MENAJT E LURËS NË ISTIKAMET E ATDHEUT

Shkruan : Enver KALOSHI

Është e pamundur të flasësh e të shkruash për Menaj-t e Lurës pa sqaruar se ç’është Bajraku, dhe përse Menaj-t e shquar njiheshin e njihen si bajraktarë të asaj treve aq të përmendur e të begatë?! Në gjuhën shqipe fjala “bajrak” ka si kuptim të parë fjalën “flamur”, dhe me të nënkuptohej flamuri që mbahej nga flamurtari (bajraktari), që printe bashkëkombasit e bashkëkrahinarët në luftërat për liri. Por ka edhe kuptimin e dytë të një zone administrative të kohës së perandorisë Osmane, me doke e tradita të njëjta, që prihej nga dera e Bajraktarit të saj.

Që këtej rrjedhin edhe stilemat “me bajrak në ballë”, “ngriti bajrakun”, “shpirtin jepe e shko, bajrakun mos e dorëzo” – që aq bukur i sintetizon urtësia popullore. Dhe shembujt për bajrakët dhe bajraktarët vijnë nga historia me gjëmim të rëndë. Në betejën e Kakarriqit të Lezhës dhe në luftën heroike nën rrethim të qytetit të Shkodrës dhe jashtë tij, kundër malazezëve e serbëve, në periudhën tetor 1912 – maj 1913, lanë namë edhe dibranët. Secila prej krahinave të Dibrës kishte flamurmbajtësin e vet. Flamurin e Katër Grykëve e mbante trimi nga Qafë Murra, Ismail Nika. Atë të Lurës e mbante trimi i Menajve… Por lufta ishte e ashpër dhe s’kurseu as flamurtarët. U vra bajraktari i Lurës e i krahinës së Prellit. Trimi i Katër Grykëve vërsulet e i kap dy flamurët e bajraqeve të tjerë, dhe i valëvit me krenari.

Dibrës nuk i kanë munguar kreshnikët

I lexoj e i rilexoj shënimet, “Reliktet…” e Babës tim, Mehmetit. Kujtoj e rikujtoj bisedat e zhvilluara me të, përpiqem e ripërpiqem të mos mbetet asgjë me vlerë pa u evidentuar dhe, së fundmi, bashkë me kujtimet e miqve e shokëve të tij, të bashkëluftëtarëve e bashkëvuajtësve të tij, përpiqem të kom- pozoj shënimet e tij perla, në faqen nr. 3të të cilave shkruan: “Kalvari i Menajve vazhdon. Ka edhe shumë për të ba”…, çka ilustron atë që shkrova më lart. Në shënimet për të rënët në altarin e atdheut, Babë Mehmeti shprehet: “Sa herë që shqiptarëve u asht dashtë me përballue situata të padëshirueshme për Kombin, Dibrës (si në të gjithë trevat e tjera) nuk i kanë mungu kreshnikët. Do të përpiqem me sa të mundem me evidentu aktin e heroizmit të tyne”.
Lura! Piktoreske e strategjike. Lura e foleve të atdhetarëve dibranë në luftë për liri. Lura e kuvendeve kombëtare për Beslidhje, organizim e mobilizim në mbrojtje të Atdheut. Lura e fiseve të nderuar Mena, Doçi, Xhoçi, Nezha, Kaci, Hoti e të tjerë, por unë ma së pari do të përqendrohem tek fisi Mena, i cili i dhuroi kombit tetë dëshmorë. Fisi Mena, kohë mbas kohe kanë nxjerrë njerëz të dëgjuar, në krahinë dhe në mbarë Shqiptarinë. Prandaj dhe krahina e Lurës, e përbërë prej gjashtë katundesh, i pat dhënë titullin e nderit të kohës: Bajraktar i Lurës. Kjo derë e shquar kishte ndikim jo vetëm në Lurë, por në të gjithë krahinat malore të Dibrës, Matit, Lumës e Mirditës. Toponomia e bajrakut të Lurës është e pasur dhe me shumë kuptim. Dikur me gjashtë katunde, me treqind shtëpi, 1100 metër mbi nivelin e detit, me dy mijë banorë. Kurora e Lurës, Maja e Gjaraqinës, Liqeni i Luleve, Guri i Kuq – sa të mahnitshme, aq edhe të rralla. Lurasit përmenden në dokumentet zyrtare qysh në kohën e Skënderbeut. Përgatisnin armë për ushtrinë e pathyeshme të Heroit tonë. Përtej majës së Gjashtëgjishtit gjendet një vend që quhet Shkëmbi i Skënderbeut, afër të cilit është Fusha e Pelave, ku gërshetohen të vërtetat historike me legjendat e magjishme. Banorët e kësaj treve, nga natyra janë të fortë e u qëndrojnë vështirësive pa u lëkundur. Treqind shtëpitë e Lurës së dikurshme kanë rrjedhur prej gjashtë vllaznish. Menajt, thuhet se rrjedhin nga Tollajt.

