Mustafa Kruja: Më mirë një Shqipëri gjysmë e pavarur por me Kosovën, se sa një Shqipëri krejt të pavarur pa Kosovën

“Shqyptarë, para se me u zânë për karrika e zyra të Shtetit, duhet t’a bâjmë Shtetin” – Mustafa Merlika Kruja

Mustafa Merlika Kruja ishte delegat dhe firmëtar i Aktit të Pavarësisë, sekretar i kabinetit të Ismail Qemalit, kryeministri i 16-të i shtetit shqiptar, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Postë Telegrafëve, të gjitha këto nuk vlenin për historiografinë komuniste e cila e cilësonte armik, tradhtar, kolaboracionist e gjithfarësoj, ndërsa historiografia e sotme nuk ia ka hequr akoma këtë damkë. Cila është arsyeja? Mustafa Kruja ishte kryeministër gjatë pushtimit fashist dhe bashkëpunoi me pushtuesit italianë.

A është realiste kjo tezë dhe a ishte vërtetë tradhtar e kolaboracionist Mustafa Kruja? Nëse nuk ishte i tillë, çfarë ishte në të vërtetë Mustafa Kruja dhe si duhet ta trajtojë historiografia moderne?

Në historinë modeste të intelektualizimit shqiptar janë të rrallë ata personazhe të kalibrit inteletual si Mustafa Kruja në histori, gjuhësi e publicistikë. Nuk vihet në diskutim kontributri i tij për gjuhën shqipe dhe më gjerë por vepra e tij e botuar apo ribotuar ende nuk është e plotë dhe në sirtaret e familjes së tij gjenden akoma copëza letrash që Mustafa i ka shkruar me një thellësi mahnitëse. Të fundimit fare janë copëza të shkruar për historinë e medias shqiptare, e gazetave dhe revistave për të cilën asnjë tjetër studiues deri tani nuk e ka me aq saktësi. Por sa e sa të tjera që lidhen me historinë e kombit shqiptar që nisin prej lashtësisë e deri sa ai mbylli sytë në Niagara Falls të SHBA-së. Dhe të mendosh që Mustafa Kruja ndryshe nga shumë bejlerë e bij bejelerësh të kohës ishte një personazh selfemade. Mustafa Merlika ishte djali i një qehajai. I ati i tij administronte pronat e Esad Pashë Toptanit dhe kjo ishte arsyeja që paraardhësi i tij në detyrën e kryeministrit Shefqet Vërlaci bëri këtë replikë me Benito Musolonin kur u shkarkua si kryeministër:

“Mirë mua më larguat, por si do ta lini Shqipërinë në dorën e djalit të shërbëtorit”?

Mikpritja e Kosovës për kryeministrin Mustafa Kruja
Mikpritja e Kosovës për kryeministrin Mustafa Kruja

Por  krejt ndryshe ka qenë karriera e politike e Mustafa Krujës. E ndarë në dy pjesë, ajo lidhet me themelimin e shteti shqiptar, në të cilin ai ishte protagonist si delegat, firmëtar por edhe si pjesë e kabineteve të ndryshme qeveritare përpara Luftës së Dytë Botërore.

Ajo që diskutohet dhe debatohet është pjesa kur Mustafa Kruja pranoi të bëhej kryeministri i 16-të i shtetit shqiptar pas propozimit të mëkëmbësit të mbretit, Francesco Jakomoni.

Por çfarë ndodhi në 1 vit, 1 muaj e 1 ditë të kohës që Mustafa Krujës si kryeministër? A kishte pasoja për Shqipërinë vendimet qeveria e drejtuar prej tij dhe a ishte bashkëpunëtor me pushtuesit Mustafa Kruja njësoj si homologu i tij norvegjez Vidkun Quisling që u vu në shërbim të Hitlerit dhe punoi kundër popullit të vet?

