Me 13 shtator 1943, Patër Anton Harapi emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944

SHKRUAN: ALBERT VATAJ

Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, u shpreh:

“Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.

I plotfuqishmi i Rajhut në Evropën Juglindore, Herman Nojbaher shkruan te Kujtimet e tij me vlerësim të madh për personin e P. Antonit. Ishte fundi i qershorit të 1944 kur Nojbaher i hipi avionit për të fluturuar drejt Beogradit dhe Át Antoni që i thotë se “nuk mund ta duronte më politikën” dhe vajti me të. Pas disa javësh qëndrim në Vjenë e Tirol, kthehet në Shqipëri.

Me marrjen e kryeqytetit nga ana e komunistëve, frati bashkë me mikun dhe kolegun e tij në Regjencë, Lef Nosin shkojnë në Shkodër dhe bujnë për do ditë në Kuvendin Françeskan të qytetit. Iu ngjitën Dukagjinit dhe mbas pak ditësh në Kir, më 5 dhjetor të 1944 vendosen në Plan të Pultit. Prenkë Ndou, kryetari i këshillit dhe bajraktari i fshatit e strehon tek një vejushë në Lumaj, një vend ku ishin vetëm dy shtëpi.

Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur, ngase qe diktuar prej objekteve që patën pa grupi i kontrollit.

Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Patër Antoni është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top