MOS TË HARROHET EDHE KONTRIBUTI I MBRETIT ZOG

Shkruar nga Kostaq XOXA

Nga libri i Dr. Zoi Xoxës, “Kujtimet e një gazetari”, botuar nga Sh.B. “55” në vitin 2007, kjo temë fillon në f. 119 dhe mbaron në f. 137. Natyrisht që këto 18 faqe, do të jepen, në përmasat e një shkrimi të gazetës, mjaft të përmbledhura. Po e fillojmë me nëntitujt: “Autoqefalia”. “Kryeministri: Yrish! Jepi përgjigjen që meriton atij ministrit grek që na kërcënon me pronat e shqiptarëve në Greqi”. “Zemërimi i ministrit tonë të Jashtëm”. “Udha drejt Autoqefalisë”. “Emërimi i peshkopëve të rinj”. “Kongresi i Korçës”. Sanksionimi i Autoqefalisë.

Kisha Ortodokse Autoqefale u themelua për herë të parë nga Fan Noli në Amerikë, ku ai më parë u bë prift dhe pastaj peshkop “vox populi”. Sepse, pikërisht në çastin e fundit, peshkopët rusë Aleksandër dhe Platon, që kishin dhënë fjalën për dorëzimin e Fan Nolit, telegrafuan se nuk mund të vinin dot. U duk qartë se propaganda greke kishte bërë punën e saj. Por besnikët shqiptarë, të ardhur në Kishën e Shën Gjergjit, iu përgjigjën intrigave greke duke bërtitur: “Të duam Peshkop! Të duam Peshkop! Aksios! (I denjë!”). Dhe kështu Fan Noli u bë Peshkop “vox populli”. Por kjo zgjedhje nuk ishte në rregull nga pikëpamja kanonike. Dhe kështu, për të qenë e tillë, Fan Noli më 1922, kur ishte deputet i “Vatrës”, u dorëzua Peshkop në kishën e Shën Gjergjit në Korçë nga peshkopët imz.Kristofori dhe imzot Jerotheu. Në vitin 1922 u mbajt në Berat Kongresi I i Kishës Ortodokse Autoqefale, i cili zgjodhi për kryetar At Vasil Markon, një prift i thjeshtë, por patriot, që kishte qenë dorëzuar prift nga Fan Noli në Amerikë. Kongresi i Beratit doli me një statut të përkohshëm, se nuk kishte as kler, as peshkopë, sa duheshin.Në këtë gjendje qé zvarritur Kisha Ortodokse Autoqefale, gjer më 1921. Por Koço Kota, i njohur si patriot dhe si “kaur” i mirë, tani që erdhi në fuqi si kryeministër, nuk desh ta linte më pezull këtë çështje. Ai i jepte Kishës Ortodokse Autoqefale më shumë rëndësi patriotike sesa fetare. Né shkëputeshim, kështu, nga intrigat e “megali idesë”, që i quante “grekë” të gjithë ortodoksët shqiptarë(!). Koço Kota deshi ta zgjidhte këtë problem të madh për kombësinë tonë në mënyrë kanonike. Pra, të merrej “tomi” ose ‘pëlqimi’ i Patrikanës për formimin e kishës ortodokse shqiptare. Këtë zgjidhje e kërkonte edhe Imzot Kristofori.

