MË LEHTË ËSHTË “TË QENËT DEMOKRATË” SE “TË BËSH” DEMOKRACINË

SHKRUAR NGA AKADEMIK ESAT STAVILECI

Janë, më së paku, dy arsye, që “më shtyejnë” edhe një herë “të merrem” me Shqipërinë e “paszgjedhjeve”. E para, nevoja e “konsolidimit të brendshëm”në Shqipëri, sa më shpejtë që “të jetë e mundur”. E dyta, sugjerimi “i udhëve të mundshme” nëpër të cilat “do të bëhej” demokracia. Prandaj, ky shkrim edhe mban titullin : “Më lehtë është ‘të qenët demokratë’ se ‘të bësh’ demokracinë”.

Mirë është shprehur Giovanni Sartori: ”Nëse të përkufizosh demokracinë do të thotë të shpjegosh ç’do të thotë vetë fjala, problemi është i zgjidhur, mjafton të kuptosh pak greqisht…”, sepse kjo fjalë do të thotë :pushtet (kratos) i popullit (demos). Përkufizimi i demokracisë është një problem më kompleks, të kuptuarit e demokracisë një tjetër problem edhe më kompleks, ndërsa “bërja e demokracisë” një problem i tretë, ende më kompleks se dy të parët.

Kur shprehem kështu kam parasysh se “midis fjalës dhe asaj që tregon ajo, midis emrit dhe objektit, largësia është e madhe”. Me të vërtetë është e madhe. Merrni “me mend” numrin e shteteve në botë të cilat “deklarojnë se në to sundon demokracia” dhe kini parasysh “gjendjen faktike” në ato vënde. Lajthitja më e madhe që “i bëhet demokracisë” është “kur të jepet një parim si diçka e vërtetë”.

Se Shqipërisë, po si “buka dhe uji” i duhet një “qeverisje demokratike e vëndit” është, të shprehëm më gjuhën e mathematikës, një “aksiomë” (që nuk ka nevojë për vërtetim). Shqipëria ka kaluar nëpër një periudhë në të cilën demokracia “është ndërtuar” në “rrugë jodemokratike”. Këtë duhet ta kenë parasysh pushtetarët “të rinj të vjetër” kur do t’i marrin postet.

Ata duhet të “duken po aq të mëdhenj” sikur në fushatën parazgjedhore, kur kanë aspiruar “dëftesën për poste”. Shqipëria duhet të kalojë prej “demokracisë së qeverisur” në “demokracinë qeverisëse”. Lista e gjendjeve që mund “të prodhohen” me “qeverisje jodemokratike” është shumë e gjerë dhe shtrihet prej tiranisë e despotizmit, kalon nëpër diktaturë e absolutizëm dhe përfundon me autoritarizëm, totalitarizëm dhe autorkraci, gjendje këto që për Shqipërinë e mëhershme dhe “më të re” nuk ishin dhe nuk janë të panjohura.

Prandaj, ”qërimi i hesapeve” me të kaluarën, të largët dhe “të afërt” do të duhej të ishte “detyrë mbi detyrat” e qeverisë së re në Shqipëri, punë kjo që nuk do të bëhet as lehtë dhe as pa mundime, sepse “çdo gjë tjetër ndryshon” më shpejt se mentaliteti, veçanërisht nëse ai “është i murosur”. Për një numër deputetësh “të rinj” në Shqipëri do të duhej “të kalonte kohë e gjatë adaptimi” në një qeverisje të vëndit e cila shikimin e vetë “do ta drejtonte” në “bërjen e demokracisë” një realitet. Ky do të duhej të ishte “qëllimi” i qeverisë së re. Ajo do të duhej të kishte para vetes këshillën se vetëm realizimi i qëllimit “mund ta mbajë në pushtet”. Në Shqipëri do të përparojë ajo qeveri që do të di saktësisht “se çka do”.

Qeveria e re në Shqipëri duhet “ta nxjerrë vendin” nga një gjendje në të cilën ai “i ngjan fëmijës që sapo ka lindur i dobët”. Nuk më duket se qeveria e re do të duhej “të humbaste shumë kohë” në “kërkimin e diagnozës” sa në “gjetjen e terapisë ”për “ta ngritur në këmbë të veta”.

Dua të shpresoj në “konziliumin e mjekëve”, pra në ekspertët që janë grumbulluar rreth KOP-it se do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë jo “në të mirë të partisë”, por “me interes për vëndin”, të vetëdijshëm se “udhën drejt qëllimit ”do të “jenë të detyruar” ta ndajnë në etapa. Bërja e punës “në etapa” është treguar përherë më produktive se “goditja e menjëhershme”. E para e ruan “gurin e themelit”, e dyta lehtë mund “ta shemb atë”. Mos të harrojmë se në Shqipëri kanë ndodhur shumë rrënime dhe se ajo më shumë se asnjëherë më parë “ndien nevojën për ndërtime”.

