MIQËSIA ME JUGOSLLAVËT NË KOHËN KUR MASAKROHEJ KOSOVA ME VISE

SHKRUAR NGA SPIRO KOLEKA, ISH-ANËTAR I BYROSË POLITIKE
*titulli i redaksisë

Gjatë kohës së luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare unë nuk kam njohur shokë jugosllavë, veç Miladin Popoviçit, për të cilin kisha vlerësimin më të madh. Atë e nderonte dhe shoku Enver, që këshillohej me të për çështje të partisë e të luftës, sepse Miladini na donte me gjithë shpirt e luftonte për krah nesh, si internacionalist i vërtetë.

Këtu do të përmënd një kujtim të jetës time.

Data e zezë e 7 prillit 1939 më gjeti në Shkodër. Natyrisht, për mua ishte epilog i veprës tradhëtare të Ahmet Zogollit, që i’a kishte shitur vëndin Italisë fashiste prej kohësh. Për mua, si për shumë shokë të tjerë, që na qante zëmra për lirinë e pavarësinë e atdheut, ajo ditë nuk qe, veç një fund i parashikuar prej kohësh, kundër të cilit kishim luftuar me aq sa kishim mundur.

Ato ditët e para të prillit, kur populli kërkonte armë për të luftuar u ndjemë të pafuqishëm. Armët që na jepeshin ishin pa gjylpëra në lloz. Plasën demostratat në të katër anët kundër fashizmit, në të cilat morra pjesë dhe unë, si i çakërdisur nga marazi. Shkrova dhe një vjershë me titull “Thirrje për luftë”, e daktilografova dhe e shpërndava. Ditën e 7 prillit, në kundërshtim me prefektin tradhëtar të Shkodrës, Javer Hurshitin, minova Urën e Baçahllëkut në bashkëpunim me kapitenin e ushtrisë Ajdin Bajraktarin, për të ndaluar hyrjen e ushtrisë pushtuese italiane në qytet. Të nesërmen, më 8 prill, duke parë që çdo gjë mori fund dhe ushtria fashiste po i afrohej Shkodrës, në kulmin e dëshpërimit, ngaqë dhe ajo pamvarësi formale, që kishim, mori fund, mora dhe vetë rrugën e arratisë, edhe pse nuk isha i bindur që kjo ishte rruga e drejtë e zgjidhjes. Ika në Jugosllavi, në Podgoricë, ku ndënja 10-15 ditë. Malazezët, që në kufi e në qytet, na pritën me shumë ngrohtësi e njëkohësisht të pikëlluar e të shqetësuar shumë për atë që na kishte ndodhur. Gjatë gjithë asaj periudhe, në Podgoricë bëheshin demostrata kundra Italisë fashiste e në mbështetje të popullit tonë. Atje kishte shumë familje shqiptare, por pamvarisht nga kjo, shqiptarë e malazezë ato ditë ishin njësoj në zi për të keqen që e zuri Shqipërinë. Podgoricarët mundoheshin të na e lehtësonin brengën, që na kishte zënë. Dhe këtë dashuri, ngrohtësi, miqësi e mbështetje të tyre, i mora me vete, kur u ktheva në atdhe, për të vazhduar luftën.

Tek Miladin Popoviçi, shihja atë dashuri, ngrohtësi, miqësi e mbështetje të luftës sonë kundër fashizmit, që kisha ndjerë ato 10-15 ditë në Podgoricë, të prillit të zi 1939. Tek ai shihja përfaqësuesin e Partisë Komuniste Jugosllave.

Në luftën që bënin popujt e Jugosllavisë kundër nazi-fashizmit, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, shikoja një qëllim të përbashkët me atë të popullit tonë. Besoja, që me optimizmin revolucionar që i karakterizon komunistët, do gjente zgjidhje dhe padrejtësia e madhe, që i kishte bërë imperializmi popullit shqiptar, duke i dhënë kralëve të Sërbisë e knjazëve të Malit të Zi një pjesë shumë të madhe, vatër të shqiptarizmit, të vëndit tonë.

“S’ka si fqinji i mirë”, thotë populli. Unë gëzohesha që partitë komuniste po na bënin “fqinjë të mirë”.