Ky arriti të bëhej në Stamboll “predikator” i Patrikanës. Me formimin e Kishës Ortodokse Autoqefale më 1922, u emërua Peshkop i Beratit. Kishte cilësi të rralla si teolog dhe si shkencëtar; ishte studiues i palodhur, njeri me moral të lartë. Por nuk dëshironte një zgjidhje ‘revolucionare’. Qeveria e dërgoi në Stamboll, në krye të një delegacioni, që përbëhej nga Vasil Avrami dhe Dhimitër Kacimbra, për të bërë çmos që të merrnin “tomin””nga Patrikana. Por nuk u arrit në asnjë ujdí. Ata të Patrikanës, klerikë fanatikë dhe miopë: kërkonin nga né kushte të rënda, si për shembull që klerikët shqiptarë, për çdo faj a krim, të gjykoheshin nga ‘gjykatat fetare’ dhe jo nga gjykatat civile të shtetit; që lindjet, martesat, divorcet, vdekjet, të bëheshin prej Mitropolisë dhe jo prej Shtetit. Ta pret mendja që Shteti shqiptar nuk mund t’i pranonte këto kushte mesjetare. Prandaj duhej zgjidhur çështja në mënyrë ‘energjike’, domethënë PA “tomin”, pra pa lejen e Patrikanës së Stambollit, – siç e kishin bërë edhe shtetet e tjera të Ballkanit, si Bullgaria dhe Rumania.Imzot Kristofori u tregua në këtë pikë i papërkulshëm. Por çështja e Kishës duhej zgjidhur me çdo kusht. Nga ana tjetër, Ministri i Greqisë në Tiranë, zoti Mellas s’linte mjet pa përdorur, gjer në kërcënim. Në një rreth ortodoksësh arriti gjer në këtë trysni: “Në qoftë se shqiptarët do ta zgjidhin çështjen e kishës ortodokse sipas mënyrës që thamë , atëherë “né nuk kemi për t’i paguar pronat që zotërojnë shqiptarët në Greqi”. Veçse çamët, sidomos, zotëronin mjaft prona në krahinat e Prevezës dhe të Janinës, por edhe gjetkë. Greqia, për arsye ‘politike’, e kishte zvarritur pagesën e pronave të shqiptarëve. Dhe ja, tani, që Mellasi po kërcënonte haptazi se nuk do t’i paguante fare, po të zgjidhej çështja e Kishës sipas, mënyrës sonë.

Mehmet Konica, i vëllai i Faikut, ma solli këtë fjalë të Mellasit dhe më siguroi se në atë mbledhje kishte qenë edhe ai vetë dhe i qé përgjigjur ministrit të Greqisë se ato fjalë qenë një “kërcënim” që cenonin sovranitetin e Shqipërisë. I thashë Mehmet Konicës se, për hir të dinjitetit kombëtar, duhej t’i jepnim një përgjigje atij Ministri sa ta mbante kokën me dorë dhe unë isha gati ta shkruaja dhe ta botoja një artikull, por kisha frikë se ministri grek do të përgënjeshtronte ç’ kishte thënë. Mehmet Konica më siguroi se, në këtë rast, do t’i vërtetonin me shkrim ato fjalë me anë të atyre që u ndodhën në atë mbledhje. Vura në dijeni edhe kryeministrin Koço Kota, i cili më tha: “Yrysh! Jepi një mësim si duhet atij maskarai!” (Mellasit). Dhe unë të nesërmen botova një kryeartikull kundër Mellasit, kryeartikull që zgjoi entuziazëm në të gjitha rrethet patriotike të kryeqytetit. Erdhën të më përgëzojnë shumë patriotë, që s’kishin dëgjuar një polemikë aq të rreptë kundër një përfaqësuesi të huaj. Është më kot t’jua sjell këtu përmbajtjen. Sado që të mundohem, prapëseprapë do të dalë e zbehtë. Jam i mendjes që ai artikull duhet të riprodhohet tekstualisht në rubrikën “Shtesa dhe shënime”. I thashë Mellasit, me pak fjalë, se ne jemi një shtet sovran dhe shumë xheloz për pavarësinë tonë kombëtare. Luftërat e bëra dhe gjaku i derdhur e provojnë sesa të shtrenjtë