Këshilli Papnor për Dialogun Fetar
Të krishterë dhe myslimanë: përfitues dhe mjete të mëshirës hyjnore
Mesazh për Muajin e Ramazanit dhe ‘Id al-Fitr 1437 H. / 2016 A.D.
Të dashur vëllezër dhe motra myslimanë,
Kremtimi i Ramazanit dhe i ‘Id al-Fitr është një ngjarje e rëndësishme fetare për myslimanët kudo në botë, e cila ka në qendër agjërimin, lutjen dhe veprat e mira, dhe që vlerësohet prej të krishterëve, miqtë dhe të afërmit tuaj. Në emër të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe në emër të të krishterëve të mbarë botës, me gëzim ju bëjmë urimet më të mira për një agjërim të frytshëm, të shoqëruar prej veprave të mira, dhe ju urojmë një festë të gëzueshme. Sipas një tradite të dashur për ne, dëshirojmë me këtë rast të ndajmë bashkë me ju disa meditime, me shpresën që t’i forcojmë lidhjet shpirtërore që na bashkojnë.
Një temë që e kanë për zemër qoftë myslimanët qoftë të krishterët është ajo e mëshirës. E dimë se Krishtërimi dhe Islami besojnë në një Zot të mëshirshëm, që e tregon mëshirën dhe dhembshurinë e vet ndaj të gjitha krijesave, në veçanti ndaj familjes njerëzore. Ai na ka krijuar prej dashurisë së pamasë për ne. Ai është i mëshirshëm, duke u kujdesur për secilin prej nesh, dhe na jep dhuratat e nevojshme për jetën tonë të përditshme, si ushqimi, streha dhe siguria. Megjithatë, mëshira e Zotit shfaqet në mënyrë të veçantë përmes faljes së fajeve tona; pra, Zoti është Ai që fal (al-Ghâfir), Ai që fal shumë (al-Ghafour).
Për të nënvizuar rëndësinë e mëshirës, Shenjtëria e Tij Papa Françesku ka shpallur Vitin jubilar të Mëshirës, prej 8 dhjetorit 2015 deri më 20 nëntor 2016. Në lidhje me këtë Papa ka thënë: “Ja… arsyeja e Jubileut: sepse kjo është koha e mëshirës. Kjo është koha e volitshme për të shëruar plagët, koha për të mos u lodhur së takuari të gjithë ata që presin të shohin dhe të prekin konkretisht shenjat e afërsisë së Zotit, koha për t’u treguar të gjithëve, të gjithëve, udhën e faljes dhe të pajtimit” (Homelia, 11 prill 2015).
Shtegtimi juaj (haxhi) në Vendet e Shenjta, kryesisht në Mekë e Medinë, është sigurisht një kohë e mirë për të përjetuar mëshirën e Zotit. Në fakt, ndër urimet më të njohura që u drejtohen shtegtarëve myslimanë është ky: “Të uroj shtegtim të bekuar, përpjekje të lavdërueshme dhe faljen e mëkateve të tua”. Të bësh një shtegtim për të marrë prej Hyjit të mëshirshëm faljen për mëkatet, qoftë për të gjallët, qoftë për të vdekurit, është me të vërtetë një doke shumë e rëndësishme për besimtarët.
Ne, të krishterë dhe myslimanë, jemi të thirrur t’i përngjajmë sa më mirë Zotit. Ai, i Mëshirshmi, na kërkon që të jemi të mëshirshëm dhe të dhembshur ndaj të tjerëve, sidomos ndaj atyre që gjenden në çfarëdo lloj nevoje. Gjithashtu, Ai na kërkon që ta falim njëri-tjetrin. Duke vështruar njerëzimin sot, ndiejmë trishtim për shkak të viktimave të shumta nga konfliktet dhe dhuna – mendojmë këtu në veçanti për të moshuarit, për fëmijët dhe gratë, e sidomos për ata që janë viktima të trafikut të qenieve njerëzore – si dhe për shumë njerëz që vuajnë për shkak të varfërisë, sëmundjeve, fatkeqësive natyrore dhe papunësisë.
Nuk mund t’i mbyllim sytë përballë këtyre realiteteve, ose ta largojmë shikimin tonë përballë këtyre vuajtjeve. Është e vërtetë që ka situata shpesh shumë të ndërlikuara, zgjidhja e të cilave shkon përtej mundësive tona. Prandaj është jetike që të gjithë të punojnë së bashku për të ndihmuar ata që janë në nevojë, pavarësisht nga etnia ose nga besimi i tyre fetar. Është burim shprese të madhe kur shohim ose dëgjojmë për myslimanë dhe të krishterë që bashkohen për të ndihmuar nevojtarët. Kur i bashkojmë përpjekjet tona, ne i bindemi një urdhri të rëndësishëm që është i pranishëm në besimet tona përkatëse dhe japim provë për Mëshirën e Hyjit, duke dhënë kështu një dëshmi më të besueshme, si individë dhe si bashkësi.
Zoti i Mëshirshëm dhe i Gjithëpushtetshëm na ndihmoftë që të ecim gjithmonë në rrugën e mirësisë dhe të dhembshurisë!
Ne i bashkojmë urimet tona dhe lutjet tona me ato të Papa Françeskut duke lypur bekime të bollshme gjatë Ramazanit dhe një gëzim të qëndrueshëm për ‘Id al-Fitr.
Gëzuar festën të gjithë juve!
Prej Vatikanit, më 10 qershor 2016
Kardinal Jean-Louis Tauran, President