SHKRUAR NGA ERNEST MARKU
Modeli fishtjan i angazhimit politik dhe atdhetar, në fakt, asht forma ma e koncentruar e mendimit të fretërve françeskanë, që do të kulmonte me Fishtën, por që do të përshfaqej edhe në aktivitetin politik e publik të plot figurave të tjera, si: Gjeçovi, Harapi, Palaj, Prendushi e deri tek Ernest Koliqi. Kjo trajtesë nis me Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Mbretërore Italiane, duke vazhduar më tej me traditën e këtij mendimi te Anton Harapi si anëtar i Këshillit të Regjencës gjatë pushtimit gjerman dhe Koliqin dy herë Ministër të Arsimit; për t’u kthyer pastaj te rrënjët kulturore, shpirtërore dhe të traditës, që e krijuan, frymëzuan dhe konsoliduan këtë qëndrim, i cili mbështetet në një rregull të thjeshtë por mjaft fisnik: “Të kontribuojmë për atdheun, në çdo kohë apo rrethanë, pa u shqetësuar për dëmin që mund t’i sjellim emnit dhe dinjitetit tonë personal”.
Duket një e vertetë e thjeshtë për t’u kuptuar, por mjaft e vështirë për t’u besuar, nëse nuk do të kemi parasysh rrethanat në cilat ndodhej Shqipëria, shteti dhe shoqëria shqiptare, në gjysmën e parë të shekullit XX; por edhe karakterin, organizimin dhe veprimtarinë e françeskanëve shkodranë dhe të shkollave që ata hapën dhe administruan. Daniel Gjeçaj, Benedikt Dema, Pashko Bardhi, Pal Dodaj, Donat Kurti, Viktor Volaj e plot të tjerë, hedhin grimca drite në drejtim të evidentimit të kësaj teze, të cilat, po të analizohen me kujdes, mund të përmbyllin “pazëllin” dhe të konsolidojnë mendimin për këtë model të angazhimit politik. Nga ana tjetër, duke studiuar më me hollësi natyrën e edukimit të Fishtës, rrafshin social dhe historik në të cilin u formua dhe krijoi personalitetin e tij, sidomos duke u mbështetur në të dhënat që sjell studiuesja Blerina Suta, për periudhën e jetës rinore të tij, kur ishte me studime në Bosnje; mund të kuptojmë ndikimin e Fishtës, në mes mes të fretërve më të shquar që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Vështirë të ndahet se kush ndikoi më tepër te kush: Fishta te fretërit e tjerë, apo ata te Fishta; por një gja asht e sigurt, si do të shprehej edhe Daniel Gjeçaj se: “Fishta dhe fretnit, ishin nji e të pa ndamë”.
Gjithashtu edhe analizimi i kujdesshëm i veprës së Fishtës, i mesazheve që fshihen apo përshfaqen aty, na ndihmon akoma më tepër që të mbrojmë tezën e shprehur që në krye të këtij punimi. Jo vetëm te “Lahuta e Malcis”, por edhe te “Mrizi i Zanave”, te veprat satirike dhe sidomos te publicistika e tij, gjejmë mjaft shkëndija të këtij mendimi filozofik, sa vetëmohues e fisnik, aq edhe të pazëvendësueshëm për historinë e Shqipërisë; i cili mund të buronte vetëm nga një mendje e një zemër plotësisht e përkushtuar ndaj trinomit: “Për fe, atdhe e shpirt poetik”.
Fishta akademik
Viti 1939 për të gjithë patriotët shqiptarë, ishte një vit i vështirë. Më 7 prill, siç dihet, trupat italiane zbarkojnë në Shqipëri; pas pak ditësh, aq sa bën tanku të shkojë nga kufiri në kufi, vendi ynë ishte pushtuar plotësisht nga trupat fashiste të Musolinit. Më 12 prill, përfaqësuesit e dhjetë prefekturave të vendit tonë, u thirrën në Tiranë, për të legalizuar pushtimin “de fakto”. Në këtë moment kritik për Shqipërinë, vetëm delegacioni i Shkodrës, ku bënin pjesë dhe kishin ndikim françeskanët, ngritën zërin kundër pushtimit fashist dhe kërkoi atë që vetë Musolini kishte premtuar: ndihmë ushtarake, por jo pushtim me trupa. Rrëzimi i Zogut nga pushteti dhe pushtimi i Shqipërisë, ishin dy çështje krejt të pavarura dhe nuk kishte pse njëra të kushtëzonte tjetrën. At Anton Harapi, jo nga mendja e vet, por i konsultuar me ipeshkvijt e Shqipërisë, me Fishtën dhe fretërit e tjerë; – shprehet Gjeçaj1, kërkoi fare qartë: “Indipendencen absolute të Shqipnisë, me flamur të vet të paprekun, me gjuhë, shkolla e zhvillim arsimuer; me administratë shtetnore të veten, ushtarake e civile; me perfaqsi para shteteve të hueja e me gjithshkaf asht në natyrë të nji shteti e të nji kombi Sovran, me racë, gjuhë, histori, tradicion e tagre të veta”. Dhe pikërisht ky frat trim, do të dënohej me vdekje nga diktatura më 1946, për tradhëti ndaj atdheut. Vlen të theksohet edhe një fakt tjetër; kur këshilli drejtues i françeskanëve, në mbledhjen e tij të jashtëzakonshme, mbledhje në të cilën Fishta zinte gjithnjë kryet e vendit; mori vendim të dërgonte Harapin në Tiranë, duke e autorizuar për kërkesat e cituara më sipër, mori edhe një vendim jetër të guximshëm: Nëse për shkak të fashizmit, ka për t’u shkrirë krejt Provinca Françeskane e Shqipërisë dhe fretërit shqiptarë do të largoheshin nga toka e të Parëve; le të ndodhë, por në fushën e luftës dhe të mos na mbesë asnjë njollë tradhëtie në historinë e lavdishme të shtatë shekujve punë e sakrifica, në dobi e për të mirë e kombit shqiptar. Mirëpo, koha tregoi se nuk ishin të huajt, por bolshevikët shqiptarë, ata që do ta shkatërronin Provincën Françeskane Shqiptare. Edhe në këtë rast fretërit nuk e turpëruan emrin e tyre, duruan çdo torturë por nuk i tradhëtuan as vëllezërit, as idealin e tyre; vdiqën ashtu siç kishin vdekur të Parët e tyre, me besimin në Zot dhe me Shqipërinë në gojë.
Më 3 qershor 1939, Fishta emërohet anëtar i Akademisë Italiane. “Që në këtë emnim, – shprehet Gjeçaj, – të jenë mëshehë qëllime politike, asht ma se e gjashme”. Por do të ishte gabim të mendohej se politika ishte i vetmi motiv; Fishta u emërua anëtar i forumit më të lartë akademik të Italisë, për vlerat e jashtëzakonshme të veprës së tij, pasqyrë e gjallë dhe përqasje autentike e racës dhe gjenisë shqiptare. Fishta nderohej e respektohej në Itali, edhe para vitit 1939, ndërsa, për të treguar se sa e vlerësuan akademikët italianë, për talentin e tij të rrallë, për kulturën e gjerë dhe zgjuarsinë e kultivuar, dëshmon fjala e Presidentit të Akademisë Italiane, Luigi Federzoni, i cili, ndër të tjera thotë: “Në një kohë, mjerisht të shkurtër, gjatë së cilës At Gjergj Fishta, ishte pjesë e Akademisë Mbretërore të Italisë; ai fitoi vlerësimin e të gjithë anëtarëve”.
Vetë Ati i Shenjtë, Papa Piu XII, të cilin, nuk besoj se do ta konsideronte kush fashist, në një audiencë të gjatë që i kushtoi Fishtës, duke e përgëzuar për emërimin e tij si akademik i Italisë, pasi u interesua gjerësisht për gjendjen kombëtare dhe fetare të vendit tonë, ndër të tjera i thotë: “ Emërimi yt si akademik i Italisë, është nderim për Katoliçizmin, Urdhnin e Shën Françeskut dhe për Kombin Shqiptar; prandaj, unë si Mëkëmbës i Krishtit në Tokë, kam pse të ndihem krenar prej teje, prej Urdhrit të Françeskanëve dhe prej Kombit tënd”. Me të njëjtin entuziazëm dhe gëzim, e priti këtë emërim të Fishtës, edhe Gjenerali i Urdhnit Françeskan, At Leonard M. Bello, At Agostin Gemelli, themelues dhe rektor i Universitetit të Zemrës së Krishtit në Milano, për të mos përmendur këtu mjaft personalitete të tjera të Italisë dhe Vatikanit, që nuk kishin asnjë lidhje me fashizmin.