e kemi lirinë e Atdheut. Mos kujtoni, zoti Mellas se, për disa pasuri që kanë shqiptarët në Greqi, do të sakrifikojmë pavarësinë e kombit? Kurrën e kurrës!Por të nesërmen që doli artikulli në gazetë, më mori në telefon Iliaz Vrioni, që ishte ministër i P. të Jashtme. Më telefonoi nga “Kontinentali” dhe më lutej të shkoja ta takoja. Shkova. Pyeta kamerieren e “Kontinentalit” se në ç’dhomë ishte ‘Sua eccellenza Vrioni’. Kamerierja më tregoi numrin e dhomës. Shkova dhe trokita. Askush nuk m’ u përgjigj. Trokita edhe më fort. Prapë asnjë përgjigje. Iu drejtova përsëri kamerieres: -‘Signorina, ma S.E. non c’è’’. -‘È dentro, signore, è dentro. Bussate più forte, vi prego’. Trokita më fort. Akoma asnjë përgjigje. Atëherë mora guximin dhe e hapa pak derën. -Erdhe? – më tha – dhe u ngrit ndenjur duke hedhur mushamanë te këmbët. – Më fal që më gjete kështu, po s’jam kaq mirë. Urdhëro e ulu. U ula në një kolltuk aty pranë. I ra ziles dhe më pyeti ç’dëshiroja të merrja. -Një kafe, – i thashë. Erdhi “signorina” dhe ai porositi një kafe për mua dhe një konjak për vete. U çudita kur e pashë që “signorina” nuk i solli një “qelqe” me konjak, po një “gotë uji” me konjak. E piu njëherësh. Shtrembëroi buzët, u koll nja dy herë, pastaj më pyeti: -Po ç’qe ai kryeartikull që botove sot në gazetë? -Një përgjigje e merituar kundër ministrit të Greqisë, zoti ministër. -Po unë a jam apo s’jam ministër i Jashtëm? Si s’më pyete mua përpara se ta botoje? -Më lejoni t’ju them, zoti ministër, por këtë nuk mund ta bëjmë dot. Sikur të pyesnim ministrat përkatës për çdo artikull që do të botonim, atëherë gazeta s’do të dilte kurrë. Kjo është kundër rregullave të gazetarisë, zoti ministër. -Po ti, me atë kryeartikull, më prishe politikën e Jashtme! -Nuk kuptoj, zoti ministër, më ndjeni, por edhe ju vetë, si shqiptar, nuk mund të pranoni që një përfaqësues i huaj të na prekë në dinjitetin tonë kombëtar, të ndërhyjë në punët tona të brendshme dhe të na kërcënojë sovranitetin tonë, si shtet i pavarur. -Sa axhami që je! – ma preu fjalën Iliaz beu – Sa fjalë që thotë njeriu! Pastaj ne jemi të vegjël dhe nuk duhet të tregojmë kaq ‘sensibilité’. Punë e madhe se tha një fjalë! Pastaj a e provojmë dot se e tha atë fjalë? Sigurisht ai ka për të ardhur sot në Ministrinë e Jashtme dhe ka për të protestuar. Unë ç’t’i them? -Ju keni të drejtën tuaj, të ma hidhni mua fajin, zoti ministër. -Po ai do kërkojë të merren masa kundër jush, të mbyllet gazeta… -Shumë mirë, zoti ministër. Dhe ju, po qetë dakord me të, kërkoni nga Këshilli i Ministrave që të merren masa kundër meje, si drejtor përgjegjës, duke më pushuar dhe duke më dërguar në gjyq. Mundet që edhe Këshilli i Ministrave të jetë në një mendje me ju.

Unë heshta dhe ndeza një cigare. Iliaz beu po mendohej. Pastaj shpërtheu: -E kuptova. Ju paskeni kaluar sipër meje dhe paskeni marrë pëlqimin e Koço Kotës. E kuptova. S’është e mundur që unë të bashkëpunoj me Koço Kotën. Do të jap dorëheqjen. Nuk bashkëpunoj dot. ‘Impossible’. -Zoti Ministër, nuk më përket mua të shprehem për bashkëpunimin tuaj në qeverinë e Kotës… -E di, e di, unë do të jap dorëheqjen; por më vjen keq për Shqipërinë se në ç’duar do ta lë. Unë kam qenë iniciator i