MARTIRIZIMI I NJË POPULLI

Shkruar nga Mit’hat Frashëri – Gjenevë 1919

Përktheu – Aleko Gjergo

ÇËSHTJA E EPIRIT – LA QUESTION D’EPIRE

I dashur lexues, në jug të Europës, buzë Adriatikut, ndodhet një vend që quhet Shqipëri. Ajo ka qenë pjesë e Turqisë Europiane deri më 1912. Gjatë Luftës Ballkanike ky vend shpalli pavarësinë nëpërmjet një Kongresi të mbledhur në Vlorë, më 28 Nëntor.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër e konfirmoi këtë pavarësi, duke e shpallur Shqipërinë një vend neutral dhe e vendosi atë nën garancinë e Fuqive të Mëdha.

Popullsia e Shqipërisë e kalon pak milionin, por jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbetën më shumë se një milion e gjysmë shqiptarë të tjerë, të ndarë ndërmjet grekëve, serbëve dhe malazezëve.

Popullsia një milionëshe që formon Mbretërinë e Shqipërisë është e përbërë nga katolikë, ortodoksë e myslimanë, që nuk kërkojnë gjë tjetër, veç të jetojnë në paqe, nën mbretin e tyre europian, me fenë kristiane, të cilës ata vendosën t’i kushtohen dhe, që më në fund Fuqitë e Mëdha do t’u japin këtë të drejtë një ditë.

Por, jeta e shqiptarëve do të jetë fatkeqe në tokat e tyre të zëna prej fqinjëve grekë, serbë e malazezë, pasi këta lakmojnë deri edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke shqiptare, me etjen për të parë të zhduken edhe shqiptarët e fundit.

Do t’ju tregojmë këtu për një periudhë të kësaj lakmie të këtyre fqinjëve tepër kristianë.

Krahinat tona më të pasura dhe më të lulëzuara të Jugut, tani s’janë veç gërmadha të mbuluara nga hiri. Një popullsi e tërë paqësore, që kërkon veç të jetojë në tokën e të parëve të saj, është shfarosur.

Shqipëria neutrale e nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha, është shqyer e copëtuar prej Greqisë. Ky krim është i pashembullt, pasi është pasojë e pabesisë dhe e dredhisë. Kjo fatkeqësi nuk është pasojë e një lufte. Fshatrat tona nuk u shëndërruan në hi dhe njerëzit tanë (përfshi gra dhe fëmijë), nuk u masakruan gjatë furisë së ndonjë beteje. Këto barbari u kryen me qetësi dhe të peshuara mirë e bukur. Këto tmerre u injoruan, madje kaluan pa u vënë fare në dukje.

Shumë pak persona të së ashtuquajturës botë e qytetëruar, u shqetësuan për këtë. Disa syresh edhe i duartrokitën, duke u përpjekur t’i quanin ato si një veprim civilizues të Greqisë.

Në verën e vitit 1913, Zografos, Ministër i Jashtëm i Greqisë, atëherë guvernator i Janinës, gjatë një darke që jepej për shqiptarët e shquar të Janinës dhe rretheve tjera, përveç mjaft fjalëve plot butësi evangjelike, la të shqiptoheshin nga goja e tij auguste edhe këto fjalë “mirësie” të përjetshme:

“Mos krijoni iluzione; edhe nëse do të jemi të shtrënguar ta braktisim Epirin, ne nuk do të lëmë veçse tokën, gjithçka mbi dhé do të rrafshohet”.

Meqenëse në fëmijërinë tonë nuk patëm mësuar që çdo grek është në mënyrë të natyrshme gënjeshtar dhe batakçi, ne besojmë se edhe në këtë rast bëhet fjalë për një kërcënim të pafuqishëm.

Tani, Zografos është shfaqur si burrë me karakter dhe i ndershëm. Në zanatin e tij prej batakçiu, ai e mbajti fjalën.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër nuk shënoi asnjë pikë për kufirin jugor të Shqipërisë. Ajo vendosi ta rishohë çështjen në terren nëpërmjet një Komisioni Ndërkombëtar, i cili do të caktonte këta kufij pas një studimi etnografik të rajoneve.

Shumë shpejt, një komision i përbërë nga përfaqësues të Fuqive të Mëdha, shkoi në Korçë dhe përshkoi vendin ndërmjet këtij qyteti dhe detit, duke kaluar nga Kolonja, Përmeti, Leskoviku, Gjirokastra e Delvina.

Me të mbaruar punë, ai u kthye në Firencë dhe përgatiti një protokoll, ku njihte plotësisht karakterin krejtësisht shqiptar të rretheve e krahinave të vizituara.

Ç’komedi qesharake?

