Marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-të

SHKRUAR NGA GANI MEHMETAJ – (marrë nga libri: Kosova: Sfidat e pavarësisë)

Qëndrimin e diplomacisë së Kosovës, përkatësisht marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me botën më së miri i përcaktoi filozofia politike e presidentit Ibrahim Rugova: “Kosova e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Mbi këtë filozofi politike është ndërtuar e gjithë ngrehina e diplomacisë së Kosovës dhe e marrëdhënieve me shtetet e mëdha, por edhe me shtetet e tjera, që është studiuar me shumë kujdes e sens politik. Është një qëndrim krejtësisht tjetër nga diplomacia e deriatëhershme ideologjike shqiptare e Tiranës dhe e Prishtinës (kjo e fundit nuk kishte diplomaci shtetërore, kishte më shumë përcaktime diplomatike të qarqeve intelektuale proamerikane dhe progjermane).

Ky qëndrim proamerikan dhe properëndimor është kultivuar edhe më herët në mendësinë shqiptare, mirëpo zyrtarisht ka filluar të theksohet me ngulm që nga viti 1989 e këndej.

Ambasadori Bashkim Rama me rastin e dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës, shkruan: “Në këtë ‘binom’, idetë e mëdha dhe idealet amerikane, roli i politikës dhe i diplomacisë së ShBA-ve, ka qenë dhe vazhdon të jetë i një rëndësie të veçantë e vendimtare, si për pavarësinë e Kosovës, për stabilitetin afatgjatë, ashtu dhe për të ardhmen demokratike e euroatlantike të saj”. Historia e marrëdhënieve të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka rrënjët në një prej periudhave më të vështira dhe më të rëndësishme të historisë së popullit tonë”, vazhdon ai .

Gjatë gjithë historisë më të re të proceseve demokratike e të ribërjes së hartës në Evropën Juglindore, sidomos në raport me shqiptarët, Amerika ishte një hap para Evropës Perëndimore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë shumë për shqiptarët. Ky shtet i fuqishëm edhe më tutje është mbështetësi kryesor për shtetin e brishtë në ndërtim. Amerika ndihmoi, e dha kontributin kryesor në shpëtimin e shqiptarëve nga gjenocidi. ShBA-ja ndihmoi shumë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, sidomos ndihmoi që edhe shtetet e tjera me ndikim ta pranojnë shtetin e ri me një shpejtësi fascinuese. Uashingtoni ka dhënë shenja se këtë qëndrim do ta ketë edhe në të ardhmen, duke e thelluar bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti.

Natyrisht shtetasve të Kosovës u mbetet të ndërtojnë institucionet e shtetit të shëndosha e demokratike, në mënyrë që ta kenë mbështetjen e parezervë jo vetëm të ShBA-ve, por të gjithë Evropës Perëndimore dhe të botës demokratike, duke filluara nga Japonia e deri në Australi.

Klintoni dhe Bushi

Ndërkaq, veç e veç në këtë aspekt ai që kontribuoi shumë është Bill Klintoni, i cili në kohën kur ishte kryetar i SHBA-ve me aksionin humanitar shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga gjenocidi. Xhorxh Bushi, babai, dhe Xhorxh Bushi, i biri, janë presidentët amerikanë të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare. Së pari Bushi i vjetër e mbështeti pa rezervë Shqipërinë dhe e ndihmoi që të shkëputet nga trashëgimia komuniste, duke e hequr nga orbita lindore. Bushi, i biri, duke e vazhduar traditën e mirë amerikane dhe traditën e babait e ndihmoi Shqipërinë të inkuadrohet në NATO, synimi kryesor i shtetit shqiptar. Pastaj në Tiranë, gjatë kohës kur ishte në vizitë tha se Kosova do të jetë shtet i pavarur. Vizita e tij historike në Shqipëri ishte sinjal i fuqishëm për bashkësinë ndërkombëtare se Shqipëria dhe shqiptarët i takojnë arealit perëndimor, prandaj çdo aventurë lindore do të ishte e rrezikshme.

Natyrisht është në traditën e politikës amerikane qëndrimi ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare, kështu që një vazhdimësi e tillë pritet edhe nga presidenti Barak Obama, sikurse që pritet edhe nga sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton. Britania e Madhe dhe Toni Bleri pati ndikim vendimtar në ndërhyrjen ndërkombëtare.

Marrëdhëniet me Vatikanin

Qëndrimi i politikës dhe i diplomacisë së Kosovës së pavarur nuk ka pësuar ndryshime e as modifikime që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta. Madje, edhe renditja e shteteve, sipas përparësisë e meritave vazhdon sipas përcaktimit të qëndrimit diplomatik të Rugovës. Në të gjallë të tij, Kosova kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Vatikanin, përkatësisht me Papa Gjon Palin e Dytë, ndihma dhe ndikimi i të cilit në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës ishte i madh. Polonia dhe Kosova, megjithëse me histori, kulturë e traditë të ndryshme, patën shumëçka të përbashkët. Polonia ishte e pushtuar nga Rusia, Kosova ishte e pushtuara nga Serbia, përkatësisht ish-Jugosllavia; antikomunizmi ishte lëvizja e fuqishme në Poloni, antikomunizmi ishte lëvizje mbizotëruese e heshtur në Kosovë; popullata polake ishin katolike e devotshme, shqiptarët ish-katolikë që filluan të kërkojnë rrënjët dhe t’i kthehen kontinentit të vjetër).