Kongresit të Lushnjës; unë e bëra Zogun mbret; unë bëra aleancën me Italinë dhe tani isha gati për një marrëveshje me Greqinë, kurse ju dilni dhe ma prishni punën. S’mbetet veçse të jap dorëheqjen. Shko, bir, shko, këto janë “marifetet” e Koço Kotës.Duke ikur pyesja veten si bën ky njeri të flasë me ministrat e jashtëm të botës së qytetëruar, që janë “koka” jo shaka, të flasë madje edhe në Lidhjen e Kombeve etj. etj. Dhe m’u bë qejfi kur, pas dy ditësh, dha vërtet dorëheqjen dhe, në vend të tij, erdhi zoti Rauf Fico.Të kthehemi te Kisha Ortodokse Autoqefale. Me gjithë kërcënimet e Mellasit, e kërkonte interesi kombëtar që ajo të organizohej sipas rregullave të ortodoksisë. Po qysh, tani që na mbetej vetëm imzot Visarioni? Mbreti e thirri këtë dhe i qau hallin. Mirëpo Visarioni ishte një tip që u hynte punëve pa i menduar dy herë dhe asgjë s’e ndalonte. I tha, pra, mbretit që, po t’i jepte ‘carta bianca’, ai mund të gjente një peshkop tjetër dhe kështu, të dy së bashku, të dorëzonin edhe tre peshkopë të tjerë, për të tria Dioqezat vakante…Visarioni s’e bëri të gjatë. Për tërë natën u nis për në Cetinjë të Malit të Zi dhe atje dha e mori dhe solli me vete Imz. Viktorin, Mitropolitin e Cetinjës. Një pasdite –mund të ishte ora gjashtë mbrëmjes – po punoja në zyrë, kur më thirri në telefon Kota dhe m’u lut që të shkoja në Kishë.E lashë punën dhe shkova në kishë. Kisha ishte e errët, nuk kishin ndezur kandelabrat dhe kishte pak njerëz. Në mes të kishës, përpara një tryeze, vura re Visarionin dhe peshkop Viktorin nga Cetinja që po bënin dhespot Agathangjelin. Ia hodha sytë kryeministrit, i cili ma bëri me shenjë që t’i afrohesha dhe më pëshpëriti në vesh që të merrja shënim për këtë ceremoni që po zhvillohej, se të nesërmen duhej ta botoja në gazetë. Të nesërmen, Koço Kota më thirri në zyrë dhe më tha se Këshilli i Ministrave kishte vendosur që unë të isha “përkohësisht” (dhe e theksoi dy herë këtë fjalë) sekretar i Sinodit. Kur më pa të habitur, nisi të më shpjegojë: -Dale, mos u çudit. Ne jemi të detyruar të organizojmë Kishën Autoqefale në mënyrë “revolucionare”. Ti e di mirë rëndësinë që ka kisha jonë autoqefale për çështjen tonë kombëtare. U përpoqëm të ndjekim rrugën e urtësisë. Më kot. Komisioni që dërguam në Stamboll u kthye duarbosh. Na mbeti vetëm Visarioni. Me këtë do të punojmë. Po ky është i vrullshëm dhe duhet udhëzuar. Prandaj vendosëm që ti të jesh sekretar i Sinodit dhe të mos i ndahesh Visarionit. Unë do ta thërres përpara teje, do t’i flas hapur, do t’i them se ti do të jesh këshilltari i tij dhe ai asgjë nuk do të bëjë pa u marrë vesh me ty. Dhe vërtet aty për aty e thirri Visarionin dhe i foli hapur. Visarioni i pranoi të gjitha me gazin e tij të zakonshëm dhe filloi të më bëjë disa komplimente me teprim. Pranoi të këshillohej. M’u desh ta pranoja detyrën e re, – që s’ishte për mua, – pasi po më bëhej një thirrje, në emër të patriotizmit. Dhe desha t’i kushtohem me zell kësaj detyre. Natyrisht nuk hoqa dorë nga gazeta po, që të jem më i lirë, ngarkova Nebil Çikën që të më zëvendësonte. Në këtë kohë e sipër unë sigurova edhe bashkëpunimin e Gjergj Ashtës, një djalë i ri me talent, që sapo kishte kryer studimet në Itali.