Një shembull tjetër i hileve greke: në fshatin Qinam të Kolonjës, ku Komisioni duhet të kalonte në mbrëmje vonë, autoritetet greke varën një kambanë në një pemë me qëllim që të krijohej përshtypja e pranisë së një kishe ortodokse. Disa fëmijë të vegjël, të sjellë nga larg duhet të llomotisnin greqisht! Ndërkaq, njëri prej fshatarëve, bashkëshoqërues i Komisionit i nxorri bojën kësaj hileje aspak të ndershma dhe fort të trashë të autoriteteve greke.

Gjatë gjithë kësaj kohe, rrebeshi i telegrameve dhe peticioneve drejtuar Konferencës së Ambasadorëve nuk rreshti për asnjë çast. Qindra mijëra shqiptarë në Rumani, Egjipt, Amerikë, si dhe ata që gjenin prehje në Vlorë, të gjithë me origjinë nga provincat e Korçës dhe të Gjirokastrës, pjesa më e madhe e krishterë, kërkonin t’ bashkoheshin Shqipërisë, duke protestuar nëpërmjet ndjenjave të tyre shqiptare.

Këto dokumente janë të regjistruara në regjistrat arkivialë të Konferencës së Ambasadorëve, por shumë pak gazeta pranuan të hapnin kolonat e tyre me to.

Kështu pra, u njoh që Korça dhe Gjirokastra t’i ktheheshin Shqipërisë si më parë. Populli shqiptar manifestoi vullnetin e tij dhe komisioni konstatoi në vend karakterin krejtësisht shqiptar të banorëve. Këtej vijës së kufirit mbeteshin në Shqipëri, në jug të Delvinës një dyzinë fshatrash të përzier me grekë apo shqiptarë të greqizuar. Ndërsa, përtej kësaj vije, prej Kepit të Ftelië deri në Prevezë e Janinë, mës humë se 100 mijë shqiptarë (një pjesë e madhe e të cilëve në Çamëri, rajon i banuar prej shqiptarëve më të mirë) i mbeten Greqisë.

Kështu, nëse për këtë çështje kishte ndonjë që duhet të hidhërohej, kjo ishte sigurisht Shqipëria dhe aspak Greqia.

Pra, Greqisë si mbeti gjë tjetër, veç të pranonte si një favor këtë vendim dhe t’i nënshtrohej atij. Në fakt, këtë ajo e bëri në dukje dhe nëpërmjet notës së saj më datën 21 shkurt 1914, kur njoftonte Fuqitë e Mëdha se e pranonte vendimin e tyre.

Por, hespaet duheshin bërë gjithmonë, duke pasur parasysh pabesinë greke. Duhej përdorur dredhia, atje ku metodat bindëse nuk mund të ndikonin.

Zografos ishte atje dhe ai s’e kishte harruar kërcënimin e bërë. Ne nuk mund ta ndajmë veprimin e Zografos prej veprimit të qeverisë greke.

Edhe nëse Venizellos ishte vërtetë i sinqertë, s’kishte asnjë dyshim se Zografos vepronte në një mendje me klikën ushtarake greke, shef i së cilës ishte mbreti Konstadin. Zografos me kompani kërkonin pra, një marifet dhe do të kopjonin atë nga autonomija jetëshkurtër e Gumuldinjës. Por, ndërsa atje komedia kishte një karakter të parrezikshëm, këtu gjërat u shëndërruan në tragjizëm dhe komedia e ashtuquajtur epiriote, la pas një vrazhdë të kuqe në analet e kohës.

Masat e nevojshme ndërkaq ishin marrë dhe Zografos nuk i fshihet aspak qëllimet e tij: fjala ishte për të mbajtur Epirin dhe në pamundësi, të mos braktisej ky rajon i shqiptarëve pa e masakruar dhe pa e shkatërruar më parë rrafsh me tokën.

Që në fillim të pushtimit të tyre, grekët ishin përpjekur të formonin disa “legjione të shenjta” me vullnetarë shqiptarë, të destinuar për të përkrahur bashkimin e Epirit me Greqinë.

Të rinjtë merreshin me forcë, të terrorizuar prej oficerëve dhe nënoficerëve grekë. Zanatçinj dhe dyqangjinj paqësorë shkuleshin me dhunë nga punët e përditshme të tyre dhe stërviteshin ushtarakisht.

Sidoqoftë, këto ishin veprime që nuk mund të shkaktonin turbullira. Por Greqia, e cila e dinte më mirë se kushdo, që për ta mbajtur Epirin nuk mund të mbështetej kurrsesi te shqiptarët e vërtetë, veproi në mënyra rë tjera. Në krye ajo iu drejtua dy Fuqive mike dhe mbrojtëse, Francës dhe Rusisë, prej të cilave fitoi shpejt mbështetjen dhe ndihmën e duhur.

