MINISTRAT TANË TË JASHTËM, KËTA DONKISHOTË PA GOMAR!

SHKRUAR NGA REZART PALLUQI

Ministrat e Jashtëm shijojnë vazhdimisht udhëtime luksoze nëpër botë. Në fakt ata janë shefat e trupave diplomatike shqiptare anembanë planetit. Ambasadat tona janë mbushur plot e për plot me njerëz të paaftë dhe ish sigurimsa. Zakonisht këta janë dashnorët e ish sigurimsave. Ato janë femra që edhe ushtrojnë përjetësisht detyrën e sekretares nëpër ambasadat shqiptare. Përbri këtyre femrave ndeshim ambasadorët tanë, kryesisht njerëz që mbasi u ka dalë kallaji i kazanit të tyre politik në Shqipëri i surdisin nëpër botë. Është ajo mënyra gjeniale për të hequr qafe disa rebelë brëndapartiake. E ato i emërojmë nëpër ambasada apo organizatat ndërkombëtare ku edhe supozohet të përqafësojnë Shqipërinë.

Nëse do të shpallnim një konkurs për të përzgjedhur Ministrin tonë më qesharak, atëherë sigurisht që ai do t’ishte Ministri i Punëve të Jashtme. Ata rrallë herë janë shkarkuar si pasojë e dështimeve të tyre në arenën diplomatike. Ata rrallë herë janë bërë shënjestër e skandaleve politike. Kjo, për arsyen e thjeshtë sepse puna e tyre nuk kalon asnjëherë në sitën e sukseseve. Ata nuk kontrollohen, as u shkaktojnë dhimbje koke kryeministrave tanë. Këta të fundit, si gjithnjë 99% të kohës së tyre e kalojnë duke bërë pazaret e tyre politike brënda Shqipërisë. Janë shumë të ngarkuar për të vjedhur shqiptarin dhe tokën e tyre të bekuar me pasuri marramendëse.

E të gjithë këtë personel e menaxhon Ministri i Jashtëm me një zell për ta pasur zili. Paçka se për të dhe Ministrinë e tij hallet e miliona emigrantëve shqiptarë as që merren fare parasysh. Logjika e ftohtë të con në konkluzionin se një vend sa më i vogël të jetë, aq më të fortë, të zotë dhe orator duhet ta ketë Ministrin e Jashtëm. Holanda edhe pse zotëron një ekonomi jashtzakonisht produktive e konsideron Ministrin e Jashtëm si më të rëndësishmin. Pa të dhe pa imazhin e mirë që ai duhet të krijojë në tregjet botërore nuk do të shiteshin produktet holandeze nëpër botë. Ndërsa në rastin tonë, ai është ingranazhi më i ndryshkur dhe më i vogël i të gjithë mekanizmit të shtetit shqiptar. Krejt ndryshe qëndron puna me një Ministër që përfaqëson gjuhën dhe ekonominë e një vendi dhjetra/qindra milionësh. Ai nuk ka nevojë të lehë. Mjafton prania e tij në tregun diplomatik.

Ministrat e vendeve të vogla duhet të lehin sa më shumë. Të lehurat duhet të jenë aq idhnake dhe të pambarimpta saqë të vijë një moment dhe Ministrat e vendeve të mëdha të thonë: ç’na lanë pa gjumë, ç’na shurdhuan veshët këta konet e vogla! Po, jepu mo ndonjë kockë që t’i heqim qafe se na turrllosën trutë e kokës. Epo ja që Ministrat tanë nuk lehin. Ata vetëm se dinë të lëpijnë për të përfituar ndonjë kacidhe për vehten e tyre e kurrsesi për Shqipërinë. E sikur të mos mjaftonte kjo, salltaneti dhe luksi që demonstrojnë Ministrat tanë jasht Shqipërisë të bën që të fluturojnë trutë e kokës. Nga njëra anë sillen përballë Ministrave të tjerë të Jashtëm si lypsarë, servilë, inferiorë dhe indiferentë, dhe nga ana tjetër sapo mbaron teatri diplomatik ata derdhen nëpër bulevardet evropianë me delegacionin e tyre fisnor/ partiak. Këta e djegin portofolin shtetëror nëpër mapo dhe restorante me pesë yje. E këtë e bëjnë pa u turpëruar në sytë e evropianëve.

Natyrisht që ministrat e punëve të jashtme evropianë zgërdhihen me këta Donkishotë. Me siguri që thonë: çfarë Donkishotësh pa gomar. Sepse si mund të kapërdiset një Ministër i Jashtëm kur ai përfaqëson një vend me imazhin më të ulët politik dhe kulturor që mund të gjeshë në Evropë? Nëse diplomacinë do ta ilustronim me një gomar dhe Ministrin e Jashtëm më një Donkishot, atëherë rezulton se Ministrat tanë të jashtëm nuk kanë gomar. Ose e kanë një të tillë. Ai është bythërrjepur, me trup kockor, me patkoj të pambathur, sy të trishtë, të uritur. E pikërisht mbi këtë gomar qëndron Ministri ynë i Jashtëm, duke e mbajtur trupin drejt si selvi. Prej rrobave, qafës dhe sqetullave të tij kundërmon parfum i shtrenjtë francez, këpucët i shkëlqejnë fort, ora e shtrenjtë i xixëllon papushim. Imagjoni pra në bulavardin e Shën Elizesë Ministrin tonë të Jashtëm mbi një gomar të përdhunuar. Megjithatë, e gjithë kjo histori e trishtë për gomarin ka edhe anën e saj pozitive. Gomarin, kur del jasht Shqipërisë, e ushqejnë fqinjtë tanë zemërmirë.

I japin atij kashtë speciale, kallinj misri të njomë, ia mbathin kurrizin me samar të shtrenjtë dhe i ofrojnë një stallë luksoze për të fjetur. Dhe Ministri ynë i vyer, i shpërblen fqinjtë tanë shqiptarodashës duke i dhuruar atyre ndonjë thelë prej trupit të rrëgjuar të Shqipërisë. Ndërsa gomari ëndërron që Ministrat tanë të qëndrojnë sa më gjatë jasht Shqipërisë, sepse me t’u kthyer në Rinas, i pret mizerja shqiptare, kacollja e rrënuar, samari i stërvjetëruar dhe shqyer, e kashta e paktë që mbaron para se vjeshta t’ia hapë portën dimrit të ftohtë dhe të pabegatë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top