At Daniel Gjeçaj, ka kujtime personale për të treguar, sidomos gjatë kohës kur Fishta udhëtonte për në Itali, me shenjën dalluese të akademikut, një konkardë e vogël dhe e rrumbullakët, me germën “A” në mes. Ai atëherë ishte i ri dhe për më tepër qe ish-nxënës i tij, dhe ruante një nderim e dashuri të pakufishme për Babain e Letrave Shqipe, si dhe për Atin e Provincës Françeskane, së cilës i përkisnin të dy. Ndonëse Gjeçaj druhej t’ia bënte atë pyetje, Fishta e kishte kuptuar dhe i ishte drejtuar me fjalët: “Këqyr, bir’o, ndoshta ndokush tash apo ma vonë, kur unë s’kam për të mujtë ma me u mbrojtë, ka për të më fajisë për këtë “konkardë” që baj; gjoja – siç thonë Toskët – se unë u jam shitë italianëve, çka do të ishte edhe më zi, se unë jam bërë fashist: Dije se akademitë, edhe pse cilësohen me emën të atij kombi e të asaj qeverie, prej së cilës mbahen; janë gjithnjë e kurdoherë, katedra të përbotshme për dije dhe art. Svedia – shtonte – u ep çmimin “Nobel”, të gjithë dijetarëve e letrarëve, në shenj të botës dhe kurrkush s’thotë se i shpalluni “Nobel” asht ba svedez. Unë, me këtë shenj, që s’asht fashiste dhe që për mue ban gërmen fillestare të Albania; sot për sot mund të vlej për Shqipëri e Provinçë ma fort se me çdo mjet tjetër. Në luftë s’të pëvetë kush se ç’ fabrike janë armët, por se si i ke përdorë ato. Për burrë ç’do pushkë asht e mirë, mjaft t’i ndezë baruti; – thotë goja e popullit”.
E njëjta gjë konfirmohet, pothuajse, edhe nga At Zef Pllumi, i cili në kujtimet e tij për Fishtën, tregon se si kërkesës së At Mëhill Mirajt, Patër Gjergji i përgjigjet pak a shumë kështu: “ Ndigjoni o vllazën e bij të mi. Unë nuk kam ndërrue, por jam ai Patër Gjergj që kam kenë gjithmonë. Ju e dini mirë se sa e kam dashtë un Italinë këtu. Kaq gja e kanë kuptue edhe fashistat vetë. Mos mendoni se këtë tillull ma kanë dhanë për me më nderue, por ma kanë dhanë për me më internue. Latinët kanë nji aksiomë të vjetër të politikës së tyne: “Promoveatur ut removeatur” (t’i jepet nji nderim ma i naltë veç për me e largue). Njashtu si po internojnë shumë shqiptarë tjerë, po duen me ba edhe me mue, përse në bazë të Statutit çdo akademik i ri e ka për detyrë me u sjellë për gjashtë muej tue mbajtë konferenca nëpër institutet e nalta të kulturës. Në këtë mënyrë ata duan punën e vet me e ba e njikohësisht me i hjedhë pluhën syve botës, popullit shqiptar ashtu edhe mue. Unë sot jam i plakun; sëmundja e zemrës më asht randue shumë në këta muejt e fundit. Ato mësimet e mia që ju kam dhanë dikur kishem me dashtë që ju sot t’i shtini n’veprim, ndërsa un nuk jam i zoti me përballue ma as burgun, internimin apo arratinë. Po unë u premtoj ju se kurrë nuk do ta përuli para të huejve rodin e shqiptarit. Me të vërtetë na kanë okupue, si dikur Roma Ilirinë. Por un ndër konferencat e mia do t’ua përsëris italianëve pa ja da se me të vërtetë që Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U baj edhe një premtim tjetër se përnji që ato konferenca të kryejnë për gjashtë muej, siç e don rregullorja, unë menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipni”.
Ndonjë vit më vonë, kur Koliqi kishte marrë propozimin për t’u bërë Ministër i Arsimit, në qeverinë e kryesuar nga Mustafa Merlika (Kruja) siç tregon ai në kujtimet e veta, kishte shkuar të konsultohej me Fishtën për këtë propozim. Patër Gjergji, pa e mbaruar tjetri fjalinë, i kishte thënë: “Me shkue”. Mirëpo, Koliqi, i shqetësuar për faktin se si do ta merrnin bashkatdhetarët e tij këtë akt, kërkon një vendim më të pjekur e më të studiuar. Fishta e kishte ndërprerë përsëri, duke i thënë: “Me shkue, se kushdo tjeter qi t’shkoje, ka per t’ba ma keq se ti për shqiptarët!” Ky është një arsyetim që vjen prej një personaliteti, i cili nuk e ndan dot veten nga kombi; ai nuk mund të fshihet e të shpëtojë emrin e vet, sa kohë që kombi ka nevojë për të, qoftë edhe duke sakrifikuar emrin e vet.
Kujtesa popullore ruan edhe një variant të tretë të argumentimit të Fishtës, mbi motivet e pranimit të titullit akademik. Flitet të ketë thanë, pak a shumë: “N’kyt moshë qi jam, s’mund t’i baj kombit tjeter sherbim, veç se t’i fali nji akademik … Edhe pse e dij se kan me m’sulmue, posaçe ndoj toskë me mendje prej Rusije”. Ka shumë mundësi që të tre variantet të jenë të vërteta, pasi ky argument ishte temë e bisedave të shumta dhe Fishta kthente përgjigje sipas rastit apo nivelit të atyre që e pyesnin. Nga e njëjta “shkollë” mendimi vinte edhe Patër Anton Harapi, i cili, disa vite më vonë, kur do të pranonte të bëhej anëtar i Këshillit të Regjencës, do të deklaronte: “Ma mirë t’thonë: gabove, o Atë! sesa: Ku ishe, o Atë…?”
“Fishta si Akademik i Italisë, – kujton Injac Zamputi, – në konferencën që mbajti në kinema Rozafat, për s’e di se çfarë rasti përkujtimor, në vitin e fundit të jetës së tij, e solli fjalën te paralelizmi i pushtimit fashist me pushtimin romak të lashtësisë.” […] “Dhe pati guximin, – vazhdon ai, – të fliste për rezistencën që romakët e lashtë gjetën ndër fiset dhe mbretëritë ilire, deri te kryengritja e organizuar prej Batos.” […] “Të gjitha këto ndodhën, – do të përfundonte Fishta, sipas Zamputit, – sepse ilirët e panë menjëherë, se trupat romake po sillnin robërinë në vend të lirisë, të cilën mburreshin se po ia sillnin botës, bashkë me drejtësinë
romake”. Aluzioni është i qartë. Nuk plasi skandali, por në fytyrat e të gjithëve lexohej habia e madhe për atë guxim. “Ç’rrjedhim do të kishte pasur, nuk e di, – shprehet ai, – sepse, po në fund të atij viti, Fishta vdiq.
Se sa proitalian ishte Fishta, kuptohet në një relacion6 të qershorit 1919, të Provincialit Françeskan në Shkodër, Luiggi Paolozzi drejtuar Gjeneralit të Urdhrit në Romë, ku ai ankohet se At Vinçenc Prennushi dhe At Gjergj Fishta, kanë firmosur një protestë të dërguar në Konferencën e Paqes në Paris, kundër një protektorati të mundshëm të Italisë mbi Shqipërinë. Në gazetën e majtë “Taraboshi”, që kishte nisur të botohej në Shkodrën e atyre viteve, botohet një reportazh sarkastik, ku flitet për një komision, që ishte ngritur për të mikpritur Jakomonin në qytetin e mirënjohur të Veriut. Pjesë e këtij komisioni ishte edhe Fishta, i cili arrin me vonesë, duke iu kërkuar “ndjesë”, pasi kishte takuar një fshatar nga Reçi që i ishte djegur shtëpia. Ftesës së njërit prej pjesëmarrësve për të aplikuar në bashki për ndihmë, ai i përgjigjet duke shtuar se atij të varfrit, i ishte djegur edhe dhija e vetme; pas shprehjes “robt shndosh!”, Fishta u tregon sesi reçasi kishte varrosur edhe të ëmën e djegur. Duke u uruar “suksese” në punët e tyre, poeti u kërkon “leje” të largohet, pasi shpresonte të bënte diçka për atë qyqarin, ndryshe nga komisioni që kishte detyra “ma t’randësishme”.
Familjarët kujtojnë, se në ato vite, italianët ndërtuan rrugën Lezhë-Kallmet-Vau i Dejës. Kjo rrugë ishte kërkuar prej Fishtës, sepse, përveçse lidhte Lezhën me Shkodrën nëpërmjet vendlindjes së tij, njëkohësisht bënte lidhjen e kishave katolike ma të randësishme të zonës: Nga Kisha e Fretërve në Lezhë, te Kisha e Kuvendit të Arbrit në Mërqi, Kisha dhe Rezidenca e Ipeshkëvit të Lezhës në Kallmet, Kuvendi i Françeskanëve në Troshan, Kisha dhe Qendra e Ipeshkvisë së Sapës në Nënshat dhe deri në Kishën Vaut të Dejës. Në një rast, në këto kohë, familjarët kujtojnë se një fshatar nga Laç-Qyrsaçi i Vaut të Dejës, njeri me autoritet në krahinë, kishte ardhur të ankohej te Patër Gjergji, pasi italianët po i thyenin tjegullat e shtëpisë, gjatë plasjes së minave për hapjen e rrugës. Fishta, i cili po merrej me një vepër letrare, ndoshta me “Mbretneshen e Lulevet” si e pa se ç’hall kishte fshatari, i kthehet me të ashpër: “Hik pa merak se italjant tash t’i paguejnë tjegllat e shpisë nji m’nji, po ti kqyr e merru me mdoj punë tjeter, se ata nuk janë administrata e Zogut.”