Sidoqoftë, vetëm politika e pamjaftueshme për të dhënë rezultate pa u mbështetur nga një forcë materiale dhe, meqë kjo forcë nuk mund të rekrutohej brenda vendit (cili shqiptar do të kishte dëshirë të luftonte për aneksimin e atdheut të tij nga Greqia?!), u përdor pak dinakëri, gjithnjë sipas mënyrës greke. Ushtarë të rregullt grekë, nën komandën e oficerëve të tyre, u masakruan si të ishin vendas, duke u hequr si banda epiriote, me fjalë të tjera si shqiptarë që kërkonin bashkim me Greqinë dhe që luftonin për këtë bashkim!

Atëherë, me qëllim që të krijohej ideja se rrethet e Epirit ishin zbrazur prej grekëve, të njëjtët ushtarë, me të njëjtët oficerë në krye, bënin të njëjtën udhë në drejtim të kundërt dhe merrnin rishtazi në zotërim të nje¨jtat rajone, gjithmonë me po ato armë të tyre, pushkë, municione, mitraloza e të tjera.

Largimi i ushtarëve grekë apo më mirë, gjoja zbrazja e Epirit, filloi nga Korça, më 3 Mars 1914. Në këtë ditë u mbajt një procesverbal ndërmjet kolonelit grek Konduli dhe majorit shqiptar Mustafa. Xhandarmëria jonë, e organizuar prej misionit hollandez, mori në zotërim qytetin e Korçës dhe hareja e përgjithshme arriti kulmin sa në këtë krahinë aq edhe në tërë Shqipërinë.

Pritej që ky lajm të vazhdonte; shpresohej të shihej që vendi i pastruar nga uzurpatorët, të kthehej te mëma për t’u bashkuar me të. Por, a është e mundur vallë t’i zihet besë ndonjëherë fjalës së dhënë prej një greku dhe nderit të tij?

Ja disa fakte që do të shërbejnë për të ilustruar historinë e vështirë Epiriote dhe, që do të mund të hedhnin mbi të një farë drite.

Më 19 mars, grekët lajmëruan xhandarët tanë që të shkonin për të marrë në dorëzim fshatin Odriçan pranë Frashërit (kazaja e Përmetit). Por në momentin kur tanët u futën në fshat, grekët tradhëtisht hapën zjarr nga kisha: Oficeri Qani u plagos, ndërsa 12 burra u vranë.

Natën e 18 marsit u luftua në Radom, pranë Leskovikut, të cilin grekët e kishin zbrazur dhe ia kishin dorëzuar xhandarmërisë shqiptare. Ndërkaq po këta grek kthehen dhe sulmojnë njerëzit tanë, por, përballë rezistencës së vendosur morën arratinë, duke lënë tridhjetë të vrarë.

Po atë ditë, grekët, si hakmarrje për humbjen e tyre të paparashikuar, ekzekutuan shtatë fshatarë, ndër ta edhe një djalë katërmbëdhjetë vjeçar. (Këta fshatarë të ngratë ndodheshin në duart e grekëve në Leskovik, si karvanarë të marrë me qira).

Ja pra, ndershmëria dhe besnikëria e grekëve!

Ndërsa zyrtarisht e sa për sy e faqe gjoja largoheshin ushtarët grekë nga Epiri, ndërkohë rrënohej vendi e bëhej kërdia.

Zografos, Venizellos dhe Lidhja (ose më mirë klika ushtarake) paguhej nga kreu i Fusive të Mëdha!

Kështu luhej komedia:
Grekët luanin rolin e tyre dhe Europa bënte sikur s’e kuptonte, ose më keq akoma, lëshonte klithma admirimi për poshtërsitë e panumërta të tyre.

Tamam të nesërmen e të ashtuquajturit largim të ushtarëve grekë prej Korçës, disa korrespondentë gazetash përhapnin zëra për ripushtimin e qytetit prej grekëve.

Megjithëse kthimi i këtij kryevendi u krye në formën e duhur, ishte shumë e vështirë të merrej me mend goditja e projektuar nga fqinjët tanë të jugut.

Në të njëjtën kohë në Shqipëri thuhej dhe besohej sinqerisht, se Greqia nuk do të guxonte kurrë ta bënte një gjë të tillë nën hundën e gjashtë Fuqive nënshkruese të Traktatit të Londrës, të cilat në mungesë të ndonjë ndjenje tjetër, duhej të kishin të paktën një çikë sedër.

Ndërkaq, ja se ç’ndodhi

Grekët, duke e braktisur Korçën, kishin lënë në qytet rreth tridhjetë të sëmurë me dy mjekë, një oficer dhe disa ushtarë, që duhet t’u rrinin te koka të sëmurëve.