Në gusht të vitit 1946, pas një disanterie të fortë, shoku Enver më urdhëroi të shkoj për të pushuar në Bled të Sllovenisë. Ambasadori ynë në Beograd atëhere ishte Hysni Kapo. Kisha me vete bashkëshorten dhe vajzën 7-8 muajshe *. Në Beograd, Hysniu më priti e më përcolli me ngrohtësinë e dashurinë, që e karakterizonte. Unë isha ministër shteti dhe nuk shkoja për punë. Për Jugosllavinë, për partinë e saj komuniste dhe për udhëheqësin e saj, Titon, si gjithë komunistët e tjerë, kisha respekt për rolin, që luajtën gjatë luftës së përbashkët kundra fashizmit italian dhe nazismit gjerman.

Kur vajta në Beograd, nuk doli asnjë nga përfaqësuesit e partisë dhe të shtetit të më përshëndesë, e njëjta gjë u përsërit dhe kur u nisa që andej me tren për në Slloveni. Mu duk e çuditshme, por mendova, që për raste vizitash jo zyrtare, protokolli i shkëmbimeve, nuk e parashikonte përshëndetjen. Në Bled, më strehuan në hotelin e Toplicës e jo në një shtëpi pritje, siç e kërkonte protokolli, po këtë e justifikova me idenë që jugosllavët, megjithëse isha minister, vlerësonin më tepër të qënurit në rangjet e larta partiake dhe unë në atë kohë nuk isha as anëtar i Byrosë Politike e as i Komitetit Qëndror. Përshtypje të keqe më bëri gjatë qëndrimit tim fakti që gjatë atij muaji në Slloveni, nuk erdhi askush nga zyrtarët e lartë jugosllavë, qoftë dhe një anëtar i qeverisë së Sllovenisë, të më shihte e të më pyeste si isha e si po i kaloja ato ditë. E po, i thashë vetes, pas luftës, dhe këtu, si tek ne, janë të mbytur në punë shokët, dhe pa dashje, harrojnë dhe rregullat e mirëpritjes e detyrimet shoqërore. Nuk duhet vënë re e mbajtur mëri.

Në kthim nga Bledi për në Shqipëri u ndala në kryeqytetin e Sllovenisë, në Lubljanë, me qëllim që të falenderoja shokët e udhëheqjes, të takoja studentët shqiptarë e të njihja dhe qytetin. Dija se Kardeli ndodhej atje dhe kërkova ta takoja për ta përshëndetur e në të njëjtën kohë për ta falenderuar për kushtet e mira, që krijuan për pushimin tim.

Kur m’u gjegjën që shoku Kardel është i zënë, pa shtuar se në vend të tij ju pret një shok tjetër, ose hajdeni nesër në filan orë (meqë e dinin që s’shkoja për punë, po për vizitë mirësjelljeje) atëhere ndjeva këtë ftohtësi, të përzjerë disi me nënvleftësim e përçmim, diçka jo normale midis bashkëluftëtarësh e miqsh. Ftohtësia e zyrtarëve të lartë kundrejt meje, gjatë një muaji në Bled, duke i shtuar dhe këtë sjelljen e dytë në Ljubjanë, lanë tek unë një përshtypje jo të mirë, megjithatë nuk e bëra aty për aty çështje me Hysniun në Beograd, e as kur u ktheva në Tiranë, me shokun Enver. Mendova që ishin gjëra të vogla para miqësisë së çiltër e të madhe, që lidhte dy partitë e dy popujt tanë.

Atë vit delegacioni ynë, i kryesuar nga Nako Spiro, zhvilloi traktativa në Beograd mbi çështje ekonomike, mbas të cilave u nënshkruan një sërë marrëveshjesh, që pala jugosllave i trumpetoi si “ndihmë e veçantë për Shqipërinë”, siç ishin njëhësimi i monedhës, heqja e doganës në kufijtë tanë, formimi i shoqërive të përbashkëta etj. Në të vërtetë, unë në ato marrëveshje shikoja diçka jo të mirë për vëndin tonë dhe pa dashur mëndja më shkonte tek marrëveshjet skllavëruese, që nënshkroi njëzet vjet më parë Ahmet Zogolli me Musolinin. Sigurisht, thoshja me vete, këto i janë imponuar vëndit tonë, se që të besoja që bëheshin pa qëllim dhe që mua po më shkonte kot mëndja për keq, e kisha të vështirë.

