Mësuesve të mi

Seç po shfaqen para syve, plot me plagë dhe tortura,
Madhërisht në mendjen time, seç lartohen ata burra,
Që i kisha nënë e babë, që i kisha miq dhe shokë ,
Që s’më lanë në errësirë, që më dhanë dritë e forcë.

I paçmuari doktor, ky Isufi ynë * i lartë,
Mendje ndritur i nderuar, ndriçon si një yll i artë,
Gjoni dhe Patër Mëshkalla **, dy simbole të lirisë,
Dy titanë madhështorë, shërbëtor të Perëndisë.

Tahir Hoxha me Meçanë***, që përherë ishin në ballë,
Fjalë e tyre, fjalë e rëndë, ishin dy burra të rrallë,
Dhe i urti avokat****, oh, Xhevdeti orator,
Biri i qytetit plakë, një dishepull trimëror.

Por si mundem të harroj, si do mundem mos kujtoj,
Buzagazin dhe të urtin, atë burrë që më mësoi,
Gjakun dhe fisnikërinë, nderin edhe dashurinë,
Mikun tim të paharruar, Engjëllin*****zemër lirinë.

Ky vegim, vegim i rrallë, nëpër mendje më vërtitet,
Dhe imazhi shumë i lartë, kurrë nuk do të më shqitet,
Lapidar do ngrihen lart, lart në qiellin hyjnor,
Lavd dhe nder për atdheun, për atdheun arbëror.

Reshat Kripa, Tiranë, shkurt 2001

* Doktor Isuf Hysenbegasi nga Starova e Pogradecit, simbol i vetmohimit..
** Gjon Shllaku dhe Patër Mëshkalla nga Shkodra, klerikë dhe studiues të shquar.
*** I pari mësues nga Tragjasi, i dyti Meçan Hoxha agronom nga Velça e Vlorës.
**** Xhevdet Kapshtica nga Korça, avokat i shquar i asaj kohe.
***** Engjëll Kokoshi nga Vlora, miku im më i mirë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top