Gjithë këto kujtime, dokumente apo dëshmi, i solla për të treguar sa më qartë se kush ishte Fishta, çfarë raporti kishte ai me italianët, Romën, Vatikanin, papët, françeskanët apo edhe me Duçen, Jakomonin, Çianon apo Melonin.
Rënjët e këtij modeli fishtjan
“Ndeja në Bosnje edhe edukimi fetaro-kulturor nga françeskanët boshnjakë, që në dukë e në vepra personifikojshin idealin e Shën Françeskut, ndjenjat e aspiratat e popullit të tyre, – shprehet At Daniel Gjeçaj, – qenë një fat i madh për Fishtën.” Gjendja e popullit kreshnik të Bosnjes e Hercegovinës, nën sundimin e osmanëve; luftërat e pandara, kryengritjet e vazhdueshme dhe heroizmi tyre, deri në kurorëzimin e lirisë më 1878, ishin të ngjashme me ato të viseve tona, që prej shekujsh ishin në robëri. Historia e françeskanëve në Ballkan e veçanërisht aty ku Fishta po studionte në atë kohë, në Sutiska e Livno të Bosnjes, popullariteti i fituar dhe dashuria e merituar, ndaj bijve të denjë të shenjtit nga Azisi, mbrujtën në mendjen dhe zemrën e djaloshit të ri prototipin e fratit shqiptar, që me aq madhështi hyri në historinë e popullit e të kulturës shqiptare. Gjatë periudhës së studimeve në Bosnje, në shpirtin e Fishtës u ndez ajo shkëndijë, e cila do të shpërthente më vonë, në një zjarr të madh dashurie e veprimi, për liri e përparim të atdheut, për lumturim të fesë e lartësim të kombit.
Studiuesja Blerina Suta na sjell një informacion edhe më interesant në lidhje me këtë temë. Fishta dhe shokët e tij, kishin varur portretin e Skënderbeut, në murin përballë hyrjes së muzeut, gjest ky, jo fort i mirëpritur nga një pjesë e nxënësve boshnjakë, që përfundon me fshehje të portretit, siç vihet re në letrën e Čengiç-it, i cili thotë: “Besomëni At, që në 10 vjet mësimdhënie dhe edukim, nuk kam pasur kurrë degjenerime të gjithanshme, si këto të këtyre arnautëve dhe të disa rishtarëve. Sapo mbërritën, filluan të sulmojnë Krajinoviç-in, për shkak të karakterit të tij të butë dhe, nëse ai nxehej dhe përpiqej t’ju përgjigjej njëfarësoj, ata e sulmonin edhe më shumë. Gjithashtu arnautët, kishin vënë në kornizë një portret të Kastriotit dhe, duke dashur ta varin në murin përballë muzeut, në vend të fra …; dhe nëse spostohej prej nxënësve tanë në një vend tjetër, ata e kthenin prap aty ku donin. Gjithsesi, meqë Fishta tallej dhe çfarë nuk thoshte për çdo gjë, si me tekstet liturgjike, ashtu edhe me rregullat etj.; një nga nxënësit tanë, e fshehu atë portret. Atëherë ata shpërthyen dhe krijuan një rrëmujë të paparë në mes të nxënësve. Meqë unë nuk dija asgjë për këtë ngjarje, kur ma treguan, i kërcënova të gjithë, që të tregonin kush e kishte fshehur portretin dhe atëherë, njëri prej tyre më tregoj se ku gjendej, por, meqë nuk mund ta tradhëtoja nxënësin, portreti ngeli edhe sot, aty në të njëjtin vend, kurse Fishta bashkë me një grup shokësh, vazhdonte të provokonte, siç bën edhe sot e kësaj dite. Nga ana tjetër, Fishta është një nxitës i keq shpirtërash, i padëgjueshëm e kokëshkëmb, që ndiqet nga shumë arnautë dhe biles, edhe nga ndonjë prej tanëve. Sillet në formën më të keqe të mundshme, saqë nuk arrij t’i rri dot mrapa, sidomos në Seminar, pasi, nëse provoj t’i them diçka, ai do të përgjigjet 50 herë më keq dhe do të mundohet të nxisë konflikt, gjithmonë nën frymën e kundërshtimit; nuk ka as besim as fe, me një fjalë, nuk vlen aspak.”
Konflikti vazhdon edhe përgjatë vitit shkollor 1891-1892, siç dëshmojnë letrat e të dyja palëve, dërguar Urdhërit në shkallë lokale e më lart. Këtu, studiuesja Blerina Suta9, përmend letrën e 20 shtatorit 1891, me të dhëna interesante që konfirmohen edhe nga studiuesi tjetër, Tonin Çobani, ku thotë se Fishta dhe shokët e tij deklarojnë se do të pranonin më mirë të kalonin në laicitet, sesa të njihnin si mësues lektorin A. Čengiç; i cili sipas tyre, thellon hendekun midis grupit shqiptar dhe atij boshnjak:
“I nderuar At.
Më 19 të këtij muaji, filluam mësimin dhe pamë se Čengiç, ishte sërish Magistro morum (mësues i sjelljes). Mirëpo, ai dhe Guardiani, na trajtojnë si të mos ishim anëtarë të kësaj familjeje religjoze. Prej tri javësh, Čengiç nuk flet me ne asnjë fjalë. Në mensë, ulen para nesh, që jemi të vitit të tretë të teologjisë, edhe ata që sapo kanë filluar teologjinë. Sapo nisi shkolla, thirri të gjithë boshnjakët për të parë muzeun, kurse për ne të tjerët tha: Ç’më duhen ata?! Tani, na ka përgojuar në të gjithë Bosnjën, aqsa një boshnjak kishte thënë se provinca nuk ishte e kënaqur pse mori shqiptarët. Për këto gënjeshtra e shpifje, ne Ju themi sinqerisht se, nëse Čengiç do të vazhdojë të jetë Magister morum, ne të gjithë jemi të gatshëm të kalojmë më mirë në laicitet, sesa të njohim atë për mësuesin tonë. Gjithashtu, jemi gati ta bëjmë këtë gjë, nëse provinciali do të lejojë ndarjen që Čengiç ka bërë, në mes nesh e boshnjakëve. Por, para se të arrijmë në këtë pikë, ne do të bëjmë gjithçka është e mundur, pranë Gjeneralit e Qeverisë, për ta rregulluar çështjen. Këtë do ta bëjmë edhe atëherë, nëse Ju do të hiqni dorë nga çdo përkujdesje atërore ndaj nesh (Zoti na ruajtë!). Në gjunjë, Ju lutemi të mos na braktisni në nevojën tonë. Nuk e shihni që na kanë braktisur të gjithë?! Provinciali ka përzënë nga ky kuvend, të gjithë boshnjakët që nuk kanë shkuar mirë me Čengiç-in. Nëse Ju na braktisni, nuk do të kemi tjetër mik në botë, përveç Zotit. Na lajmëroni menjëherë për mendimin Tuaj. Duke Ju përshëndetur sërish dhe duke Ju puthur dorën, Ju lutemi të tregoni durim me ne dhe të mos humbisni dashurinë Tuaj ndaj nesh, teksa po Ju themi të vërtetën.
Livno-Gorica, 20 shtator 1891.
Bijtë Tuaj në Krisht: Fr. Gjergj Fishta, Anton Lushaj, Pjeter Gjadri, Lorenc Mitroviç, Engjël Paliç, Bona(ventura) Gjeçaj.
”Vlen të theksohet se shprehja: “të kalojmë në laicitet”, nënkupton të kaluarit në një degë tjetër në atë kuvend, ku nuk përgatiteshin fretërit e ardhshëm, por thjesht diplomoheshin në fusha të ndryshme të shkencës e kulturës. Nëse do të kalonin atje, nuk do ta kishin më lëndën mësimore “moribus”/(sjellje) pasi atë e bënin vetëm klerikët e ardhshëm. Episodi i fundit i përplasjes ashpërsohet si në tone, ashtu edhe në përmbajtje, siç e tregon letra11 e 4 majit 1892 ku të rinjtë shqiptarë me forcë drejtësie, mbi shpifjen që u është bërë, duke i quajtur “epikurianë” dhe “platonikë”; si dhe përgjigjja e Patër Čengiç, e datës 10 maj 1892 i cili vazhdon ta konsiderojë Fishtën si nxitësin kryesor të opinionit negativ mbi punën e tij. Pas shkëmbimit të letrave në nivele të ndryshme, deri edhe te qendra në Romë, Urdhri e zgjidhi çështjen me zëvendësimin e Čengiç, me një mësues të ri, Kataviç, i cili, me një letër të 23 majit 1892, të cituar nga historiani Vrgoc e interpreton shkakun e vërtetë të konfliktit, në mes të shqiptarëve dhe Čengiç-it, si: “një intolerancë reciproke, që u transformua në urrejtje e ushqyer nga pasioni”.