Kjo ishte një vatër e vogël infeksioni, që gabimish u tolerua, pasi disa andartë grekë u futën tinëz në qytet dhe netët e 3 dhe 4 prillit, u tentua kryerkja e një aksioni, i cili dështoi menjëherë përpara rezistencës së banorëve vendas.

Kur besohej se rreziku kishte kaluar, në datën 5 po të atij muaji, u mësua mbërritja e një bande të armatosur pranë Korçës. Këtu u zhvillua një luftim i vërtetë, prej të cilit agresorët morën arratinë duke shpëtuar kokën.

Ç’farë kishte ndodhur?

Zografos dhe klika ushtarake përgjonin kryerjen e aksionit të armatosur në Korçë, të përgatitur prej grekëve nën patronazhin e peshkopit grek të qytetit, një fanatik sektar, andart siç ishin të gjithë priftërinjtë e sjellë prej Patriarkanës Ekumenike të Konstantinopolit, një kolerë e vërtetë për besimtarët ortodoks shqiptarë, të cilëve ata mendonin t’u udhëhiqnin shpirtërat.

Megjithatë, aksioni i armatosur në Korçë dështoi, qeveria helenike e mori vetë çështjen në dorë, duke shpresuar se shpata do të ishte më e fuqishme dhe më e vlefshme se vet kryqi.

Treqind e pesëdhjetë ushtarë u nisën nga Kosturi (qytet në jug të Korçës, një territor shqiptar i aneksuar nga Greqia), të komanduar nga oficerë të ushtrisë aktive të madhërisë së saj helenike Mavraza, Laza, Benapoli, Asterio dhe Ilia Papagerogiu.

Shtojuni këtyre oficerëve edhe një personazh me fizik të mbrapsht, një lloj Kuazimodo të quajtur Bussios, ish deputet grek i Sërfixhës në parlamentin otoman dhe do të keni para syve të gjithë ngjarjen e nevojshme.

Ushtarë e oficerë, përpara se të merrnin udhën e agresionit, do të merrnin bekimin e peshkopit grek të Kosturit. Gjatë këtyre operacioneve grekët nuk ngurruan të kryenin qindra mizori: i vunë flakën shumë fshatrave, therrën e dogjën të gjallë banorët paqësorë e të pafajshëm, përfshi këtu edhe gra e fëmijë. Fshatarët e tjerë u larguan me forcë për të krijuar idenë e rreme të një eksodi ndaj qeverisë shqiptare. 

Të gjitha këto me synimin e vetëm për të shkretuar vendin dhe për të mbjellë skamjen. Ndërmjet krimeve të shumta të tyre mund të përmendim vrasjen e një prifti vllah: Papa Harallambi i Korçës, i therrur me gjakftohtësi bashkë me të vëllain dhe kushëririn e vet.

Ky krim i kryer ndaj një personaliteti të shenjtë ngjalli indinjatë dhe zemërim të madh. Ndërsa këto krime kryheshin në Korçë, në një mënyrë të ulët e të pandershme, gazetat greke ngazëllonin! Ato nuk gjenin dot shprehje, për të lajkatuar këtë vepër makabre, për të admiruar sakrificën dhe “patriotizmin” grek! “Le temps” njofton më 5 prill, se Korça ndodhej në duart e grekëve!

E njëjta gazetë, pas disa ditësh, në numrin e saj të 13 prillit, thoshte ndër të tjera kështu:

“Gjatë një përleshje të vogël, At Balamaci është vrarë dhe keqtrajtuar rëndë…”

E vini re cinizmin?! Vrasja e poshtër e një prifti të nxjerrë me dhunë nga shtëpia, cilësohej thjeshtë një keqtrajtim…

Po akoma më fëlliqur ishte zhurma që përhapnin grekët, për të mbuluar poshtërsitë e tyre. Po binin të gjitha këmbanat: pa skrupuj e pa turp, grekët çirreshin për kapjen gjoja të vrasësve, kur furisë së tyre shkatërruese nuk u shpëtonte asgjë.

Nuk mund të mos qeshësh, kur lexon gazetat greke të vitit të kaluar! Në numrin e 10 Prillit 1914 te gazeta “Le Temps” lexojmë këtë telegram:

“Athinë, datë 9. Xhandarmëria shqiptare pasi çarmatosi paraprakisht popullsinë e Korçës, nisi masakra të përgjithshme. Qeveria greke i bëri të njohura faktet e saj.”

Kjo është e gjitha! Po të lexosh e dëgjosh grekët, del që janë autoritetet shqiptare ato që masakruan të krishterët! Por, ajo që na çudit në telegramin e mësipërm është ky turp, që ne po e vëmë në dukje më poshtë: duke folur për banorët e Korçës thuhet shpesh “të krishterë”, ose kudo gjetkë dhe përherë grekët përdorin shprehjen “grekë” për të krishterët ortodoks shqiptarë!

