Të tjera letra të ish-kryeministrit Mustafa Merlika Kruja hedhin dritë jo vetëm mbi personalitetin e tij, por edhe për përpjekjet e shqiptarëve në diasporë për të rrëzuar komunizmin në Shqipëri. Në vëllimin e tretë të librit “Kuvend letrash me miqtë”, që kësaj here na ofron një letërkëmbim të pasur të Merlikës me familjen mbretërore, që nga Mbreti Zog, te Mbretëresha Geraldinë, Eqerem bej Vlora, Fan Noli, Dhimitër Berati, Baba Rexhepi, Abaz Kupi, Kolë Bib Mirakaj etj. përmbajtja e letrave është e larmishme, që nga urimet për ditëlindje, te shkëmbimet e ideve për çështje të gjuhës, politikës, thirrje monarkistëve në diasporë etj. Sipas përgatitësit të këtij vëllimi, Eugjen Merlikës, ky libër “është një histori e mërgatës shqiptare mbas Luftës së Dytë Botërore, një histori e vërtetë, jo fryt i fantazisë së ndonjë autori të talentuar dhe as rezultat hulumtimesh në arkiva shqiptarë apo të huaj, aq më pak prodhim sajesash spiunësh të regjimit, të telekomanduar nga një qendër kriminale, me një qëllim të përcaktuar mirë e që ishte ylli polar i gjithë sistemit komunist: paraqitja me ngjyrat më të errëta, diskreditimi skajor i asaj pjese të politikës e shoqërisë shqiptare, që nuk u pajtua me botën e “bijve të Stalinit”, e kundërshtoi atë në mënyrat më të ndryshme, që nga mospërfillja deri në betejën me armë e, së fundi, e mundur, si pasojë e një vendimi të padiskutueshëm të fituesve të mëdhenj të luftës, për të shpëtuar kokën braktisi Shqipërinë”. Në shumësinë e letërkëmbimit të tij, kemi zgjedhur dy syresh. Njëra që i dërgohet nga Mbreti Zog dhe tjetra, Mustafa Merlika Kruaja ia dërgon Fan Nolit në vitin 1945. Në këtë letër ai i tregon mikut të tij se pse u largua nga Shqipëria dhe se sipas tij, pas çlirimit Shqipërinë e drejtonte Titoja.
MEMORANDUMI MBRETIT ZOG I
Bisedat e fundit ndërmjet drejtuesve rus dhe ndonji antari të bllokut lindor për të sheshue mosmarrëveshtjet ideologjike, më japin rastin e përshtatëshëm të shtroj para Qeverive të Botës së lirë rastin krejtësisht të veçantë të Shqipnisë. Edhe se i vendosur gjeografikisht jashtë perdes së hekurt, vendi im-mbasi një regjim i kundërt me traditat e tij të lashta iu imponua me forcë-nuk përbën një fortesë të përparuar, por të veçuar të rrezikut sovjetik në qoshen Juglindore të Adriatikut, ka një rëndësi strategjike për mbrojtjen e botës së lirë, gjë e cila nuk ka nevojë të nënvizohet. Populli shqiptar, që gjatë shekujve, pavarësisht pushtimeve të huaja, ka ditur të ruajë personalitetin e tij etnik dhe frymën e tij të dashurisë për lirinë, duke dhënë herë mbas here prova të vendosmërisë së pamposhtur për të fituar sovranitetin kombëtar deri në ditën e shpalljes së pavarësisë së tij më 1912- nuk duhet të quhet përgjegjës për gjëndjen në të cilën është vendi, kaq e dëmshme jo vetëm për interesat e tij dhe aspiratat kombëtare, por edhe për interesin madhor të botës demokratike. Prandaj çlirimi i Shqipërisë, duke i dhënë fund tragjedisë së këtij populli të vogël, të privuar nga liria e të detyruar të pësojë një sundim t’ashpër të një pakice, do të plotësonte dhe hallkën e mangët të zinxhirit të mbrojtjes së NATO-s në sektorin ballkanik.