MIRËMËNGJESI USHTRI E FB!

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI

Jam zgjuar heret sot. Lexova shumë statuse e reagime, sidomos të ELITËS intektuale të diasporës. Dhe, kjo nuk është çfarëdo elite. Në mesin e tyre ka shkrimtarë, poet, artistë, doktorë shkencash, politikanë me nam. Pra, të gjithë i takojnë asaj shtresës së hollë që edhe kur flé, njërin sy e mban çel se mos ia “prek” dikush Atdheun, pardon PARTINË. Me përkushtim i lexova disa letra të hapura (publike) drejtuar Isa Mustafës. Paraprakisht, për të lënë përshtypjen zhiguese, kishin shkruar për CV personale, të trasha, të rënda. Më erdhi keq që kishin harruar të tregojnë se kur kanë qenë bebe a kanë urinuar në pelena apo pampersa!

Edhe më shumë më erdhi keq për ushtrinë e FB që me duartrokitje frenetike e yryshe me shpata e shigjeta coptonin THELA-THELA, herë Isa Mustafen herë LDK-në. Në veçanti dalloheshin ata që e akuzonin për 3% e vjedhur, për të cilin fond kurrë s’kanë paguar asnjë cent ose kanë marrë rrogë të majme po nga ky 3%.

Të kuptohemi, nuk kam as më të voglin qëllim ta mbroj Isen. Prejeni kur të doni. Masakrone me zhileta e me skalperë! Ai është akademik dhe kryetar i një partie që trashigimi ia ka lënë Kosovës vetë Rugova dhe di të mbrohet vet.

Ah, Rugova… Më kujtohet që disa nga këta të njëjtit intelektualë e patën bërë shoshë e për 5 pare, sepse kishte guxuar që nganjëherë ta pijë ndonjë gotë raki. Por, më kujtohet, se Rugova aq mirë e njihte këtë kastë sa iku në botën tjetër, pa ua kthyer kurrë asnjë sharje. Nuk deshi të flliqej, të bëhet pis. Dhe, çfarë iu mbeti intelektualëve halabakë? T’i kërkojnë falje pas vdekjes. Ka halabakë mbi halabakë që e shajnë edhe sot dhe janë të bindur këta mizorë se Rugova ende i dëgjon! Madje, janë të bindur që edhe nëse iu ka dekompozuar e kalbur mishi, së paku ia rrënqethin eshtrat.

Mirëmëngjesi ushtria tjetër e FB!

Ju kam lexuar edhe juve. Jo me aq përkushtim, sepse ju jeni më të “mëshirshëm”. Nga ju s’kam frikë se do ta coptoni Albin Kurtin. Ju mjaftoheni që Albini është “antiamerikan” i përbetuar. Tjerat ia keni falur moti, qysh s’e keni vendosur ta zgjedhni për partner.

Megjithatë, edhe ju jeni koritur jo pak. Keni shkuar aq larg sa i keni lejuar vetës të merreni me LUCIN e Albinit, kur ka qenë i ri, pasi e paska pasur një dashnore serbe. Dhe, jo çkado dashnoreje – vajzen E ish ministrit të PBS, Sokolloviqit! Ev, ev! Luci i Albinit me prek aq guximshëm… saqë e paska pas nervozuar keq Millosheviqin. Edhe më keq. Vetë Koshtunica e paska pas liruar, për hatër të Sokolloviqit, por UDB-a, megjithatë e paska pas kthye në Kosovë me “detyrë”! Ia paska caktuar detyrën të jetë “afër Demaçit”!

A më tregoni tash drejt? Cili shqiptar ka mundur të ketë një dashnore serbe, malazeze, kroate, sllovene, maqedone dhe i ka thënë: JO!? Ta hapim gamen e zgjedhjes së dashnoreve “armike” edhe pak. Cili shqiptar ka mundur të ketë për dashnore një italiane, austriake, gjermane, franceze, angleze etj, e i ka thëne: JO!?

Më së miri është të merret secili me LUCIN e vet.

Nga të gjithë ushtarët e USHTRIVE TË FB, më llapaqenat, do të thoshte, i ndjeri Kadri Mani, janë ata që kanë lehur me jargë deri te toka dikur pas Enver Hoxhes, pastaj pas Rugoves, pastaj pas Thaçit, pas Ramushit e tash pas Albinit.

***

(Madje, ndonjëri prej këtyre, kur i pata thënë Thaçit & Co, komandantët e “Shtabit të Rognerit”, para 20 viteve, pasi shkruanin se do ma bëjnë një varr në oxhakun e termolektranes A në Obiliq, nuk kanë ngurruar të më kërcënojnë anonim X herë, në telefonin e shtepisë)

***

Ndërsa, juve që po merreni me zbulimin e parasulmit të Beratit s’iu them fare mirëmengjes, sepse keni harruar Ali Uken, Bardhyl Ajetin, Bekim Kastratin! Ata fjalën e lirë e paguan me gjak.

Unë e kam zgjedhur një foto të një grupi të punëtorëve sanitarë, të cilët po na porositin me slloganin:
RRINI NË SHTEPI!
FALEMINDERIT!

Deri në fitoren kundër Coronavirusit, JAM ME TA dhe u përkulem pa hile e me shumë sinqeritet për punën e tyre më të çmuar dhe më humane që po bëjnë në të katër anët e GLOBIT për shpetimin e jetëve.

NB: I lus të gjithë, pa përjashtim, të mos më bënë askush asnjë like derisa ta gjej pullën ku bllokohen liket.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top