Shkruan: Arben Llalla
Marko Boçari lindi në Sul të Janinës më 1790, në një familje të dëgjuar që kishin dalë shumë burra trima si: Kiço Boçari, Kosta, Dhimitri, Jorgji dhe kapedani i madh i Kryengritjes të 1821, Noti Boçari, i cili ka lindur në Sul në vitin 1759. Ai është ministri i parë i Mbrojtjes i shtetit grek, dhe vdiq më 1841.
Kiço Boçari
Babai i Markos, Kiço Gj. Boçari u martua tre herë. Nga këto tre martesa kishte 18 fëmijë, pesë prej tyre i vdiqën të vegjël. Nga martesa e parë me Krisulla Papazoti Jotin, kishte Janin, Lenën, Marinë, Anastasinë dhe Markon.
Kiço Gj. Boçari u vra më 1813 në Artë nga Gjoko Bakola.1 Në vitet e kryengritjes së 1821, Marko Boçari i dha duart dhe u përqafua për të mirën e përbashkët me Gjoko Bakolën duke i falur gjakun e babait.
Katerian Boçari, vajza e Markos
Sipas të dhënave banorët e parë që u ngulën në Sul ishin ushtarët e Gardës të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Mbas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, rreth 200 luftëtarë shqiptarë me familjet e tyre, si fisi Boçari, Xhavellasit, Llalla, Dangëllinjët, Dragovët e të tjerë formuan fshatin e Sulit afër qytetit të Janinës dhe luftonin kundër turqve për lirinë e tyre. Që një pjesë e popullsisë së suliotëve janë çamë këtë na e deklaron anglezi V.M. Lik “Suljotët janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të Shqipërisë”
Ndërsa studiuesi Ciapolini thotë: “Suljotët nuk dinin fare greqisht, gjuha që ata përdornin është, shqipja e dialektit të Çamërisë”.
Një pjesë e popullatës së Sulit pasi u shtyp nga Ali Pashë Tepelenës u dërgua për dënim në ishullin e Korfuzit dhe ishujt e tjerë për rreth tij.
Sulioti Marko Boçari nuk ishte vetëm një nga heronjtë shqiptarë më të rëndësishëm të Kryengritjes të 1821, i njohur për aftësitë ushtarake dhe guximin e tij, por edhe për dëshirën e madhe për shkrimin dhe edukimin.
Noti Boçari
Markoja bashkë me dy shqiptarët e tjerë Odise Andruçon dhe Gjergji Llalla-Karaiskaqin u edukuan në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në artin ushtarak, politik dhe të zgjuarsisë.
Ëndërra e Markos ishte që të edukonte suliotët shqiptarë që të dilnin nga gjendja e luftëtarit të pamësuar që luftonte pa ndërprerë, pa një të ardhme, të jetojë paqësisht në një shoqëri të lirë e të drejtë. Markoja, ndërkohë shqetësohej se mosedukimi mësimor çon në humbjen e disa tipareve të njohura cilësore që e bënin arvanitasin suliot një figurë popullore të veçantë, që edhe brenda mosarsimimit, varfërisë dhe kushteve më të vështira të jetesës, ngjallte adhurim.
“Dua të arsimohesh”, i shkruante në letër, djalit të tij Dhimitrit, që gjendej në Ankona të Italisë, “por veç kësaj dua të brumosesh me traditat suliote, të mbetesh përherë suliot siç ka mbetur tata i yt.”
Në atë periudhë të ndryshimeve të shënuara në Ballkan dhe në Europë, dukej qartë se virtyti liridashës dhe shpata arvanitase nuk ishin të mjaftueshme që të arrihej një jetë më e mirë, një shoqëri më e bukur. Nevojitej edukimi dhe arsimi i popullit dhe kjo nevojë kishte krijuar ankth tek arvanitasit, të cilët pas kryengritjes të 1821 parapëlqenin të shisnin çdo lloj pasurie, me qëllim që të fëmijët e tyre të studionin.
Dhe sigurisht, në atë periudhë kur thoshim “shkrim e këndim” kuptonim “gjuhën greke”, e cila flitej kryesisht në qytetet e Greqisë së sotme.
Por është fakt, arvanitasit përbuznin mënyrën e jetesës të shoqërive të tjera, plogështinë, pabesinë, fjalët e shumta, frymën e nënshtrimit, pafytyrësinë. Shqiptarët e dëshironin edukimin arsimor, por pa rrezikun e tjetërsimit dhe bjerrjes së vlerave tradicionale vetjake e të bashkësisë. Kësaj ia ka frikën dhe këtë i theksonte birit të vet Marko Boçari.
Kur gjendej i internuar në Korfuz, Markoja mësoi greqishten dhe bëri të famshmin “Fjalorin dygjuhësh i greqishtes dhe shqipes së thjeshtë”(Λεξικον τις Ρομαικης και Αρβανιτικης απλησ), 1809, të cilin e shkroi Markoja vetë me ndihmën e babait të tij Kiço Boçari (1754-1813), xhaxhait Noti Boçari (1759-1841) dhe vjehrrit të tij Kristaq Kallogjeri nga Preveza.
Përfundimi i këtij fjalori ishte i nxitjes së konsullit francez Pukëvili, siç pretendonte francezi vet, përpjekje të mësojnë suliotët arvanitas greqisht dhe të merren vesh me grekët.
Sido që të jetë puna, fakt është se kemi të bëjmë me një hero që ka shqetësime kulturore që krijoi një vepër gjuhësore dhe kulturore, si rrjedhim me të drejtë Marko Boçarimundë të quhet si realizuesi i fjalorit të thjeshtë të parë greko-shqip.