Tamam këtu qëndron çmenduria e pakorrigjueshme e fqinjëve tanë të dashur të jugut! Për ata, kushdo që është ortodoks, është doemos grek; është e pamundur për një grek të bëjë dallime ndërmjet kishës, fesë dhe racës nga ana tjetër.

Në këtë mënyrë shqiptarët ortodoks janë marrë për grekë, ashtu siç janë quajtur të tillë si bullgarët, vllehët apo serbët deri në ditët tona.

Përsa u përket grekëve, siç e kemi thënë edhe më lart, ashtu siç e ka përcaktuar edhe Konferenca e Londrës dhe Firencës, nuk ka syresh në të gjithë Shqipërinë, përveq rreth dhjetë fshatrave të përziera në jug të Delvinës, nuk gjendet asgjëkund tjetër qoftë edhe një grek i vetëm.

I mëshojmë termit i VETËM dhe e nënvizojmë atë, sepse grekët, për të cilët janë të huaja të gjitha ndjenjat e ndershmërisë e të trupit, nuk kanë rreshtur kurrë së bëri të pamundurën, për të mashtruar opinionin publik botëror.

Në të kundërt, ka më shumë se 100 mijë shqiptarë në rajonet që shtrihen në jug të Kepit të Ftelias (kufiri jugor i Shqipërisë), në Prevezë dhe në Artë.

Të kthehemi në çështjen e Korçës. Fatkeqësisht e keqja nuk është lokalizuar vetëm në rrethinat e Korçës: murtaja greke shtrihej përgjatë gjithë frontit të kufijve jugorë, nga Bilishti në detin Adriatik, duke kaluar nga Leskoviku, Përmeti, Tepelena, Himara…

Xhandarmëria shqiptare nën komandën e oficerëve hollandez kishte shkuar të merrte në dorëzim krahinat që grekët duhet të zbraznin sipas notës së datës 21 shkurt, nëpërmjet së cilës Greqia deklaronte se i nënshtrohej vendimeve të Fuqive të Mëdha për kufijtë e Shqipërisë. Por në vend të marrjes në dorëzim, xhandarëve tanë iu duhesh të hynin në luftime të vërteta kundër ushtarëve grekë të maskuar, ku më pak e ku më shumë si andartë.

Ne nuk kemi më as më të voglin dyshim, për natyrën e vërtetë të këtyre të ashtuquajtur andartë. Ka dëshmi të shumta të cilat vërtetojnë se këta epiriotë s’ishin gjë tjetër, veçse ushtarë grekë ose vullnetarë. Raporti i gjatë i shefit hollandez në Shqipëri është një provë më shumë për ç’ka parashtruam më sipër. Tani kam para syve dëshmitë e gjashtë grekëve të kapur me armë në duar në Korçë, më 6 prill 1914.

Të gjithë këta “trima” pohuan se ishin ushtarë grekë, duke dhënë saktësisht edhe numrin e kompanisë dhe të batalionit të tyre.

Autori i këtyre radhëve u ndodh më 28 Prill – 9 Maj 1914 në Kolonjë, në jugperëndim të Korçës, me majorin hollandez Verhultst, në një takim që duhej të zhvillohej ndërmjet nesh dhe disa oficerëve epiriotë. Unë pashë tre oficerë grekë, ku më i madhi ishte me gradën e oficerit dhe quhej Cipuro. Ata mbanin të gjithë uniformën greke, kasketën ushtarake dhe kurorën mbi kasketë. Jashtë rregullit, ndërmjet këtyre oficerëve trimoshë, ndodhej njëfarë Stefo, që hiqej si shqiptar, por që ne e njohëm pa mundim, që ishte një grek apo më mirë një vlleh i greqizuar prej rajonit të Gramozit nga fshati Liskatë, i cili ndodhet në territorin shqiptar të aneksuar nga Greqia.

Për askend nuk ishte më mister. Greqia i pranonte me vullnet mjaft të keq vendimet e Fuqive të Mëdha, apo më mirë të themi nuk i pranonte fare ato. Ndërkaq rezistenca e saj u bë akoma më e thjeshtë, pasi Fuqitë e Mëdha nuk ishin hiç të prirura për të mbrojtur vendimet, që ato vetë i kishin marrë në Londër.

Greqia e shtynte gjithmonë për më vonë datën e largimit të trupave greke prej Epirit, ndërkohë që Venizellos u bënte vizitë qeverive të Europës. U tha që ky largim prej Shqipërisë do të fillonte më 18 Dhjetor 1913, pastaj më 18 Janar 1914, më tej akoma më 18 Shkurt dhe më në fund, kjo histori filloi më 13 Mars 1914 prej qytetit të Korçës.