Ky incident është shumë domethënës, për të treguar ndjeshmërinë e Fishtës, ndaj një figure të rëndësishme kombëtare, që do të shfaqet më vonë në veprën e tij letrare. Skënderbeu do të jetë një figurë kyçe dhe qëndrueshme e idealit të lirisë për Fishtën. Nuk është e rastësishme që emri i pagëzimit “Josephus” (Zef) i 24 tetorit 1871, do t’ia lërë vendin emrit “Joannes” (Gjon) siç dëshmon një akt i 8 dhjetorit 1890; si dhe më pas, do të marrë solemnisht dhe përfundimisht emrin e shugurimit: “Georgius, Silvius, Aeneas; Gjergj, për nder të Gjergj Kastriotit dhe Enea-Silvio, në nderim të Enea-Silvio Piccolominit, Papa Pio II, i cili ndihmoi Skënderbeun në fushatat e tij anti-osmane.
Kultivimi i këtij modeli ndër vite
Viti 1907 shënon në jetën e Poetit Kombëtar një periudhë me optimizëm të ulët dhe shumë demoralizuese. Shprehjeve pesimiste të mikut të tij Pal Dodaj, i cili i shkruante duke e informuar për situatën e vështirë të kohës; Fishta u përgjigjej, me një trishtim në zemër e me “mollën e Adamit” në fyt: “ … Kurrë si kto ditë, nuk m’kanë pushue n’shpirt mjerimet e atdheut; po provoj n’vedi, tanë idhnimin e atij qi gjindet para nji humnere, bash njashtu si jena na sod” dhe vijon: “ … Persa m’perket mue, un po tham t’verteten, se sod per sod, jam tue u perpjekë me i asgjesue kto t’mendueme … por kishte me kenë baras, si t’andrrojshem nji gja t’pamujtshme; pse e pamujtshme asht, qi t’kena nji atdhe simbas idealit tone.” Se çfarë ishte ky ideal, për të cilin punoi edhe 33 vjet të tjera, e tregoi me shkrimet dhe veprat që botoi në të ardhmen; ai donte një Shqipëri të lirë e të pavarur, të bashkuar, të drejtë e të përparuar, ku Fe e Atdhe, të përbënin dy kokat e së njëjtës shqipe; të cilën, Skënderbeu si fillim dhe Ismail Qemali më pas, e përdorën si simbol të kombit.
At Pashk Bardhi13 tregon se, pas fjalimit të Fishtës në Kongres, Valiu i Manastirit, i pranishëm në kuvend, u ngrit dy herë t’i shtrëngonte dorën, kurse një hoxhë filozof u ngrit ta përqafonte me lotët nëpër faqe nga mallëngjimi. I njëjti, në një letër që i drejtonte At Shtjefën Gjeçovit, më 5 dhjetor 1908, ndër të tjera, thotë: “Dom Ndre Mjeda, kishte ba nji fjalim kundra shoqnis s’Bashkimit. Por, ne nesret, i ishte pergjegjë Pater Gjergji me nji fjalim fort t’permallshem, me t’cillin kishte ba me kja shum kongresista; e mbas fjalimit, nji hoxhë toskë, e ka marrë ngrykë e me lot per faqe” 14. Nëntëmbëdhjetë dhjetori i vitit 1911 për françeskanët e Shqipërisë, është një datë për të mos u kaluar në heshtje, pasi shënonte plot një gjysëm shekulli veprimtari në fushën e arsimit, në tokën arbërore; pesëdhjetë vjet edukim shpirtëror dhe edukim kombëtar, nuk ishin pak. “Drejtori i shkollës fretnore edhe autori i Lahutës malore, do të ishte shpirti i kremtimit që po përgatitej” – kujton Gjeçaj15. Nuk ishte gjë e lehtë dhe pa rrezik, që në ato kohë të ashpra të xhonturqve në pushtet, të shfaqësh, si në një apoteozë publike, Shqipërinë e lirë, shqiptarin e qytetëruar, të zotin të jetojë më vete, të vetëqeveriset, të përparojë në liri e demokraci, gjëra këto, që deri atëherë, vetëm sa i kishin ëndërruar shqiptarët. Kërkohej guximi i Fishtës, solidariteti i sivëllezërve të tij, që të mund t’i hyhej një pune të tillë, të vështirë e tejet të rrezikshme.
Ditën e kremtimit, në sallonin e teatrit ishin të pranishëm: Valiu i qytetit, kryekomandanti i ushtrisë turke dhe krejt ajka e banorëve të Shkodrës, së bashku me të gjitha autoritetet fetare e civile. Nga këta të fundit, binin në sy: Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Jak Serreqi, me të pesë Ipeshkvijt e tjerë sufraganë, përfaqësuesit e konsullatave të huaja, zotërinj fort të nderuar myslimanë, ortodoksë e katolikë; pastaj fretër e priftërinj dhe gati i gjithë populli, të mëdhenj e të vegjël. Melodrama, siç dihet, niste me shprehjen e guximshme emfatike: “Shqyptar un jam …”, tri fjalë që paraqisnin një program, një ideal, një dyluftim në mes të Golisë vigan, të më të madhes perandori dhe Davidit të vogël, por me të drejtën njerëzore me vete, me trimëri e guxim në zemër. Në skenën e teatrit françeskan, përfaqësuesi i jeniçerëve të frikshëm osmanë, takohet në fushën e betejës me përfaqësuesin e Gjergj Elezave të Maleve Shqiptare, që për armë e parzmore kishte vetëm fjalët: “Shqyptar un jam”.
Shfaqja ishte një triumf për Fishtën, brohoritjet ishin të pareshtura dhe në mes tyre, rridhnin lot malli e gëzimi. Gjaku i shqiptarit, së bashku me vajtimin si një shfrim zie, u bashkuan edhe një herë, duke riformuar simbolin e flamurit kombëtar, në të cilin shqiponja kombëtare valonte e zezë mbi mëndafshin kuq si gjaku, pa yll as hanë, pa sëpatë liktori apo kryq të thyer mbi kokë.
Apoteoza e Fishtës u kthye në apoteozë të Shqipërisë. Poeti, siç dëshmon At Justin Rrota, gramatikan i njohur i gjuhës shqipe, i cili, në raste shfaqjesh teatrale, përgatiste pjesët muzikore dhe drejtonte korin e shkollës; e ndjeu veten aq të lodhur emocionalisht dhe kaq të mallëngjyer, saqë, menjëherë pas shfaqjes
zuri shtratin. Atyre që i rrinin te koka e krevatit dhe mundoheshin t’ia lehtësonin dhimbjet e zemrës, u thoshte: “Edhe n’deksha, po des konkend per punt e Shqypnisë, tash qi ia mrrijta me ia rritë jeten, nder sy t’pashës turk”.
Ishte pikërisht Hasan Riza Pasha, i cili, duke mos qenë shqiptar, i kërkoi Fratit të Madh, që të shkruante një himn-marsh për ushtarët shqiptarë që bënin pjesë në radhët e ushtrisë së tij. Poeti ia plotësoi dëshirën, kurse Pashai ia shpërbleu me të holla, që shkuan për fëmijët e varfër të shkollës së qytetit. At Justin Rrota16 kujton se, kur e ngacmonin për shpërblimin e majmë që i dha pashai i Shkodrës, Fishta ua kthente: “E keni keq! Kqyrni, Hasan Rizaja, aj ua ka dijtun vleren vjershavet të mija: M’i ka pague strofë e lirë turkut, ari të kulluet”. At Justini vazhdon më tej në kujtimet e tij, duke treguar se Fishtës i bëhej zemra mal, kur dëgjonte ushtarët shqiptarë, pjesë e ushtrisë turke, të këndonin shqip përgjatë Fushës së Çelës, në Shkodër.
Me ndihmën e Fishtës e të fretërve françeskanë, Riza Pasha, i rrethuar nga të katër anët e në pamundësi për të marrë ndihma nga jashtë, arriti të lidhej me At Pal Dodajn, që në atë kohë rrinte në Rubik. Kuvendi françeskan këtu, falë veprimtarisë së Dodajt, ishte kthyer në një shtatmadhori të lëvizjes së shqiptarëve për liri, ku mblidheshin prijës të Lezhës, Kurbinit, Bregut të Matës e të krejt Mirditës. Pretendimet territoriale të serbo-malazezëve i kërcënonin rëndë territoret e shtetit shqiptar të sapoformuar, ndaj prijësit e zonave të larpërmendura e ndienin rrezikun pranë. Në këto situata të turbullta që po kalonin, ata e dinin mirë se shpëtimi i Shkodrës nga rreziku malazez, do të thoshte të shpëtonin edhe viset e tyre nga aneksimi sllav, po ashtu, siç përkonte edhe qëllimi i Hasan Riza Pashës me atë të françeskanëve, të lironin Shkodrën, duke u rënë pas shpine trupave të Krajl Nikollës, me çetat e Malësisë së Madhe. Në shenjë të bashkërendimit të veprimeve, komandanti turk i trupave të rrethuara në Shkodër do të ngrinte flamurin shqiptar në kështjellën e Rozafatit, duke zëvendësuar atë të Perandorisë Osmane, që për pothuajse 450 vjet, ishte valëvitur mbi bedenat e kalasë së mbretit Gent. Me këtë gjest simbolik, ushtritë osmane do t’i linin vendin ushtrisë shqiptare, të paktën formalisht.
