SHKRUAN: DAIM HISENI, KRYETAR I SHVL TË UÇK
Kriza në vend po futet në fazën më kritike të saj.
Kryeministri shovenist po përpiqet të inskenon përsëri skenare të errëta për destabilizimin e vendit, me preteks të shpëton veten e Tij.
Subjektet politike shqiptare kësaj rradhe duhet të jenë shumë më të matura dhe më të vendosura se kurdoherë më parë, duke u rreshtuar krahas interesave të popullatës dhe besoj që nuk do të gabojnë si në rastin e Kumanovës duke u vënë në shërbim të makinerisë antishqiptare dhe bandave kriminele që ushtronin regjim në Maqedoni.
Ky lloj i instalimit të një konflikti të ri, për momentin nuk është produkt i pakënaqësive shqiptare, por është plan i Nikolla Gruevskit dhe familjes kriminele, i cili mundohet në çdo mënyrë të shpëton veten e tij dhe t’i ikë ndëshkimit dhe ballafaqimit me drejtësinë.
Për të gjithë shqiptarët, njëherë është në interes largimi i Nikolla Gruevskit nga skena politike dhe më pas te dalin me vendim konkret dhe të përbashkët për zgjidhjen e problemeve afatgjate në këtë vend.
Ditëve në vazhdim mund të ballafaqohemi me provokime nga më të ndryshmet, por jam i bindur se popullata shqiptare kësaj rradhe do të del më e mençur se politikanët tanë që i kemi në vend.
Iritimi, akuzat dhe përbuzjet e pabaza që Nikolla Gruevski me retorikën e tij e ushtron para ndërkombëtarëve është dëshmi e mosrespektimit dhe përmbushjeve të zotimeve para tyre si dhe krijimi i hapësirës për sundimin e anarkisë në vend.
Kësaj radhe shqiptarët duhet të tregojnë se janë të gatshëm të vendosin për ardhmërinë e këtij shteti duke treguar pjekuri politike, duke marrë mbi supet e veta përgjegjësinë e udhëheqjes me këtë shtet, duke krijuar institucione të shëndosha dhe instalimin e mirfilltë të standardeve demokratike të cilat në plan afatgjatë do të garantojnë sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenjen në Maqedoni.