Maqedonia në udhëkryq!

Shkruan: Sali Berisha

Një fillim jo i lehtë, pak histori!

Maqedonia e pas Luftës së Dytë Botërore, shtrihet në një territor dikur me histori sherri, për dominimin e të cilit por më së shumti për zhdukjen e shqiptarëve, në emër të Serbisë, Bullgarisë, Greqisë së Madhe u bënë dy luftra ballkanike. Ajo, që në ish-Mbretërinë Jugosllave të para Luftës quhej “Banovina e Vardarit”, u shpall pas luftës nga Josif Bros Tito, si Republikë e Maqedonisë në kuadrin e RF të Jugosllavisë. Tito, gjatë sundimit të tij, bëri gjithçka për të paraqitur para botës si të veçanta dhe te konsoliduara kombin, gjuhën dhe kulturën maqedonase. Në fillimin e viteve 1990, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Republika e Maqedonisë arriti, në sajë të urtësisë të presidentit Gligorov dhe mbështetjes ndërkombëtare, të shkëputet paqësisht nga Federata Jugosllave dhe të shpallë me referendum, në shtator të vitit 1991, pavarësinë e saj. Po në këtë vit, ky vend miratoi Kushtetutën, në preambulën e të cilës, Maqedonia shpallej si shteti i maqedonasve. Shqiptarët ishin promotorë të rëndësishëm të pavarësisë së Maqedonisë. Por, ata bojkotuan referendumin e Pavarësisë, mbasi asnjë nga kërkesat e tyre të drejta: për barazi etnike; shkollim në gjuhën amtare në të gjitha ciklet e sistemit arsimor; pjesëmarrje proporcionale në të gjitha nivelet në institucionet e vendit, nuk u pranuan nga udhëheqja maqedonase. Po kështu, ato nuk votuan Kushtetutën e Maqedonisë, mbasi ajo shpallte maqedonasit pronarë të shtetit të tyre. Në kundër reagim, në janar të vitit 1992, shqiptarët në Maqedoni mbajtën referendumin e tyre, për një autonomi territoriale, kulturore.

Shpallja e Maqedonisë si shtet i pavarur u prit me skepticizëm nga Komuniteti nderkombetar. Në maj të vitit 1992 kam pritur në Tiranë të ndjerin Lary Igellberger, asokohe Sekretar Shteti në detyrë i SHBA, me të cilin biseda pothuaj gjatë një dite të tërë u përqendrua për zhvillimet në ish-Jugosllavinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën. Në këtë takim Igelberger ndër të tjera më pyeti direkt: se çfarë mendoja unë, a duhet të njihet Maqedonia si shtet i pavarur? Pyetjes së bashkëbiseduesit tim, unë ju përgjigja se: në mendimin tim, Maqedonia duhet të njihet dhe të pranohet si shtet i pavarur. Lary përsëri m’u kthye: mirë, cilat janë argumentet tuaja, pse ajo duhet të njihet? “Mendoj se Maqedonia duhet të njihet dhe të egzistojë si shtet i pavarur, qoftë dhe si hipotezë pune”, iu pergjigja unë. Duhet të pranoj se, përgjigja ime “qoftë dhe si hipotezë pune” ishte si të thuash sui generis dhe vinte, më së shumti, nga background-i im shkencor dhe jo politik. Në kërkime shkencore je i detyruar të ndërtosh hipoteza, modele pune edhe jo përfundimtare.

Larry, rrudhi pak sytë dhe mu kthye disi i çuditur: Si mund të pranohet një shtet i pavarur si hipotezë pune, çfarë nënkuptoni ju me hipotezë pune? Përgjigja ime ishte se: “nënkuptoj, me këtë, krijimin e një shteti të pavarur, mbasi besoj se kjo do mund të parandalojë konfliktin e përgjakshëm në Jugun e Ballkanit, para të cilit ai i veriut do të dukej shumë i vogël”.“Në Maqedoni, për ndarjen e territoreve të saj, disa shtete të rajonit mund të hynin në një luftë të përgjakshme. Ndërsa me një Maqedoni të njohur nga SHBA dhe vende të tjera të mëdha, por edhe të garantuar në një mënyrë apo një tjetër, si shtet i pavarur, konflikti në jugun e Balkanit për ndarjen e territoreve të saj, mund të shmanget. Do eci apo jo ky vend i pavarur, do t’i rezistojë dot kohërave, atë nuk mund ta themi, le të presim dhe të shohim. Rëndësi kapitale, aktualisht, ka shmangia e konfliktit për ndarjen e territoreve të saj, konflikt që do të ndezi Ballkanin si kurrë ndonjëherë”.

