Marina e SHBA-së dëshiron të dërgojë tufa dronësh mbi kundërshtarët

Nga David Hambling, MIT Technology Review

Marina amerikane ka nisur projekte të reja për përdorimin e dronëve për qëllime ushtarake. Projektet synojnë të hulumtojnë ndërtimin, përdorimin dhe kontrollin e mijëra dronëve të vegjël që mund të kombinohen në mënyrë autonome. Qëllimi është të mposhten sistemet e mbrojtjes ajrore, pasi ato mund të mbulojnë vetëm një numër të kufizuar sulmesh në të njëjtën kohë. I ashtuquajturi projekti Super Swarm u zbulua në të dhënat buxhetore të qeverisë amerikane.

Tufa e dronëve pilotohet si njësi e përbashkët

Konflikti në Ukrainë ka treguar se çfarë shërbimesh mund të kryejnë dronët e vegjël, duke përfshirë edhe kuadrokopterët për përdorim personal: si punë zbulimi, drejtim i zjarrit të artilerisë dhe shkatërrim i tankeve. Megjithatë, dronë të tillë aktualisht janë të kufizuar nga fakti se secili kërkon operatorin e vet. Në një tufë, nga ana tjetër, qindra ose mijëra dronë do të kontrolloheshin si një entitet i vetëm. “Rëndësia e tufave të dronëve është se ato mund të përdoren pothuajse për çdo mision,” thotë Zachary Kallenborn, një studiues në Shkollën e Politikave dhe Qeverisjes Schar të Universitetit George Mason.

Shumë vende janë duke punuar në sisteme të tilla, duke përfshirë aty Kinën, Rusinë, Indinë, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe Izraelin, i cili në vitin 2021 u bë vendi i parë që përdori dronët në luftime. Marina amerikane ka qenë gjithmonë prijetare në këtë fushë, pavarësisht faktit se kurrë nuk është deklaruar publikisht. Dokumentet buxhetore të marra nga MIT Technology Review zbulojnë plane ambicioze për tufat e dronëve që do të tejkalonin çdo gjë të parë deri më sot. Ai përmban detaje mbi disa projekte që ishin të panjohura më parë dhe që prekin gjithashtu varkat me drone dhe nëndetëset me dron. Këto projekte janë kombinuar në një projekt të vetëm të quajtur “Super Swarm”.

Dronët me përdorime të shumta janë tashmë të njohur nga aplikacionet civile: ju mund të keni parë shfaqje me dritë të dronëve, ku qindra ose mijëra dronë fluturojnë së bashku në sinkroni të përsosur. Megjithatë, këto nuk janë në mënyrë eksplicite tufa dronësh, pasi çdo dron fluturon përgjatë një rruge të koreografisë, të paracaktuar. Dronët individualë nuk e perceptojnë as mjedisin e tyre dhe as njëri-tjetrin. Në anën tjetër, tufat e dronëve fluturojnë së bashku në një tufë, të vetëdijshëm për rrethinën e tyre dhe distancën e tyre nga njëri-tjetri. Këta dron përdorin algoritme për të shmangur pengesat dhe pa e penguar njëri-tjetrin – si një tufë zogjsh. Versionet më të avancuara përdorin AI(Inteligjencë Artificiale) për të koordinuar veprimet për detyra të tilla si përhapja për të kërkuar një zonë ose nisja e një sulmi të sinkronizuar.

Dronët për sulme kamikaze

Marina amerikane ka bërë përparim të rëndësishëm në këtë fushë. Në vitin 2017, ajo demonstroi një tufë prej 30 dronësh që fluturonin së bashku. Ideja është që dronët të mbajnë koka shpërthyese për sulme kamikaze, duke i bërë ato raketa lundrimi në miniaturë. E njëjta qasje është përdorur nga Rusia kundër qyteteve të Ukrainës javët e fundit. Projekti amerikan i quajtur LOCUST (për “teknologjinë me kosto të ulët të swarming UAV”) tani do të klasifikohet nën ombrellën e misionit më të madh “Super Swarm”.

Në prill të vitit 2021, një tufë e dronëve të Marinës Amerikane kreu një sulm në një anije dhe kjo ndodhi për herë të parë në një stërvitje luftarake. Sipas ekspertit Kallenborn, edhe në një operacion real, dronët do të mbanin vetëm disa kilogramë eksploziv – krahasuar me kokën 220 kilogramëshe të një rakete kundër anijes Harpoon. Kjo do të thotë se eksplozivët mund të vendosen në mënyra të ndryshme për të përfituar nga saktësia e tyre e lartë. “Tufa e dronëve mund të sulmojë nga kënde të shumta për të dëmtuar ose shkatërruar sisteme kritike si antenat e radarëve, armët kundërajrore dhe sistemet tjera të armëve”, thotë ai.