Përballë vullnetit të keq të Greqisë, Shqipëria ishte tepër e dobët dhe aspak në gjendje për të vendosur drejtësinë me forcat e saja. Kështu që ajo vendosi për ta rikthyer çështjen në duart e Fuqive të Mëdha, nënshkruese të Konferencës së Londrës.

Pra, siç e patëm vënë në dukje, vullneti i të mëdhenjëve nuk ishte aspak i mirë sa ç’dëshiruam dhe shpresuam ne. Venizellos kishte arritur të merrte disa premtime gjatë turneut të tij dhe ai shpresonte ta mbante jugun e Shqipërisë. Sidoqoftë, duhej bërë çmos për të mos dalë në shesh të palarat, meqë vet Fuqitë e Mëdha donin të linin përshtypjen që e mbanin fjalën e dhënë, sipas firmës së vënë, ku boja ishte akoma e freskët.

Me një fjalë, duhet lënë të dy palët e interesuara ta sqaronin problemin ndërmjet tyre, pra të vihej përballë Shqipëria e vogël e porsalindur me Greqinë pesë herë më të madhe dhe me një pavarësi gati shekullore.

E kjo Greqi, duke mos dashur të komprometojë përkrahësit e saj, shpiku komedinë epiriote, u përpoq ta bëjë sa të jetë e mundur të besueshme, rezistencën e armatosur nga brenda vendit kundër bashkimit me Shqipërinë! Për ta realizuar këtë projekt, Zografos, ky tradhëtar i shërbente si marionetë e me qejf të madh klikës ushtarake.

Ushtarë, oficerë, municione, armë dhe para u vunë në dispozicion të mjaft ish-burgaxhinjëve të sprovuar nga e gjithë Greqia, që u çuan për të shtuar rradhët e rekrutëve për legjionet, të cilët me kulmin e paturpësisë quheshin të Shenjtë!

E gjithë kjo masë që thamë, u cilësua si epiriote: grekë, andartë, kaçakë të Korfuzit e të Zantës, që të gjithë u vetëquajtën vendalinj, pra shqiptarë të Epirit!

Dhe përballë kësaj paturpësie të qartë, ne lexojmë radhët e mëposhtme të “Le Temps” të datës 26 Prill 1914.

“Qeveria greke ka siguruar se do të përpiqet gjithmonë për të mos penguar veprimtarinë e qeverisë shqiptare dhe ajo e përgënjeshtron kategorikisht thënien se qindra ushtarë të rregullt grekë i janë bashkangjitur lëvizjes kryengritëse.”

Pisum Teneactis?

Këta epiriotë prej Krete, këto legjione të shenjta prej Belzebuth, këta Zografistë (siç thirren ata shkurt) ishin ngarkuar me detyrë për t’a plaçkitur vendin, për ta rrafshuar çdo gjë mbi dhé, tamam sipas fjalës evangjelike të të damkosurit në fjalë.

Përveç kësaj, ky gjoja largim i trupave u krye pjesërisht, pasi ushtarët grekë, në vend që të merrnin mundimin e të riktheheshin duke u hequr si epiriotë, nuk u larguan fare nga skaji jugor i Epirit. Krimet dhe dëmet e bandave Zografiste janë të panumërta,. Mund të thuhet pa e tepruar që i gjithë Jugu i Shqipërisë u rrënua, dy provincat e bukura të Korçës dhe Gjirokastrës, përfshi këtu edhe Bilishtin, Kolonjën, Leskovikun, Përmetin, Frashërin, Skraparin, Oparin, Tepelenën, Kurveleshin u shkretuan: të paktën 250 fshatra të djegura, disa mijëra njerëz përfshi këtu gra dhe fëmijë u masakruan barbarisht. 100 mijë njerëz u detyruan të emigronin me pahir, pjesa më e madhe e të cilëve vdiqën nga uria në Vlorë.

Në “Le Temps” të numrit 10 ne gjejmë një pohim grek mbi krimet që ata kryen. Grekët pranojnë dhe pohojnë me gojën e tyre, se ata djegin fshatrat gjatë tërheqjes dhe që pararoja e përbërë nga kretas vret gjithkënd për të mos lënë shqiptar të gjallë.

Përballë këtyre krimeve të qeverisë greke, as që mund të imagjinohet që xhandarmëria jonë dhe vullnetarët tanë të qëndronin me duarkryq. Një vijë më e gjatë se pesëdhjetë kilometra mbrohej ushtarakisht. Çdo metër katror duhej mbrojtur nga ushtria greke. Zyrtarisht thuhet se Zografos kishte dhjetë mijë deri në gjashtëmbëdhjetë mijë njerëz (shih “Le Temps” të datës 9 Prill 1914). Ne kishim vetëm 3000 xhandarë e disa mijëra vullnetarë të rekrutuar me nxitim dhe të armatosur e pajisur keq. Në fillim ne nuk kishim asnjë top dhe kur i patëm, çështja e Epirit kishte përfunduar në katastrofë.

