MR.SC.BESIM MORINA, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Intelektualëve mbarshqiptarë Trojet e Arbrit
Jemi tubuar sot për të respektuar veprën madhore të komandantit Mehmet Gradica, si dhe të shumë dëshmorëve të cilët ranë në alltarin e lirisë, duke nderuar atdheun tonë, andaj i kujtojmë me mall: familjen emblemë të Jasharajve, komandantët Fehmi Lladrovcin, Ilaz Kodrën e Asllan Fazliun, mantelbardhët: Dr. Lec Lecin e Antigona Fazliun, më pas Milazim dhe Mehdi Fazliun, Hashim dhe Valdet Uken, Mehmet Saliukun, Muhamet Dervishin, Sadullah dhe Avni Dibranin, qe me vepra te tyre treguan vazhdimësinë e luftës për liri, të trashëguar ndër shekuj nga bashkëvendësit e tyre: Tahir Aga Gradica, Lec Leci Gradica e Smajl Muja.
Thonë se dëshmorët mësojnë nga brezat, ndërsa kombet vlerësohen në bazë te veprave të tyre. Andaj, është obligim shtetëror që me gjuhën e së vërtetës faktografike, të nderohen figurat kombëtare, duke ju dhënë vendin e merituar të gjithë atyre burrave të cilët me pendë, pushkë ose ne ndonjë mënyrë tjetër vepruan, punuan, dhe u sakrifikuan për të mirën e kombit tonë.
Mehmet Gradica u lind në vitin 1913, në fshatin Gradicë, nga babai Isufi dhe nëna Çame Berisha, motra e Lutë Gllanasellës.
Mehmeti ka shërbyer si shef i xhandarmerisë ne Vushtrri, Skenderaj e Mitrovicë. Inkuadrimi i tij në regjimentin e Xhafer Devës, kishte si mision pengimin e përhapjes së propagandës komuniste, ose sikur edhe shpreheshin kundër atyre “që nuk kanë as Zot e as Fe, as Nder e as Atdhe”.
Nga biografia e tij, del se Mehmeti kishte një urrejtje patologjike ndaj komunizmit, dhe ky është shkaku kryesor qe edhe sot emri i tij përmendët shumë pak, për të mos thënë fare hiq në historiografinë shqiptare. Deri me tani, historiografia e jonë në Luftën e Drenicës përmend rolin e Shaban Palluzhës, Mehmet Gradicës dhe Bajraktarit të Llaushës, duke anashkaluar qëllimisht dy figura të rëndësishme Rexhep Gjelin dhe Hamdi Gashin, oficerin e karrierës të shkolluar në akademinë ushtarake të Italisë.
Gjatë shërbimit në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, roli i Mehmetit ishte i një rëndësie të veçantë. Për te mbrojtur popullsinë shqiptare, në nëntor të vitit 1941, çeta e tij ndërmori disa sulme te suksesshme ne rrethinën e Novi Pazarit. Është me rëndësi kombëtare të theksohet se në Kuvendin e Skënderajit (1943) dhe të Palluzhës (1944), në organizim të Hamdi Gashit, Bajraktarit të Llaushës, Mehmet Gradicës, Mulla Iljas Brojës, Azem Oruqit, Rexhep Gjelit, Mulla Ibrahim Palacit, etj., ju dha përkrahje e pa rezervë vendimeve të Kuvendit të Parë e të Dytë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Mehmeti do të mbështesë jo vetëm me trimërinë dhe mençurinë, por edhe me pasurinë e vet, Lidhjen e Dytë të Prizrenit duke paraparë tek idetë dhe fryma e saj të ardhmen e lirë të gjeneratave shqiptare.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova u ripushtua nga serbët, ku populli shqiptar trajtohej si rob lufte. Me urdhrin e Titos, më 8 shkurt të vitit 1945, u vendos në Kosovë Administrimi Ushtarak, „deri në rregullimin e rrethanave“, që në të vërtetë nënkuptohej deri në aneksimin e saj nga Serbia.
Me kërkesën e Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë, serbëve u erdhën në ndihmë forcat ushtarake shqiptare nga Tirana, ku së bashku kryen vrasje në forma te ndryshme pa dallim moshe e gjinie. Duhet veçuar rastin në fshatin Terstenik të Drenasit, në lagjen Bazaj, ku në prezencë të anëtarëve të familjes, foshnja me djep është hedhur në zjarr.