Histori nga e kaluara

Tahir Mena (Bajraktari) i parë është vrarë në More të Lumës, si prijës në luftë kundër turqve, rreth vitit 1850. Sali Mena Bajraktari, nipi i Tahirit, u ka pri lurasve në luftën e Karadakut. Ka luftuar si hero e ka rënë në fushën e luftës ashtu siç binin burrat e hershëm. I biri i Sali Bajraktarit, Ali Mena, ka qenë pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Vritet në Lezhë më 1913, në luftën e Kakarriqit. Hakik Mena me të vëllanë Selmanin, udhëhoqën luftën kundër serbëve në Dri. Kullat e Menajve janë djegur e rrënuar tri herë. Austrohungarezët dhe serbët kanë kryer në Lurë masakra të përbindshme. Deri në Dhjetor 1924 çfarë nuk kanë provuar trimat, banorët e Lurës. Menajt të dalluar, e të veçuar. Nga Dhjetori 1924 e deri në Prill 1939, Menaj-t ishin mbështetja e fortë e Ahmet Zogut. Menajt ishin oficerë trima të Ushtrisë Kombëtare: Tahiri – akademik, Hakiku e Bajrami – oficerë aktivë nën uniformë. Selmani, oficer kreshnik në rezervë. Pas agresionit fashist italian,Tahiri, Hakik Mena (Bajraktari) me të vëllanë Selmanin, u mobilizuan në rezistencën kundër pushtimit dhe luftuan deri në fishekun e fundit. Të tmerruar nga frika se të lirë në trojet e tyre në Lurë, tashma pa burrat kryesorë të fisit, Menaj-t sërish do të mbeteshin problem për pushtuesit, fashistët i internojnë familjarisht në Berat. Atje në internim, i pamposhtur, Bajraktari Hakik Mena ndërroi jetë, por nuk u thye dhe nuk e tradhtoi besën e të parëve. Pas peripecive të panumërta, burrat e Menajve mezi shpëtuan nga ishulli i shkretë Ventotene në mes të detit Tirren, ku vuajtën internimin e rëndë bashkë me qindra e mijëra antifashistë shqiptarë, e nga vende të tjera. “Qe i pari Bajraktari Hakik Mena që hapi grykën e thesit të të rënëve nga kjo familje sojnike të viktimave të mëpastajshme: vëllai, nipat e djemtë e vet”, – shkruan Babë Mehmeti. “Në vitet 1943–1944, pjesëmarrja e meshkujve të Menajve në luftë qe aktive. Në të u angazhuan të gjithë burrat, qoftë dhe të rinjtë pa lëshue briskun në faqe, siç qenë Lami, Bajrami e Hasan Mena. Edhe më të rinjtë si Aliu, Mexhiti, Isaja e Ramizi, luftuan me vendosmëri”. Në Korrik të vitit 1943 Menajt me shumë luras e katërgrykas iu përgjigjën thirrjes së parisë së Matit për të sulmuar garnizonin fashist në Burrel. Siç dihet ajo qe një kryengritje e madhe popullore me pjesëmarrje të gjerë, qe një sulm i furishëm. Ajo luftë qe një vepër e madhe e masave, e udhëhequr nga prijësit nacionalistë të Bajrakut të Prellit, Bajrakut të Lurës, Katër Grykëve. Menajt e Lurës me Llan Destan Ndregjonin e Lukanit të Katër Grykëve, u dalluan në këtë luftë të madhe, krahas matjanëve me Sulëkurtajt, Vatëdodajt, Kolajt e Macukullit e të tjerë.

Babë Mehmeti kumton në shkrimet e tij relikte: “Edhe pas vendosjes së diktaturës sllavokomuniste në Shqipëri, burrat dhe djemtë e familjes së nderueme të Menajve nuk i dorëzojnë armët, por si shumë nacionalistë të tjerë dibranë e mbarë shqiptarë, i drejtohen malit. Në këtë familje ka edhe një veçori: Të gjithë meshkujt mbi 15 vjeç braktisën shtëpitë dhe morën malet për liri. Braktisi shtëpinë edhe plaku 70-vjeçar, kreshniku i nderuem, i titulluari Bajraktari i Lurës, Selman Mena, i cili nuk ia lejoi vetes të nëpërkambej nga sllavokomunistët, duke e mbajtur të pastër prejardhjen e familjes e historinë e saj të lav- dishme. Pra Selman Mena rrok pushkën dhe ndjek nga pas 8-sokolat e tij, tu e çue në 9 numrin e luftëtarëve për liri. Malet kreshnike të Lurës nuk heshtën së gjëmuemi nga grykët e pushkëve të këtyre martirëve, për 3 vjet rresht”. Të gjitha shpresat e nacionalistëve të vërtetë janë lidhura me lirinë. Lufta për liri i superon moshat! Kështu si me Selman Menën, ndodhi edhe me gjyshin tim, Llan Destan Ndregjonin. Babë Mehmeti ka shkruar: “Ora ogurzezë”! Ora! Kohë e përcaktuar me përpikmëri, zakonisht e shkurtër, gjatë së cilës ngjet diçka, kryhet diçka. Ora zezë! Që ndjell e sjell fatkeqësi.

