Mos shisni, por blini tokë dhe investoni në Malësi

SHKRUAN: GJEKË GJONAJ

Komuna e Tuzit në përgjithësi është një rajon i pasur  me burime natyrore  mbitokësore e nëntokësore dhe me potenciale  njerëzore. Rrjedhimisht këto pasuri   do të duhej të ishin  të mjaftueshme për  të siguruar punësim dhe mirëqenie për banorët e Malësisë. Mirëpo, kjo krahinë , falë situatës së kaluar politike  dhe ekonomike  nëpër të cilën ka kaluar  Mali i Zi, në kohën e komunizmit dhe të pluralizmit politik,  fatkeqësisht ka  mbetur një nga rajonet e varfra në vend.  Qeveritë e mëparshme   e kanë lënë Malësinë  jashtë skemës së investimeve të duhura publike. Kjo trevë shqiptare ka numrin më të madh të   të larguarve jashtë shtetit për shkak të rrethanave politike  të kohës së shkuar, varfërisë dhe humbjes së shpresës se ky vend  mund të ketë një të ardhme më të mirë.  Mundësia e vetme për  të ndryshuar këtë situatë janë investimet pa të cilat nuk ka zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale.

Komuna e Tuzit ka nevojë për investime në fusha të ndryshme nga buxheti i saj, por edhe nga mërgimtarët tanë që jetojnë në Shtete të Bashkuara të Amerikës, Australi  apo vende të ndryshme të Evropës. Këtë e ka thënë edhe administrata e re e komunës, e cila është shprehur e gatshme dhe e përgatitur që të jetë në shërbimin e  mërgimtarëve shqiptarë  të cilët dëshirojnë që një pjesë të kapitalit të tyre ta  investojnë në vendlindje. Dëshira e të gjithë banorëve të Malësisë  është të investoni në vendlindje. Këtu  është jeta. Këtu janë prindërit tuaj. Vëllezërit e motrat. Kushërinjtë e farefisi juaj. Njerëzit tuaj.

Keni dy vendlindje, prandaj është obligim i dyfishtë për ju, sepse ju takon të investoni në vendin ku jetoni, por edhe në Malësi prej nga keni origjinën.  Ashtu siç  mbani kontaktet e vazhdueshme me pjesëtarët e familjeve tuaja në vendlindje dhe i ndihmoni ata vazhdimisht  në çdo nevojë që kanë, kontribuoni me sa keni mundësi  për zhvillimin dhe prosperitetin  e këtyre zonave  me ide e financime sado simbolike që mund të jenë. Në këtë mënyrë ia rrisni vlerat vetes dhe vendlindjes suaj të dashur dhe do ta  fuqizoni atë ekonomikisht.  Me hapjen e bizneseve të vogla apo të mëdha  do të hapen edhe vende të reja  të punës.  Rinia jonë e shkolluar nuk do të jetë e detyruar të largohet nga vendi i vet e të kërkojë punësim në shtete të huaja. Malësinë duhet ta ndërtojmë të gjithë së bashku dhe të përmirësojmë jetesën e banorëve të saj. E,  mos të lejojmë që  fshatrat tona të vazhdojnë të zbrazen, shtëpitë e kullat shekullore të shemben.

Kur malësorët , në vitet ’70 të shekullit të kaluar, morën rrugën e mërgimit si shpresë të vetme kishin se si të gjejnë  një vend pune për t’ju dërguar para familjeve të tyre. ndërsa sot ata janë shpresa e banorëve ( qytetarëve)  të Malësisë  sepse me kapitalin e tyre të krijuar vite me radhë  nëse do të investojnë në vendlindje  dukshëm do të përmirësojnë  gjendjen e  pa lakmueshme, për të mos thënë  të rëndë ekonomike,   të bashkëvendësve të tyre.

Investimet mund të bëhen vetëm nëse  ruajmë edhe  dashurinë ndaj natyrës dhe mjedisit, duke mos lejuar që pa ndonjë nevojë të madhe të shesim tokën e të parëve tanë.  Kur isha i ri i dëgjoja  burrat e vjetër të mençur të Trieshit  të  thonin: “ ma mirë ashtë nji grusht dhe se nji grusht pare”, … “  mos e shitni tokën për biskota se nuk do ta bleni me ar”.,, “ kush tokën e shet nuk e mbron”… “ mos e shit nëse ke mend, por blejë”. Tani, duam  të besojmë   se shumica prej nesh e kemi kuptuar  domethënien e këtyre fjalëve. Andaj, malësorë mos  shisni, por blini tokë dhe investoni në Malësi, mbase është gjest patriotik.  Mos bëni gabimin e pakthyeshëm e të hidhur  të  malësorëve  në Shtoj të Ulqinit, ku në tokat e tyre  janë ndërtuar më se 4.000 shtëpi e objekte afariste  nga  njerëz  të nacionaliteteve të ndryshme, të cilët  sot kanë ndryshuar strukturën demografike  të këtij vendbanimi  shqiptarësh-malësorë. Kjo e keqe kolektive  e popullit tonë, nëse  nuk jemi të vëmendshëm, mund të ndodhë edhe në Malësi, në një të ardhme jo fort të largët.

Duhet të mësojmë veten dhe bijtë tanë që  tokat në Malësi nuk  mund t’i blejë kushdo. Ato janë të shenjta për ne. Mos të harrojmë kurrë se  toka në Malësi ruan hirin e paraardhësve tanë. Ajo është e pasur  me jetët e popullit të vet. Ajo është nëna jonë.  Ajo ka pirë gjakun e paraardhësve tanë.  Ajo  ruan kripën e lotëve të tyre. Çdo gjë që do t’i ndodhë tokës , do t’u ndodhë edhe bijve të saj. Duajini  këtë tokë ashtu si i porsalinduri i dorrahjet e zemrës së nënës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top