Të gjitha këto ndikuan në afrinë e dy personaliteteve dhe krijoi simpatinë e domosdoshme për avancimin e çështje së Kosovës në kancelaritë evropiane dhe të botës. Është për të ardhur keq që kjo mundësi e fatit të përbashkët polako-shqiptar nuk u shfrytëzua në masën e duhur më vonë për të pasur mbështetjen edhe më të fuqishme të Polonisë, megjithëse policia dhe ushtria polake janë të pranishme në Kosovë dhe kanë dhënë kontributin e tyre për ruajtjen e rendit e të qetësisë. Mirëpo, marrëdhëniet më të ngushta sikur kanë mbetur në gjysmë të rrugës, ndërsa do të duhej të shqyrtoheshin nga të dy palët për t’u avancuar.

Edhe Çekia e Vaclav Havelit pati mirëkuptim për Kosovën, ndërsa edhe në këtë plan njohjet personale me presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova ishin me rëndësi. Çekia është me prani të ndjeshme edhe tash në Kosovë, mirëpo duket nuk po arrijmë ta joshim potencialin ekonomik dhe industrinë dinamike çeke, e cila u zhvillua më shumë se shtetet e tjera të ish-bllokut socialist. Sipas mediave pati përpjekje të investuesve çekë për të kontribuar në ekonominë e Kosovës, por pati edhe fjalë sikur u tërhoqën, sepse korrupsioni i dekurajoi.

Qëndrimi i Vatikanit nuk ka ndryshuar, mirëpo meqë dy personalitetet: presidenti Rugova dhe Papa Gjon Pali nuk janë më, raportet e ngrohta të dikurshme duket se nuk kultivohen me të njëjtin intensitet. Është një mospërqendrim diplomatik që duhet flakur për të kultivuar një raport më të afërt që duhet të mbahet me çdo kusht, por është edhe një orientalizim islamik që mund të ketë pasoja. Megjithatë Kosova ka raporte diplomatike në shkallë ambasadori në Vatikan dhe besohet se këto raporte do të kultivohen dhe në të ardhmen më me shumë kujdes e këmbëngulësi.
Edhe me shtetet e rajonit Kosova e pavarur ka bërë përpjekje të mbajë raporte të mira dhe korrekte, ndërsa në këtë mes me Kroacinë dhe Slloveninë marrëdhëniet janë shumë më të ngrohta, duke vazhduar miqësinë tradicionale dhe duke e avancuar edhe më.

Sllovenia u angazhua shumë gjatë fazës së përnjohjes së Kosovës, por edhe para shpalljes së pavarësisë, ishte prijatare e disa proceseve, meqë ishte anëtare e Bashkimit Evropian dhe kryesuese e BE-së. Kroacia doli vazhdimisht në mbrojtje të shtetësisë së Kosovës. Nuk ishte anëtare e BE-së, mirëpo shpeshherë iu kundërvu me argumente propagandës nacionaliste serbe, duke e mbrojtur Kosovën para sulmeve serbe. Këto dy shtete (Sllovenia e Kroacia) shquhen edhe me marrëdhënie të mira ekonomike e tregtare me Kosovën. Ish- presidenti kroat, Stipe Mesiq, doli në mbrojtje të Kosovës dhe të interesave të saj si asnjë president tjetër i rajonit, duke këmbëngulur që të kultivohet miqësia afatgjatë Kroaci- Kosovë. Presidenti kroat, Ivo Josipoviq, premtoi se do të kultivojë marrëdhëniet e mira tradicionale.

Në aspektin e diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, njohja e mëvetësisë së Kosovës është ndër preokupimet dhe sfidat më të mëdha. Deri tash, megjithëse ka pakënaqësi në opinion, njohja ndërkombëtare ka shkuar relativisht mirë, falë angazhimit të shteteve të fuqishme, sidomos falë diplomacisë amerikane, por edhe të Britanisë së Madhe, pastaj të Francës, Gjermanisë, Italisë etj., të cilat patën ndikim që ta njohin Kosovën edhe shtetet e tjera. Sidomos diplomacia amerikane ndikoi ta njohin një numër i vendeve arabe, aleate të SHBA-ve.

Kosovën e kanë njohur mbi 75 shtete, në mesin e të cilave SHBA-të, shteti më i fuqishëm në botë, pastaj e njohën pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Evropian me përjashtim të Spanjës, Rumanisë, Greqisë, Qipros dhe Sllovakisë. Kjo pati ndikim negativ në raport me Kosovën, sepse mungesa e një politike të përbashkët ndërkombëtare e Bashkimit Evropian, reflektohet në krizën e veriut të Mitrovicës. Këtë mungesë të qëndrimit të përbashkët të Bashkimit Evropian e kanë shfrytëzuar në Beograd, ndërsa ai mosunitet mund të reflektohet edhe në ardhmen e Kosovës së pavarur: pranimin në BE, sidomos liberalizimin e vizave që e anashkaloi Kosovën. Kosova ka mbi 20 ambasadorë në botë dhe tetë përfaqësi. Natyrisht është larg asaj që pritet dhe dëshirohet, por si numër për një shtet të vogël nuk janë pak. Stafi është i vogël dhe pa qëndrim të përhershëm.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top