Ora ogurzezë erdhi

Në fundvitin 1945, Plaku Selman Mena bashkë me katër djemtë rrethohet keqas dhe mbas një luftimi prej gjashtë orësh vriten që të pestë në fushën e betejës. Në fushën e nderit. Duke u përplasur gjoks për gjoks me komunistët. Në vitin 1946, në Lis të Matit ranë në pritë. Një pjesë çanë rrethimin. Tre u vranë në vendin e ngjarjes dhe Lami u plagos rëndë e vdiq në Burrel. Qazimit e Lamit s’u dihen varret. Përpjekja tjetër në Pllajë të Lurës. Në Gjurin e Bijes. Më 3 Maj 1947 forcat e shumta komuniste, rreth 150 vetë, i rrethojnë dhe pas një lufte të pabarabartë u vranë Tahiri dhe Bajrami. Të dy plagët i kishin marrë në gjoks. Më pas, u gjykuan në Peshkopi dhe u dënuan: Aliu me burg të përjetshëm, Mexhiti me 15 vjet, dhe Isaja e Ramizi me nga 10 vjet. Nis jeta në burgje. Burgu i burgjeve, Kalaja e Gjirokastrës. Nëntë të vrarë në përpjekje, tre të vdekur në internim. “Fatkeqësisht, – shkruan Babë Mehmeti, – vuajtjet e Menajve vazhdojnë. Kanë dhe shumë rrugë për të ba. Ali Mena një i ri rreth 25 vjeç, një gjimnazist me perspektivë, një trashëgimtar i denjë i Bajrakut të Lurës, sëmuret keqas nga pleviti i marrë në arrati dhe nga keqtrajtimet e torturat në hetuesi. Administrata komuniste e burgut 313 në Tiranë, me gjithë lutjet e vazhdueshme të shokëve, që e deshën aq shumë, s’e dërgoi Aliun në spital. “Ali Mena i dënuar me aq vjet burg, s’duhet të jetonte. Dhe ashtu ndodhi. Mbas tridhjetë ditëve lëngatë, vdes në krah të shokëve”. Babë Mehmeti bën portrete me dy-tre penelata: “Isa Mena, vëllai i Aliut, një i ri dinamik, që vetëm fletët për të fluturuar i mungonin… Guximtar i papërmbajtur. I lindur për pushkë. I sprovuar në sa e sa beteja. Mbasi kryen burgun i drejtohet Korabit, po s’është e thënë që ky djalosh 22-vjeçar të jetonte: Vritet në vijën ku?tare, në përpjekje për të shpëtuar një shokun e tij. E çon në 8 numrin e martirëve të fisit Mena.

Kur populli të ngre kangë, eshtrat dhe emri nuk treten kurrë!

Baba im i shtrenjtë Mehmet Avdi Kaloshi, u përpoq të shkruante për Menajt, Bajraktarët e Lurës. Unë takova edhe Ramiz Menën dhe bisedova jo pak me të. Kishte qenë me babën tim në burgun e tmerrshëm të Gjirokastrës. Zotni Ramizi, pinjoll i shquar i Menajve, një nga të paktët që mbijetoi nga brezi i vjetër, i mirëpriti dorëshkrimet e Mehmet Kaloshit, të cilat kërkoi t’ia lexoja dhe i dëgjoi me kënaqësi.

-“Si e gjykoni, zotni Ramiz, ç’mund të shtoni? Mos i ka shpëtuar ndonjë gjë Babë Mehmetit? Ndonjë pasaktësi, ndonjë shtesë…?
-“Jo, bir. Gjykoj se s’i luan as topi i karadakut!”, më tha trimi i Menajve, me lot në sy.

Ishte takimi ynë i fundit. Ai u tret dhe shkoi i heshtur, pranë etërve të tij, për t’u takuar me ta në Xhenet, aty ku e kanë vendin ata që derdhin gjakun për atdheun, ata që ruajnë traditat dhe nderin e të parëve. Humbja e tij na dhembi ne të gjithëve, që e kishim për nder të ishim miq e bashkëluftëtarë të anëtarit të përjetshëm të Senatit të Veteranëve të PLL. Këtij burri fjalëpak, fisnik e gojambël. Burrë i vërtetë tradite, zakoni e Kuvendi…, tamam prijës Bajraktar.

Sot vendi i Menajve në istikamin e luftës politike e në Kuvendin e burrave të mençur nuk mbetet bosh. Sepse ata janë sërish aty, ku ishin të parët e tyre, pranë Ahmet Zogut dhe Abaz Kupit. Ata sot militojnë dhe drejtojnë në PLL. I tillë është Hakiku i Ri, që drejton me aftësi Degën e madhe të PLL në SHBA-të, atë të Nju Jorkut. I tillë është edhe juristi i ri Lurian Mena, anëtar i Kryesisë së PLL, që ka marrë shumë nga gjyshi Ramiz dhe të parët e tij…, që ka vendosur të ndjekë rrugën e të parëve. Kësisoj fisi i Menajve rron e mbijeton, me nder e krenari, si gjithmonë në shekuj…, në kangë e në kronikat e kohës…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top