Është e sigurt se, po të mos ishte shqetësimi për integritetin e vendit që e detyron të jetë i matur, populli shqiptar do të kishte shpërthyer prej kohësh një lëvizje çlirimi për të përmbysur regjimin e tiranisë që e martirizon prej më shumë se dhjetë vitesh. Një Shqipëri e cunguar nuk do të mund të mbijetonte si një komb i lirë dhe i pavarur, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Është kjo arsyeja therëse që e detyron këtë popull të vogël, por trim e thellësisht liberal, të mos bëjë asgjë që mund të vërë në rrezik integritetin tokësor e të durojë i nënështruar, në rrethanat e soçme, zgjedhën e drejtuesve komunistë që vetëshpallen si të vetmit mbrojtës vigjilentë të kufijve kombëtarë, të përkrahur në këtë detyrë nga mbështetja e plotë e B.R.S.S. Duke sjellë sa thashë më sipër në vëmëndjen e lartë të Shkëlqesisë Suaj, zgjedh rastin për të shtuar se, mbasi t’i jetë siguruar Shqipnisë së çliruar pavarësia dhe integriteti i saj, nën sigurinë e fuqive të mëdha demokratike, do të dëshirohej në të njëjtën kohë asnjanësia e saj e përherëshme. Asnjanësia e Shqipërisë do t’i bënte të pandryshueshme marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes saj dhe fqinjëve, aq të domosdoshme për ruajtjen e sigurisë e të paqes në Ballkan, e asaj do t’i lejonte t’i kushtohej, pa asnjë pengesë, veprës paqësore të rimëkëmbjes kombëtare.
ZOG I, Cannes, 1 gusht 1957
Villa Clément Bayard
Ave. Jean de Noailles
***
FAN NOLIT Itali, 28 gusht 1945
Vëlla i dashur, Në qoftë se dhe Ti ke besuar se unë e kam tradhëtuar Shqipërinë do të Të kem thërritur kot vëlla si që moti. Po një monstruozitet t’atilë nuk dua e nuk mund t’a besoj prej Teje. Ndodhem në nji hotel të vogël të nji fshati t’Italisë. Shokët e mij këtu, a më drejt zonja e hotelit, se shokë s’kam, mori vesh se një ushtar amerikan, klient i saj, po u niska nesër në mëngjes për vêndin e tij. Sikur t’a dinte që mua m’interesonte shumë ky lajm! Po Të shkruaj pra këtë letër e i jap ushtarit të hapur, si pas dëshirës që çfaqi ai vetë. Do t’a marrsh pa emrin tim, po Ti s’ke nevojë për emër që t’a kuptojsh se cili është auktori i kësaj letre. Pa emër sepse nuk dij akoma në se jam kriminel lufte vetëm për kulisht e Titos apo edhe për botën e qytetëruar që luftoi, siç thonë ata vetë, për nji demokrati të vërtetë e për të drejta njerzore. Ka plot një vit që dola nga Tirana për t’i rënë pas një djali që m’u sëmur në Vjenë, ku pastaj më vdiq.
Ika nga Austrija në funt të marsit, për të mos rënë në duart e kuqalashëvet. Nga ana tjetër s’më shkonte as ndër mênd të kisha frikë. Mejtova një herë të fshihesha vetëm nga Patlixhanët italjanë q’u bënë n’orën e fundit kryefatosa. Pastaj u pëshpërit dhe më në funt u vërtetua dhe nga radio Londoni se në listën e kriminelëve të luftës qênkan edhe dy shqiptarë. Natyrisht as Shqiprija s’munt të përjashtohej nga ky nder i madh! Vetëm se nuk munt t’a dijmë se kujt e kujt i është rezervuar personalisht ky nder. Të jenë vallë dy kryeministrat e parë të regjimit fashist të cilvet u ra për pjesë të nënshkruajnë aktin platonik të shpalljes së luftës kundra Aljatvet, pasi këta e kishin lënë Shqipërinë të hynte nën zgjedhën e Mussolinit? Apo Kryetari i Shtetit me ndonjë shok tjetër nën pushtimin gjerman, në kohën e të cilvet u vranë ca oficera inglizë? Apo nji palë e tretë që neve s’na bie ndër mênt fare, pasi akoma s’i kemi kuptuar kriteret me të cilët është hartuar lista e kriminelëve të luftës? Për këto arsye dhe gjer sa të mos jetë kulluar puna mirë, kam vëndosur të ruhem sa të jetë e mundur. Ua kam frikën edhe të këtushmëvet. Se nesër po t’a njohin qeverinë e Titjanëvet në Shqipri, këta nuk dihet se ç’bëjnë. Data 2 mars 1925 dhe shkandulli i Tranit s’munt të harrohen kaq shpejt.
