Kriza politike në Shqipëri po e detyron Edi Ramën të kërkojë aleatë në Beograd e Nish, si e vetmja mënyrë për të shmangur dështimin e qeverimit. Në Nish, deklarimet e kryeministrit mbërritën nivele skizofrene, kur deklaroi se: “do t’i kthejmë kufinjtë në ura që na bashkojnë me serbët”, kur Shqipëria s’ka kurrfarë kufiri me Serbinë e kur shqiptarët e Kosovës që i kanë këto kufij e kishin bojkotuar hajgaren e Ramës me Vuçiçin. Reagim i egër në Prishtinë, ku politikanë e media kanë dënuar qëndrimin paternalist të kryeministrit shqiptar ndaj Kosovës, duke shfaqur qartë shenja pazari në kurriz të shtetit të ri ballkanik.
Skandali i Nishit – Edvini mori shembull Ivo Andriçin, “Hitlerin” e shqiptarëve në Ballkan
Turi i takimeve të kryeministrit Edi Rama në Serbi ka vijuar edhe ditën e djeshme, ku radhën e ka patur Forumi i Biznesit në Nish, ku me besimin e plotë të tij dhe kryeministrit serb Vuçiç u themelua dhe një Odë e përbashkët ekonomike midis Shqipërisë dhe Serbisë duke eliminuar edhe njëherë Kosovën. Pafytyrësia e Edi Ramës është shfaqur ditën për diell si një lojë e tij dhe mikut të tij Vuçiç, sepse ai flet në emër të Prishtinës zyrtare duke zbehur shtetësinë dhe autoritetin e Kosovës së pavarur, në një moment delikat të bisedimeve Prishtinë-Beograd. Qëndrimi i Ramës në Beograd e Nish është një detaj që inkurajon qarqet serbe të propagandës të cilët e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë dhe i shtyn që të luajnë më tepër me deklarata dhe sulme ndaj Prishtinës zyrtare. Dashamirësia serbe ndaj Ramës rikonfirmon edhe njëherë dashakeqësinë ndaj Kosovës. Rama shkon në Serbi dhe ndjek një linjë paternaliste, duke mbështetur indirekt qëndrimet serbe të cilat nuk e njohin Kosovën si shtet. Madje, madje ai synon të bëhet kështu zëri i Prishtinës zyrtare, çka krijon hipotezën se Rama nuk pranon dot që Kosova ka një parlament të vetin, sovranitetin e vet dhe intelektualë të cilët duke e njohur më mirë se ai çështjen Kosovë-Serbi mund ta diskutojnë edhe me më shumë efikasitet në bisedimet dypalëshe. Kryeministri na shfaqet si një palë e tretë, që kërkon të përdorë çështjen e Kosovës, për interesat e tij partiake dhe një palë e tretë që më shumë luan për interesat serbe sesa ato mbarëshqiptare në rajon. Le të mos harrojmë se Rama është një prej pinjollëve të atyre që e përdorën Kosovën si kokë turku dhe nuk nguruan ta shisnin atë së bashku me interesin kombëtar në duart e serbëve ndër vite. Ndaj mbështetjen ndaj linjës anashkaluese që është ndjekur në të shkuarën me Kosovën ai e rikonfirmoi edhe dje duke cituar Ivo Andriçin, i cili është një shkrimtar serb që në themel të veprimtarisë së tij jetësore luftoi për të konkretizuar asimilimin e shqiptarëve. Rama u shfaq në Nish më proserb se kurrë më parë duke e neglizhuar Kosovën e madje duke nderuar figura serbe që i kanë vrarë me armë dhe penë shqiptarët e Kosovës.