Ngjarjet që pasuan bënë që tek unë të kristalizohej mendimi që jugosllavët na e kishin me hile.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, vërshuan kamiona nga Jugosllavia, nga Mali i Zi, nga Kosova e Maqedonia për të blerë shumë lirë plaçka në Shkodër, në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, në Korçë etj. Populli fliste, se mallrat që i’u gjetën tregtarëve tanë, ishin vënë duke shfrytëzuar popullin, që luftoi heroikisht, u vra e u dogj. I takonte popullit tonë t’i gëzonte për vete, pas arritjes së fitores, jo t’i merrnin pa të keq të tjerë, duke i nxjerrë jashtë kufijve, si pasojë e aleancës dhe miqësisë me Jugosllavinë!!!

Po ashtu me hile mu dukën dhe të ashtuquajturat shoqëri të përbashkëta për ndërtimin e hekurudhave e të hidroçentraleve etj., me angazhime të vulosura në letër, por që realisht nuk viheshin në jetë.

Unë isha ministër i Punëve Botore dhe përgjigjesha për ndërtimet, komunikacionin e komunalen. Puna më lidhte me shoqëritë e përbashkëtta të hekurudhave e të hidroçentraleve.

Qeveria demokratike, që nga formimi i saj në Berat e gjatë vitit 1945, nuk u kufizua vetëm me rindërtimin e urave, të porteve, të çentraleve, të rrugëve, të linjave telegrafike etj. të shkatërruara dhe të fshatrave e disa lagjeve të qyteteve të djegura, po ndërmori dhe ndërtime të reja, të një rëndësie të veçantë e që populli prej shumë vitesh i kish kërkuar. Kështu në vitin 1946 filluan një sërë veprash, si tharja e kënetës së Maliqit e rregullimi i Devollit e Dunavecit. Për këtë u shfrytëzua Projektidea përkatëse e hartuar në kohën e regjimit zogollian. Me projekt të hartuar nga ne filloi aksioni i rinisë për ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi.

Pushtuesit fashistë kishin filluar të ndërtonin hekurudhën Durrës- Elbasan, për qëllimet e tyre grabitqare, që të shkonin të shfrytëzonin pasuritë tona të mineralit hekur-nikel në rrethet Librazhd e Pogradec. Disa punime i bënë në këto gjurmë hekurudhe të projektuar, por të tatëpjetat e luftës i’a prishën planet dhe çka nisën e lanë pezull. Megjithatë, disa vepra, sidomos ura të mëdha dhe aty këtu dhe pjesë rruge, kishin mbetur. Qeveria demokratike vendosi ta ndërtojë këtë hekurudhë. Projektimin e morri përsipër pala jugoslave, e cila i’u përmbajt gjurmës italiane, me pak përjashtime. Më 1947 filloi edhe këtu aksioni i rinisë për ndërtimin e hekurudhës Durrës- Peqin, si fazë e parë.

Në kohën e regjimit zogollian ishte bërë projekti i hekurudhës Tiranë- Durrës dhe aty- këtu ishin bërë ca punime të vogla dhe pastaj ishte braktisur. Edhe për ribërjen e projektit të kësaj hekurudhe u muar pala jugoslave.

Gjëndja e Tiranës, pas çlirimit, ishte shumë e rëndë për ujin e pishëm dhe elektrikun. Pushtuesit fashistë, për t’i hedhur pluhur syve popullit të kryeqytetit, ndërtuan një ujësjellës të vogël me ujë të pishëm për Tiranën. Në urën e Brarit bënë një pritë të thjeshtë betoni përmes të cilës kthenin një pjesë të lumit të Tiranës dhe e kalonin në disa fusha – legenë ku e kullonin. Pas një trajtimi të thjeshtë kimik, e fusnin në një gyp dhe e sillnin në Tiranë. Kur do bëhej përurimi i bujshëm, natyrisht faktin që ujësjellësi i tyre furnizonte vetëm një pjesë të vogël të qytetit me ujë, e lanë në heshtje. Përkundrazi, për të shtuar pikët, ndërtuan dhe një shatërvan në sheshin “Skënderbej”, si shënjë bollëku në ujë për Tiranën kur në fakt problemi i ujit nuk ishte zgjidhur aspak.

Çentrali elektrik i Tiranës pas çlirimit përbëhej nga një sërë motorash rangallë, një pjesë të gjetura në vënd dhe një pjesë të sjella nga vise të tjerë.