Ky plan, i studiuar dhe i përgatitur me kujdes nga të dyja palët, do të dështonte pikërisht atëherë kur Hasan Riza Pasha do të lajmëronte Fishtën: “Nesër do të ngrihet flamuri i Shqipërisë në kala.” Ishte nata e 29 janarit të vitit 1913 dhe ky ishte testamenti i mikut të Fishtës dhe të gjithë Shqipërisë; pasi, në terrin natës së 30 janarit, Riza Pashai do të vritej nga tre të panjohur.
Sapo hyri në Shkodër autoriteti i pesë Fuqive të Mëdha Ndërkombëtare, u duk se tashmë do të merrte frymë lirisht; por as me ndërkombëtarët nuk do t’i zgjaste shumë paqja. Më 12 qershor, pra afërsisht një muaj më vonë, pikërisht natën e Shën Antonit, Fishta bashkë me fretërit e tjerë të Gjuhadolit, ngritën, kundër vullnetit të Sër Cecil Borney-t, në atë kohë administrator i qytetit, flamurin e Shqipërisë në këmbanoren e kishës, pikërisht në atë këmbanore që sistemi totalitarist do ta shembte përdhe, disa vite më vonë. Flamuri i qëndisur me dashuri nga duart e arta të Motrave Stigmatine, ishte pothuajse gjashtë metra i gjatë. “Më 13 qershor, – shprehet Zamputi17, – ende qëndronte në ballë të zyrës postare stema e Malit të Zi, sepse ndokujt nuk bënte dora ta hiqte, në pritje se si do të vendoseshin punët përfundimisht”. Pikërisht atë natë, ndërsa këmbanat po binin si asnjë herë tjetër, plot me gëzim e hare, kurse simboli kombëtar po valëvitej krenar, i rrahur prej erërave flladitëse të Cukalit e Maranajt; vjen urdhëri zyrtar, për ta ulur flamurin e për ta thyer shtizën. Françeskanët nuk binden. At Gjergji nuk fjeti gjithë natën, shkroi një letër të gjatë e deri diku mjaft të fortë. Në të zbardhur ia dorëzoi zyrës kompetente, për admiralin. Letra bëri efektin e vet. Admirali anglez nuk mori mundimin të përgjigjej, por vetëm, nuk e çoi ushtrinë për të ulur flamurin me forcë. Në një letër drejtuar Pal Dodajt, Fishta do të shprehej për admiralin: “Ky budallë pra asht zemrue fort, pse na fretnit, diten e Shna Ndout, kena ngritun flamurin shqyptar mbi kumbanoren e kishes s’onë”.
Me këtë rast, Poeti kombëtar, i frymëzuar nga valëvitja e palëve të flamurit dhe për më tepër nga gufimi i zemrës, shkroi himnin klasik, të kënduar deri vonë si himn kombëtar:
“ Porsi fleta e ejllit t’Zotit,
Po rreh flamuri i Shqypnisë …”
“… dhe të muzikuem nga Lec Kurti, simbas një arie mbas gjase, hymen që mbushi me gëzim të mëdhaj e të vogjël në qytet e kudo, – shprehet Gjeçaj18, – mrrijti me shpejtësi vetime në të gjithë Shqipninë.”
Fishta, si çdo meshtar tjetër katolik dhe, për më tepër, si ndjekës i shenjtit të paqes, Shën Françeskut; ishte dhe mbeti njeri para së gjithash, pastaj shqiptar, së pari frat e pastaj luftëtar. “Edhe para anmikut në vuajtje, – shprehet Gjeçaj, – ai preket në zemër e mëshiron.” Ja si shprehet Fishta, në një letër drejtuar At Pal Dodajt: “ jetojmë, gadi si n’kohen e Atilas ase t’Vandalvet. A s’asht fjala qi bie, terhjekja e serbjanvet qi t’ban me mendue perjudhen e Gotve e t’Ostrogotvet? Aq m’dhimben kah i shof, kta ushtarë t’shkretë e t’vuejtun n’atë mndyrë, sa jam he he, kah jau fali t’mallkuemit e nacionalizmen, atdhenë, kulturen e s’dij se shka tjeter. Thohet se gorilla-majmun, asht shtaza ma e eger qi njifet, e besoj, asht shtaza q’i ngjet ma fort njirit …”
Nuk ishte mbushuar akoma viti nga themelimi i revistës, kur në korrik të 1914-ës, në numrin e dhjetë të saj, drejtori i “Hyllit të Dritës” botoi artikullin fatal “Nji komedi e panderëshme e XX qindvjetë”; e për pasojë, ky organ do të mbyllej nga autoritetet ndërkombëtare. Dhe megjithë mend, nuk ishin të ëmbla për veshët e tyre, fjalët e artikullshkruesit: “… Gjaku i shqyptarit derdhet rrëkajë, gjaja e shqyptarit hupë nder thoj t’ma t’fortit; e Mkambsit e Evropës, kur t’mos kenë ngatrrue ndoi pshtjellim “polizzash” e “faturash” së veta; pa fare kujdesit rrijnë, a tue rrshitë me rrakela neper lame çementeje, a tue luejtë dojkë e topash me femna, kush e din se çfarë nderet …”; dhe pastaj, në fund të artikullit: “Marre e turp per Evropë! Por Evropa nuk din shka asht marrja, ndera e burrnija … Ah! Po, këjo dishmon qi Evropa nuk ka nderë e burrni; dishmon qi shoqnija njerzore n’Evropë, asht teper e rame e e poshtnueme e se diplomacija evropjane, asht vetë
faqja e zezë e marrja e turpi i krejt njerzimit”.
Në një letër të 18 qershorit 1914, drejtuar Pal Dodajt, ai do të pohonte: “Vshtirsitë qi po na bahen nga organet zyrtare, po na ngushtojnë me e pezullue botimin e Hyllit të Dritës, pse nuk po na lejojnë me pasë makinen e shtypshkrimit, qi e patem porositë” . Ashpërsisë së artikullit, me pasoja të rënda për drejtorin e revistës, i shtoheshin edhe padi të shumta, të bëra nga kundërshtarë të brendshëm e të jashtëm, që i ishin dërguar autoriteteve fetare në Romë. Ndërsa këta të fundit po gjykonin rastin, koloneli anglez G. Philips, në atë kohë Guvernator i Përgjithshëm dhe Komandant i Përgjithshëm i trupave ndërkombëtare në Shkodër e “dënoi” Fishtën me 20 muaj mërgim në Maltë; vendim ky i marrë me shpejtësi, pa gjyq dhe pa prezencën e të paditurit. Patër Gjergji, sapo dëgjoi për këtë dënim, si e kishte shpërndarë me shpejtësi numrin e “Hyllit të Dritës”, së bashku me sivëllaun e tij, At Justin Rrota, u largua fshehtas nga qyteti dhe u strehua fillimisht te Gjeçovi në Gomsiqe, pastaj te Bardhi në Vig dhe së fundmi në kuvendin e Troshanit, pranë At Pal Dodajt dhe fretërve të tjerë të vendosur aty.
Në 1915, sipas At Donat Kurtit21; mandati i Domenik Facit përfundon dhe në vend të tij zgjidhet Padre Luiggi Paoluci, që kishte si sekretar At Zef Gicin. Për shkak të Luftës së Parë Botërore, meqë u shkëputën lidhjet “Kurien e Shenjtë” e Gjeneralin e Françeskanëve, me largimin e Padre Luiggit, ai delegoi si zëvendës sekretarin e vet dhe “de fakto”, në këtë periudhë françeskanët drejtoheshin nga shqiptarët. Më 1916, më në fund, – shprehet Zamputi, – fretërit e Shkodrës, prej nga vareshin të gjithë pjesëtarët e këtij urdhri, të shpërndarë ndër famullitë e ndër kuvendet e tjera, qenë çliruar nga drejtimi tradicional i elementëve të huaj dhe u hap mundësia për themelimin e Provincës Françeskane Shqiptare. Po sipas Zamputit, Fishta do të shkruante në ditarin e tij: “8 korrik 1916 – Puntë e mira n’Shqypni, vijnë disi kadalë e rrshanë. Ata Misionarë, nuk janë nisë me 6 t’korrikut, por me 8 – Allah smardhaduk ( Në dorë t’Zotit – shënim i IZ)” .
