e rij në bashkjetesën e re me anmiqt e gjakut e të qenjes së tyne. Në këtê nëpërkambje e ndrypërthim, në këtê tëhiq-e-shtymje të papreme, në këte dishirë për të mrrijtë dishka, rruga mâ e drejtë për ta qe imitimi si i vetmi mjet përfitues dhe mjet për t’iu shmangë ndjekjevet. E kur imituen, patën përkrahjen dhe muerën njifarë vrulli, por ky vrull desh i çoj ke imitimi i majmunit qi tue dashtë me imitue zotnín, i cili rruhej me brisk, preu qafën. Lojnat e fundit për shkombtarizim, i banë me kujtue me gjakftoftësi vuejtjet e vetë popullit jugosllav për lirí. Prandej shum i janë vû me gjith mend të përfitojnë nga çdo lëshim peni qi n’emën të së drejtës së pakicave u ban qeverija; të tjerët po e tregojnë vetin me vepra se janë kundër dhe po ikin pa kqyrë shteg e pa kqyrë ort për diplomaci e hatër të mbetun Palit a Pjetrit. Kështu spjegohet kalimi i 5 studentvet përnjiheri në kohën e fundit, i të tjerve arsimtarë përpara, i të tjervet mbas. Un për veti ndiej nji knaqsi të jashtzakonshme, pse ndër ta ka asish, të cilve un nën këto kushtet skamnore të mijat kam mrrijtë me u dërgue prej këndej libra studimi e tash, qe, ia befën edhe ata këndej, për arsye se si të vetdijshëm për pendën qi do të merrshin nesër në dorë, do t’u shkonte kryet, në mos ato penda u ishin zavendsue me kazma në punë të detyrueshme.

Prandej un çdo përpjekje e quej shum mâ pozitive se plogështin, se llullimin e llullës, se dufimin e tymimin e cingares, se djersimin kokrrizuer në jezullin e rakís.

Në gjith intelektualët e atjeshëm, Martin Camaj asht i vetmi qi ka dijtë me dalë para publikut me nji vepërz origjinale në nji dhetvjetsh të tanë me “NJI FYELL NDËR MALE”. Ndonse edhe ai imiton iden qi u shkon për shtat serbve për të shkatrrue zakonet shqiptare e për t’i lanë ata as më han as në vá, as në hanë; as në diell; përsëri âsht përpjekë për të bâ dishka e kjo dishka i ka dhanë zemër edhe për dishka tjetër.

Dukagjinasi i ynë, klasiku i rij Martin Camaj si poet shqiptar, nuk ka mujtë me këndue, por me vajtue edhe ai, pse populli shqiptar s’ka rend kange. E, mbasi nuk mund të qante për të kqijat qi i ka bâ anmiku drejtazi popullit t’onë, besoj un se ai ka mendue me qa se me qa, por tue e sha vetvetin. Ndryshej s’dij me i dhanë dum, p.sh. përmbylljes së poemit të tij, ku ai rrëmben vajzën e dashtnueme e del në mal, a thue se atje do ta gjejë lumtunin idealisti i modernizuem?!… Por kuj s’i shndrit balli nga fitimi e s’i kndon zemra, i përdjerret mendja e i dridhet penda në dorë si shelnja n’ujë. Poemthi i Camajt s’ka pasë kah me ua mbajtë ndikimeve skûthore të rrymës s’edukatës komuniste, ndryshej as nuk do të botohej, po të mos përshkruente me përbuzje moknën helenike të malsive e po të mos u binte dokeve të përkujdesjes prindore për martesën e të bijvet. Këndej rrjedh edhe shkaku se pse profesor Vojisllav Dançetoviq-i e ka çue në qiell me parathanjen qi i ka shkrue poemthit. Atij sërbomadhi i gilxohet shpirti prej gazmendi se si mrrijti me shkarravitë në faqet e para t’atyne fletve, – përpara “hallit” në të cilin âsht gjetë nji intelektual i rij shqiptar – vnerin e tij nxitës në formën e barit shërues, mu n’atë vend ku duhej të shkëlqente penda e artë e zemërdhanëse – për naltsimin e jo formulimin e përbuzjevet të dokeve shqiptare – e njij At Anton Harapi, e njij Lef Nosi, e njij Kol Tromare, e njij Ernest Koliqi, se mâ e njij Mustafa Kruje po se po.

Jo pse un kam ba gabime teknike e gjuhësore me bashkpuntorin t’em në përkthimin e “Kunorës së Maleve” e po due me pasë shokë me veti tue u nisë nga nji parim i gabuem, por çashtja teknike për mue – sidomos në këso rasash, ka nji vend të dorës së dytë, në mos të tretë. Ndoshta pse nuk e kam vetë pllasticitetin e fantazis dhe shkathtësin e bubrrimit, zgjedhjes, shtrimit e përpunimit të brumit për vepra origjinale, e ndoshta pse jam i etshëm pa resë vetëm të shof se po shef dritën dishka e madje në sy t’atyne qi veç un e kush e ka provue e dijmë se sa na përçmojnë edhe si qenje, un Martinit i uroj të mbarë si për poemthin, ashtu edhe për fjalorin.