Ne shfrytëzuam sa mundëm ujësjellësin me ujë nga lumi i Tiranës edhe çentralin elektrik, falë përpjekjeve të jashtëzakonshme të punëtorëve tanë të mirëmbajtjes dhe përdorimit, por gjëndja mbetej gjithnjë shumë e rëndë.

Problemi i ujit të pishëm të Tiranës ka qënë ngritur, që kur ajo u caktua si kryeqytet.

Për zgjidhjen e këtij problemi, për sigurimin e ujit të kryeqytetit në kohën e regjimit zogollian, ishin hartuar dy projektide për sjelljen e ujit të Selitës. Këto projekte, si dhe atë të Maliqit, Ministria e Punëve Botore, që në qershor të vitit 1945 i mori në shqyrtim të veçantë dhe njoftoi Qeverinë, se mendonte të merreshin si pikënisje për ndërtimin e veprave. Për ujësjellësin e Tiranës u zgjodh ai variant, që hypte në malin e Dajtit dhe jepte mundësinë dhe për një hidroçentral me aftësi të vendosur 5 000 kw. Pas miratimit nga Qeveria të projekteve u fillua nga puna për hartimin nga ana jonë të projektit teknik, ose siç quhet sot, të zbatimit.

Shoqëria e përbashkët shqiptaro- jugosllave për ndërtimin e hidroçentralit të Lanabregasit, i cili do të zgjidhte edhe problemin e ujit për Tiranën, do të ndihmonte me mjete, kuadro (teknikë e specialistë). Problemi i projektit quhej i zgjidhur. Fillimi i ndërtimeve, u planifikua për vitin 1947 e vitet e tjerë deri në vitin 1950.

Punimet e ndërtimit i filluam në gjashtëmujorin e parë të vitit të vitit 1947 me punëtorë të thjeshtë e specialistë, teknikë e inxhinjerë shqiptarë, kështu dhe me vegla pune e ndonjë pajisje të thjeshtë, po tonat. Pala jugoslave, nuk u duk, as atë vit dhe as vitin tjetër dhe kuptohet, nuk dhanë asgjë për kryerjen e punimeve. “Fjalë të mira dhe gurë në trastë” thotë populli. Premtime, premtime e fjalë boshe. Kjo gjë u bë shqetësuese për Qeverinë e për mua,që përgjigjesha drejtpërdrejt për ndërtimet në përgjithësi e në veçanti për këto vepra, që kishin dhe karakter politik, jo vetëm sepse lidheshin me sigurimin e ujit të pishëm e të elektrikut, por dhe pse ishin ndërtime që kishin lidhje me një marrëveshje ndërmjet Shqipërisë e Jugosllavisë.

Çështja e mospjesëmarrjes me asnjë ndihmë për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin nga ana jugosllavëve, ishte në të njëjtën kohë dhe shumë shqetësuese, se këtu kishte rrezik të thyhej entuziazmi e fryma revolucionare e Rinisë dhe e gjithë popullit, që kishte vërshuar nga çdo anë e Shqipërisë për ndërtimin e hekurudhës sonë të parë.

Qeveria Demokratike, e kryesuar nga shoku Enver Hoxha, bëri të pamundurën dhe këtyre veprave të mëdha u siguroi me përparësi vegla pune, materiale, teknikë, ushqime, strehime e çdo gjë tjetër të domosdoshme, duke i mbajtur gjithmonë lart entuziazmin e vrullin e klasës punëtore, të rinisë dhe të gjithë popullit.

Nëse imperializmi amerikan u orvat të sabotonte me të dy duart në Maliq, përmes agjentëve të tij Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri e inxhinjerëve të tjerë, nën rrogoz; jugosllavët e bënë haptazi në sabotimin e hekurudhës dhe hidroçentralit të Lanabregasit. Përherë, nën maskën e vështirësive e me premtime të paturpshme, se do jepnin këtë apo atë, diçka dhanë më në fund. Dhanë shinat, lokomotiva e vagona të shekullit të kaluar, të sjella, kush e di se nga ku, që ishin jashtë përdorimit!

Unë si minister i Punëve Botore, hasja në kundërshtime të mëdha dhe në lëmin e projektimit të hekurudhës Tiranë-Durrës nga ana e jugosllavëve, edhe në propozimet, që bëja në zbatimin e punimeve të hekurudhës Durrës-Peqin, ku zyrtarisht ishte projektuese pala jugosllave.

