MIJRA KILOMETRA DOKTOR

Shkruan: Edison YPI

Mes Elbasanit dhe Peqinit kishin dalë në përfundimin se të kesh armiq aq të ndyrë si të Doktorit është Fati më i madh, je njeriu më i lumtur, bota në këmbët e tua, Xheheneti është i yti.

Pa hyrë në Lushnje, ku për Doktorin të nxjerrin sytë, më thanë se kishin nisur një debat për çfarë u duhet bërë atyre që për Doktorin flasin keq; duhet të shkohen në hell, tu pritet mishi me gërshërë, duhen hedhur brenda një grope me gjarpërinj, flakur brenda makinës që korr dhe grin barin, prerë bilja me briskun e synetit, rjepur lëkura me atë veglën që qëron patatet. Nuk u interesova të di cilin variant aprovuan. U mjaftova me konstatimin se pavarsisht veglave që mund të përdoren, që mund të jenë edhe kosorja për prerjen e gjymtyrëve, pinca për këputjen e gishtave, shiringat e ndërzimit të lopëve për thithjen e gjakut, pse jo dhe brisqet e ndryshkur të rrojes për çarjen kryqetërrhor të surratit për infektim të sigurtë, diskutimi ishte futur në rrugë të mbarë, shqyrtimi po bëhej me frymë demokratike, dhe ika i qetë.

Nën hijen e një rrapi shekullor pak përtej Ballshit po zhvillohej konkursi me temë “Çfarë është dikush që Doktorin e shan ?” Diskutantët e shumtë dhanë idera nga më të larmishmet, derr, krimb, mi, skuth, kërrmill, etj. etj. Konkursin e fitoi një babaxhan mallakastriot me mustaqe deri te veshi që tha se kush shan Doktorin nuk është asgjë më tepër se një mbeturinë, një ekskrement, pra një mutmuti.

Po të mos kisha patur fatin ta shoh me sytë e mi, as nuk do ta imagjinoja dot atë që më ndodhi një ditë vjeshte në një katund në malësinë mes Vaut të Dejës dhe Pukës. Të shtunën e parë të çdo muaji banorët e atij katundi e kishin caktuar “Dita e Doktorit”. Në “Ditën e Doktorit” i madh e i vogël ngriheshin që pa gdhirë, visheshin mbatheshin dhe shkonin kush në kishë e kush në xhami për tu lutur, jo për shpëtimin e shpirtit të Doktorin, se Doktori shpirtin e ka të shpëtuar që kur ka lindur, por për shpëtimin e shpirtit të vet.

Te një restorant në Gramsh, mes mishit dhe rakisë, po zhvillohej diskutimi mee vlerë nëse gjatë kohës kur ishte President dhe Kryeministër a ja arriti Doktori të dijë dhe të plotësojë dëshirat dhe tekat dhe nazet dhe avazet dhe dënglat e të gjithë shqiptarëve një nga një. Kishte dhe nga ata që thoshin; Po, Doktori i plotësoi të gjitha çmenduritë e secilit shqiptar. Por ata që e thanë këtë dukeshin nga surrati që ishin edepsiza. Të tjerët, shumica dërrmuese, thanë në kor se të tilla hajvanllëqe i përhapin spiunat e kudondodhur të sigurimit të shtetit ende në veprim si brenda dhe jashtë Shqipërisë, sidomos jashtë. Në fund, një teptil u tha të pranishmëve; As kaq nuk kuptoni o ju dalçin sytë, se në kushtet e pluralizmit plotësimi i pritshmërive ndaj pushtetarëve kondicjonohet nga lëvizja e pashmangëshme e numurave gjatë ushtrimit të pushtetit, pra nga aritmetika, statistika. Kaq tha teptili. Gjindja mbeti gojëhapur, dhe me këtë u mbyll.

Më kishin thënë se banorët e një komune në Skrapar dinin përmëndësh shkrimin tim “Doktori të bën Selam”. Ende nuk kam vajtur ta verifikoj, se jam modest, s’mund tu kërkoj të ma thonë përmendësh shkrimin tim, po e bëra këtë kaloj caqet e modestisë. Këtë të Skraparit e besova pas ca kohësh kur diku në veri të Librazhdit pashë me syë e m’i se si katundi mbante në mur shkrimin “Doktori të 10”, që e dinin përmendësh dhe e kishin vënë në kornizë.

Meqënse jemi te shkrimet, pa folur për shkrimin “Ti nuk lexon” që është shkrimi Shqip më i lexuar dhe më i pëlqyer nga Buzuku e tëhu, shkrimin “Doktori si rrepa” nga Kamza në Milot e kishin bërë ninull. E këndonin si këngë, me shkrimin tim vinin bebet në gjumë.
Te një rrugë e re që lidh Burrelin me Rrëshenin, në një kafene pranë një dushknaje më kapi mërzia. Kishte kaluar më tepër se 1 minutë pasi isha ulur dhe askush s’kujtohej të vinte të ma ngrinte në qiell Doktorin. Kur, paprimas, zinë e mërzisë e grisi një mirditor që u faneps nga dushkaja dhe me zërin e tij si tingull çiftelie më bëri pyetjen; Pse Doktori mban afër ca mediokër ? Sepse s’ka të tjerë, i thashë. Faleminderit, tha mirditori, dhe iku i lumtur në gjysëmerrësirë mespërmes bjeshkës drejt Lurës.

Mes Përmetit dhe Leskovikut katundin e kishte zënë halli me një hajvan. Sipas hajvanit, rrugët që bëri Doktori po i paguajnë këta që janë tani në pushtet. Para këtij diabolizmi të pashoq kishin mbetur të gjithë të mpirë, derisa u ngrit një pacomitlli që i dha drejtim. Pse nuk veprojnë edhe këta si Doktori, pyeti me ironi pacomitlliu, pse nuk ndërtojnë edhe këta rrugë me pare borxh që t’i paguajnë ata që do vijnë pas tyre ? Pas këtij qartësimi katundi mori frymë lirisht.

Në Tepelenë Doktorit i kishin ngritur një këngë që fillonte me vargjet,
“Zagarët në dhjetra faqe gazetash.
Doktori në mijra kilometra Shqipëri”.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top