Bashkëbiseduesi im kishte kaluar vite të tëra me detyrë në Beograd, ishte njohës i shkëlqyer i ish-Jugosllavisë dhe rajonit, por në atë bisedë të gjatë që pata me të, në Tiranë dhe në Krujë, më tha në një moment se, “mendoja se dija çdo gjë për ish-Jugosllavinë, por gjërat po zhvillohen krejt ndryshe”. E vërteta është se, SHBA e njohën Maqedoninë vetëm në vitin 1994, pra rreth 3 vjet pasi ky vend kishte shpallur pavarësinë. Por, nga ana tjetër, në dhjetor të vitit 1992, me angazhimin e tyre Këshilli i Sigurimit të OKB miratoi rezolutën e vendosjes së UNRPROFOR-it në Maqedoni, që do të shndërrohej në vitet e mëvonshme në UNPREDEP. Pas miratimit të rezolutës të OKB, SHBA dislokuan, në kufirin midis Maqedonisë dhe Shqipërisë,me mandat të OKB, një batalion paqeruajtës të ushtrisë së tyre, kurse në kufirin me Serbinë u vendos një batalion paqeruajtës nga vendet nordike. Në këtë mënyrë, SHBA u bënë garant dhe mbrojtës i shtetit të pavarur të Maqedonisë, të cilin ende nuk e kishin njohur, duke dhënë kështu një kontribut historik në parandalimin e një konflikti që do mund të përfshinte, së paku, pesë shtete të rajonit.

Hezitime për njohjen e Maqedonisë së pavarur treguan dhe vende të BE-së. Ndonëse Komisioni Badinter rekomandoi njohjen e saj si shteti pavarur, para republikave të tjera, vendet e BE-së njohën të parat Kroacinë dhe Slloveninë dhe, ndofta edhe për shkak të ndikimit të Greqisë, njohën vetëm më vonë Maqedoninë. Kundërshti serioze dhe përpjekje të hapura për pengimin e njohjeve të saj ndërkombëtare, vinin nga Beogradi dhe Athina. Beogradi nuk mund të besonte se Maqedonia (e Vardarit) e cila, në mendjen e serbëve dhe skicën (Nacertonia) e tyre, ishte thjeshtë Serbia e jugut, kurse banorët e saj sllavë ishin serbë, do të dilte nga vatha dhe nuk do të ishte pjesë e Serbisë së Madhe. Ndërsa Athina, nuk mund të pranonte kurrsesi një shtet të ri me emrin Maqedoni. Në thellësitë e psiqikës greke, emri Maqedoni është ngulur gjerë në nënvetëdije. Me këtë emër njihet Veriu i Greqisë apo Maqedonia e Egjeut. Për Greqinë, një shtet që me këtë emër hynte si pykë midis asaj dhe Serbisë, ishte kërcënim dhe i papranueshëm, pa lëre pastaj më përvetësimin e Aleksandrit, të Maqedonisë dhe simboleve të tij. Në ligjin grek, po të ofendosh Aleksandrin, dënohesh deri 5 vjet burg dhe kjo ka ndodhur, ndërsa po të ofendosh Krishtin, je thjeshtë ateist, nuk ke sanksione ligjore. Greqia, njohu Maqedoninë pas arritjes së marrëveshjes interim, midis saj dhe Maqedonisë në vitin 1995. Kurse Serbia, do të njihte fqinjin e vet të ri, në vitin 1996. Vetëm dy fqinjët e tjerë direkt të saj, Bullgaria dhe Shqipëria, mirëpritën pavarësinë e Maqedonisë: Bullgaria, do të ishte vendi i parë që do njihte shtetin e Maqedonisë, por jo kombin dhe gjuhën e tij, mbasi për këtë vend, sllavët e Maqedonisë ishin bullgarë, kurse gjuha e tyre ishte dialekt i bullgarishtes. Këto kundërshti do të zgjidheshin më vonë bazuar në referencat kushtetuese respektive Shqipëria, do të ishte ndër vendet më të para që e njohën shtetin e pavarur të Maqedonisë pa kushte, përveç barazisë etnike, kushtetuese,ligjore të shqiptarëve dhe do të vendoste me këtë vend marrëdhënie shumë të mira dhe bashkëpunim të gjithanshëm.

