Ministri i paedukatë i Arsimit!

Shkruan: Florim ZEQA

Nëse nisemi nga parimi se; “Dita e mirë shifet në mëngjes”, atëherë seanca e parë vjeshtore e Kuvendit të Republikës së Kosovës lenë pak për të dëshiruar. Përveq mungesës së kryeministrit, munguan edhe zv.kryeministrat dhe gjysma e kabinetit qeveritar. Si zakonisht, dy pikat e para të seancës nxitën polemika dhe reagime mes deputetëve të grupeve parlamentare të kundërta në kuvend. Megjithatë pika më e nxehtë ishte ajo e “Pyetjeve të deputetëve drejtuar kabinetit qeveritar”. Kësaj radhe në thumb të kritikave ishte Ministri i (paedukatë) i Arsimit, zoti Arsim Bajrami, i cili nuk qe në gjendje të jepë përgjigje të duhur lidhur me tenderin skandaloz 7 milionësh për botimin e librave shkollor,…nuk qe në gjendje të arsyetoj as stoqet me libra të përdorueshëm nga vitet paraprake që rrijnë në sirtarët dhe bodrumet e shkollave fillore dhe të mesme gjithandej Kosovës.

Ministri Bajrami, përveqse nuk ishte në gjendje të jepë përgjigje në rritjen e tenderit nga 5 që ishte vitin e kaluar në 7 milion për këtë vit, nuk dha spjegime shtesë për mënyrën si u dha tenderi 7 milionësh për këtë vit shkollor. Poashtu Ministri i Arsimit, ishte i paqartë dhe jo bindës edhe për shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me dërgimin e librave shkollor për nxënësit shqiptar në Luginën e Preshevës, anipse gjithnjë thirrej në “marrëveshjen” e reciprocitetit me Serbinë, përderisa kjo e fundit për çdo vit i futë në Kosovë tekstet diskriminuese dhe materiale tjera propaganduese antishqiptare në Kosovë. Ministri i paedukatë Arsim Bajrami, në vend që ta ndjejë peshën e përgjegjësisë për pamundësinë e parandalimit të hyrjes së librave nga Serbia në Kosovë, si gjithnjë “topin” ua hudhke doganave dhe policisë kufitare, gjoja si “përgjegjës” kryesor të moszbatimit të reciprocitetit të arritur me marrëveshjet e Brukselit. Në këtë rast, qëllimisht dhe pa ndonjë pendesë Arsim Bajrami mundohej të largohej nga përgjegjësia që i takon nga hierarkia qeverisëse, si ministër i Arsimit dhe si nënshkrues i marrëveshjes së reciprocitetit për tekstet shkollore me Serbinë në Bruksel.

Injorimi i mësimdhënësve të viteve të ’90-ta, veprim i turpshëm e ministrit Bajrami

Në pyetjen e një deputeti për njohjen e meritave dhe kontributit të mësimdhënësve përgjatë viteve të ’90-ta në Kosovë, ministri Bajrami ishte sa cinik po aq edhe fyes; “Ishin pjesë e rezistencës së përgjithshme popullore, andaj nuk u takon asnjë lloj dekorimi apo njohje e kontributit për ato vite”.

Përderisa në shtetin e ri të Kosovës, çdonjëri që ishte i burgosur qoftë për vëllavrasje, hajni apo involvim në vepra më të rënda kriminale dhe korruptive, çdo ditë nga pushtetarët aktual dekorohet në emër të “kontributit” për shtetin e Kosovës,…atëherë vetvetiu shtrohet pyetja; pse u dashka të privohen nga ajo e drejtë mësimdhënësit, ata që sakrifikuan vetën dhe familjet e tyre, vetëm e vetëm për të mbajtur gjallë arsimin shqip për rreth një dekadë nën rrethanat e okupimit barbar serb?

Në anën tjetër, u dekoruan me titullin “veteran” të luftës, njerëzit që nuk kanë qenë fare në Kosovë gjatë përiudhës së luftës çlirimtare, e lëre më që nuk i kanë parë me sy vijat e frontit të luftës,…titullin “veteran” e kanë marrë edhe ish bashkëpunëtorët dhe spiunët e Serbisë, apo edhe dezertorët e luftës për liri, madje edhe grupet minoritare kanë gëzuar të drejtën të shpërblehen dhe të lavdërohen si “kontribuues” për shtetbërjen e Kosovës, kurse ata që dhanë gjithçka patën, dhanë maksimumin për të mbajtur gjallë shtetësinë e Kosovës, duke mbajtur gjallë arsimin shqip në kohët më të vështira,…çuditërisht dhe paradoksalisht kanë mbetur të anashkaluar dhe harruar nga shteti dhe shoqëria! Ndërsa ministri i paedukatë, Arsim Bajrami, pa fije turpi thotë se nuk meritojnë asgjë! Unë si mësimdhënës i viteve të 90-ta e kam një pyetje të sinqertë për ministrin e paedukatë Arsim Bajrami; “Ku ishit ju zoti ministër nga viti 1990-1999, në cilin “kamp” të rezistencë popullore ishit dhe cilit komunitet i përkisnit atë kohë?”,… kur ne që sakrifikonim çdo ditë për mbrojtjen e arsimit shqip dhe nuk nënshtroheshim, ndiqeshim, rraheshim, burgoseshim dhe vriteshim nga regjimi okupues serb.