Drejtor i projektimit të hekurudhave nga pala jugosllave ishte caktuar një fare inxhinjer Hubner, një njeri kapadai e mëndjemadh, më shumë se ç’janë jugosllavët në përgjithësi. Ishte shumë e vështirë të merreshe vesh me të edhe si kolegë, inxhinjer me inxhinjer. U ndesha keq me të për gjurmën e hekurudhës Tiranë-Durrës. Jo vetëm që s’pranonte zgjidhje teknike të mundshme, jashtë atyre që kishte parashikuar, por nuk donte t’ia dinte as për kërkesa që kishin karakter politik, siç ishte kërkesa ime për kalimin e gjurmës së hekurudhës përmes Shijakut, atëherë nënprefekturë. Kjo ishte një zgjidhje teknikisht e mundshme, veçse kërkonte një tynel jo të gjatë, për t’i dalë nga mbrapa qytetit. Unë si ministër dhe njëkohësisht si inxhinjer, kisha parashikuar kriteret e hapjes së gjurmëve të hekurudhave e të rrugëve automobilistike në përgjithësi, që të kalonin në sa më shumë qëndra të banuara me rëndësi, siç ishte në këtë rast Shijaku, pa përkeqësuar parametrat e rrugës e pa shtuar shumë koston. Zoti inxhinjer Hubner ngulte këmbë, që mos kalonte nga Shijaku, po nga ferma e Sukthit (NB “8 Nëntori”). Këtu të bëhej stacioni. Çështjen e ngrita me shkrim në KQ të Partisë. Pas nja 10 ditësh më thirri ish sekretari i KQ të Partisë për çështjet organizative dhe zv/kryetar i Këshillit të Ministrave, Koçi Xoxe. “E kam marrë ankesën tënde. Shkojmë ta shohim në vend, Spiro?”

Mendova se do të pranohej propozimi im. Kur shkuam në vënd e i’a shtjellova, filloi të rreshtojë një pro e shumë kundra: “kërkesa jote është e drejtë, se i hap perspektivë Shijakut, por tyneli do të vonojë ndërtimin e hekurudhës, se kemi dhe një tynel tjetër, atë të Rrashbullit e dy tynele në një hekurudhë fushore, pak kilometra njëri nga tjetri, sikur nuk shkojnë, edhe kosto shtohet, dhe koha e mbarimit zgjatet. Prandaj, të pranojmë zgjidhjen e projektuesve jugosllavë. Stacioni i fermës nuk është veç 3-4 km larg Shijakut”.

Unë të gjitha këto i dija shumë mirë, po kisha arritur në përfundimin se zgjidhja më e mirë ishte të kalonte hekurudha përmes Shijakut e këtu të bëhej stacioni. Në atë rast, meqënëse varianti i Sukthit mbrohej nga një sekretar i KQ të Partisë e zv/kryetar i Këshillit të Ministrave, mendova se kjo çështje ishte parë dhe nga shoku Enver, kështu nuk ngula këmbë në kërkesën time. Më vonë, kur doli se kush ishte Koçi Xoxe, tërheqjen time e quajta gabim.

Hasja në kundështime me inxhinjerë e arkitektë jugosllavë të ndërmarrjes së projektimit (me drejtor atëhere tradhëtarin Abdyl Këllezin- siç doli më vonë) që kishin ardhur për të na ndihmuar gjoja. Hasja në mospërfillje dhe për kërkesat më të thjeshta që bëja. Do të ndërtonim në bazë të marrëveshjes një fabrikë sheqeri në Korçë me pajisje, që do vinin nga Jugosllavia. Ndërmjet ndërtimeve të tjera, atje duhej ngritur dhe një oxhak nja 30 e ca metra i lartë. I kisha kërkuar disa herë një mjeshtër oxhaqesh përfaqësuesve jugosllavë, që nuk mungonin në Ministri e deri në Komisionin e Planit. Kisha dhe një të ashtuquajtur këshilltare në ministri, bashkëshorte e agjentit të famshëm të Titos, Zlatiç, një inxhinjere e paaftë dhe në dukje “qulle dhe e sjellshme”. I kisha kërkuar dhe asaj që të vinte një mjeshtër oxhaqesh. Premtime, premtime, dhe muaj e javë që kalonin pa gjë. Arrita t’u propozoj të më dërgonin një specialist për ndërtim oxhaqesh nga Ohri. Premtime dhe në këtë rast, pa asnjë përfundim!