Ndërkohë që njohjet ndërkombëtare vazhdonin dhe Maqedonia u pranua dhe anëtare e OKB dhe në organizata të tjera, duhet thënë se pavarësisht nga këto, hartat, intrigat dhe projektet për ndarjen e saj midis fqinjëve qarkulluan deri nga fillimi i vitit 1995. Në këto harta, që kishin për origjinë Athinën dhe Beogradin, Shqipëria shpërblehej me një territor të gjerë të saj, por kërkohej që Serbia të shpërblehej me një territor të gjerë të Kosovës. Vija e ndarjes së Kosovës zbriste pothuaj në Rrafshin e Dukagjinit. Pjesa tjetër e Maqedonisë do i bashkohej Serbisë dhe Bullgarisë. Greqia nuk mbetej pa gjë, por pretendimet e saj territoriale nuk ishin të mëdha. Ajo kishte një objektiv strategjik madhor: kufirin e përbashkët me Serbinë, sipas tyre, kundër harkut islamik Bosfor-Adriatik. Ndaj dhe Maqedonia nuk duhet të ekzistonte. Plotësisht i bindur se, çdo ndarje e re në trevat shqiptare ishte në kundërshtim me interesin tonë kombëtar, këto propozime merrnin gjithnjë një përgjigje të prerë, negative nga Tirana. Në këtë kuadër dhe për këtë qëllim, Kryeministri i Greqisë mori iniciativën e një takimi trilateral në Athinë, të nivelit më të lartë: Milosheviç-Micotaqis–Zhelev. Ky takim të kujtonte apo evokonte lidhjet e dikurshme ballkanike, që kishin si qëllim kryesor zhdukjen e shqiptarëve dhe ndarjen e territorit të Maqedonisë. Ndaj kësaj nisme, si një lidhje ortodokse ballkanike e re, reagova publikisht por edhe me rrugë diplomatike, duke deklaruar se rajonit nuk i duhen aleanca mbi baza fetare. Takimi dështoi sepse i ndjeri President Zhelev, kundërshtoi ftesën. Ky bullgar i madh, burrë shteti i shquar dhe mik i çmuar i paqes, në një takim që pata më vonë në Sofje, do të më thoshte se: sakrificat e tmerrshme dhe humbjet e mëdha të jetëve që ka patur kombi im, kur është implikuar në luftëra për territore të Maqedonisë, rreshtimi i tij i gabuar, duke besuar se mund t’i marrë ato territore, e bënë atë të mos pranonte kurrë të përfshihej në skenarë ndaj atij vendi.

Përveç këtyre, dua të theksoj se, asokohe për një lloj ndarje tjetër, ishte dhe partia aktuale maqedonase në pushtet VMRODPMN, udhëheqja e të cilës ndjehej krejtësisht bullgare dhe lobonte, fatmirësisht pa sukses, në Sofie për shpërbërjen e Maqedonisë. Përsëri, gjatë periudhës së konfliktit ndëretnik të vitit 2001, në të cilën qeveriste VMRODPMN me kryeministër Lubçe Georgievski, që sot mban pasaportë bullgare, autoritetet maqedonase, nëpërmjet Akademisë së Shkencave, filluan të bënin hartat për ndarjen e territoreve (të banuara nga shqiptarët) të Maqedonisë, por dhe shkëmbim territoresh me Shqipërinë

Maqedonia dhe Albanofobia

Pas shpalljes së pavarësisë, në vitet në vazhdim të dekadës së fundit të shekullit që shkoi, Maqedonia arriti konsolidimin e pozicionit të saj ndërkombëtar, i rezistoi përpjekjeve të Milosheviçit dhe bllokadave të Greqisë për destabilizim. Por duhet thënë se, që në muajt e parë të jetës së saj, një faktor tjetër pre-ekzistues që ishte kultivuar për gjatë shekullit që kaloi, me potencial destabilizues, madje dhe më të madh se të gjithë faktorët e tjerë, doli fuqishëm në skenën e shtetit të pavarur të Maqedonisë. Kjo dukuri ishte albanofobia, frika e etnisë maqedonase ndaj shqiptarëve.