Skandali i Edi Ramës, në Nish merr shembull Ivo Andriç, “Hitlerin” e shqiptarëve ne Ballkan
Edi Rama dje në Nish para politikanëve dhe biznesmenëve serbë, teksa ka folur për raportet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, citoi shkrimtarin serb Ivo Andriç. Andriç, i njohur me elaboratet e tij kundër shqiptarëve, ka qenë diplomat dhe letrar serb e jugosllav, i cili në vitin 1961 ka marrë Çmimin Nobel për Letërsi, në saj të angazhimit të tij në shkrime për asimilimin e shqiptarëve të Kosovës dhe ndarjen e Shqipërisë. Kryeministri i akuzuar nga analistët në Kosovë e Shqipëri si pazarxhi që vendos përpara Ksovës interesat e tij personale, dha kështu një sinjal ë dytë skandaloz se për të marrëdhënia perosnale me Vuçiçin dhe loja me kartën e nacionalistit janë arsyet e vetme se përse udhëton drejt Beogradit. Duke cituar Andriçin, Rama e konfirmoi përfundimisht se për të çështja e Kosovës është totalisht e parëndësishme dhe se thelbi i ndjekjes së linjës paternaliste ndaj shqiptarëve të Kosovës, përmban prapavijë politike dhe interesazh biznesi. Por ja si Andriç nëpërmjet një elaborati të tij i bënte jehonë ndarjes së Shqipërisë, si një benefit për Serbinë:“Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare të Kosovës, e cila në situatën e re lehtësisht do të asimilohej. Ne eventualisht do të fitonim 2-300.000 shqiptarë, por këta shumica janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë asnjëherë të mira. Çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë në Turqi do të bëhej gjithashtu në rrethana të reja, sepse nuk do të kishte kurrfarë aksionesh të forta për pengimin e tij.
“Rama s’thotë asgjë për autostradën “Durrës –Nish”
Në Forumin e Biznesit ku po marrin pjesë Kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë është folur edhe për autostradën që lidh Kosovën me Serbinë dhe Shqipërinë. Vuçiç ka përdorur emërtime të ndryshme për këtë projekt duke e quajtur herë autostrada “Nish –Prishtinë” e herë “Beograd –Tiranë”. Ajo çka ka lënë një përshtypje të hidhur tek shqiptarët ka qënë neglizhenca që Rama ka treguar ndaj këtij projekti, nyja kryesore e të cilit kalon nga Prishtina. Rama nuk e ka zënë në gojë fare këtë projekt, ndërkohë që përfaqësuesja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor e ka quajtur “Autostrada e Paqes”. Por kjo nuk është hera e vetme kur Rama anashkalon Prishtinën zyrtare nga projektet e mëdha të rajonit. Edhe vitin e kaluar kur Rama dhe Vuçiç nënshkruan marrëveshjen për këtë autostradë, kryeministri që na hiqet si nacionalist i thekur e emërtoi atë si autostrada “Nish –Durrës”, duke shkaktuar polemika të mëdha në Prishtinë, për shkak të neglizhencës që ai tregon ndaj Kosovës. Nëqoftë se do të merrnim në analizë anshkalimin e djeshëm të Ramës, vlen të themi se e vërteta e këtij turi takimesh në Serbi qëndron tek dëshira e kryeministrit për të bërë biznes me mikun e tij Vuçiç, pa kursyer në këtë biznes as të ardhmen e pavarur të Kosovës, të cilën e sheh si një kartë me të cilën mund të luajë sa herë që përpiqet të përmbushë interesat personale.
Rama: T’i kthejmë kufinjtë në ura që na bashkojnë e t’i japim jetë një tregu të përbashkët
“T’i kthejmë kufinjtë në ura që na bashkojnë e t’i japim jetë një tregu të përbashkët”. Ka qenë ky apeli i Kryeministrit Rama gjatë fjalës së tij në Forumin ekonomik Shqiptaro-Serb të mbajtur në Nish të Serbisë. Për të evidentuar sa kanë ndryshuar marrëdhëniet mes dy vendeve, Kryeministri rikujtoi për pjesëmarrësit atmosferën e ndeshjes Serbi-Shqipëri, e cila u zhvillua në të njëjtën datë të dy viteve më parë.
I mjaftuan pak vizita në Beograd që Edi Rama të fillonte të fliste në serbisht. Fjalimin në forumin ekonomik shqiptaro-serb, i cili u zhvillua në Nish të Serbisë, Kryeministri e nisi duke nënvizuar se në të njëjtën datë të dy viteve më parë, u zhvillua në Beograd ndeshja mes kombëtares serbe dhe asaj të Shqipërisë, e cila përfundoi në dhunë.
Që tashmë Rama ndjehet i relaksuar në Serbi, u duk edhe nga stili me batutë që zakonisht përdor gjatë fjalimeve në Shqipëri. Përpara homologut të tij serb dhe rreth 250 sipërmarrësve, Kryeministri i Shqipërisë apeloi për krijimin sa më parë të një tregu të përbashkët rajonal. Edhe Aleksandër Vuçiç duket se tashmë nuk ka më dyshime mbi sinqeritetin e përpjekjes për të përmirësuar miqësinë mes dy popujve. Ideja e një tregu rajonal për Ballkanin, që funksionon nën shembullin e atij të Bashkimit Europian, ka bindur edhe Kryeministrin serb.
Gazeta 55