Ju zoti ministër Bajrami, për punën që bëni sot në shtetin e lirë të Kosovës, përveq pagave të majme, që në atë kohë ne nuk i kishim,…ju sot merrni edhe meditje shtesë dhe benificione të panumërta në emër të “shërbimit” për shtetin e Kosovës, por që ju nuk i kualifikoni si shpërblim dhe as dekorata, por që në realitet janë zhvatje e përdithsme që i bëni shtetit të Kosovës. A nuk janë shpërblime e dekorata, mëditjet dhe benificionet që marrin deputetët dhe ministrat, madje edhe pas përfundimit të mandateve,…ndërsa ju pa fije turpi injoroni kontributin e mësimdhënësve përgjatë viteve 1990-99.

Sot çdo kush ka të drejtë të përfiton në emër të “punës” dhe “angazhimeve” për shtetin e Kosovës, pos atyre që për një dekadë rresht dhanë çdo gjë për arsimin shqip dhe mos nënshtrimin ndaj okupatorit serb. Seanca e parë vjeshtore e nxori edhe një të vërtetë të madhe, atë të pozicionit nënshtrues të kryeministrit të vendit ndaj grupit “Pronto”.

Sikur të mos ishte kështu, ndaj deklaratës së ministrit të paedukatë të Arsimit kundër kontributit të mësimdhënësve shqiptar të viteve të ’90-ta, do duhej të reagonte menjëherë kryeministri Isa Mustafa, si ish ministër i Financave në Qeverinë në ekzil, apo siq e quajnë me të drejtë disa të tjerë, “Qeveria e Bukoshit”, nga e cila për çdo muaj ndaheshin nga 2 milion marka gjermane (donacione të mërgimtarëve) vetëm për financimin e sektorit të Arsimit. Nëse e keni ndërgjegjën e pastër zoti kryeministër, fol dhe reago ndaj deklaratës skandaloze të ministrit Bajrami, pasi ai përveq që fyeu dhjetëramijëra mësimdhënës të viteve të ’90-ta, injoroi pjesën më të lavdishme të historisë së arsimit shqip në Kosovë.

1 thought on “Ministri i paedukatë i Arsimit!”

  1. Ministri Arsim Bajrami, pas rekomandimit të Kuvendit që ka obliguar MASHT për të hartuar projektligjin për mësimdhënësit 1990=1999, ka kryer punët me kompetencë. Ka formuar komisionin dhe ka krijyar kushte të mira pune. Pas , përfundimit të projektligjit e ka dorëzuar në qeveri. Ky e ka kryer punën që i ka takuar.Personalisht më ka thënë se këtë projektligj e ka përkrahur edhe kryeministri.Pritet shumë shpejt të shkojë në Kuvend.Tash, se si kanë lëvizur çështjet është temë në vete.Thirrja se nuk ka mjete nuk qëndron, sepse në peticionin e nënshkruar nga mësimdhënësit janë 12000. Kur të shikojmë moshën e mësimdhënësëve një përqindje prej tyre kanë vdekur. Disa të rinjë që janë punësuar 1990, ataderi më 1925, nuk dalin në pension. Pra,shikuar realisht numri i këtyre mësimdhënësve që mund të gëzojn ketë perkrahje materiale nuk tejkalon numrin 6000 . Mirëpo, ky projektligje nuk ka kuptimin e çështjes materiale ,por e ka kuptimin dhe çëllimin qe të edukoi brezin e ri për të përballur me të keqen pa dhunë dhe me fituar betejenë. Njëherazi, Ky Ligj mbetet në historinë kombëtare si shembull unikat në botë. Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk pengon për këtë Ligj. Këshilli inicues, por edhe unë përsonalisht nuk jemi për të bërë krahasime me kategori të tjera . Poqëse dikush i fryn zjarrit vetë do të kallet në te.Krkojmë nga qeveria që Ligji të shkojë në Kuvend e deputetet të vendosin në aspektin institucional.Në të kundërtën barra bije te dy -tre persona.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top