Natyrisht, albanofobia nuk është një fenomen specifik i Maqedonisë, ajo ka qënë dhe vazhdon të jetë omniprezente tek fqinjët e tjerë direkt të shqiptarëve në Ballkan. Por, për një seri arsyesh në këtë vend ndofta ka qenë, herë-herë, dhe më e harbuar. Tito, për të garantuar epërsinë e maqedonasve, sundimin e tyre, ndoqi ndaj shqiptarëve në këtë republikë politikën e: • spastrimit të tyre të qetë, të planifikuar etnik, nëpërmjet emigracionit të organizuar; • mosshkollimin e tyre, duke menduar se kështu do të dizinteresoheshin për veten dhe të drejtat e tyre; • asimilimin e qindra dhe mijëra shqiptarëve ortodoksë të Rekës dhe zonave të tjera në këtë vend.

Para pavarësisë së Maqedonisë, terrori ndaj shqiptarëve në këtë vend ishte i njëjtë me atë të Milosheviçit në Kosovë. Aty, historia e shqiptarëve, gjuha shqipe, flamuri, këngët patriotike gjer edhe muret rrethuese të banesave, konsideroheshin armiqësore.

Por, pas shpalljes së pavarësisë dhe sanksionimit me kushtetutë të Maqedonisë si shtet i maqedonasve, albanofobia, si trashëgimi e të shkuarës dhe proces i pandalshëm, do të dëshmohej një gjyle e rëndë në këmbët e këtij shtetit dhe shumë shpejt, do minonte stabilitetin e tij. Kjo dukuri primitive shprehej, në politika të qarta zyrtare, diskriminuese antishqiptare. Banorë të trojeve të tyre shekullore, dhe me identitet të konsoliduar shqiptarët, konsideroheshin nga maqedonasit, një rrezik real, ndaj dhe duheshin shtypur dhe mbajtur si qytetarë të dorës së dytë. Vendet e Ballkanit jane te pasura ne minoritete nder to Maqedonia, është një vend multietnik. Në të gjitha regjistrimet zyrtare, edhe pas gjenocideve shfarosëse të luftërave ballkanike ndaj shqiptarëve, edhe pas një spastrimi etnik të gjatë, të heshtur të tyre, siç theksova më sipër, të programuar për dekada të tëra nga Tito dhe me gjithë manipulimet e këtyre regjistrimeve, qytetarët me origjinë maqedonase përbëjnë jo më shumë se 60 – 63% të popullatës në këtë vend. Ndërsa 27-30% e saj janë shqiptarë, të tjerët turq, serbë, bullgarë, romë, etj, etj. Pra, Maqedonia është vend me mazhorancë të vogël dhe minorancë të madhe. Shqiptarët, në këtë republikë, sikundër kudo në Ballkan në tërësi, janë një vazhdimësi etnike e gjeografike dhe jo enklave.

Pavarësisht nga kjo përbërje qartësisht multietnike, autoritetet nacionaliste maqedonase shpallën, muajt e parë të ekzistencës të shtetit të tyre të pavarur në preambulën e Kushtetutës, Maqedoninë si shtet nacional të maqedonasve, pra si shtet të bazuar në parimin etnik. Ata, sanksionuan me kushtetutë, maqedonasit si primarë të shtetit të tyre, ndërsa shqiptarët dhe kombësitë e tjera i shpallën si qytetarë të barabartë në një shtet në të cilin maqedonasit do ishin “më të barabartë se të tjerët”. Ata, krijuan kështu bazën kushtetuese të hegjemonisë së maqedonasve ndaj shqiptarëve dhe diskriminimit të këtyre të fundit dhe të tjerëve. Kushtetutat kthehen në satra, për ato që u mohojnë qytetarëve. Kjo Kushtetutë, i mohonte shqiptarët si element konstitutiv i shtetit të vendit të tyre të Maqedonisë. Ky përjashtim do të çonte vendin, pashmangshmërisht, drejt një konflikti të rrezikshëm ndëretnik. Pluralizmi dhe Pavarësia e Maqedonisë, nuk sollën zbutjen, zvogëlimin e albanofobisë. Pluralizmi politik në Maqedoni, nisi jetën e tij me sloganet elektorale “vdekje shqiptarëve”, në fushatën zgjedhore të parë pluraliste në këtë vend. Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e pavarur përbënin, që në fillim, një shqetësim serioz jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për komunitetin ndërkombëtar. Prandaj dhe SHBA, BE dhe OSBE u angazhuan seriozisht në përmirësimin e standardeve ekzistuese të marrëdhënieve ndëretnike me këtë vend.