Pas Agathangjelit, u dorëzuan peshkopë edhe dy priftërinj të tjerë, që morën emrin kishtar: Imzot Ambrozi dhe Imz. Eugjeni. At Vasil Marko, meqenëse e kishte gruan gjallë, u dorëzua Mitrofor. Kështu u plotësuan të katër Dioqezat: Imz Visarioni, kryepeshkop i gjithë Shqipërisë dhe peshkop i Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, Imz. Agathangjel Çamçe, peshkop i Beratit, i Vlorës dhe i Kaninës; Mitrofor Vasil Marko, titullar i dioqezës së Korçës; Imz. Ambrozi, kryepeshkop i Gjirokastrës. Imz. Eugjeni mbeti zëvendës peshkop i Shqipërisë. (…) Tani, që u plotësuan Dioqezat me titullarët e tyre, duhej të mbahej Kongresi për të hartuar dhe për të aprovuar statutin dhe Rregulloren e Kishës Ortodokse Autoqefale. Kongresi u vendos të mbahej në Korçë. U bënë zgjedhjet në të gjitha Dioqezat e Shqipërisë dhe u zgjodhën delegatët. Unë u zgjodha delegat i Dioqezës së Tiranës. Në Meshën sinodale, që u bë të nesërmen, Visarioni e hapi Kongresin. Gjeneral Gilardi e përshëndeti me pak fjalë, nga ana e mbretit, këtë Kongres historik dhe Vasil Bidoshi nga ana e Qeverisë. Unë fola në emër të Kongresistëve, shpjegova idealin kombëtar të Kishës Ortodokse Autoqefale dhe kujtova me mirënjohjen më të thellë Imzot Fan Nolin, themeluesin e parë të kësaj Kishe, të cilën e ka pajisur edhe me të gjitha librat për shërbesat fetare. Theksova se Shqipëria e lirë duhet ta mbajë sa më lart dhe të nderuar këtë flamur fetar-kombëtar dhe propozova që, sipas rregullave të çdo Kongresi, gjer në zgjedhjen e kryesisë definitive, më plaku nga kongresistët të zinte vendin e kreut të kryesisë dhe më i riu vendin e sekretarit. (…). Në mbledhjen e dytë, Kongresi formoi një Komision për të përgatitur projektstatutin, që do t’ia paraqiste Kongresit për shqyrtim dhe aprovim. Propozova Vasil Avramin, që u aprovua nga Kongresi. Ndër anëtarët e këtij Komisioni për përgatitjen e projektstatutit ishin Dimitër Kacimbra, Sotir Papakristua, Kol Haxhistasa, unë dhe të tjerë. Që në mbledhjen e parë, pasi biseduam në parim mbi vijat e përgjithshme, qemë në një mendje që të ndiqnim gjurmët e kishave ortodokse të Ballkanit – të Bullgarisë, të Rumanisë dhe të Jugosllavisë – që kështu grekët të mos kishin ç’të thoshin, – natyrisht duke ua përshtatur nevojave dhe gjendjes sonë. Donim të kishim një statut të përsosur, që të huajt, të mos gjenin asnjë pretekst. Projektstatuti u miratua me një zë nga Kongresi dhe, pas disa ditësh, u dekretua nga mbreti, duke u botuar në “Fletoren Zyrtare” e duke u bërë, tanimë, ligj shtetëror.Ndër darkat që u bënë me këtë rast më la mbresa fjala e Hafëz Muharrem Mullait, i cili mbajti një fjalë që na entuziazmoi të gjithëve. Ky, me një shqipe aq të bukur e me një logjikë aq të mprehtë, na bëri për vete. Foli për vëllazërimin kombëtar midis të dy elementeve dhe sesi shqiptarët kanë luftuar gjithnjë të bashkuar e të pandarë, pa marrë parasysh dallimin fetar, kur ka qenë puna për komb e për atdhe. Tregoi historinë e Kishës Ortodokse Autoqefale dhe sesi kjo e ka mbajtur kurdoherë lart flamurin e kombësisë, ideal për të cilin u krijua dhe duhet të jetojë. Kongresi i mbylli punimet duke zgjedhur edhe një Komision për përgatitjen e Rregullores së Kishës Ortodokse Autoqefale.

Vasil Avrami, At Vasil Marko, unë dhe të tjerë u zgjodhëm anëtarë të këtij Komisioni. Mua m’u desh të qëndroj afro dy muaj në Korçë për përgatitjen e kësaj Rregulloreje dhe pothuaj e kisha braktisur drejtimin e “Gazetës së Re”, të cilën e kisha lënë në duart e Gjergj Ashtës dhe të Karl Gurakuqit. Aso kohe kisha nisur të përktheja dhe të botoja si nënfletë në gazetë, romanin e Abatit Prevost, “Manon Leskò, përkthim të cilin e vazhdoi Karl Gurakuqi për kohën që unë ndodhesha në Korçë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top