MORE PO S’KAM PULA…PSE BËNI “ISH”?

Shkruar nga Ksenofon M. Dilo

Pa shumë komente, papritur u ndodha në pozita të mbrojtësit të kapitalizmit. Sepse….sepse, megjithse kisha marrë masa të mos e mësonte kush, me sa duket nuk mund të fshihen 4 pula. Kur për një rast më kishin ardhur do shokë nga fshati nuk e di për çfarë donin të më falenderonin dhe sipas zakonit, për të mos ardhur me duar bosh dhe për ta bërë sa më gazmore situatën më kishin sjellë nga një pulë sejcili. Më kujtohet që të katra m’i kishin sjellë dhuratë së bashku me nga një shishe raki, nga ajo më e mira. Sejcili rakinë e vet, raki Skrapari, pikë e parë.

Pimë rakinë e muhabet bëmë e u kënaqëm me miqtë e nderuar por pulat i mbajta. E dinja që do vinin dhe me ndihmë aty rrotull e kisha pregatitur darkën. Ishte gjyna t’i prishja se qenë në periudhën e pjelljes e 4 kokrra vezë ditë për ditë ishih gjë e madhe… I kisha marrë masat e isha kujdesur të mos binin në sy. Por isha kujdesur të mos i shihte një sy i zakonshëm, jo syri vigjilent i komunistit të devotshëm, të cilit, Zot e perëndi, nuk i shpëtonte asgjë!!!

Si duket, vunë re se isha shumë energjik në punë, efekt i proteinave, që, kisha humor, edhe kjo për të njëjtën arsye, që isha korrekt e shumë i sjellshëm (mjaltë më rridhte nga goja) sigurisht plotësimi i nevojave të trupit me proteinat e domosdoshme, ishte dhe kjo rezultat i logjikshëm i vezëve të freskëta që rrufisja çdo mëngjes. Një ditë të bukur, më thanë mbas mësimit, se në darkë duhej të isha në një mbledhje rrufe. Kjo e fundit më dogëndisi stomakun… Në orën e caktuar isha i ulur në sallën ku do të zhvillohej mbledhja. Ndjehesha pak i lodhur dhe kisha një si pendim në shpirt. Kisha frikë se puna që bëra kur u ktheva nga shkolla në shtëpi ishte e kotë…

Por, ja mbledhja po fillonte e unë që nuk kisha asnjë dëshirë të dëgjoja budallalleqet e tyre, lidha gishtat mbi gjunjë e po i vërtitja ata, duke dashur të dëboj gjumin, që me sa duket ishte i vendosur të më gllabëronte. Papritur, dëgjoj se ishte fjala për çfaqje të huaja në gjirin e kolektivit tonë e se këto duhej të lëftoheshih që në vezë! Oh, oh… që në vezë! Kjo ishte domethënëse. Sikur gjumi që më mundonte të ishte përpjekur me pagjumësinë në atë moment, nuk do ta kisha fituar kurrë të drejtën për të rifjetur në jetën time. Shyqyr që munda ta ndaloj atë përplasje e, të gjitha shqisat e mija u përmbledhën në organin e ndëgjimit. Zëri i zvargur që fliste duhet përpara të kishte lexuar ndonjë broshurë e të mësonte pak ç’ishte kapitalizmi sepse duke folur për dukjen e çfaqjeve të huaja, i cilësoi ato për një moment duke i quajtur çfaqje të demostrimit të kapitalizmit! Ishte mjaftuar që dinte se ai, kapitalizmi ishte i keq, e!

Tani e dija se ku do të dilnin e po i prisja në shteg, me një qetësi të mrekullueshme. Kishte filluar të më tërhiqte tema dhe po më argëtonte.

– Ksenofon Dilo – tha drejtuesi, ose më qartë folësi. Nuk e di që është shfaqje e huaj të mbash pula. Nuk e kupton se je në rrugë të gabuar e se punon nën rogoz që të mbështetësh kapitalizmin e ta zhvillosh atë këtu në fshat?

Çohu e bëj autokritikë përpara kolektivit se nuk je në vijën e partisë. Ti bëj punën tënde e ne do të vendosim pastaj për ty.
Kishte filluar të më argëtonte gjithë kjo ndaj dhe vendosa ta bëj pak më të gjatë kohën e argëtimit. Ndërkohë kishte arritur pothuaj mesnata. Nuk ndjeja pikën e dëshirës, si herët e tjera të kthehesha në dhomën time. Kisha ulur kokën se kisha frikë mos më tradhëtonin sytë e nuk po flisja. Durimi i të gjithëve kishte mbaruar e dëgjova të më drejtohej folësi i hakëryer që nuk po përgjigjesha.

Pse nuk flet!?

Qetësisht i thashë

-Më falni, por nuk kuptoj përse gjithë kjo zhurmë!?

Po, për pulat e tua pra…

Për pulat e mija? Çfarë pula?

E kini gabim shok. Nuk kam pula e kjo është dhe arsyeja që nuk flas, sepse dhe një fjalë e urtë thotë se po s’pate pula nuk duhet të bësh ish, apo jo?

Se si u ndezën nervat e se si u vërsulën të gjenin pulat ju merreni vetë me mend! Se si mbetën kur nuk gjetën gjë, këtë sigurisht që nuk mund ta merrni me mend.

Pulat i poqa mbas disa ditësh e me pak rraki dhe me shokët e vërtetë morrëm prej tyre proteinat e fundit e tregova dhe historinë se si, kur më thanë për mbledhjen, mendja dhe përvoja më mësuan ti therrja pulat!

Ç’të bëja. Kisha gjith ato epitete. Isha reaksionar, i deklasuar e lloj lloj epitete të këtij lloi. Kapitalisti më mungonte…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top