MIT’HAT BEJ FRASHËRI DHE ALI BEJ KËLCYRA

Shkruar nga Roland  QAFOKU

Kjo është një foto e dhjetorit të vitit 1944 në kampin “Santa Fara” në Bari të Italisë. Publikohet për herë të parë dhe në të janë Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, bashkëshortja e tij Advije Vrioni dhe e bija e tyre Hëna Këlcyra vetëm 8 vjeçe. Si Mit’hati dhe Aliu me familjen kishin vetëm një muaj që ishin larguar nga Shqipëria, por në të cilën komunistët kishin ardhur në pushtet.

Autori i fotografisë është një kinez, që për fat, pasi e fiksoi në celuloid dhe e stampoi në letër, një kopje ia dhuroi personazheve të fotos.

Ka një arsye përse e publikojmë këtë foto. Më 3 tetor 1949 mbylli sytë përgjithmonë Mit’hat Frashëri, një personazh që në kufijtë ekstrem, studiues të veçant e quajnë gjeniu i kombit dhe në ekstremin tjetër, vazhdojnë ta quajnë tradhtar. Por mjaftojnë veprat që la Mit’hat Frashëri pas dhe çdokush e bën vetë bilancin e jetës së këtij njeriu.

Një intelektual i sërës së lartë që shkroi çdo gjë nga mendja dhe vepra e tij në shërbim të kulturës së kombit por që bëri vetëm një gabim në jetën e vet: që vdiq. Ironia e kësaj fraze lidhet me atë fjalim në BBC në gusht të vitin 1949 që bëri jehonë botërore por që vetëm dy muaj më pas ai ndërroi jetë.

Historia nuk bëhet me sikure, por punët do të ishin ndryshe nëse ai nuk do të kishte vdekur në kulmin e përgatitjeve për ndërhyrje në Shqipëri dhe rrëzimin e komunizmit. Sot, në 67 vjetorin e vdekjes së Mit’hat Frashërit, keqardhja nuk vjen nga fakti që ai nuk jeton, por nga ajo që shteti shqiptar i ka një borxh të madh këtij kalorësi të patriotizmit.

Zyrtarisht shteti ynë as që e ka rehabilituar veprën që ai bëri e as e ka sulmuar. Është nga ato sjellje edhe më të rëndë se kaq: E ka lënë në harresë. Mjafton të përmendim se kur në Tiranë lexon lloj-lloj emra rrugësh e institucionesh e buste deri anonim në raport me atë që bëri Mit’hat Frashëri, natyrisht çdokush ndjehet keq.

Ndjehet keq edhe për faktin se ai ishte dardha që ra nën pemën e madhe të Frashërllinjve, djali i Abdylit dhe nipi i Samiut e Niamit. Ndjehet keq, aq sa, kohë më parë shumica e shqiptarëve arrinin deri aty sa nuk i bashkonin dot emrin Mit’hat Frashëri dhe pseudonimin e tij Lumo Skëndo, duke menduar se janë persona të ndryshëm. Por, në fakt, nuk kishin edhe shumë faj: Veprat që ai la pas nuk e mbanin dot në një emër. Mit’hati dhe Lumoja vërtetë janë një, por nga ajo që ai bëri për kombin, nga ajo që ai shkroi, nga ajo pasuri kulturore që la pas, vërtetë ia ka vlejtur që ky gjeni të ketë patur dy emra.

https://youtu.be/QfEolzANqcM

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top