Shkruan: Kastriot DERVISHI
Kam qenë kundër krijimit të një organi të panevojshëm si Autoriteti sepse nuk është fare i nevojshëm, por kam dëshiruar gjithmonë që sytë e shtetit të drejtohen një herë të vetme në drejtim të investimit të fuqishëm e themelor në drejtim të arkivave, të cilat janë në një gjendje të mjeruar. Në kohën kur rrjeti arkivor i Republikës së Shqipërisë është në pikë të hallit, të flasësh sikur jemi në Suedi apo Danimarkë, tregon se sa pa lidhje e sa kot bëhen gjërat në Shqipëri.
Krijimi i Autoritetit bie ndesh me ligjin nr.9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”, si dhe me Kodin Deontologjik të Arkivistëve, sepse si hallkë e përkohshme Autoriteti merr përsipër krijimin e një arkivi të ri, të cilën në asnjë rrethanë nuk do ta realizojë dot. Po ashtu me një amatorizëm të dukshëm dhe mungesë të thellë profesionalizmi është vendosur shkatërrimi i fondeve arkivore duke prishur unitetin natyral të tyre. Ligji i ka dhënë të drejtë Autoritetit të copëzojë edhe vendimet e gjykatave si dhe të krijojë një lëmsh tjetër në drejtim të mbledhjes së dokumenteve të tyre, duke konkurruar arkivin e sapokrijuar të sistemit të Ministrisë së Drejtësisë.
Duke filluar nga sot, aq sa do e shoh të arsyeshme, do bëj të ditur të dhëna që besoj se i interesojnë publikut. Në shtetin tonë që urren e lufton në mënyrën më të habitshme dhe kriminale arkivistët, është mirë që përtej falsitetit të fasadave e propagandës të dihen disa gjëra. Sot po shkruaj për atë që u bë në dukje nguti i miratimit të anëtarëve të Autoritetit, gjoja për të ashtuquajturin “veting” dhe që lidhen me reformën në drejtësi, pra për gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit e diktaturës komuniste.
Ligji 45/2015 ka parashikuar të administrojë dosjet apo vendimet që lidhen me proceset politike. Dosjet hetimore-gjyqësore nuk janë të klasifikuara, janë të lira për t’u shfrytëzuar dhe nuk kanë asnjë lidhje me Sigurimin. Autoriteti ka marrë përsipër në fakt t’i mbyllë këto dosje dhe të moslejojë konsultimin e tyre. Pra nga dosje të hapura do kalojmë në dosje të mbyllura sepse tani do të duhet leja e entit në fjalë për dosje të zakonshme. Pra p.sh. për grupet e cilësuara “armiq të popullit” të vitit 1945, duhet të pyesim Autoritetin se si do konsultohen.
Sot ekziston në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme grupi prej rreth 14 mijë dosjesh që i takojnë 25 mijë të dënuarish politikë. Po ashtu ekzistojnë të shpërndara në gjykata dhe ish degë të hetuesive mijëra dokumente, të cilat për t’u administruar kërkojnë një numër të madh arkivistësh të cilët Shqipëria për fatin e keq nuk i ka. Vetëm dokumentet e degëve të hetuesive në rrethe të cilët i takojnë periudhës 1983-1991, kërkojnë të paktën 250 vetëm të merren me përpunimin e tyre.
Për të verifikuar një individ që ka qenë hetues, gjyqtar, prokuror (të cilët personalisht i njoh të gjithë), Autoritetit do t’i duhet të lexojë për çdo rast 2 milion dokumente. Kjo do të thotë se Autoriteti ose duhet të lëshojë dokumente të paverifikueshme (false) ose do t’i duhet të japë përgjigje pas 15-20 vjetësh.
Së fundi diçka tjetër. Çuditë që ka sjellë Shqipëria me këtë ligj janë:
-Projekligjin e ka iniciuar një ministri që nuk objekt arkivat, por ka çështjet sociale (çështjet e bukës, ushqimit, pensioneve, etj). Nuk do ta gjeni këtë praktikë as në vendet afrikane, të cilat po tregojnë së fundi kujdes ndaj dokumenteve.
-Në relacionin e këtij projektligji nuk dihen as sa dosje ka, as se si është gjendja dhe as ku janë ato. Relacioni justifikues ishte gjithsej një faqe e gjysmë kompjuter.