Por, cili ishte roli organizativ i shqiptarëve në mbrojtje të vendit? Nëse e marrim parasysh organizimin e popullit shqiptar ne këtë kohë, mund të themi lirisht se ishte nën nivel. Po në këtë kohë, KQ i PKSH bënte thirrje për vëllazërimin e popullit shqiptar me popujt sllav e grek. Duhet shtuar se sipas dokumenteve të kohës te cilat gjinden ne arkivin e Berlinit, tregohet se numri i komunistëve në Kosovë ishte tejet i vogël, dhe nuk gëzonin aspak përkrahjen e popullit.
Është plotësisht e natyrshme që prijësit e Drenicës të cilët edhe më parë ishin dalluar në luftërat kundër ushtrisë pushtuese serbe, duke u dalë zot tokave tona etnike, nuk pranuan të jenë pjesë e ideologjisë komuniste.
Në luftën e Drenicës, u angazhuan forca të mëdha jugosllave dhe shqiptare, që numëronin mbi 42 000 veta. Për ti dalë zot vendit, Mehmeti kërkoi një bashkëveprim në mes të zonës së Drenicës dhe zonës së Shalës, konkretisht me Ahmet Selacin.
Numri i madh i ushtrisë pushtuese, ka bërë qe lufta e Drenicës të shuhet, me plagosjen e dy udhëheqësve kryesor, Shaban Palluzha dhe Mehmet Gradica në betejën e zhvilluar në Terstenik, me 21 shkurt 1945. Si pasojë e plagëve te marrura, komandantët ndërruan jetë, Shaban Polluzhën e varrosin nën akull të Lumit Drenica, në Bresillë, ndërsa Mehmet Gradicën në vreshtat e Brahim Lutës.
Komandanti Rexhep Gjeli dhe shokët e tij e mbajtën besën e dhënë, duke vazhduar luftën e armatosur, por tani në një formë tjetër, më luftë guerile. Kështu, Rexhep Gjeli pas një rezistence vritet ne Malin e Qiqavicës së bashku me djalin e vetëm qe e kishte. Më pas do të vriten bashkëluftëtarët nga Gradica: Milazim Leci, Vesel e Lam Dervishi, Bahtir Muja, Maliq Hykolli, Hisen e Maliq Bardhi. Ndërsa, Smail Muja vritet pabesisht në fshatin Nekovc.
Themeluesit e Divizionit të Ibrit: Brahim Luta, Ajet Gjeli, Hajdin Haxhiu, vriten në një bunker afër fshatit Ceceli. Me pas vriten Ajet Gërguri, Gjon Serreqi e Hoxhë Avdija.
Vrasësit e Mehmet Gradicës ishin ata te cilët donin të realizonin planet serbe për zhdukjen e kombit shqiptar te përpiluara ne Beograd. Ndër më të merituarit për realizimin e planeve serbe ishte edhe komisari komunist Fadil Hoxha, i cili për ironi, varroset me nderime ushtarake.
Në fund duhet shtuar se toger Mehmet Gradica u flijua për te mos u pushtuar tokat tona etnike nga sllavët, për të mos u përdhosur kombi ynë dhe gjuha jonë. U flijua që flamuri jonë te jetë ashtu sikur ishte në duart e Kastriotit. Ky flamur, sot valon i lirë falë orientimit tonë perëndimor, si kulturor ashtu edhe politik, luftës sublime të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tij anë e kënd Kosovës, të përkrahur politikisht dhe ushtarakisht nga NATO-ja. Liria e popullit si dhe ndërtimi i shtetit tonë, edhe sot është i lidhur ngusht me përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së.
Të nderuar të pranishëm, figura e komandantit Mehmet Gradica nuk është vetëm figurë unikale e Kosovës, por e gjithë trojeve shqiptare. Uroj që të gëzoni bustin e Komandantit. Uroj që kjo shkollë të mbajë me pietetin më të lartë këtë emër!
Ky fjalim u mbajt në Gradicë, më 22 shkurt 2016 me rastin e zbulimit të bustit të heroit të kombit, Mehmet Gradica.