Edhe “Posta e Shqypnisë”, sikurse “Hylli i Dritës”, pas numrit të 89 të saj, në vitin e dytë të botimit, me 23 nëntor 1918; në të cilin At Gjergji do të shkruante dy artikuj të ashpër, “A qafa a nafaka”, së bashku me tjetrin edhe më të ashpër, “Shqypnija e shqyptarvet”, ku ky i fundit përfshinte edhe një “Memorandum” të fiseve të Hotit e të Grudës, që kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, mbyllet përdhunshëm nga Guvernatori francez i Shkodrës në atë kohë, Bardy de Fourton. Me sa duket, Memorandumi u dogji francezëve, si përkrahës të përhershëm që ishin të interesave shoviniste të serbëve e malazezëve. Kështu, përfaqësuesi i Francës, duke i rënë ndesh parimit të kombit të vet: “Liri- Barazi-Vëllazëri”, dha urdhër që të mbyllej “Posta e Shqypnis”, që në atë kohë ishte zëri më mprehtë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në përgjithësi dhe të drejtave të shqiptarëve në veçanti. “Posta e Shqypnis, armë lufte e log beteje, nuk duel ma. – shprehet Gjeçaj, – Ra edhe ajo në ballë të luftës, tue djegë ma të mbramin fishek, që luftëtari i pathyeshëm, At Gjergj Fishta, ia kishte shti në konak.” Edhe në vitin 1917 Fishta së bashku me Arqipeshkvin e Shkodrës, Imzot Jak Serreqin dhe Ipeshkvin e Lezhës, Imzot Bumçin, do të shkonte sërish në Podgoricë, si ndërmjetësues për paqen. Me 28 nëntor 1918 pikërisht në ditën e festës së flamurit, në Shkodër, bëhet një demonstratë e madhe popullore, në mbrojtje të viseve shqiptare të mbetura jashtë kufirit politik dhe në shenjë proteste për mbylljen e gazetës së Fishtës.
Çështja e parë ishte temë e Konferencës së Paqes në Paris, kurse për të dytën nuk lëshuan pe autoritetet franceze të Shkodrës. Duhet pasur parasysh që protesta e malësorëve të Hotit e Grudës, për të mos mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, ishte organizuar dhe udhëhequr nga françeskanët.
Po ashtu, në vitin 1921, krerët e Hotit, Grudës e të Kastratit23, si përfaqësues të trojeve shqiptare të mbetura në Malin e Zi, kërkojnë ndihmën e shtetit shqiptar, për mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke iu drejtuar kryeministrit të kohës me një promemorie, ku, ndër të tjera, i kërkojnë që pjesë e një delegacioni që mund të dërgohej për këtë qëllim, të ishte edhe At Gjergj Fishta, i cili ishte marrë gjithnjë me këto çështje, por edhe njohja prej tij e gjuhës dhe e kulturës së sllavëve të jugut, si dhe emri që ai ka në rrethet kulturore italiane, e bëjnë atë njeriun më të përshtatshëm dhe më me ndikim, për t’u shërbyer mbrojtjes së interesave të tyre.
Si pjesë e delegacionit për në Konferencën e Paqes në Paris, në një mision kaq të lartë dhe kaq të rëndësishëm, kur fati i Shqipërisë vendosej sërish në diskutim, nuk kishte si të mungonte Frati i Madh. Dhe vërtetë, Patër Gjergji, në fillim si ekspert e më pas si sekretar i Bumçit, pasardhës i Turhan Pashës në kryesimin e delegacionit; mori pjesë e bashkëpunoi, me të gjitha fuqitë e veta, në një çast kaq delikat për fatet e vendit tonë. Gojëdhëna popullore thotë se Imzot Bumçi,
përdori një taktikë interesante që ta përfshinte Fishtën në delegacion. Ai ngriti pretendimin se, duke qenë Ipeshkëv, nuk mund të udhëtonte vetëm. “Para nisjes së tyne për në Francë, – shprehet Kurti, – qeveria italiane, me pasaportat e së cilës do të udhëtonte përfaqësia, nxori probleme për emnat e Bumçit e të Fishtës, që njiheshin prej tyne si pro-austriakë.” Vetëm për shkak të At Gjergjit, u vonua nisja me dy javë, por prania dhe kontributi i tij në Konferencën e Paqes, e justifikon këmbënguljen për ta patur pjesë të delegacionit.
Gjatë udhëtimit për në Francë, Fishta dhe Bumçi u ndalën në Romë. Në “qytetin e përjetshëm”, ata u takuan me kryetarin e Urdhrit të Françeskanëve, At Serafino Cimino, ku siguruan një audiencë me Papa Benediktin XV. Nuk duhet anashkaluar ndikimi i këtij Pape dhe i këtij takimi, për shpëtimin e Korçës dhe Gjirokastrës, që, sipas takimit të fshehtë Tittoni-Venizellos, duhet t’i kalonin Greqisë. Imzot Bumçi, në takimin me Papa Benediktin e XV natën e ndërrimit të viteve 1919 dhe 1920 mori prej tij premtimin se: “… do të bëj ç’është e mundur për të ndihmuar në këtë drejtim”. Kujtesa popullore thotë se, ndërsa Bumçi po priste në Vatikan kohën e përshtatshme për mundësimin e këtij takimi me Papën, vjen Fishta dhe e bën rrëmujë gjithë Selinë Papnore, duke iu drejtuar mikut të tij me fjalët: “… nuk pret puna per ceremoni; sa t’vije ty audienca, e morën grekët Gjinokastren”.
Qëndrimi në Amerikë i vlejti Fishtës, jo vetëm për të krijuar njohje vetjake me autoritete të larta të shtetit më të fuqishëm të botës, ku mund të veçojmë takimin me senatorët katolikë, por edhe pët të ndihmuar çështjen shqiptare apo njohjen e Shtetit Shqiptar nga USA. Me rekomandimin e At Gogfried Shilling, françeskan shumë i njohur dhe i vlerësuar në Washington, Fishta i pati dyert e hapura në Departamentin e Shtetit. Me aftësitë e veta oratorike, erudicionin dhe magjinë e komunikimit, ai arriti të bënte pro çështjes shqiptare, njerëz që, as nuk e kishin dëgjuar fjalën Shqipëri dhe as që e dinin se ku binte; shumica kujtonin se shqiptarët ishin një popull autokton i Afrikës, i Azisë së Largët apo i ndonjë ishulli të panjohur në Oqeanin Indian. Sidoqoftë, më 8 maj 1922 Fishta i shkruante Pal Dodajt: “Ktu n’Uashington, jam pjekë (kam takuar – shënim i E.M.) me nji senator katolik dhe e kam lutë t’interesohet te qeverija e tij, qi kjo ta njofe Shqypnin, porsi shtet
t’mosvarun. Ky, n’tjetren anë, ka folë me senatorin Lodge dhe sot na lajmnoi, qi kjo gja mund t’rregullohet. Prandej, asht mirë qi Qeverija e Tiranës, t’i dergoje nji shkresë Nensekretarit t’Ministris s’Jashtme t’Shteteve t’Bashkueme, tue i kerkue zyrtarisht ket njohje”.
Gjithashtu Fishta do të takohej edhe me Kardinalin Mercier, për të cilin, në një nga letrat e veta, sipas kujtimeve të At Marin Sirdanit, shprehet: “Atij t’i thuesh prelat! Nji burrë sa Pater Bonë Nikaj i naltë, i thatë por i bashem n’shtat, me do sy të kjarët, me nji hije burri sa me t’u knaqë zemra tue mendue, se asht Prelat i Kishës Katolike. Kardinali e muer per zemer çashtjen t’onë e tha se, ka me i shkrue mbi ket punë Balfurit, Kardinalit të Londonit, Mareshallit Fosh, Dechanelit, Milerandit…”.
“E vërtetë se Fishta, – shprehet Gjeçaj, – s’qe çue në Amerikë, drejt per drejt porsi mis i qeverisë shqiptare, as s’qe ngarkue veçanërisht prej saj me një mision tëmposaçëm, ad hoc; por prejse e mira e e mbara e Shqipnisë, s’ishte vetëm detyrë e shtetit, por e të tanëve e e çdo qytetarit e, nga ana tjetër, mbasi: kush asht msue s’rrin pushue, At Gjergji s’mundi kurrsesi mos të kujdesohej për vendin e vet, sido e kudo t’i paraqitej rasti.” Ndoshta, autoriteti dhe prestigji i Henry Cabot Lodge (1850-1924) i njohur jo vetëm brenda Partisë Republikane, të cilën ai përfaqësonte, por edhe në të gjitha qarqet diplomatike botërore, si një autoritet politik dhe mbrojtës i të drejtave të popujve për vetëvendosje, sipas parimeve Willsoniane, po ashtu edhe ndihma e senatorëve katolikë, bënë që Fishta të mund t’i shkruante gjithë gëzim, mikut të tij Dodaj: “… nderkaq vizita jeme n’Washington, ka pasë si perfundim, njoftjen e Shqypnis prej Shteteve t’Bashkueme të Ameriks. Te tana perpjekjet e maparshme, si ato të “Vatres”, s’kan pasë sukses … Kienë senatorët katolikë, t’cillve jau paçë parashtrue çashtjen, sidomos n’pikpamjen fetare; ata qi, me nderhymjet e veta, xueren njoftjen e Shqypnis prej qeveris amerikane”.
Sipas At Daniel Gjeçajt, At Anton Harapi, duke qarë hall një ditë me Fishtën, për shpërdorimet pa kriter të disa nëpunësve të shtetit, gati krejt i demoralizuar, i thotë: “ Pater Gjergj, shporru Shqypnijet, perse në t’vertetë, Shqypni s’ka !” Poeti e ndjeu veten të prekur dhe të zemëruar, por pa e prishur terezinë i shpjegon bashkëfolësit se punonjësit e administratës së shtetit, nuk janë Shqipëria për të cilën punonte ai dhe të gjithë shqiptarët e vërtetë. Atëherë Harapi, duke i treguar Poetit Kombëtar se i pranonte argumentet e tij, kthehet e i thotë: “Eh! More zotni … na vetem prej teje e kena nxanë se shka asht Shqypnija … Por per ditë na asht ngatarrue nper kambë nji Shqypnije tjeter, qi nuk i giet kurrkund asaj Shqypnis t’ande, qi ti na ke msue me dashtë …” Në fakt At Anton Harapi, në kujtimet e veta tregon se kjo bisedë u zhvillua në praninë e tij, në mes të Patër Gjergjit dhe një plaku që po ankohej për abuzimet që bënte administrata e shtetit.