Parimi i mbështetjes në forcat e veta na shpëtoi si në kohën e luftës dhe në ndërtimet që ndërmorrëm. Vrava mëndjen si ta zgjidhja problemin pa ndihmën e jugosllavëve dhe e gjeta.

“Më gjeni një mjeshtër, që ka ndërtuar minare xhamie”, porosita shokët e ministrisë “dhe silleni se dua të flas me të”. Pas nja 5-6 ditësh më erdhi nga Elbasani një mjeshtër rreth të pesëdhjetave në ministri.

“Kemi për të ndërtuar diçka të ngjashme me një minare, një oxhak fabrike. Ti ke ndërtuar minaret, më thanë shokët. Ja projekti i oxhakut”, i thashë dhe i’a shpalosa përpara. “Ç’thua, a do ta ndërtojmë?”. Mjeshtri (emrin s’ia mbaj mënt, pas 40 vjetësh), pasi shikoi mirë e mirë projektin, m’u përgjegj me çiltërsi e siguri: “Si urdhëron shoku Ministër. Do ta ndërtojmë pa tjetër dhe sa më mirë e sa më shpejt”. E falenderova dhe e përgëzova mjeshtrin për gatishmërinë dhe sigurinë e tij dhe oxhaku pas tre muajve ishte afërsisht në mbarim. Shkova në Korçë dhe e pashë. Hypa nga brënda deri në majë dhe zbrita nga shkalla e jashtme (me hekura të ngulur në oxhak) për të treguar besimin në punën e punëtorëve e njëkohësisht në shënjë gëzimi e falenderimi. Ajo brigadë me atë kryemjeshtër në krye ndërtoi më vonë oxhaqet e Kombinatit të tekstileve “Stalin”, duke u rritur e aftësuar gjithmonë me specialistë të rinj, të cilët ndërtuan oxhaqe deri në 60-70 metra lartësi, siç janë ato të Kombinatit kimik të Laçit etj.

Vështirësitë me jugosllavët në Shqipëri në punët që më lidhnin me ta padashur më kujtonin “këshilltarët” e “specialistët italianë” në Ministrinë e Punëve Botore e nëpër zyrat e saj në qarqe, në kohën e Zogut. Ne i kishim të qarta rolin e synimet e Italisë fashiste kundrejt vëndit tonë. Shqipëria e asaj kohe ishte gjysëm koloni. Megjithatë, “këshilltarët e specialistët” italianë, bënin tek tuk përpjekje që të silleshin ngrohtë me ne specialistët shqiptarë, kurse tek jugosllavët, të cilët ende nuk kishin fituar të tilla të drejta në vëndin tonë, nuk shihej asnjë shënjë mirësjelljeje kundrejt nesh. Dukej qartë se ata na nënvleftësonin e përçmonin si inxhinjerë, teknikë e punëtorë, deri në atë pikë, që të vinte e natyrshme pyetja “Ku e gjenin këtë guxim? A ishte ky një qëndrim normal specialistësh?”. Ishte e qartë që qëndrime të tilla e kishin zanafillën në vijën politike të ndjekur nga Jugosllavia.

Atëhere nuk më shkonte mëndja se mund të na sabotonin aleatët jugosllavë ose këlyshët e tyre tek ne, në parti e në pushtet. Ishte e natyrshme atëhere të dyshoje, që goditja të vinte nga aleatët anglo-amerikanë dhe veglat e tyre, ballistë, zogistë e mbeturina të regjimit kuisling. Kemi kapur të tillë sabotatorë në ndërtime, naftë e miniera, që në vitin e parë pas Çlirimit dhe u kemi dhënë atë që u takonte.

Për sabotimet jugosllave ishin së pari letrat e shokut Enver, për telefonat, që më hapen sytë. Ai m’i dërgonte si ministër i Punëve Botore, që kisha në vartësi dhe Komunikacionin dhe Komunalen, për ndërprerjen e linjës në telefonin e tij. Më 25 nëntor 1946, më shkruante:

“Shoku Spiro,
Telefoni i em u bë një prrallë e madhe dhe e çuditshme! Sot unë jam pa telefon.
Të lutem, nesër në mëngjes, më ora 7, dua të vinë të instalojnë në odën time të punës dy (2) automatikë nga më të mirët, me fill të veçantë dhe me numra të veçantë.
Enver”

Urdhërova menjëherë një nga shokët përgjegjës të PTT-së, Ilo Pandukun, të shkonte vetë të nesërmen në mëngjes, që të rregullonte atë që kërkonte Komandanti. Telefonat u rregulluan.

