Nga Nebil ÇIKA
Debati publik për rishkrimin e historisë në këtë prag të 100-vjetorit të shteti shqiptar dashje pa dashje ka sjellë në vëmendjen e shqiptarëve edhe ngjarjet e shënuara të historisë kombëtare e sidomos protagonistët e saj. Debati i çelur me këtë rast ka tronditur opinionin publik me faktet historike e sidomos me falsifikimin, deformimin dhe manipulimin që i është bërë asaj për 50 vjet me radhë nga diktatura komuniste, manipulim që vazhdon të justifikohet nga autorët e tij, të ashtuquajturit “historinë” të periudhës komuniste. Dhe mos kujtoni se është pak. Në 100 vjet pavarësi teorike të shtetit shqiptar 45 vjet janë diktaturë komuniste, që do të thotë se pothuaj gjysma e shekullit të pavarësisë është periudha më e vështirë, më tragjike e më e turpshmja e historisë. Pa dyshim që një krim i madh i komunizmit është falsifikimi i historisë, krim që ende vazhdon, megjithëse pretendohet se diktatura ka dy dekada që ka rënë.
Iluministi i fundit evropian
Një nga figurat më të denigruara të historiografisë komuniste ka qenë pa asnjë dyshim Mid’hat bej Frashëri, një nga personalitetet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Nëse do të kishim një historiografi shkencore e objektive, besoj se kombi shqiptar do të kishte sot një figurë me të cilën do të krenohej në rang botëror. Edhe pse hyj te personat që fëmijë jam edukuar me respektin dhe nderimin për Mid’hat beun, jam befasuar nga njohja dhe konsiderata që kanë të huajt, sidomos evropianët, për të dhe përmasat e tij intelektuale. Në vitin 1998 isha i ftuar nga miku im, gazetari e përkthyesi Rafael Floqi në ambasadën e BE-së në Tiranë në promovimin e librit të mrekullueshëm të Mid’had Frashrit “Shqiptarë e sllavë”, që Floqi e kishte përkthyer nga frëngjishtja. Më habiti, por dhe më mrekulloi me fjalën e tij për Mid’had beun ambasadori i atëhershëm francez, i cili, pasi shprehu keqardhjen që në Shqipëri nuk e njihnin dhe e vlerësonin figurën e tij, e cilësoi atë “iluministi i fundit evropian”. Ku ta dinte ambasadori që ky njeri edhe atëherë kur fliste, edhe tani konsiderohet nga historiografia me përcaktimin politik komunist “kriminel lufte” e “kolaboracionist”? Sigurisht që ai dhe as perëndimorë të tjerë nuk mund ta kuptojnë dot atë që komunizmi shqiptar, përfshirë edhe historianët e regjimit, i bëri kombit e popullit shqiptar. Nuk mund ta kuptonin dot se si një njeri që kishte bërë aq shumë për vendin e tij mund të trajtohej si tradhtar e kriminel vetëm se nuk ishte komunist dhe se ëndërroi e luftoi për Shqipërinë etnike, pikërisht për këtë Shqipëri që po ndërtojmë gradualisht tani.
Kampioni i shqiptarizmit
Nuk gjendet figurë historike në historinë e kombit tonë me aktivitete e kontribute si ai i Mid’hat bej Frashërit. I biri i një figurë gjithashtu të madhe, Abdyl Frashërit, nipi i Samiut e Naimit, ai ishte destinuar që fëmijë jo vetëm të bënte, por ta trondiste historinë. Vetë biografia apo CV-ja e tij, siç e quajnë tani, flet vetë për ndriçimin e kësaj figure, që nuk ka të krahasuar me asnjë figurë tjetër në historinë e kombit e popullit tonë.Mid’hat Frashëri lindi më 25 mars 1879 në Janinë; vdiq më 3 tetor 1949 në Nju-Jork, SHBA. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit, nga familja Frashëri. Ai e njohu shumë pak të atin dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe të Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905 punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore.
Veprimtaria politike
Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX, duke spikatur që në fillim me punën e tij në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908 ai fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunon ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën (shtëpinë botuese) “Mbrothësia”. Frymëzues dhe organizator i Kongresit të Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin “Kongresi i Alfabetit”, më 14 nëntor-22 nëntor 1908, ku u zgjodh kryetar i Kongresit, një nder dhe meritë e rrallë për moshën që kishte.Firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë më 28 nëntor të viti 1912 dhe ministër në qeverinë e saj të krijuar nga Ismail bej Vlora. Më 30 mars 1913 ai jep dorëheqjen nga detyra. Ai mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmon në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ Vidit Mid’hat Frashëri largohet nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jeton në disa shtete të Ballkanit. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht, ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset në Lozanë (Zvicër). Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës, në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorie ai deklaron: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan.” Në vitin 1920 ai vendoset në SHBA. Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 fillon detyrën e ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri, ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik.Në vitin 1927 fillon të botojë në Tiranë revistën “Diturija” dhe themelon librarinë “Lumo Skëndo”.Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, vendos t’i kthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941 është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, në nëntor 1944 u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej në Itali. Gjatë një udhëtimi për në Nju-Jork ai vdes si pasojë e një ataku kardiak.
Bibliofili Lumo Skëndo
Mbas vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mid’hat bej Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e tij. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye në vitin 1996 ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosen që çmimi për bibliofilinë të emërtohet “Bibliofili Lumo Skëndo”. Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha më 23 prill 2006.