Nuk ka dyshime për historianin e njohur Arben Puto që e cilëson tradhtar Mustafa Krujën mbështetur mbi një telegram të tij dërguar gjeneralit suprem të ushtrisë italiane dhe në të cilin shkruhej:

“Të dy popujt do marshojnë të bashkuar në mënyrë të pazgjithshme për të ardhmen e përbashkët”.

Si dhe një fjalim të Mustafa Krujës në detyrën e kryeministrit mbajtur në kinemanë e kryeqytetit dhe përsëritur në një intervistë për gazetën italiane “Corriere Della Sera” për gazetarin më të madh italian të të gjitha kohëve Indro Montaneli:

“Më mirë një Shqipëri gjysmë e pavarur por me Kosovën, se sa një Shqipëri krejt të pavarur pa Kosovën”

Por të gjithë këtë bashkëpunim e hedhin poshtë dy personazhe të tjerë që kanë kryer studime historike. I pari Mit’hat Frashëri, sipas të cilit:

“Mustafai punonte për ti nxjerrë shqiptarët e internuar sa më herët nga kampet e internimit”.

Dhe i dyti nipi i tij, Eugjen Merlika, sipas të cilit:

“Dikush do bëhej kryeministër, por më mirë Mustafa Merlika në mënyrën që dëmet të zvogëloheshin se dikush tjetër”.

Mjaftojnë këto përplasje për të vazhduar të qëndrojmë edhe pas më shumë se 7 dekadash ende në përplasje. Mustafa Merlika ishte produkt i asaj kohe që jetoi dhe debati i sotëm është produkt i kohës që ne jetojmë. As ne nuk mund ta gjykojmë me të njëjtin metër shqiptarët e Luftës së Dytë Botërore e as shqiptarët e Luftës së Dytë Botërore nuk mund të parashikonin se si do të mendonim ne për ta.

Mustafa Kruja ishte po aq tradhtar sa ishte Ismail Qemali që edhe pse shpalli pavarësinë, edhe pse la gjithçka në Stamboll deri joshje për ministër vetëm se e thërriste vendlindja, sot ka njerëz, madje edhe historinë që sforcohen ta nxjerrin tradhtar.

Mustafa Kruja ishte po aq tradhtar sa Ahmet Zogu, njeriu që themeloi, ngriti dhe rriti shtetin modern shqiptar dhe falë largimit më 7 prill ende cilësohet tradhëtar e satrap.

Mustafa Kruja ishte po aq tradhtar sa Enver Hoxha që bashkë me komunistët drejtuan luftën dhe rezistencën në Luftën ne Dytë Botërore por që pas çlirimit të vendit instaluan regjimin e egër komunist nga i cili vuajtën 100 mijë shqiptarë në 45 vjet.

Kështu mund të vazhdojmë edhe me shumë persoanzhe të tjerë të historisë së vjetër dhe moderne,të cilët vazhdojnë që për disa të jenë heronj e për disa të tjerë tradhtarë. Për fat të keq ndarja në shumë të mirë dhe shumë të keq dhe heronj dhe tradhtarë për figurat historike vazhdon të mbisundojë edhe në ditët e sotme. Vetëm kur brezat të shkëputen nga ndikime të kohës kombi shqiptar do të gjejë përkufizimin më të mirë të pyetjes nëse Mustafa Kruja e të tjerë ishin apo jo tradhtarë.

Por të paktën ne që jetojmë në vitet 2000 tashmë kishim dhe kemi një detyrim që në fakt është bërë. Mustafa Krujës nuk mund t’ia heqim firmën e rëndë në deklaratën e pavarësisë, nuk mund t’ia heqim emrin dhe foton nga lista e 33 kryeministrave të shtetit shqiptar. Nuk mund ta heqim emrin si deputet në kuvend, dy herë ministër dhe njëherësh nuk mund ti zhdukim punimet e tij shkencore për historinë, gjuhën e publicistikën e vendit. Ky ishte Mystafa Kruja dhe ky ishte dhe është populli im.

Mustafa Kruja: NUK MUNDEM ME DASHTUN SËRBIN, BELIGRADIN, XHELATËT E VLLAZËNVE TË MIJ

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top