MOKRA KA VDEKUR

SHKRUAN: EDISON YPI

Burra zamani me mustaqet deri te veshi që dinë si pihet rakia, si respektohet Kanuni, ndoshta kanë mbetur në Mokër.
-Mokra është e bukur, thotë një polic rrugor afër Quksit, ka ajër të pastër, njerëz të urtë. Por kot lodhesh. S’ke për të gjetur asnjë burrë zamani. Pijetarët janë bërë qumështorë.

-Vazhdo vazhdo ti, thotë një banor i Karkavecit, hiç mos u ndal, ik e gjeje mokrarin me mustaqe në të satëme.
Te ura e Golikut marr një Mendimtar të Rodenit ulur mbi një gur. E pyes për ndonjë me mustaqe te veshi. Kur të arrijmë në Velçan, tha, do të çoj te disa mokrarë nga ata.

Panorama mahnitëse; Përrenj, lumë, ura mesjetare, pllaja, kodrina të gjelbëruara, dhe fllad që të ngjeth nga kënaqësia.

Thotë pasagjeri,
-Je me fat që më more mua në makinë dhe jo ndonjë tjetër. Se unë llafosem. Të tjetërët janë dudumë.
Proptishti është fshat më i mjerë se fshatrat e horrorit në filmat e Hollivudit. Është ditë Pazari. Ka kaluar mesdita. Po mbledhin rraqet. Shapka, lakra, kumbulla, hekurishta. Pazari i Proptishtit në shekullin e 15 me siguri ka qënë më i pasur. E mbyllëm Pazarin për sot, por po deshe e hapim përsëri për ty, thotë një hokatar. Shtëpitë e Proptishtit janë të vjetra, të vogla, të këqia, pothuajse rrënoja. Shtëpitë e shumicës së fshatrave të sotëm janë sa më të dukshme. Shtëpitë e Proptishtit duken sikur fshihen. Për të parë mes pazarxhinjve ndonjë me mustaqe madhështore, harroje.

Përpjetë për në Velçan takova njërin që quhej Trëndafil. Trëndafili po ikte në Laktesh. Po pate merak se ngatërron rrugën, tha Trëndafili nga Lakteshi, vij të shoqëroj ku të duash, edhe deri në Pogradec, pastaj kthehem më këmbë. Pasagjeri te veshi; Mos e beso. Trëndafili është budalla.
Fshati Laktesh duket si qumësht i thartuar që nuk ka mundur të bëhet kos.

Në një krua pa hyrë në Velçan, bab e bir po freskohen dhe po i japin ujë mushkës. Mburren për ujin e freskët të burimit dhe natyrën e bukur.
Në të hyrë të Velçanit, pasagjeri zbret. Premtimet për të më treguar burra me mustaqe deri te veshi kishin qënë rrena.

Fshati Velçan shtrihet si një litar i hedhur përgjatë një harku si patkua. Rruga e litarit të patkoit është e asfaltuar. Madje edhe e ndriçuar me ca drita që duken si gozhdët e patkoit.

Velçani si pamje dhe si klimë, është një marramendje që të lë gojëhapur. Velçani si vend ku jetojnë njerëz, është tmerr.
Në të dalë të Velçanit, u freskova te një krua. Pasi ja thera teposhtë nëpër ca kthesa, u kujtova se kisha harruar kapelen në krua. U ktheva e mora.
Tatëpjetë u llafosa me një mokrar që u mburr se me vetëm 1 dhëmb që i kishte në gojë bluante gjithçka, edhe mish.
Slabinja, copë e çikë. Nja katër a pesë krijesa fantazmagorike janë mbledhur rreth furgonit të një barkderri.
Një hidrocentral i vogël që po ndërtohet aty rrotull është e vetmja “vepër” në ndërtim e sipër në Mokër.

Nga Slabinja zbres në një përrua. Përpjetë rruga e re Qukës-Qafë Plloçë ka bërë lëmsh trafikun inekzistent. Dy makina të vogla me gjithë katundin brenda vijnë rrotull pa ditur nga t’ja mbajnë si milingona që ua prishi folenë dikush që bëri shurrën. Kamionë të mëdhenj katallanë të ngathët vërtiten si në jerm duke ngritur në Qiell pluhurin e Ferrit.

Në Trebinjë, çesma ku para se të pish ujë duhet të thuash “Bismilah Rrahman e Rrahim” me surrat nga Qielli, rrjedh e qetë prej shekujsh. I vetmi lokal i Trebinjës është i mbyllur. Pasi ka ngrënë fasulnik, pilaf, mish viçi, speca djegs, dhe ka kthyer disa dopjo, pronari i lokalit ja ka fut me gjumë.
Pak përtej Trebinjës, në Podgozhan, mullixhiu të bën të ditur se është ballist denbabaden, i ka pasur njerëzit në burgje dhe internime, ja kanë pushkatuar një xhaxha në Dunicë.

Pak më tutje, menù për mbretër si unë që këtejpari kalojnë rrallë; Një podgozhanas krejt si Sharl Aznavuri këndon “A Cappella” këngë ruse; “Kalinka”, “Katjusha”, “Oçi Çiornie”, “Mbrëmje në periferi të Moskës”. Kënaqesh ta dëgjosh këtë Sinatra lokal që pas pak nis e bërtet; Voinà-voinà-voinà, soldat-soldat-soldat. Tmerrohesh. Megjithatë Pavaroti mokrar vazhdon; Nga Stalingradi në Berlin, urrà-urrà-urrà. E pyes adhuruesin e “Korit të Ushtrisë së Kuqe”; Ç’deshi gjermani në Dunicë ? Përgjigjen njëzëri Stalini dhe e shoqja; U, po si ore ç’deshi gjermani në Mokër ?! Operacioni i dimrit, operacioni i qershorit, urdhërat e shokut kurvi, i harrove ti këto ?!

Te “Varri i Grekut”, Gaz 63 me motorr Wolksvagen, Stalini me Hitlerin krahaqaf.
Rruga për Dunicë ku janë bërë luftra dhe ka lapidar kushtuar të rënëve për Atdhe, është vjedhur aq herë sa herë është premtuar.
Çobani i dhive, pa kërrabë, pa gunë, pa fyell, vetëm me shkop në dorë dhe zhele në trup, thotë me një vendosmëri dhe kryelartësi kërcënuese; Nuk kam shtëpi, nuk jam i martuar, dimër-behar fle në pyll, jam komunist.

Mokrarët janë shtatlartë. Nuk kanë dhjamë në bark e nëpër trup. Kanë nofulla të gjëra të forta, ballë të lartë. Ecin disi të kërrusur me këmbë pak të hapura. Si ilirët e gravurave, në moshë mesatare flokët u bëhen të ergjënte, dhe nuk u bien kurrë, as në pleqërinë e thellë. Nuk pashë femra. Asnjëri nuk kishte kredit në celular, as sa për të më bërë një zile. Nuk kuptohen ç’kanë dashur austriaku, francezi, Haxhi Qamili, italiani, gjermani, partizani, ballisti, në këto anë.
Mokra ka vdekur. Për ta kallur, kazmën, lopatën, arkivolin, gozhdët, çekiçin, do ti sjellin zagarët që Mokrën e vranë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top