MESAZH NGUSHËLLIMI DREJTUAR FAMILJES MULOSMANAJ

E nderuar Familja Mulosmanaj,

Në emër të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe të gjithë Legalistëve shqiptarë, por edhe në emërin tim personal, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe të përzemërta për humbjen e njeriut tuaj të dashtun, mikut tonë dhe veprimtarit të pa epur të çështjes kombëtare, Shqipërisë Etnike, Legalitetit dhe Mbretit, të ndjerit Musli Mulosmanaj.

Për Legalistët dhe mbarë nacionalistët shqiptarë, i ndjeri Musli Mulosmanaj do të jetë i pazëvendësueshëm për vlerat, kontributet dhe përkushtimin e tij për Atdhe, Flamur e Mbret; vlera që ai i trashëgoi nga të parët e vet, i mishëroi gjatë gjithë jetës së tij dhe i la si shembull udhërrëfyes për ata që duan t’i shërbejnë kombit pa asnjë lloj interesi, pa pritë asgjë në këmbim por vetëm duke konsideru se po e kryejnë detyrën ndaj Atdheut. I tillë ishte Musli Mulosmanaj.

Për mua personalisht, i ndjeri Musli Mulosmanaj ka qënë, bashkë me Fuat Myftiun, Ramiz Danin, Bardhok Ndreun, Petrit Kupin, Ndue Kalthin, Hysen Mulosmanin, Halil Nergutin, Hajdar Tonuzin, Zeqir Nezirin, Zef Pashko Dedën, Rexhep Imerin, Zef Delinë, Enver Shaskën, Idriz Ahmetin, Idajet Bushkën, Ndrec Gjergjin, e legalistë të tjerë, krahas familjarëve të mij, modeli i atdhetarit, legalistit, patriotit dhe nacionalistit që na mësuan, nën shembullin e Mbretit Zog, Gjeneral Abaz Kupit dhe Mbretit Leka, se si me e dashtë dhe me i shërbye Atdheut dhe Kombit.

Ndaj gjithë familja Mulosmanaj, farefisi, miqët dhe dashamirët e tij, por edhe kolegët e Partisë Levizja e Legalitetit, duhet të jenë krenarë për trashëgiminë e vlerave dhe veprave më fisnike që na la i ndjeri Musli Mulosmanaj.

Në këto ditë zi e pikëllimi për Familjen Mulosmanaj dhe mbarë familjen legaliste e nacionaliste shqiptare, ju shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të thella për humbjen e të ndjerit Musli Mulosmanaj.

I paharruar qoftë kujtimi i Tij.

Sulejman Gjana
Kryetar i PLL

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top