SHKRUAN: AV. XHAFER SADIKU
Pas zgjedhjeve të prillit 1921, prefektët paraqitën programe për zhvillimin e prefekturave. Programe interesante ishin ato të prefektit të Korçës, Terenc Toci e atij të Gjirokastrës, Kol Tromara.
Programi i Toçit mbështetej në tre fjalë: Bashkim, Punë, Drejtësi.
– Lypset Bashkim, thoshte Toci, se partitë u japin shkak të huajve të na ngatërrojnë.
Përsa i përkiste Punës, ai vinte në dukje se duhej të njihej populli me gjendjen financiare të Shqipërisë. – Ne do të punojmë, ne do ti barazojmë të dalat e të hyrat e Shqipërisë dhe atëhere Kombi ynë do të jetë kombi më i begatshëm i Evropës, se është I vetmi që nuk ka borxhe në Evropë, edhe ka gjithë begatitë të pangara.
Për Drejtësinë, Toci theksonte: Pa Bashkim shteti prishet, pa Punë dobësohet, po pa drejtësi e njeri e tjetra nuk kanë jetë e për drejtësi populli do të kuptojë se zyrtarët janë të pa anshëm se sundojnë pas nomit, pas nderit dhe pas njerëzimit…
Regjimi komunist i ekzekutoi Terenc Toçin edhe Kol Tromarën.