Pavarësisht numrit të vogël, ushtarët tanë luftuan me trimëri dhe zmbrapsën mëse një herë legjionet e “shenjta”!

Më 2 maj ata ishin fare pranë Gjirokastrës, në manastirin e Cepos, dy orë larg nga qyteti dhe katër orë larg nga Delvina. Zografistës ia kishin mbathur para një grushti shqiptarësh, kishin braktisur Delvinën, vendndodhjen e tyre kryesore dhe ishin tërhequr përtej kufirit ndërmjet të ashtuquajturës Republikë Epiriote dhe Greqisë së vërtetë: urës Arinistra.

Por sapo arritën atje patën një përforcim të madh me ushtarë të rregullt grekë, u kthyen të nesërmen dhe i detyruan ushtarët tanë të braktisnin pozicionet e tyre.

Më 7 maj, një sulm i fuqishëm gre3k u spraps me sukses nga ushtarët tanë në Nikoliç dhe Arza (në juglindje të Korçës), duke u shkaktuar grekëve humbje të mëdha. Për sakrificat dhe dhimbjet tona ne lexojmë në “Le Temps” të datës 7 maj një telegram të ardhur nga Athina më datën 6 maj, me një cinizëm të vërtetë grek:

“Trupat epiriote, në vijim të luftimeve të fundit kishin gjetur shumë kufoma oficerësh italianë dhe bullgarë…”

Përveç të tjerave, ishte kënga e përhershme e shtypit grek, dhe asaj, që i bëhej jehonë falas: nxitja e përhershme për të gjetur një gisht të huaj në përpjekjet shqiptare, duke mohuar pa turp e pa skrupuj, se këto luftime ishin spontane, të paorganizuara.

Duhej patjetër të gjendeshin intriga austriake ose oficerë italianë a bullgarë! Po shtypi i Beogradit a nuk ishte atje për të bërë korin e shpesh për të luajtur rolin e maestros?

Sulmet nga ana e grekëve vazhdonin pa pushuar asnjë ditë nga të gjitha anët. Ajo që vlen të mos harrohet në këtë luftë, ishte inferioriteti i shqiptarëve të armatosur keq, pa municionin e duhur e pa artileri, përballë një kundërshtari tepër të madh si në numër ashtu edhe në armatim. Burimet e grekëve ishin të pashtershme, ushtria e mbretit Konstadin ishte atje me batalionet dhe oficerët e saj.

Aventurierët dhe kriminelët andartë ishin gjithnjë gati për të bërë “punë patriotike” përmes vrasjeve dhe plaçkitjeve të panumërta. Në Shqipëri kishin akoma iluzione dhe shpresohej se Fuqitë e Mëdha, që kishin firmosur në Konferencën e Londrës, do të detyronin Greqinë dhe trupat ushtarake të saj, që të respektonin vendimet e marra atje, si dhe zotimet e saj publike.

Por, a nuk kishin Fuqitë e Mëdha nga një përfaqësues në Shqipëri, në përbërje të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe a nuk ishte deklaruar kjo Shqipëri neutrale dhe nën garancinë e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër?

Populli i pezmatuar i dërgonte si rrebesh telegram pas telegramesh dhe peticion pas peticionesh Komisionit të Kontrollit me seli në Durrës, si dhe mjaft kancelarive perëndimore. Disa prej këtyre telegrameve dhe peticioneve ishin hartuar me një ton vërtetë të dëshpëruar.

Efekti i tyre ishte mbajtja e një interpelance nga ana e deputetit, Mr Aubrey Herbert në parlamentin anglez. Ministri i Jashtëm i Greqisë në Londër, mohoi gjithçka! A nuk ishte tipike të gënjyerit dhe ndjenja mohuese për të gjithë grekët deri te zyrtarët e lartë?

Si përgjigje, deputeti i parlamentin anglez Mr. Aubrey Herbert publikoi një raport të hollësishëm e të detajuar, të sapoardhur nga Korça, ku bëhej fjalë për tmerret greke në këto zona.

Të deleguarit e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, veç e veç, njohën pandershmërinë greke duke pranuar padrejtësinë dhe qëndrimin e gabuar, që ishte mbajtur ndaj Shqipërisë. Por, bashkarisht ata qenë të paaftë për çdo iniciativë, apo për çdo veprim! Përse?