Përpjekja qi ka bâ ai për të shqiptue Larouss-in simbas Kristoforidhit (mbasi e din Greqishten pse asht jezuit klasik), vepër qi tashmâ e ka sosë dhe pret t’a vejë në shtyp, në qoftë se atyne qi nuk duen me pa auktorë me vepra origjinale shqipe s’u kcen mendja me ia ndalue tue i qitë ndonji shkak dobsimi etj., ashtu nji guxim për t’u lavdue; ndonse puna mund të dali si keni parapá Ju, po të mos ishte nji studjues qi e shef pak dritën e diellit. Jam edhe un i ndërdijtshëm – si i thotë Prof. Selman Riza e Ju – se kurr ai nuk mund të bâjë ate qi mund të mrrinte me ba nji komisjon. E mu në lidhje me këtê, më lejoni të Ju kujtoj nji ndodhí t’emen kur punojshem në Prishtinë si nëpunës me kontratë i komisjonit pedagogjik krahinuer të Kosovës e Metohis: Nji mbikqyrës na la tue folë për prejardhjen e sinonimen e fjalës “katundar” dhe duel; po kur këthei mbas nji gjymës ore, njani prej nesh, për dreq e rikapi atë fjalë edhe ai mbikqyrës zû shkak me na folë se po e humbshim kot ditën e paret e shtetit dhe tha: “Po akoma nuku keni mbaruar? Ka gjysmë ore që bisedoni për një fjalë. Jeni katër vetë që bëjnë dy orë të tëra – dhe muer lapsin e shënoi-: 1 redaktor teknik për një orë merr 20 dinarë; 4 redaktorë teknikë për 1 orë marin 80 dinarë. Nga llogarija del se për përkëthimin e një fjale duhet një mëditje punëtori, këtë gjë duhet t’a referoj medoemos”. Kush e di, ndoshta edhe tash shkojnë mbas këtij parimi të kursimit, pse ai toskë i mendshëm âsht gjithnji drejtor i shpís botuese krahinore dhe paraqitsi i planit të përvjetshëm financjar të shtypit për Kosovë e Metohi; kështu e ka thjeshtue punën e fjalorit shqip edhe ia ka ngarkue njij të riu vullnetmirë e me nji – farë kulture. Sido qoftë edhe kjo punë do të jetë ndoshta pak mâ frytdhanëse për ne shqiptarët se sa përkthimi i Larouss-it qi ka bâ Sami Frashëri në turqishtet për Turqit.

Jashtë çdo dyshimi se nuk do të ketë ndërdyzime, keqkuptime, sklapurrîthîme si puna e fjalës “prua” qi bini Ju si shembull e sidomos në lamijet teknike, shkencore, në detari, industri etj.; por m’anë tjetër edhe Ju vetë e keni pranue se “Mâ mirë sorrën se hiq”.

Fjalorin e Bariqit do të bâjshit mirë me ia kërkue atij mikut të Juej, si edhe libra të tjera, po të keni mundësín, mbasi un, si Ju a përmenda edhe në faqet e para të kësaj letre, prej frige se po damtoj të dashtunit e mij, nuk po mundem me i shkrue kuj dishroj as drejtazi e as zhdrejtazi.

* * *

Tash po kcej pupthin sprapthi dhe po preki pak nji pjesë të letrës qi i kishit pasë shkrue Kap. Ndojt, si përgjegje të letrës së parë s’eme (pjesë e dytë).

Ke f. 8, pika 4: Gojdhanën e prejardhjes së Mirditasvet nga Pashtriku i Hasit e kam nji herë prej t’im et, qi ishte plak i vogël a straplak, por e merrshin për plak e madje edhe me vojvodën e bajraktarin gjû për gjû e mandej e kam ndie prej shum tjerësh si Mirditas, ashtu edhe Kosovarë. Kishem me thanë se nuk âsht larg mendjet të spjegohet kjo ngjarje me dyndjet tallazore e me shtymjet qi popullatat, të cilat kanë zanë vend në malsinat e Mirditës etj., të kenë vallue sa prej Rrafshit të Kosovës e malit të Pashtrikut deri ke Vau i Dejës, Gryka e Matit e Malet e Lurës me Dibër. Abs. qi thoni Ju për krushqí, âsht bâ normë morali e vërte Oroshi as merr, as jep me Spaç e Kuzhnê, as me Shalë e as me Shosh; ashtu sikurse nga Domgjonasit e Fandit nuk ndrrojmë me Konajt e Fandit vetë e me tjerat katunde të bajrakut t’onë po; nuk ndrrojmë as me Pukë e Iballë, as me Gojan të Spaçit pse jemi të gjithë të fisit Thaç. Tash fshâj qi nuk kam mujtë me mbajtë shënimet si duhet për të gjitha këto, por edhe sikur t’i kishem pasë përkrye, a mund t’i merrshem? Duhet pa tjetër me shkue përsëri në Kosovë e Malsí e me i marrë, apo jo?