Asnjë vit të plotë nuk zgjati ëndrra e asaj qeverie, te e cila shpresuan e për të cilën punuan Fishta e bashkëpunëtorët e tij. Ahmet Zogu, i ndihmuar nga Beogradi, në krye të mecenarëve të tij, më 24 dhjetor 1924 rrëzoi qeverinë e Nolit dhe u rikthye në pushtet. Dom Ndoc Nikaj ishte ndoshta nga të vetmit klerikë shqiptar dhe mik i Fishtës, që e kritikonte angazhimin e tij dhe të tjerëve si ai në politikë. Frati i Madh u ishte përgjigjur kundërshtarëve të tij, duke ju argumentuar se çfarë ishte ky angazhim, pse nuk mund t’i shmangeshin dhe deri ku do të shtrihej ai; mirëpo kësaj rradhe, veprimtaria e tij po gjallonte në zonën gri të kufijve të së drejtës. Ai do ta kuptonte shpejt këtë gjë dhe do të tërhiqej në jetën e tij shpirtërore, letrare e mësimdhënëse, por fjalimi mbi varrin e Avni Rustemit, ka mbetur si një dëshmi e gjallë e ëndrrës së lirisë apo e orës së të vërtetës, që i kap njerëzit e mëdhenj kur fillojnë të besojnë se erdhi dita e shumëpritur.
“Konop e gjak përdoroi Zogu, – shprehet Gjeçaj, – edhe pse në masë e numër ma të vogël; plumb e gjak përdoroi Enveri, tue tha landë e tue djegë gjithkund, deri barin e Shqipnis”. Nëse në të parën, litari dhe gjaku ishin masa të tepruara ndëshkuese, në të dytën, plumbi e gjaku ishin elementë esencialë të diktaturës staliniste. Gjatë sundimit të Zogut, kush nuk ishte përkrahës i tij, mundi të mbijetonte në varfëri dhe harresë, por, prapëseprapë, kishte mundësi ta shijonte ajrin e kulluar
dhe dritën e diellit në tokën e vet, kurse, pas 1944-ës, kush nuk ishte komunist apo përkrahës i tyre, ishte i gjykuar, i dënuar me vdekje apo i lidhur me pranga në duar gjithë jetën, aq sa ta merrte malli për dritën e diellit. Noli e Gurakuqi e lanë Shqipërinë për të mos e parë më. Edhe Fishta u largua nga vendi, për të pritur kohë më të mira; ideali i tij u shkel, por nuk u përkul.
Natyrisht që periudha e mërgimit, ndonëse Fishta ishte figurë e mirënjohur dhe e nderuar pranë qarqeve civile dhe kishtare italiane, nuk ishte një periudhë pushimi e as lumturie. Me trup ai ishte në Itali, por me zemër e shpirt ishte në Shqipëri, në atë Shkodrën e tij, në mes të njerëzve e bashkëpunëtorëve të tij; për ta dhe krah tyre, dëshironte të punonte e të luftonte, siç kishte bërë deri në atë kohë. “Fishta do të ketë menduar të heqë dorë përfundimisht nga politika aktive, – mendon
studiuesi Tonin Çobani, – sidomos pas vrasjes së mikut të tij, ndër më të mirët, Luigj Gurakuqit, në varrimin e të cilit nuk ishte lejuar as të bënte kryq e jo më të mbante një fjalim të merituar, siç dinte t’i bënte vetëm ai”. Në këtë gjendje shpirtërore të shqetësuar, në kushtet e një Shqipërie që nuk e kishte gjetur ende qendrën e vet të gravitetit, në rrethanat e vështira që po kalonte Provinca Françeskane Shqiptare, të cilën ai e donte si sytë e ballit; po të mos llogarisim poezinë “I Dbuemi”, mund të themi se Muza e tij do të heshtte, ashtu siç kundërshtarët e tij do ta bënin të heshtë edhe armën e tij paqësore, “Hyllin e Dritës”.
Fishta u kthye në Shqipëri, duke iu përgjigjur ftesës së Zogut, por shumë shpejt regjimi i tij, do të mbyllte edhe gjimnazin “Iliricum” të cilit po i kushtonte vitet e tij. Në zbatim të urdhërit të ministrit, Fishta mblodhi nxënësit në oborrin e shkollës dhe në praninë e trupës pedagogjike, i prekur thellë në shpirt e pothuajse me lot në sy, në fjalimin e lamtumirës, ndër të tjera thotë: “Bij të dashtun, ç’me sod shkoni nder shpia tueja e nder shkolla të shtetit, mbasi Shqypnia nuk po e don ma vepren tone. Por ani: Shqypnia rrnoftë ene pa ne!”. Fjalë të denja për një njeri të madh, për një idealist, për një atdhetar e për një profet, i cili qysh atëherë e parashikonte katastrofën që vinte, duke shqiptuar ato fjalë, që do t’i deklaronin shumë françeskanë para pushkatimit: “Rrnoftë Shqypnia edhe pa freten!”. Askush nuk e mendonte në ato kohë, se këto fjalë do të përsëriteshin, prej nëndrejtorit, At Anton Harapit, atëherë kur me gjakun e vet dhe të sivëllezërve të vet, do të shkruante mbi tokën e të Parëve, mbi plisat e varrit të Fishtës, apo në Tiranën e djegur dhe në Shkodrën e shkretuar, të njëjtat fjalë: “Shqypnia rrnoftë edhe pa ne !” – tha Fishta i përlotur para nxënësve; “Shqypnia rrnoftë ene pa françeskanë !” – tha Harapi para plumbit të pushkatimit.
Shkolla e At Gjergjit u mbyll me 25 prill 1933; ishte ora 17:00. “At Gjergji, – shprehet Zamputi – nuk ishte kundër mbylljes së shkollave të huaja, por ai nuk mund ta mendonte se si kishin guxuar të mbyllnin gjimnazin e tij, për të cilin kishte të drejtë të mburrej, se ishte i pari gjimnaz në Shqipëri, që kishte qenë themeluar me gjuhën shqipe për të gjitha lëndët e mësimit, përpara se të themeloheshin shkollat e mesme shtetërore” . Fratit shkrimtar e patriot, i mbeti në dorë vetëm pena dhe
katedra e “Hyllit të Dritës”.
Gjatë vitit 1937 pati një nismë të re për të bashkuar rezultatet e dy gjimnazeve, të françeskanëve dhe të jezuitëve. Përparimi i madh intelektual në Veriun e Shqipërisë, me një kuotë të ulët analfabetizmi në raport me pjesën tjetër të vendit, si dhe me një ndikim të lartë kulturor, rrit frikën dhe xhelozinë e pakuptimtë të qeverisë shqiptare, e cila, megjithatë, nuk kërkonte të prishej me Italinë. Nuk dihet se si u afrua një ekspert italian, një farë Montanelli, gjoja asnjanës, por që do të
armiqësohej shumë shpejt me Fishtën. Nën ekspertizën e Montanelit, u përgatit një projektligj, që synonte të ndalonte gjimnazin si formë shkolle; “Kultura e naltë per shqyptarë, asht gja e teprueme. Shqyptari ka kenë e do t’jese, puntuer e zejtar.” Sipas këtij projektligji, për një milion shqiptarë, mjaftonte një gjimnaz klasik shtetëror në Tiranë dhe një gjimnaz real në Shkodër, shtetëror edhe ky. Shkollat e tjera do të ishin profesionale, si: pedagogjike, teknike, bujqësore etj. Qëllimi ishte
sërish i njëjti: mbyllja e dy gjimnazeve “katolike”. “Për këtë qëllim, Ministri i Arsimit, dërgoi të negocionin me Gjergj Fishtën, – shprehet Peters – italianët e mëposhtëm: Ambasadorin Francesko Jacomoni, Konsullin e Përgjithshëm në Shkodër, Salvatore Meloni, sekretarin e tij, Babuscio, dhe ekspertin e “pavarur”, Montanelli” .
