SHKRUAN: GANI MEHMETAJ
Gjuha e politikaneve, “analistëve” të OJQ-ve, gazetarëve dhe e disa portaleve tona ndaj Amerikës nuk dallon nga gjuha e serbëve të kohës së Milosheviqit. E njëjta egërsi, arrogancë, përbuzje, e njëjta përpjekje për denigrim, i njëjti nënçmim. “Imperialistët amerikanë”, janë zëvendësuar me “kaubojt amerikanë”, “tradhtarët shqiptarë” janë zëvendësuar me “servilët shqiptarë”. Ose kur e përshkallëzojnë gjuhën arrogante ulërijnë: “Kush je ti Amerikë të na përzihesh e të na diktosh, ne nuk të përfillim, ne nuk jemi servilë”, thoshin serbët, dikur. Të njëjtat i thonë edhe jo pak shqiptarë të hallakatur sot. Ku po pinë ujë kjo lukuni revolucionarësh të vonuar islamiko-majtisë dhe për ke punojnë? A e dine ata që u shkojnë prapa se, pas kujt shkojnë? Nëse nuk u pëlqejnë Hashimi, Isa e Ramushi, sikurse thonë ata, nuk duhet ta përmbysin Dardaninë, nuk duhet t’ia përplasin me rrapëllimë derën Trampit, sepse Trampi është presidenti i SHBA-ve, ishte mbështetës dhe nënshkrues i marrëveshje. Trampi është njeriu më i fuqishëm në botë. Prej tij varët fati ynë. Ç’është kjo marrëzi e shpërthimit të frustruar ndaj Amerikës?
Nuk e pengon Grenelli a Trampi, liderin e revolucionit të vonuar në Dardani, udhëheqësin e lukunisë e pengon pse nuk shkojnë gjërat me molotova, bomba e rrënim të shtetit. Ai nuk e ka pëlqyer asnjë kryetar amerikan. Klintonin që na shpëtoi nga gjenocidi dhe çliroi nuk e deshi, “na çliroi për interesat e veta”, thoshte. Pavarësinë e Bushit e refuzoi me demonstrata të përgjakshme. Nuk pranon asnjë lloj ndërmjetësimi amerikan, mu si mentori i tij i ndjerë Adem Demaçi, që e refuzoi Amerikën dhe marrëveshjen e Rambujenë, kur vendosej fati ynë për jetë a vdekje, ndërsa ta kishim dëgjuar Demaçin, ne ende do të laheshim në gjakun tonë.
Demaçi deklaronte se shqiptarët vet i zgjidhin problemet në marrëveshje me Serbinë, pa ndërmjetësimin amerikanë. Këtë duam ta bëjmë edhe tash?
Kuvendin e Dardanisë kjo lukuni revolucionarësh islamikë e shndërruan në Kuvend talebanësh me pamjen e tyre, me mjekra, sjellje dhe egërsi. Dikur Kuvendi të jepte përshtypjen e odave të Drenicës e të Dukagjinit, sot janë shumuar talebanët dhe dadat me shamia.
Të mjerët ne ku kemi rënë. Është një retorikë çmendurake, është një kthim i frikshëm prapa, është vetëvrasje kolektive.
Ndërkaq, mos shkuarja e delegacionit të Dardanisë në Uashington do të ishte fatkeqësi kombëtare, që s’do të na e falte historia. Prandaj, ishte ngjarje e shënuar takimi në Shtëpinë e Bardhë. Ishte ngjarje historike pranimi i ndërsjellë Dardani-Izrael dhe ambasada jonë në Jerusalem, që prapë ishte vepër e Amerikës, Trampit.
Por paralajmërimet ogurzeza për prishjen e marrëveshjes mund të shndërrohet në tragjedi kombëtare. Dardaninë do ta mbërthente kaosi. Edhe fitorja e atyre forcave që kërcënojnë prishjen e marrëveshjes me SHBA-të, do të ishte fatkeqësi kombëtare, këtë duhet ta themi troç. Nuk e besoj se shqiptarët e Dardanisë do ta lejonin një marrëzi të tillë, sepse historikisht janë treguar të pjekur, pavarësisht që pas luftës u ranë mbi kokë një varg fatkeqësish: vrasjet politike, krimi i organizuar, korrupsioni, i pushtuan shoqatat e dyshimta islamike, përjetuan shumë zhgënjime etj.
Është fatkeqësi nëse politikën kombëtare na e përcaktojnë votat e të frustruarve, rrënimtarëve, të mashtruarve, dështakëve, parazitëve që jetojnë nga fonde të dyshimta.
E dini ju cilin aleat na e propozojnë disa budallenj e mercenarë, në vend të aleatit tonë historik Amerikës? Turqinë që kurrë nuk e kishim aleatë. E dini ke na e paraqesim zëvendësim të Izraelit? Palestinën dhe islamin. Ndërkaq, ata që na e gjetën zëvendësimin nuk e dinë apo nuk duan ta dinë se Turqia, shtetet islamike, Rusia me Bjellorusinë e Kinën nuk e zëvendësojnë Amerikën me forcën politike e ushtarake, me demokracinë dhe mbështetjen që na e kanë bërë. Turqia që një grusht budallenjsh e duan, asnjë ndihmë nuk na e dha para dhe gjatë luftës. Pas luftës asnjë cent nuk e investoi në Dardani, pos disa qindra xhamish. Por e zhvat dhe e rrjep gjysmën e pasurisë sonë kombëtare në emër të privatizimit.
Turqinë me shtetet islamike, Rusinë e Kinën, kurrë nuk i patëm aleatë. Enver Hoxha i pati aleatë, por të mirën shqiptarët nuk ua panë.
Pse duhet të mbështetemi në këmbë të qelqta dhe të shmangim aleatin më të fuqishëm në botë dhe më të përkushtuar ndaj çështjes sonë?
Që ti shërojmë komplekset e të frustruarve? Që të shesim përralla trimërie si Enver Hoxha që e sulmonte Amerikën, ndërsa flirtonte herë me Jugosllavinë, herë me Rusinë dhe herë me Kinën.
Këndelluni dhe shihni vetën në pasqyrë o shqiptarë të Dardanisë.