Përsa i takon mandej çashtjes së Pal Dukagjinit a ka qenë vlláí, apo bir i Lekës, këte nuk e kam nga dokumentime librash, por nga gojmbasgoja e pleqve malsorë kuvendtarë e veçanisht prje njifarë Ndue Jakut, qi un e njof si ma të fortin kanuruejtës e kanuinterpretues e komentues të tij. Thom mandej se të bijt e Palit mbetën në vend, pse në qoftë se ata janë nda vetë a i ka nda puna, simbas kanunit, shpija i bjen vllaut të mbram bashkë me trollin e pronën e mirë.

Për Gjomarkajt Ju thoni mirë se kanë mujtë me sundue e me u ndigjue edhe pa qenë mëkambësat e Dukagjinve, ashtu sikur Shën Pjetri qi nuk ka qenë i “kotelles” së Jezu Krishtit e ashtu si po ndodhë sot me Titon, Enverin etj. qi nuk janë “të kotelles” së Kargjeorgjoviqve, as të Zogollve etj. Me gjithatë un e pëlqeva këte si krahasim, pse Kap. Ndoj e ka marrë përsipër me e mprojtë thezën e vet; un në këte mes do të jemë “vështrues”.

* * *

Nikollë Mëlyshi âsht tue u përpjekë me punue dishka, pse rrehet më nji premtim qi i âsht bâ n’emën të detyrës ushtarake qi ka pasë. Ju përshëndet dhe ju kujton me dashtuní e gjithnji Ju përmend kur më bjen rasa me bisedue me tê, mbasi un dal rrallë në kafe (nji herë a dy në javë, sa të shmallohem me rrethin e ngushtë e të shof z. Kapidan Gjonin), përndryshej po vijoj njifarë kursit t’ujsjellsave, nji tjetër t’inglishtes e kështu jam bâ vërte djerraditë.

Gjoni i Vogël, si e quejmë na këtu, kushrini i Kapidanit, âsht shëndoshë nga varrët e pushkës deri diku, por ato i kanë lanë trashigim dobsimin e përgjithshëm edhe kështu ai tash 5 muej (gati) gjindet në nji shpí përmirësimi në Sondalo të Sondrios. E ka dërgue nji organizatë katholike-amerikane, ku do të rrijë deri në fund të k.m. Asht mjaft i squetë, pse madje nuk ka kah mba, por shkollimin iu ka dashtë me e lanë përgjymës për shkaqe të luftës dhe mandej, mbas hymjes së të kuqvet nuk ka mujtë me e rimarrë vetin, pse ka qenë në mal, mandej në burg, në punë të detyrueshme, e ushtar, prej kah ka gjetë rasën e përshtatshëme për t’ikun, ku dhe asht plague, si mund t’a dini. Më dhimbet për punën e studimevet. Edhe ai bani nji përpjekje me mue për në Strasburg në vjetin e kaluem, por nuk u pranuem. Ai kishte edhe moshën e përshtatshëme, por kah dokumentat mungojshin e shka mâ tepër ishim na qi jemi – simbas mbushamendjes së shumkujt – të përlyem me të zi natyrisht na asht mbajtë dora mbi krye me na kursye qi të mos e lodhim trunin me studime, pse bjen dame të studjuemit fort. Duhet pranue e jetue edhe na si gjith të tjerët, si gegë të marrë, qi s’meritojmë shkollim, pse në përgjithsi nuk jemi në gjendje me e mujtë vetin dhe me iu shtrue atyne sendeve qi kërkojnë durim e squetsi bashkë.

Ndonse vonë, tash po Ju pyes se si jeni me shëndet dhe a po lodheni?

Ju më shkruejshit se gati keni dashtë me u idhnue me mue e me m’i këthye ato të 1000 lira, të cilat Ju a kam dërgue vetëm si shej, qi po të kishem, do të Ju kujtojshem dhe aspak për zemrim se nuk më keni përkujtue veçanisht me Abetarin e Juej. Prandej të rrini të qetë dhe kur të keni fatin e mirë me vû gjâ në shtyp, të kishem se si me nda dishka nga goja e veç me e botue sa mâ parë e me e ngutë e me e hangër si kulaçin e nxetë të kollomojt me djathë të njomë. Për këte po të Ju ishem afër, do të jepshem ndihmën t’eme në shtypshkrojë dhe do të Ju lehtësojshem në shka do të mujshem. Tash Ju thom vetëm se dishroj t’a dij atë orë të mirë, jo për tjetër, por nemose të gzohem n’atë t’emen.

Përfundoj për këso radhe tue Ju urue shëndet dhe çdo të mirë prej Zotit Familjarisht.

Prej Z. Kapidanit e rrethit këtu keni shum të fala.

I Jueji

Zef V. Nekaj

P.S. Ju lutem shum më falni për keqshkrim, i cili padyshim pasqyron gjendjen e trazueme shpirtnore gjâ qi më shtrëngon të Ju a vonoj kaq fort letrat. E pra nuk pritoj, po, “ja që hë Zoti gjykatës. – Përsërí Ju falem Zefi.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top