Sepse Venizellosi kishte bërë një udhëtim në Europë, kishte bërë vizita të gjata në kancelaritë e saj. Ndër të tjera ishte edhe çështja e 12 ishujve, që i ishte bashkuar asaj të Shqipërisë Jugore. Ishte paskëtaj edhe rivaliteti foshnjarak dhe qesharak i dy Fuqive, që ishin drejtëpërdrejt të interesuara për çështjen shqiptare: Italia dhe Austria.

Ndërkohë Qeveria Shqiptare qe shtrënguar të niste tratativat me pseudoqeverinë e Epirit, me shefin e saj të damkosurin Zografos? Fillimisht ishte koloneli hollandez Tomson, që shkoi në Korfuz, për të dëgjuar kërkesat e atyre të ashtuquajturve epiriotë, por duke kuptuar shpejt farsën që donin të luanin grekët, këto tratativa e përpjekje u ndërprenë.

Gjatë kësaj kohe ndodhej në Durrës një farë Varatassi, një kuçovllah nga Konica, ish guvernator i Korfuzit dhe i dërguar special nga qeveria helenike, si një ministër i ardhshëm i Greqisë në Shqipëri. Ishte një burrë i vogël, me pamje rakitike dhe tepër të zymtë. Ai kishte përparësinë e madhe për ti pëlqyer Esat Toptanit. Atij, duke e kujtuar vetëm për të keq, i detyrohen një pjesë e fatkeqësive tona.

Ky Varatassi bëri disa propozime, duke dashur të shërbente si ndërmjetës dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi i plotë në Korfuz, për të diskutuar po me atë Zografos (8 Maj 1914). Greqia dukej sikur donte të binte në ujdi. Zografos, që dy javë më pas u zgjodh deputet i Atikës, nuk kërkonte gjë tjetër veç konçesioneve për grekët e Epirit, njohjen e të drejtave për të pasur shkolla greke dhe privilegjet religjioze të Kishës Ortodokse Greke. Në fakt bëhej fjalë për ti njohur Greqisë të drejtën e ndërhyrjes në punët e brendshme të Shqipërisë.

Por për cilët Greqia, nëpërmjet Zografos, i kërkonte këto privilegje? Kush ishin këta grekë të Epirit?

Ne këtë tashmë e kemi thënë dhe nuk dimë të themi më tepër se kaq; nuk ka as edhe një grek të vetëm në kufijtë e Shqipërisë, ashtu siç u vendosën këta kufij prej Fuqive të Mëdha në Konferencën e Firences. Ata që Greqia i quan grekë s’ishin gjë tjetër veç shqiptarë të krishterë të ritit ortodoks.

Pikërisht ishin këta ortodoks më të alarmuar prej dredhive të parreshtura greke dhe ishin po këta, që po kërkonin më me ngulm të drejtat e tyre kombëtare. Atyre u pati ardhur në majë të hundës trajtimi i tyre si ROUME (domethënë si grekë) prej Turqisë, e cila me kryeneqësi i kishte renditur njerëzit sipas kishës së dashur, pa dashym dhe pa mundur të dëgjonte aspak për kombësinë e tyre, për karakterin e tyre etnik.

Kur këta ortodoks morën vesh për bisedimet ndërmjet Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe Zografos, në Korfuz, një ortek telegramesh dhe peticionesh proteste mësynë në Durrës.

Por Greqia dhe Zografos, të paktën, a ishin të sinqertë, a ishin të ndershëm në qëllimet e tyre?

Mendoj se nuk është e nevojshme të përgjigjesh. Gjithë sa kemi thënë deri tani, është një provë shumë e qartë e qëllimeve të vërteta të fqinjëve tanë “të këndshëm” të Jugut, që synonin veç të sorrollateshin dhe të fitonin kohë, për të përfunduar ndërmarrjen e tyre kriminale.

Ndër të tjera, ata kishin dhënë më shumë se një herë prova të pabesisë. Disa herë ata kishin prishur armëpushimet e fiksuara gjatë tratativave të Korfuzit. Dhe më në fund, pa pritur që këto dispozita (siç i quajnë ata) të merrnin një formë përfundimtare, duke përfituar edhe prej vështërsive të brendshme të krijuara nga trazirat tona në Durrës, e kaluan edhe një herë vijën tokësore të përkohshme, të vendosur prej armëpushimit dhe u turrën të kryejnë një sulm të menjëhershëm në të gjitha frontet.

E tillë është çështja e Epirit. Rezultati: dy prej krahinave më të bukura shqiptare, Korça dhe Gjirokastra të shkretuara. Më shumë se 250 fshatra të djegura. Me dhjetra e dhjetra të tjerë të rrënuara e të plaçkitura. Disa mijëra njerëz të vdekur në luftime ose të vrarë poshtërisht, përfshirë këtu gra e fëmijë. 100 mijë njerëz të mbetur pa strehë…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top