Nuk kaluan dy muaj dhe shoku Enver më dërgon këtë letër :

“Shoku Spiro,
Pa u lajmëruar aspak po ndreqin gjoja fillet e telefonave të mija. Një gjë të tillë nuk e pranoj. Sot gjithë ditën jam pa telefon.
Ju kam shkruar shumë herë për çështjen e telefonave të mija. Do të detyrohem të marr masa, pse filloj të mendoj ndryshe për këtë çështje.
Ju lutem të më sqaroni për këtë gjë më konkretisht dhe dëshëroj që mundësisht tash natën të rregullojnë linjat e telefonave të mija.

Enver
24.1.1947″

Dhe pas njëzet ditëve më dërgon letrën e tretë:

“Shoku Spiro,
Ju lutem shumë, për të tretën herë, dërgoni njeri të ndreqi telefonat, ose për ndryshe do t’i shqyej fare dhe do të mbetem pa to, pse kështu quhet sikur Kryetari i Qeverisë ka telefona, kurse realiteti është i hidhur. Telefonat e mija po sabotohen.

Enver
13.II.1947″

Siç del nga këto letra, brënda tre muajve, kryeministrit të Shqipërisë, Enver Hoxhës, i ishte ndërprerë tre herë lidhja telefonike dhe jo për pak kohë. Ai ndjehej jashtëzakonisht i mërzitur nga kjo ndërprerje e lidhjes telefonike dhe kishte arritur në përfundimin e përpiktë, që ajo sabotohej.

Me këtë rast, mora masa të veçanta, që askush nga çentrali telefonik nuk do të vepronte me telefonat e Kryeministrit, pa pyetur mua, ose pa patur urdhërin nga vetë shoku Enver. Asnjë urdhër tjetër nuk do zbatohej. Kundrejt atij që do ta shkelte këtë urdhër dhënë prej meje, do merreshin masat më të rënda.

Ne trashëguam nga regjimi i Ahmet Zogut vetëm një çentral telefonik automatik me dyqind numra, në Tiranë, në shërbim të ministrive. Pushtuesit fashistë erdhën të krekosur si triumfatorë, po shpejtë u ranë pendët. Lufta e pamëshirshme që u bëri populli ynë nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare, të themeluar e të udhëhequr nga shoku Enver Hoxha, ua prishi planet e mëdha (!) sa s’patën as kohën e as kokën në vend që të shtonin qoftë dhe dhjetë numra të tjerë në çentralin që gjetën në Tiranë. Erdhën si triumfatorë, por ikën me turp, shumica i la kockat në male, fushat, fshatrat e qytetet e vëndit tonë. Ky ka qënë fundi i pushtuesve të mëparshëm, ky qe dhe i fashistëve italianë dhe i nazistëve gjermanë. Uroj që të jetë dhe për çdo pushtues tjetër, që do të orvatet të hyjë në vëndin tonë të shtrenjtë, që na lanë trashëgim të parët.

Me përmbylljen e shokut Enver se telefonat e tij sabotoheshin u pajtova plotësisht. Siç thamë dhe më sipër, sabotimet i prisnim nga anglo-amerikanët dhe këlyshët e tyre, kurse në fakt sabotuesit mund të ishin dhe tjetër lloj. Ishte shumë e qartë, që të punohej me linjën e Kryeministrit, pa e lajmëruar, patjetër që bëhej me qëllim, për ta mërzitur e njëkohësisht për ta shkëputur udhëheqësin e Partisë e të shtetit nga çdo lidhje me bashkëpunëtorët e tij. Njëkohësisht synohej dhe në përçarjen e Qeverisë e futjen e dyshimit për këtë apo atë ministër. Atëhere mua as më shkonte nëpër mënt, se aleatët komunistë (?!) jugosllavë e agjentët e tyre në Partinë e Qeverinë tonë, hidhnin gurin e fshihnin dorën, pra sabotonin. Shoku Enver Hoxha, sigurisht, kishte nuhatur shumë më përpara nesh, shokëve besnikë, se aleatët komunistë, nuk ishin aleatë të vërtetë, por armiq të maskuar, të cilët gjithë shigjetat i drejtonin, në radhë të parë kundra tij, që ishte pengesa më e madhe kundër planeve të tyre djallëzore. Ai ishte dhe m-l i madh, me urtësinë e tij, nuk binte në grackat e armiqve, po luftonte heroikisht për të shpëtuar popullin, Partinë, veten dhe shokët.

