SHKRUAN: PREND BUZHALA (Rrëfime të vërteta), 18
Kur Qeveria serbe po e zhvendoste Imzot Lazër Mjedën nga Prizreni për në Shkup, e pa se me imzotin nuk ia del në krye. Fillimisht, ndërmorën fushatat e spastrimit të besimtarëve shqiptarë të krishterë. Sado që imzoti i dërgonte letra Evropës dhe po ia bënte pisk punën shtetit serb, kjo qeveri e dinte që imamët do ta bëjnë veshin shurdh, kur të ndërmerren fushatat e spastrimit “të heshtur” të besimtarëve shqiptarë të krishterë, për ta bërë, mandje, atë gjahu tjetër të madh: kështu edhe ndodhi, që pikërisht nga Shkupi e rrethina t’i degdiste për në Turqi një çerek milioni shqiptarë…
Dhe imzoti ndërmori fushatat e vizitave…
1.
Në Kronika thuhet: “Nga letra pushteti dyshonte se këta të dy (Mjeda e Tarabulluzi) veprojnë kundër shtetit jugosllav, sepse ata dëshironin që të mos mbyllen shkollat në gjuhën shqipe, që gjendeshin në kuadër të kishave (famullive) nëpër Kosovë dhe në Shkup. Kjo letër zihet nga pushteti i atëhershëm jugosllav. Në bazë të saj, dom Mikel Tarabulluzi burgoset për shkaqe të angazhimit për shkollën në gjuhën shqipe. Megjithatë, siç duket qeveria serbe kishte telashe më të mëdha me arqipeshkvin e Shkupit, imzot Lazër Mjedën, sesa me dom Mikel Tarabulluzin. Mirëpo, pushteti serb ishte i vetëdijshëm se po të ushtronte ndonjë aktivitet ndaj imzot Lazër Mjedës, do të kishte probleme ndërkombëtare, sepse Lazër Mjeda ishte ipeshkëv. Nga prefekti i atëhershëm i Prizrenit (1921) na lejohet të kuptojmë se Lazër Mjeda bënte “atak” mbi popullatën serbe me letrat që ia dërgonte botës mbarë,…”
2.
Ishin fshatra e lagje të tëra të zhbëra.
“Ku qenka katundi N.N….”, pyeste imzoti.
“Aaaa, ai katundi…”, nuk ia përmendnin as emrin. Thjesht, e përnendin me “ai katundi”, si një mallkim.
“O Zot, përnjëmend, ç’është ky mallkim”!?
Iu errën sytë. Iu duk sikur i erdhi në bashkëbisedim Djalli.
“Kështu e keni merituar…”
“Po, përse, o i bekuar…”
“Hahaha… bekimin mbaje për vete, unë jam mallkimi juaj…”
U shtang për të dytën herë.
3.
Nëpër fshatrat e Prizrenit po ashtu po ndodhte diçka tjetër. Se kah erdhën e u vendosën do turq selxhukë, do goranë, boshnjakë, maqedonë myslimanë, hashkalinj, egjiptas, romë e sojsorollopësh, për ta paraqitur Prizrenin e Dardanisë antike si një qytet multietnik mysliman, por, mbi të cilët, do të qeverisnin Kryepopi serb me vladikët serbë.
Përsëri, gjatë shtegtimeve të imzotit, u paraqit Djalli.
“Të thashë se unë jam mallkimi juaj”.
Imzoti ishte mësuar me këtë iso të re historike mallkimesh. Tha vetmevete: “E kishim mbi shpinë atë mallkimin pesëshekullor, e tash prite edhe këtë tjetrin, edhe më të rëndë, me maskën e Jezuit.”
Ishin dhjetëra katunde që kishin histori të begatshme. Por, si një mallkim që nuk shqitet, historia po i përndjek ato vendbanime, ku po shkelte këmba e imzotit. Ishte një qetësi e trishtë që mbizotëronte me hijen e vet të ftohtë. Po ndodhnin edhe gjëra të çuditshme (me gjuhën e sotme thuhet: ndodhi paranormale): një bari i padukshëm me fyellin e tij po ashtu të padukshëm, endet atyre shtigjeve të shkreta, duke i ndjellë bagëtinë pa bari e pa zot. Perëndesha Thana, e kohëve ilirike, fle nëpër gjethe e nëpër pyjet tashmë të pushtuara dhe vajton. Vaji i saj t’i shurdhon veshët dhe njerëzit kanë frikë të shkojnë në ato pyje.
Ndodhën aq shumë këso ngjarjesh, sa më njerëzve iu dukën krejt normale…dhe askush më as nuk i shënoi e as nuk folën për to… mallkimi rendte e rendte gjithandej.
Kur shkeli këmba e Imzotit, melodia e fyellit të bariut pushoi dhe gjethet, së shenjë përshëndetjeje u qetësuan. Tempujt i kishte kapluar mallkimi: ishin të zbrazët: pa besimtarë. Besimtarët kishin ikur në vise të huaja, larg Kosovës.
Më kot kishin ëndërruar shpëtimin…
Shpëtimi nuk erdhi.
4.
Në Kohën e Sotme, një banor në një fshat të Prizrenit, te Kisha e Varreve, tha se e kishte parë Imzotin në të bardha. Mandej këtë banor e zuri gjumi për disa ditë e disa net. Kur u zgjua, po ecte nëpër kopsht, shëtiste rrugëve dhe endej arave. Kudo i paraqiteshin mure.
Mure nga Lindja, mure nga Perëndimi, mure nga Jugu, mure nga Veriu… Po shëtiste pelerina e bardhë e Imzot Lazër Mjedës.