Vepra
Naim bej Frashëri, kujtimi mbi të ungjin (1901), “Bëj mirë pa hidhe në det” (1902)
“Dhe tregonje” (1902), “Shkurtabiqi i verdhë” (1914) “Hi dhe shpuzë” (1915)
Letra mbi një udhëtim në Zvicër (1915) “Një re e zezë për Shqipërinë” (1918), “Rilindja e Shqipërisë” (1918)
“Shqiptarë e Sllavë” (Albanais et Slaves) (1919), “Mosmarrëveshjet shqiptaro-serbe” (1921), “Plagët tona” (1924) etj.
Siç shihet, nga kjo biografi e shkurtër ka disa momente aq të ndritura në jetën e tij, sa është pothuaj e pamundur të harrohet e aq më shumë të denigrohet.
Kryetar i Kongresit të Manastirit dhe firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, ministri i parë i shtetit shqiptar, themelues dhe udhëheqës i Ballit Kombëtar dhe hartues i projektit për Shqipërinë etnike e demokratike. Vetëm kontributi dhe pjesëmarrja në dy prej ngjarjeve që vunë themelet e shtetit shqiptar – Kongresin e Manastirit dhe shpalljen e Pavarësisë – e bëjnë atë një figurë të ndritur të historisë. Por sigurisht që nuk mbaron me kaq. Mid’hat Frashëri është edhe politikani i parë shqiptar që ka aplikuar dorëheqjen nga ministër si mjet demokratik të të bërit politikë, dhe këtë e bëri më 1912, ndërkohë që ka politikanë që nuk e njohin këtë akt edhe sot. Ishte kontributi i tij diplomatik dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin arvanitas të Greqisë, Teodor Pangalo, që ndaloi deportimin nga ana e grekëve të shqiptarëve të Çamërisë për në Turqi sipas marrëveshjes për shkëmbimin e popullsisë Venizello-Ataturk të vitit 1920. Si përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, ka mundur të përfaqësojë me kulturë e atdhetari vendin tonë në momente shumë të vështira të tij. Projekti i tij më i madh politik: Shqipëria etnike, ngeli i parealizuar për shkak të lënies nga fuqitë e mëdha të Shqipërisë në influencën komuniste sovjetike në fund të Luftës së Dytë Botërore. Projekti duket se po zbatohet tani me pavarësinë e Kosovës dhe përmirësimin e vazhdueshëm i statusit politik e kombëtar të shqiptarëve në trojet e tyre historike në rajon. A gjendet njeri në histori që i ka shërbyer kaq shumë çështjes shqiptare sa ky kampion i pashoq i shqiptarizmit?
Historianët e leshit
Historianët, por dhe politikanet shqiptarë, nuk e kanë fort për zemër Mid’had beun. Ndoshta i tmerron jeta dhe veprimtaria kaq e ndritur e tij. Historianët komunistë kapen ende pas vendimeve politike të Enver Hoxhës. “Ishte kriminel lufte, kolaboracionist”, – ky është argumenti i tyre kur kundërshtojnë apo mundohen të denigrojnë figurën e tij. A ka ndonjë dokument historik për këtë çështje? Jo. Vetëm një vendim politik nga diktatori. Po a mund të bëhet historia me vendime politike? Ka qenë kryetar i organizatës nacionaliste Balli Kombëtar, kërkoni Shqipërinë etnike e demokratike, kërkoni Kosovën, Çamërinë, Maqedoninë shqiptare, Ulqinin, Tivarin e Tuzin. A nuk i kërkon sot këto politika shqiptare. Madje Shqipëria e madhe bashkimi kombëtarë i shqiptarëve është edhe një detyrim kushtetues. Kjo është, sipas historianëve komunistë, “tradhtia” e Mit’had bej Frashërit. Nuk kanë turp, por dalin në ekrane e gazeta, edhe pse kanë qenë spiunë, mashtrues e falsifikatorë të historisë, nuk heqin dorë dot nga mbrojtja e krimit të tyre. Të hapin barkun me demagogjinë e sidomos kurajën për të mbrojtur një krim kaq të rëndë sa ç’është falsifikimi i një shekulli histori. Një ditë lexova një shkrim të kolegut A.Ç, i cili ishte i dëshpëruar për faktin se e majta ish-komuniste nuk promovonte figurat e saj në historinë e Shqipërisë. Ai nuk gjente dot përgjigje. Unë e kam një të tillë: nuk kanë figura kombëtare, përkundrazi, figurat e tyre janë kryesisht antishqiptare. Si pasojë e sajesave të komunistëve jugosllavë, e majta shqiptare i ka edhe heronjtë e saj të tillë – të sajuar. Ky fakt flet edhe më shumë pse historianët e tyre mundohen të errësojnë figura si M. Frashri. Po a mund të mbulohet dielli me shoshë? Kam vrarë shumë herë mendjen se si mund t’i quaj këta të ashtuquajturit “historianë” komunistë, spiunë, falsifikatorë etj. Kanë kaq shumë epitete, sa nuk mund t’i përcaktoj dot. Por më në fund e zgjidha. Nga sikleti më nxori Jozefina Topalli, Kryetarja e Kuvendit. Se ai m’u kujtua kur iu drejtua “njanit prej atyne”: “Historian i leshit”.
Botuar ne korrik 2012