MBIJETESË NËN TERROR

Shkruan: Xhafer Sadiku

Në gusht 1976, Seksioni i Sigurimit të Shtetit në Përmet mori në analizë familjet e cilësuara kulak në rrethin e Përmetit. Sipas sigurimit, në rrethin e Përmetit ishin cilësuar kulak 86 persona, të ndarë sipas zonave: 37 persona në zonën Sukë-Ballaban, 20 në zonën e Këlcyrës, 22 në zonën Qendër-Frashër, 4 në zonën Përmet-Qendër dhe 3 në zonën e Çarshovës.

Të ndarë sipas viteve të cilësimit kulak, ishin: në vitin 1950 cilësuar 1 person (në fshatin Shelq), në vitin 1951 ishin cilësuar 78 persona, më 1953 u cilësuan 3 dhe në vitin 1954 e 1955 përkatësisht nga dy persona.

Partia e Punës “përcaktoi si formë kryesore të luftës kundër kulakut kufizimin ekonomik dhe izolimin politik”.

Kufizimi ekonomik kishte për objektiv:

Të dobësonte gradualisht bazën ekonomike të kulakëve, duke mos i lënë të ngrinin krye, të dobësonte ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik; gjë e cila do të çonte në likujdimin e krejt bazës ekonomike të tyre.

Objektivi i izolimit politik ishte:

Të mënjanonte plotësisht influencën e kulakëve në masën e gjithë fshatarëve, … të ngrinte lart vigjëlencën revolucionare dhe mobilizimin e masave të gjëra të fshatarësisë në zhvillimin e luftës së klasave.

Si rezultat i një pune të madhe që bënë në këtë drejtim organet e sigurimit “duke u bazuar gjithmonë në direktivat e Partisë dhe udhëzimet e Ministrisë, organizuan mirë punën agjenturalo-operative në drejtim të elememtit kulak duke goditur shumë prej tyre kryesisht me anë të arrestimit…” Pati shumë të arrestuar dhe të dënuar me burgime të gjata.

Në vitin 1976 në rrethin e Përmetit ishin 23 persona të cilësuar kulak, ku 14 ishin në zonën Sukë-Ballaban, 6 në zonën Qendër –Frashër dhe 3 në zonën e Këlcyrës.

Të regjistruar në evidencën e kontigjenteve nga kulakët dhe familjet e tyre ishin 91 persona, ndërsa nga lidhjet shumë të afërta të tyre 188 persona.

Elementi kulak dhe lidhjet shumë të afërta të tyre që ishin regjistruar në evidencën e kontigjenteve nga ana e sigurimit, kontrolloheshin nëpërmjet vijës së masave dhe agjenturës.

Kështu, në vitin 1976, Sigurimi kishte 3 bashkëpunëtorë nga radhët e ish kulakëve, 6 bashkëpunëtorë nga lidhjet shumë të afërta të kulakëve ose ish kulakëve dhe 15 bashkëpunëtorë (me biografi të mirë) që jepnin informacion kunder kulakëve, familjeve të kulakëve dhe lidhjeve shumë të afërta të tyre që ishin në kontroll operativ 2/B ose të regjistruar në kontigjente.

Punëtorëve operativë të zonave iu vu detyrë të ribëhej studimi i elementit kulak dhe ish kulak, për të parë nesë kishte ngelur ndonjë person i cili nuk ishte marrë në kontroll operativ 2-B ose ne kontigjent.
Dy vjet më vonë, numri i kulakëve ishte po ai, ndërsa agjentura që i kontrollonte përbëhej nga 2 agjentë dhe 21 informatorë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top