Vetëvrasja e Nako Spiros më 20 nëntor 1947 na tronditi të gjithëve. Ai ishte anëtar i Byrosë Politike e Kryetar i Komisionit të Planit, njeriu që kishte ngarkuar Partia, që të trajtonte çështjet ekonomike me jugosllavët dhe të nënshkruante marrëveshjet përkatëse të vitit 1946. Pas një viti vrau veten. Pse?

Vet isha minister, isha komunist, por nuk isha anëtar i Komitetit Qëndror e as më pak i Byrosë Politike. Më erdhi papritmas shoku Enver, të nesërmen, para mitingut të përmotshëm të Nako Spiros, më dha një fletë të daktilografuar dhe më tha : “Do t’ia japësh ti Spiro, lamtumirën e fundit Nakos në emër të KQ të Partisë e të Këshillit të Ministrave”. Shoku Enver ishte pikë e vrer, me një ngjyrë fytyre të verdhë në të zezë. Unë u ngurosa dhe më tepër se ç’isha dhe nuk fola dot. Mora letrën dhe zbatova porosinë.

Kjo ndodhi, në dukje e thjeshtë, mua më vu në mendime më vonë. “Pse nuk foli një anëtar i Byrosë së Politike në miting? E pse kaq pak fjalë e kaq të thata për një luftëtar të orëve të para dhe shok me përgjegjësira të mëdha në Parti, në Qeveri, në Rini etj.? Që diçka nuk shkonte në punët e udhëheqjes së Partisë e kuptova, po çfarë nuk arrija ta përfytyroja në atë kohë.

Me besim të patundur tek Partia e në mënyrë të veçantë tek mprehtësia dhe largpamësia e shokut Enver, lashë pikëpyetjet pa gjegje e vazhdova si dhe më parë punën.

Megjithë përpjekjet e mia për të mos e çuar mëndjen në këtë drejtim, ngjarjet që pasuan në muajt e ardhshëm, gjatë ndërtimit të hekurudhës Durrës-Peqin e Durrës-Tiranë (kjo e dyta nisi në 1948) kristalizuan tek unë mendimin se “në detyrën që kisha, ishte e pamundur të punoje më tej me jugosllavët, ndaj duhet të kërkoja dorëheqjen si ministër”. Dhe në fakt, në njërin nga takimet e rregullta, në prill të 1948, që kisha si ministër me kryeministrin, i kërkova shokut Enver, që të më lironte nga detyra e ministrit, sepse nuk mundesha të bashkëpunoja me jugosllavët. Ai më dëgjoi me vëmëndje dhe me ngrohtësinë e jashtëzakonshme që e karakterizonte me njerëzit e në veçanti me bashkëpunëtorët, pa më dhënë të kuptoj se në ç’gjëndje ishte ai vetë me jugosllavët, më tha: “Jo, Spiro vëllai, ti do qëndrosh atje ku je. Je minister i shtetit tonë dhe do të vazhdosh të mbrosh interesat e popullit dhe të Partisë”. Me kaq u mbyll çështja dhe unë vazhdova punën si ministër.

Kur në qershor 1948 erdhi letra e KQ të PK të BS, që demaskonte agjenturën titiste e u zbulua dhe tradhëtia e Koçi Xoxes etj., atëhere e kuptova dhe unë, si gjithë komunistët e gjithë populli, se ç’luftë titanike kishte bërë shoku Enver, në fillim fare vetëm e pastaj, nga viti 1946, dhe me ndihmën e shokëve Hysni Kapo e Gogo Nushi, në Byronë Politike, për shpëtimin e Partisë e të Shqipërisë nga banda e Titos.

Enver Hoxhën e ka karakterizuar drejtësia e parimësia me vazhdimësi prej revolucionari komunist. Edhe në rrethanat më të rënda, ai nuk është ligështuar kurrë, por ka luftuar me heroizëm të pashoq, për mbrojtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit e të vijës gjithmonë të drejtë të Partisë tonë, duke nxjerrë këtë gjithmonë me nder e me faqe të bardhë para historisë e në të njëjtën kohë, duke shpëtuar lirinë, pavarësinë, jetën e popullit e diktaturës së proletariatit nga rreziqe shumë të mëdha.