Qëllimi i kësaj letre s’është për të larë veten faqe Teje. Nuk dua të them se Italjanët s’patën as më të voglin koncesjon prej meje, jo vetëm, po kisha nisur e po përpiqesha t’u heq ata që kishin marrë më parë. S’u lodha nga lufta, po u largova se më vranë Koculin dhe më lanë shokët nacjonalistë. Me këta u solla tepër bujar, me tjerët i egër brënda caqeve të ligjës. Nuk vrava njeri prapa krahvet, u fala jetën gjymsës së komunistëvet të dënuar me vdekje nga gjyqi. Ata q’u dhanë fuqí komunistëvet, që bashkpunuan shumë kohë me këta, gjersa këta u a muarën krejt fuqinë nga dora dhe u vunë drunë e pastaj pushkën, ata sot janë në mërgim si unë. U ngjau si me Zogun. Dhe jam i sigurtë se akoma s’kanë zënë mênt dhe as për të zënë s’kanë.
Unë jam betuar me veten t’ime mbi shpirtin e djalit që më vdiq e të miqve e të shokëve që më vranë n’emër të drejtësisë së popullit – veç dy kushërinjve që dihen, pëshpëritet se më kanë vrarë dhe një vëlla -, jam betuar tashë mbi shpirtërat e gjithë këtyre që kështu e tutje s’kam për t’u marrë më me politikë shqiptare, dhe këtë rrëfim je ti i pari që po e merr. Me gjuhë po, do të merrem, se kjo m’është bërë sëmundje, me gjithë që besoj se edhe kjo është e kotë.
Unë nuk dij se ç’fat i kanë ruajtur Shqiprisë së nesërme të zotët e botës së sotme; dij vetëm se sot në Tiranë sundon Titua me të tërë kuptimin e fjalës, dhe jo si Italija me Zogun. E pohoj se personalisht s’më hyn më në punë se kush e sundon Shqiprinë, pasi arrijti koha të pijmë gjakun e njêri tjetrit. E dijmë se ç’ka ngjarë në botën tjetër, sot edhe dje; dhe në vënde të qytetëruara si Franca bile. Po ç’më duhet mua bota? Unë shoh Kotten, Tromarën, Omarin me shokë në litar, e kur shoh ata në litar s’shoh asgjë tjetër më në botë. Kështu e tutje nuk do të dëshirojsha tjetër veçse një gjëndje që të më lejonte një jetë kafshe të patrazuar n’atë vent q’e paskish mallkuar Perëndija.
Më fal, se Ti s’kishe nevojë për çfrimet e mija. Po me Ty s’e përmbajta dot veten. Adresën t’a mësova nga “Bashkimi” i Tiranës n’apelin e Kishës për njohjen e regjimit të Shqiprisë, a më eksaktërisht të qeverisë s’Enver Hoxhës. Unë i kuptoj fare mirë shkaqet e arsyet që Të kanë shtytur Ty në këtë gjest, edhe pa ditur hollësirat; ashtu siç kisha kuptuar edhe gjestin tjetër më parë në favor të Zogut e tjetrin akoma kur në 38-n të lanë Shqipot n’udhë të madhe të sëmurë.
Edhe unë po T’a jap një adresë, po deshe të më përgjigjesh:
Signorina Haxhire Merlika, presso Signora Gjika, via S. Francesco d’Assisi, Bari.
Të përqafoj me miqësi të vërtetë.
Dhe Nolit jo vetem nuk i bene asnje pershtypje keto informaciine per komunistet e enverit, por ja dedikoi albumin e tij me poezi ketyre palo komunistevet sic i quan ai “trimavet qe cliruan Shqiperine”. As qe behet fjale qe Noli te protestonte kunder tiranise enveriane titiste.! Komunistet e Tiranes po zhduknin ajken e kombit nderkohe Noli ne USA jetonte me ndihmen e diaspores! Zogut I kerkoi pension, dhe ky Zogu “satrap: ja lidhi! Shpesh me lind pyetja e cuditeshme: kush ishte ne te vertete Noli?!