Mit’hat Frashëri la një tarshëgimi kombëtare të pashoqe

SHKRUAN: ENVER BYTYÇI

Më 3 tetor 1949 vdiq në Log Islandë diplomati, shkrimtari, politikani dhe poligloti Mit’hat bej Frashëri. Ai la një tarshëgimi kombëtare të pashoqe në historinë e shqiptarëve. Ishte dhe mbetet një nga ikonat shqiptare të të gjitha kohërave, i cili me ide dhe vizionin e tij të saktë për zhvillimin e kombit shqiptar mbetet unik dhe i papërsëritshëm. Pinjoll i familjes së Frashërlinjve, djali i atdhetarit dhe heroit të shqiptarëve, Abdyl Frashëri, Mit’hat bej Frashëri, nuk ishte asgjë më pak se paraardhësit e tij.

Në kohën e shërbimit të tij në detyrën e ambasadorit në Athinë e më vonë në OKB në vitet 1920, Mit’hat Frashëri hodhi idenë e qëndrimeve reciproke ndaj pakicave me Greqinë, me qëllim mbrojtjen e shqiptarëve në Greqi nga dëbimi i tyre në Turqi. Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore ai themeloi organizatën patriotike “Balli Kombëtar” dhe paralajmëroi shqiptarët me largpamësi për rrezikun kombëtar që paraqet komunizmi. Në emigracion shkroi vepra të rëndësishme, nga të cilat do të veçoj veprën e botuar në frëngjisht “Alvanais et Slaves” (Shqiptarët dhe sllavët)

Spikati si përkthyes, krijues dhe filozof i shquar I mendimit shqiptar edhe na la si trashëgimi përkthime të mrekullueshme nga autorë me famë botërore si Lamartin e Franz Hofmann. Përktheu Robinson Kruzonë e Defosë, si dhe Psikologjinë e Edukatës të G. Le Bon.

Nga i ati (Abdyli) mori shprehitë politike, nga Samiu idetë kombëtare e filozofike të shtetformimit, nga Naimi frymëzimin poetik e artistik. Libri ishte bashkëshoqëruesi i tij. Pasurinë e pati vënë në shërbim të kombit. Ndërkohë Mit’hat Frashëri i dhuroi Tiranës bibliotekën e tij të pasur, duke themeluar bibliotekën e parë të shtetit shqiptar. Sot ajo bibliotekë ka mbi 40 mijë libra.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top