SHKRUAN: ENVER ROBELLI
Nuk ka ndodhë në historinë e shteteve me rend demokratik që presidenti i vendit të ikë si kaçak jashtë shtetit dhe ta presë me ditë të tëra në SHBA kolegun e tij serb për takim.
Njëkohësisht Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë (sidomos me ndihmën e Richard Grenellit) i bëhet një presion i paparë që sa më shpejt të heqin tarifën, sepse diçka po ngutet, diçka është e ngutshme, diçka është urgjente, superurgjente. E çka? Askush nuk e di, përveç atyre që kanë negociuar (i)legalisht. Lehtë Kosova mund të përfundojë me një marrëveshje sipas modelit të Afganistanit që u nënshkrua në Doha të Katarit gjatë fundjavës, ku qeveria në Kabul praktikisht u përjashtua nga procesi dhe nuk ishte e pranishme fare në ceremoninë e nënshkrimit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes në Doha u tha se tash për detaje të tjera le të merren talibanët dhe qeveria në Kabul. Me gjasë kryetari i Kosovës e ka marrë rolin e një Mullah Omari kosovar, që duke anashkaluar Kuvendin, qeverinë, të gjitha institucionet relevante me çdo kusht dëshiron të nënshkruajë diçka. Ndonjë copë letër, 7-8 pika, të cilat ia japin një injeksion elektoral presidentit serb, pastaj shohim e bëjmë…
Me rëndësi Grenelli me i thënë Trumpit: “Shef, ta kreva edhe këtë punë”. Por puna mund të mbetet e pakryer, për detaje le të merren vesh pastaj të dy vendet. Talibanët dhe afganët… më falni kosovarët dhe serbët.