Shqipërisë i duhet një “konsensus” për vlerat themelore të demokracisë, sepse vetem ai mund “të sigurojë” një qëndrueshmëri të saj. Mirëpo, nuk duhet “jetuar në iluzione” se ai konsensus do të arrihet lehtë dhe pa mundime. Shqipëria do të kalojë nëpër të ashtuquajturin “konsensusin procedurial”, që do të thotë “të pajtuarit me rregullat e lojës demokratike” dhe duhet të jetë e gatshme edhe për “disensusin”, që në fakt, do të thotë mospajtim. Teoria e demokracisë e quan “tharm që i jep shpirt” demokracisë “të pajtohesh me mospajtimin”.

Qeveria e re e Shqipërisë duhet “të shfrytëzojë” shansin që “po i jepet”, duke pasur para vetes edhe një këshillë tjetër: ”Çdo shans i pashfrytëzuar humbet përgjithmonë”.

Qeverisja e mirë është e nevojshme në Shqipëri jo vetëm për funksionimin normal “të një rendi”, por edhe për sigurimin e zhvillimit të vazhdueshëm të tij”. Volteri e ka thënë drejtë: ”Qeverisja më e mirë është ajo në të cilën njeriu i nënshtrohet vetëm ligjeve”. Po ta përshtatnja mendimin e tij për qeverinë, do t’i shtoja se : “Qeveria më e mirë është ajo e cila vetë i nënshtrohet ligjeve”. Ajo që është “më e vështirë” se padrejtësia është drejtësia.

Shqipëria njeh shumë padrejtësi dhe “ndien nevojën për shumë drejtësi”. Drejtësia trimbërohet me zbatuesit e ligjeve, e dhunohet me shkelësit e tyre. Fatkeqësia më e madhe është ajo, nëpër të cilën “ka kaluar” Shqipëria kur ligjet i kanë shkelur ata që ka qenë dashur vetë t’i zbatojnë.

Qeverisësit e rinj në Shqipëri duhet të kujdesen shumë që të mos e shpërdorojnë pushtetin. Kënaqësia për pushtetin është shumë e madhe dhe ajo nuk ka lindur sot. Prandaj thuhet: ”Pushteti është ilaçi në të cilin politikanët kapen si në grep”. T’i bësh një këshillë pushtetarëve “është rrallë e mirëpritur”. Po, t’i bësh një kritikë është shumë neveritëse. ”Pushteti është alergjik në kritikën, sa më e ashpër që është kritika, alergjia bëhet më e madhe”. Do t’u sugjeroja pushtetarëve të rinj në Shqipëri që “t’i mirëpresin” edhe të parat, edhe të dytat, sepse ato, kur bëhen me qëllimin e mirë, ”mund t’i korigjojnë” veprimet e tyre. Eshtë shumë më mirë të korigjosh së pari se të gabosh së dyti.

Qeveria e re në Shqipëri duhet të jetë shumë e vëmendshme që “postet t’i ndajë sipas zotësive, e jo sipas partive”. Me një shkrim timin të mëhershëm kam përdor vetëm pjesën e parë të mendimit të Tallejrandit se : “Arti i vendosjes së njerëzve të duhur në vendin e duhur është kusht i parë në shkencën e qeverisjes ”dhe, nuk e besoj se dikush do të mund të provonte të kundërtën. Pjesa e dytë e mendimit të tij është “një diçka” që provokon përherë: ”arti i gjetjes së vendeve për të pakënaqurit, është më i vështiri”. T’i gjesh njerëzit që do të realizojnë qëllimet e qeverisë është thelbi i “ndarjes së posteve”. Ka një mendim shumë të urtë në lidhje me këtë: ”Nëse do që një punë të bëhet mirë, zgjidh një njeri që është i zënë, të tjerët nuk kanë kohë”. Shqipëria ndien nevojën për të parët.

Në mbyllje të shkrimit, do të dëshiroja që të bëja edhe një sugjerim. Nëse qeveria e re e Shqipërisë do “t’a ndiej nevojën” për të qenë një “qeveri shqiptare” në kuptimin më të plotë, le “t’a ndiej nevojën për ta konsideruar dhe për ta shtruar çështjen shqiptare si një dhe të bashkuar”. Koha dhe rrethanat në të cilat jetojnë sot shqiptarët të ndarë në disa shtete do “t’a shtrëngojnë qeverinë” e re në Shqipëri që të ndërmerr veprime kombëtarisht më racionale se paraardhsja e saj.

Shqiptarët po kalojnë nëpër njerën nga periudhat e tyre më të rëndësishme si popull dhe si komb. Shqiptarët e ndarë, administrativisht dhe politikisht, preokupohen me të drejtë, me të tashmen “ende shqetësuese” dhe janë në kërkim të “së ardhmes premtuese”. Nuk dua të dyshoj se qeveria e re e Shqipërisë nuk do ta ketë parasysh edhe këtë fakt.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top