Planet e Marinës, sipas dokumentit të buxhetit ushtarak, parashikojnë lëshimin e tufave të dronëve nga anijet, nëndetëset, aeroplanët dhe mjetet tjera ushtarake tokësore, në atë që njihet si “operacion i shumë domeneve”. Dronët janë projektuar për të mbajtur ngarkesa të ndryshme: disa mund të mbajnë sensorë, të tjerë bllokues ose pajisje të tjera të luftës elektronike. Disa të tjerë do të ngarkohen me eksploziv luftarak. Megjithatë, tufat e dronëve ende po përballen me problemin e rrezes së kufizuar: Për shembull, Raytheon Coyote prej 6 kilogramësh i përdorur si pjesë e programit LOCUST mund të fluturojë vetëm për dy orë, me një shpejtësi prej 80 kilometrash në orë.

Një projekt tjetër i quajtur DEALRS (“Deployment and Employment of Autonome Long-Range Systems”) po përpiqet të zgjidhë këtë problem. Bëhet fjalë për përdorimin e të ashtuquajturave sisteme Marsupial (një lloj “marsupialësh”) ose anije të veçanta bartëse. Këto të fundit janë mjete ajrore më të mëdha pa pilot që mbajnë disa dronë më të vegjël. Dy prodhues amerikanë të dronëve, Kratos dhe General Atomics, kanë demonstruar tashmë dronët që lëshojnë drone më të vegjël. Megjithatë, demonstrimi i tyre kufizohej në një ose dy dron, ndërsa DEALRS synon të transportojë dhe lëshojë një “numër jashtëzakonisht të madh” dronësh të vegjël pa ndërhyrje njerëzore.

Kontrolli dhe drejtimi

Një tjetër nën-projekt i “Super Swarm” synon të zgjidhë një problem themelor të pajisjeve ushtarake: koston e lartë. Ushtria amerikane paguan rreth 49 000 dollarë për secilin nga dronët e saj të vegjël, të njohur si “sistemet e avionëve pa pilot”. Dronët e Tufës Kamikaze duhet të jenë shumë më të përballueshëm për të pasur mundësinë e përdorimit në numër të madh. Një projekt i quajtur MASS (prodhimi i sistemeve autonome në shkallë të gjerë) përdor printimin 3D dhe mjetet e dizajnit dixhital për të prodhuar dronët me kosto të ulët. Qëllimi është që ushtria të posedojë një dizajn që mund të modifikohet sipas dëshirës dhe për të bërë që dronët të përdoren për qëllime të ndryshme, të tilla si fluturimi, rritjai e shpejtësisë, zgjerimi i rrezes së veprimit dhe aftësive të fshehta që kanë të bëjnë me ngarkesën.

Sipas dokumenteve të buxhetit të qeverisë amerikane, MASS do të prodhojë dronët “sa më parë që të jetë e mundur”, duke sugjeruar prodhimin e mundshëm të tyre edhe në bordin e anijeve detare që ndodhen në frontin e luftës. Qëllimi i deklaruar është që të prodhohen dhjetëra mijëra dronë.

Marina amerikane dëshiron të ketë një sistem kontrolli më të sofistikuar. Projekti “Super Swarm” përfshin planifikimin, bashkëpunimin dhe caktimin e detyrave për anëtarët e veçantë të tufës së dronëve. Një nën-projekt tjetër, i njohur si MATE (që nënkupton “skuadrat e drejtuara dhe autonome”), synon të lehtësojë bashkëpunimin mes njerëzve dhe t’i japë grupit më shumë autonomi.

Gjerësia e brezit, në dispozicion të operatorit për kontroll, mund të ulet gjatë misionit, për shembull për shkak të bllokimit të qëllimshëm të radios. MATE më pas lejon që grupi të veprojë vetë nëse nuk ka marrë ndonjë vendim nga operatori. MATE përdor gjithashtu informacionin e mbledhur nga grupi për të lehtësuar vendimmarrjen e tij: ai mund të ndryshojë rrugën e fluturimit nëse dronët identifikojnë një situatë të re kërcënimi – ose madje mund të dërgojnë dronë të veçantë për të bërë hetime në një objekt të sapoidentifikuar. Sipas Marinës Amerikane, e gjithë kjo është e mundur duke përdorur AI(Inteligjencën Artificiale).