Përveç Fishtës, si Provincial i Provincës së Françeskanëve në Shqipëri, në takim ishte dhe Monsinjor Vinçenc Prennushi, Ipeshkëv Françeskan i Sapës, si dhe At Frano Kiri, Drejtor i Liceut “Illiricum”. Në fillim të takimit, Montanelli qëndroi jashtë derës së kuvendit, për të mos provokuar dhe nxehur Fishtën; por prapëseprapë, At Gjergji do të shpërthente, sapo mori vesh qëllimin e takimit: “Ket nderë e kena prej jush. Na po e shofim se ju doni qi katolikt e Shqypnis, megjithse nji grusht njerzish, t’jesin vorbaxhi e teneqexhi. E pra, na kena mendue, se do t’kishim prej jush nji grimë perkrahje, si katolikë qi jena.” Fishta, duke parë rrezikun e mbylljes së shkollës sërish, propozon që françeskanëve, t’u mbetej të paktën një shkollë normale (pedagogjike – shënimi i E.M.). Në këtë moment thirret në takim Montaneli, që po priste jashtë, mirëpo ai, as këtë propozim nuk do ta pranonte. Takimi përfundoi pa rezultat, por edhe projektligji nuk kaloi në Parlament; ndoshta Meloni u pendua e ndryshoi qëndrim. Por edhe kjo është e vështirë të besohet, pasi më 1938-ën, qeveria do të ndërpriste subvencionet për shkollat e françeskanëve dhe ndërhyrjes së fretërve për këtë problem, ai do t’u përgjigjej me fjalët: “Hiqni provincialin dhe të gjitha ndreqen !”
Modeli fishtjan në veprat e Fishtës
Shqipëria është në rrezik dhe Ali Pashë Gusija bëhet gati për luftë. Duke dalë nga shtëpia, ka këto amanete për nënën e për nusen:
“Pa ndigio, mori ti loke,
Banmu nderë miqve e shokve,
Banmu nderë, kush t’jetë per nderë,
Mos len t’vobekt me t’kja n’derë…
… Por ne kje se Mali i Zi,
Erdh’ e ra kurr në Gusi,
Der sa t’jetë djali kerthi,
Pasha njatë Zot, qi ta ka falë,
Ma ndigio ti grue nji fjalë:
Bane zemren gur e krep,
Premja djalit kryet n’djep…”.
Te shkrimi publicistik me titull: “Kur do t’perbashkohen shqyptartë?”, Fishta tregohet i drejtpërdrejtë, i qartë dhe befasues: “Sod nuk asht besimi qi ndan zemrat e nierzvet n’shekull, por asht kultura e ndryeshme qi nuk i len me u bashkue. Prandej, t’gjith ata qi e kanë per detyrë, si edhe ata qi i a kanë vndue vedit per
detyrë me organizue jeten shoqnore e t’qytetnueme n’Shqypni, per n’daçin pernjimend perbashkimin e kombit shqyptar, pa t’cillin bashkim nuk mund t’perbahet kurr nji shtet i qytetnuem, ma sparit t’caktojnë se mbas cilles kulturë duen me e organizue kombin shqyptar, e masendej, me ligj, me punë e me kohë, t’mundohen me i ba shqyptartë qi t’mendojnë e t’veprojnë mbas parimesh t’asaj kulturet, tue mbajtë parasysh etnologjinë, psikologjinë e ndiesitë besimtare t’tyne”.
Ndërsa te “Fjala e At Gjergj Fishtes n’dekë t’Avni Rustemit”, para se të qajë fatkeqësinë e Avniut, folësi qan gjendjen në të cilën ka rënë Shqipëria, për t’i lidhur pastaj të dyja fatkeqësitë në një:
“Edhe kshtu sod, qi lulet janë tue shperthye mbi dhe, ky, n’ma t’miren lule t’djelmnis s’vet lule po hyn me u kalbë nen dhe. Pse? Pse pati dashtë Shqypnin? Kercuna, mori nana e vet, qi ktij petritit t’Libohovs, dhanë i paska nji zemer bujare, fisnike; pse po zemer satrapi, tyrani ajo t’i kishte dhanë, sod s’do ta kishte martue me
token e zezë, por me ndonji zojë vashet shqyptare… I ziu more, pedagogu i tij, qi mbrenda ledhevet t’shkolles, dikue i paska t’gjith at njomsi ndiesijet ndaj vyrtytit t’burrnis, beses, njerzis; pse po ta kish’ msue ay se me kalem e leter, mund t’shkelen popujt e mund t’pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kish Libohoven nji qytetas i ndershem… Po, të mos e kishte dashtë ky djalë Shqypnin, sod nuk do t’ishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit t’Pejes e deri n’kulm t’Kepit t’Stillos, per me derdhun lot mbi varrë t’tijna t’pasherueshme…”.
Blerina Suta, në studimin me titull: “Hulumtime mbi veprën e At Gjergj Fishtës”, botuar nga Onufri, më 2018, shprehet: “… Por, ndërsa autorët sllave, e njëjtësojnë veten me kryqin, në funksion anti-islamik dhe kombëtar, Fishta refuzon njëjtësimin e fesë me etnosin, duke ia nënshtruar këtij refuzimi, edhe vetë zhgunin – të paktën, në fazën e redaktimit fillestar të veprës – kur ishte i detyruar t’i konsideronte, pjesë të një kampi të vetëm, shqiptarët e krishterë dhe myslimanë, përballë kampit kundërshtar të ortodoksve malazezë … Kur flet për “fe”, Fishta i referohet fesë së gjithë luftëtarëve, si të krishterë ashtu edhe myslimanë. Zoti i përbashkët në qiell dhe Kanuni, janë përbërësit kryesorë të “lirive jetike”, në emër të të cilave luftojnë luftëtarët e Lahutës.”
A mund të shprehet më bukur se kaq, dashuria për atdheun?!:
“N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshem kndon,
N’ty mendoj kur soset drita,
Terri boten kur e mblon…”.
Në fund të poezisë ai bën premtimin madhështor, si të ishte para altarit, duke u lidhur përgjithnjë me Shqipërinë, në kurorë:
“Deri sa t’mundem me ligjrue
E sa gjallë me frymë un jam,
Kurr, Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permendë kam…”.
Përfundim
Poet sa veç shpirti i Tij e dinte, patriot si Ai e kërkush tjetër, por edhe prift i devotshëm; duke lëvizur gjithnjë në zonat gri në mes të këtyre të triave, duke rrezikuar të qenit frat, patriot apo shpirt i lirë, por kurrë pa e humbur orientimin dhe sensin e masës; rebel 360 gradësh, dashnor i së bukurës dhe i së mirës, gjithnjë në luftë me padrejtësitë. Ai nuk qe kurrë satelit i askujt, por vetëm një planet i lirë, që rrotullohet rreth një dielli: “Për Fe Atdhe e Shpirt Poetik”.
Kur shqiptarët kërkuan një poemë kombëtare ku të frymëzoheshin me ndjenjën e atdhedashurisë, ai u dha “Lahutën e Malcis”; ndërsa, kur pa rrezikun e rritjes së krenarisë boshe ndër shqiptarë, ai i fshikulloi pa mëshirë me kamxhikun e sarkazmës së tij, tek veprat “Anzat e Parnasit”, “Gomari i Babatasit”, si edhe te shumë poezi të tjera.
Kur pa rrezikun e humbjes së identitetit të shqiptarëve, duke e kuptuar mjaft mirë, se ndryshe nga fqinjët e tyre, shqiptarët e kanë ruajtuar dhe do ta ndërtojnë kombin e tyre, vetëm duke u mbështetur tek gjuha shqipe; ai luftoi si luan për futjen e kësaj gjuhe në shkollat françeskane të administruara nga fretërit e huaj, si dhe për t’i bindur prindërit e fëmijëve për domosdoshmërinë e mësimit të kësaj gjuhe. Kur ndjeu urinë e të rinjve shqiptarë për teatër, u ul të shkruante apo të përshtaste mbi njëzet drama; ndërtoi vetë skenën, bëri piktorin, skenografin, kostumografin e deri edhe regjisorin skenik. Bëri arkitektin e pjesës më të madhe të kishave katolike shqiptare, të kuvendeve françeskane apo atë motrave stigmatine, deri te bibliotekat, teatrot e sallat e konferencave.
Kur kuptoi se shqiptarët ngandonjëherë i duan gjërat troç, përveshi mëngët dhe iu fut publicistikës, duke na lënë sot një arkiv të pasur me mbi njëqind artikuj kritikë, njëri më interesant se tjetri, në të cilët trajton problematika të ndërtimit dhe përparimit të shtetit shqiptar, të emancipimit të shoqërisë shqiptare, të zhvillimit të arsimit e kulturës e deri tek problemet sociale dhe kronika e zhvillimeve politike të ditës, të cilat, në shumicën dërrmuese të tyre, fatkeqësisht, nuk e humbin aktualitetin, as si mesazh apo mendim kritik, as si problematikë socialpolitike të cilën shoqëria shqiptare, edhe pse kanë kaluar gati njëqind vjet, nuk po arrin ta kapërcejë dot.
Kur ndjeu se po i vinte fundi dhe nuk kishte më kohë t’i përfundonte të gjitha projektet e tij, i dha shoqërisë shqiptare një Akademik, anëtar të Akademisë Mbretërore Italiane, edhe pse e dinte se do të sulmohej si profashist, duke e shfrytëzuar katedrën akademike për të promovuar lashtësinë shqiptarëve, ndjenjën dhe parimet e së drejtës mbi të cilat ata kanë konceptuar jetesën e tyre, si dhe frymën proevropiane të shqiptarëve.
Deri në muajt e fundit të jetës punoi me “Jerinën, Mbretneshen e Lulevet”, që t’u linte shqiptarëve një poemë dramatike të nivelit të lartë estetik, të rangut botëror.