Shkruan: Kastriot Dervishi
Ka më shumë se dy javë që telefoni im nuk përgjohet. Nuk dëgjohet më te bashkëbiseduesit e mi jehona e thellë e zërit apo përsëritja kumbuese e fjalëve. Ndoshta janë lodhur përgjuesit, por ndërprerja e përgjimit, ndodhi pikërisht tani që po bëhet zhurmë rreth përgjimeve.
Unë hyj te njerëzit që e kanë bezdi celularin. Përdor një aparat të vjetër. Pasion mbeten serverët dhe kompjuterët, por asnjëherë nuk më hyjnë në sy celularët. Numrat që kam përdorur nuk janë në emrin tim, por të njerëzve të zakonshëm. Si duket, nga biseda me njerëz të tjerë të njohur apo të zakonshëm, përgjuesve u ka dalë emri im. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se çfarë kanë kërkuar prej meje përgjuesit.
Përgjimi ka qenë në masën 90% gjatë vitit 2015 dhe këto muaj të vitit 2016. Ka pasur raste që ndërpritej e pastaj fillonte prapë. Para 6 muajsh duke biseduar me mikun tim Gazmendin, biseda u ngri dhe pajisja e përgjimit xhiroi keq e me zhurmë për 20 sekonda.
Në shkurt të këtij viti fola në darkë ora 20.00 me një njeri publik. Qëlloi që përgjuesit më kishin lënë disa ditë pushim. Të nesërmen qysh në mëngjes rifilloi përgjimi.
I ndodhur në këto kushte, e vetmja gjë që duhet të bëja ishin dizinfomacioni dhe rritja artificiale e kohës së bisedave. Duke përfituar nga ofertat e kompanive telefonike, rreth 95% të gjithë kohës telefonike ia kam kushtuar talljes me përgjuesit. U kam shkruar mesazhe sikur po qëndroja me shefat e tyre, u kam vënë filma, muzikë, etj. Të vetmen gjë që kisha në dorë, t’u merrja kohën ua kam bërë. Sigurisht kam vazhduar punët e mia në kohën që celulari ka qëndruar i hapur. Kurrë në jetën time nuk jam tallur kaq shumë me përgjuesit e mi. Por ka dy javë që shenja e tyre nuk po duket. Mungon jehona karakteristike dhe zërit. Më ka marrë malli për përgjuesit e mi. Pse ndaluan pikërisht këto ditë?