“Mijëra dronë autonom nënkuptojnë mijëra mundësi dështimi,” thotë Kallenborn. “Modelimi dhe simulimi do të ndihmonin në zvogëlimin e potencialit për gabime, sepse është e vështirë të llogariten të gjitha kompleksitetet e panumërta të botës reale.”

Kur të bashkohen të gjitha projektet e super tufave, atëherë, një njësi detare e SHBA-së do të jetë në gjendje të lëshojë tufa të mëdha për të udhëtuar në distanca të mëdha, për të kryer zbulim të detajuar në një zonë të madhe dhe për të gjetur e për të përfshirë objektiva në caqet e tyre. Dronët e vegjël të Ukrainës shkatërruan qindra automjete të blinduara ruse; një tufë prej njëmijë dronësh mund të nxirrte nga funkcioni një batalion të tërë me një goditje të vetme. Madje, pas sulmit të parë, tufa e dronëve mund të synojë edhe ndonjë objektiv që i mbijetoi sulmit të parë dhe të sigurojë imazhe të detajuara të rezultateve.

Dronët hapin rrugën për më shumë sulme

Të dhënat buxhetore tregojnë se tufat e dronëve po shihen si përgjigje e njërit nga problemet më të mëdha të ushtrisë amerikane: “kundër çasjes/mohimit të zonës” (ose A2/AD), zhargon ushtarak që përdoret për zonat e mohuara dhe pa çasje nga sistemet aktuale tokë-ajër dhe nga raketat e anijeve që pengojnë hyrjen e forcave amerikane në një territor të caktuar.

Tufat e dronëve mund të asgjësojnë mbrojtjen më të fortë të mundshme, sepse dhjetra ose qindra dron mund të rrëzohen, por mijëra të tjerë do të arrinin cakun, me municion të mjaftueshëm për të asgjësuar radarët e mbrojtjes kundërajrore dhe sistemet tjera të mbrojtjes. Tufat e dronëve do t’i hapnin rrugën sulmeve tjera ku përdoren raketa lundrimi, avionë të drejtuar nga pilotët dhe armë të tjera konvencionale.

Peter W. Singer, një strateg në institutin “New America” ​​dhe një ekspert për luftën me dron, mendon se “Super Swarm” po përballet me sfida të mëdha – veçanërisht sa i përket zhvillimit dhe koordinimit të tufës që shkon përtej lëvizjeve të thjeshta për të gjuajtur si tufë. Megjithatë, edhe këto probleme duken të tejkalueshme.

Tufa e dronëve mund të kryej të gjitha llojet e detyrave të tjera, duke filluar nga zbulimi dhe mbledhja e informacioneve për nevoja të inteligjencës, e deri te lufta elektronike dhe ofrimi i mundësisë së furnizimit. Siç vëren Singer, tufa e dronëve mund të funksionojë me sisteme të sofistikuara drejtuese.

“Ashtu si kompania Amazon që e parashikon një botë të robotëve me 18 rrota për transportin e mallrave me shumicë dhe dronët e vegjël për dorëzim të mallrave në miljen e fundit, edhe ne ka të ngjarë të shohim të njëjtën gjë sa i përket aspektit ushtarak,” thotë Singer.

Studiuesit janë duke punuar edhe në sisteme për mbrojtje nga sulmet e tufës së dronëve

Kallenborn mendon se projekti “Super Swarm” nuk do ta fitojë domosdoshmërisht luftën e mundshme, pasi që studiuesit ushtarakë po punojnë me intensitet për të gjetur mënyrat e kundërvënies ndaj tufave të dronëve. “Për çdo armë ekziston një kundërhelm. Pyetja është se sa të besueshme dhe efektive janë këto kundërmasa,” thotë ai.

Megjithatë, do të na duhet edhe pak kohë përpara se të zhvillohen dhe zbatohen kundërmasa të tilla, si p.sh. laserët antidron, armët me mikrovalë ose tufat e interceptorëve. Singer gjithashtu tregon për kundërmasat e shumta në zhvillim, por e sheh ardhjen e “Super Swarm” ose diçka të ngjashme me te si të rrjedhë të pashmangshme.

“Kushdo që thotë se tufat e dronëve nuk do të shfaqen në një fushë beteje të ardhshme, një ditë do të tingëllojë si njerëzit që dikur thoshin se nëndetësja, tanku ose avioni ishin trillime të pastra shkencore”, thotë Singer. “Ai ose ajo, jo vetëm që po e injorojnë atë që ne po shohim në luftërat si kjo aktulja në Ukrainë, por edhe atë për të cilën tashmë po punojnë ushtritë moderne dhe kompanitë suhtarake në mbarë botën”.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top