MEDIAT TONA DHE ETIKA PROFESIONALE

SHKRUAN: LIRI LOSHI

Nuk e kuptoj pse disa portale dhe gazeta kërkojnë prononcime nga unë, përderisa janë fare të pakta temat që nuk i trajtoj në postimet e mia?! Ka kohë që jam duke injoruar me qëllim çdo pyetje që kërkon prononcimin tim, për dy arsye kryesore.

E para, gazetarët duhet të jenë më diligjentë dhe më të vyeshëm që vetë t’i shtjellojnë temat e ndryshme në vend që t’i mbllaqisin fjalët e mia, apo të dikujt tjetër për ta bërë një copë shkrim. Dhe e dyta, shumica e gazetarëve që më kërkojnë prononcim, më bëjnë pyetje sugjestive duke mos lënë shtek tjetër pos që unë me përgjigjet e mia të dalë aty ku duan ata dhe shefat e tyre! Me fjalë tjera, këta gazetarë me logjikë mercenare, duan që edhe unë t’i mbyll sytë dhe ta ndjek të njëjtën udhë, kështu që ata në mënyrë përfide të më përdorin për qëllime kryesisht klanore, private dhe meskine. Jo, këtë nuk mund ta bëjnë me mua!

Sidoqoftë, nuk ka asnjë shkrim që e publikoj në murin tim në facebook dhe që nuk qëndroj pas tij pa marrë parasysh se kush e boton atë, qoftë ai edhe një portal i Beogradit. Sikur të frikësohesha nga fjala ime dhe nga abuzimi që të tjerët bëjnë me të, unë nuk do t’i hyja kësaj pune fare. Por, dua të jem i sinqertë se nuk më vjen mirë aspak nga abuzimet që përditë gazetat tona bëjnë me postimet e mia, duke nxjerr tituj senzacionalë e moto absurde që nuk përkojnë askund me argumentet dhe mendimet e mia, apo thjesht me përmbajtjen e postimeve që bëj. Një gjë që kundër shqiptarëve e bënte dikur shtypi i verdhë i Beogradit, sot po e bën shtypi i verdhë shqiptar i një grupi kundër grupit tjetër. A ka diçka më të tmerrshme, më dëshpëruese dhe më të pakuptimtë sesa kur me metodat e njëjta bizare që Serbia na lufton neve si shtet dhe si komb, ne luftojmë njëri tjetrin?! Mediat tona në përgjithësi kanë devijuar normat e informimit të drejtë dhe etikën profesionale, por në veçanti disa sosh këtë lojë të djallit janë duke e bërë në mënyrë ekstremisht të pandershme.

Unë nuk kam ndonjë masë tjetër mbrojtëse nga këto abuzime dhe manipulime që bëhen me emrin tim dhe me fjalën time, pos që t’i lus të gjithë lexuesit gjithandej ku jashtë kontrollit tim botohen postimet e mia, t’i lexojnë ato deri në fund, sepse mediat janë të obliguara që përveç titujve dhe motove që ato nxjerrin në fillim të shkrimit, të botojnë në vijim tekstin integral të çdo postimi. Dhe zakonisht, e vërteta, esenca dhe poenta e shkrimeve të mia nuk qëndron brenda titujve dhe motove që nxjerrin redaktorët, por brenda tekstit tim.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top