Presidenti Klinton ngarkoi për këtë çështje, një nga këshilltarët e tij më të mirë, ambasadorin Bob Frowick; OSBE, ish-Ministrin e Jashtëm të Hollandës Hans Van der Shtoel; Bashkimi Europian diplomatin Gert Ahrens. Shqipëria, në këtë aspekt, dha ndihmesën e saj në bashkëpunimin direkt, të ndërsjellë por dhe ndërkombëtar. Natyrisht, më duhet të them se, megjithë përpjekjet e mëdha dhe arritjet e pamohueshme rezultatet në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në këtë vend, në tërësi, ishin modeste. Shqipëria ishte ndër vendet më të para që njohu Maqedoninë. Në të gjitha bllokadat e saj nga Greqia ne qëndruam në anën e saj, duke paguar dhe kostot absurde të zemërimit helen. Në të gjitha rastet, Tirana ka inkurajuar forcat politike shqiptare të vendit fqinje, të respektojnë institucionet dhe të marrin pjesë në to. Ndonëse përfaqësuesit e shqiptarëve merrnin pjesë në qeveri dhe parlament, në tërësi, kjo ishte thjeshtë pjesëmarrje e udhëheqjes por jo integrim i shqiptarëve në qeverisje, përkundrazi diskriminimi dhe segregacioni vazhdonte të thellohej. Në takimin tim të parë me Presidentin Gligorov në Pogradec dhe Ohër, në vitin 1992, duke konstatuar problemet madhore që kishte me shkollimin e popullatës shqiptare në Maqedoni, i kërkova atij që të hapej një fakultet mësuesie për shqiptarët në Universitetin e Shkupit. Presidenti Gligorov më premtoi se, vitin tjetër akademik, Fakulteti do të hapet dhe unë e njoftova këtë zotim publikisht, si një arritje të takimit tonë. Por, një vit më vonë, kjo nuk ndodhi. Në takimin tonë pas një viti, përgjigja e Presidentit Gligorov ishte se: ky Fakultet nuk mund të hapet, pasi nuk pranon pala tjetër. Senati dhe Rektori e kundërshtojnë. Pra, pala tjetër, udhëheqja e etnisë maqedonase, kishte frikë, nuk toleronte dhe nuk lejonte shkollimin në gjuhën amtare të etnisë shqiptare. Ajo ishte dakord të dënonte shqiptarët me padije, sepse ata nuk konsideroheshin të barabartë me maqedonasit shtetformues dhe duhet të mbeteshin si qytetarë të dorës së dytë, prandaj dhe si të tillë ata, dhe as mësuesit e tyre, nuk mund të shkollohen në arsimin e lartë, në gjuhën e tyre. Në këto rrethana, akademikë shqiptarë të Maqedonisë, me iniciativën private, hapën universitetin e Tetovës. Trupa akademike e universiteteve të Prishtinës dhe Tiranës dhanë ndihmesë në këtë Universitet. Përsëri bëmë çdo përpjekje vetë direkt, por dhe me miqtë tanë në Europë dhe SHBA, që autoritetet maqedonase të “legalizonin universitetin” e Tetovës, të njihnin diplomat e tij dhe të parashikohej edhe një buxhet për të. Qëndrimi i autoriteteve maqedonase ishte i prerë, “kjo është e pamundur”. Ata shumë shpejt e shpallën të paligjshëm këtë universitet dhe ndërmorën sulmin, terrorin shtetëror policesk ndaj Universitetit të Tetovës, në të cilin u vra një student, u plagosën shumë të tjerë, u arrestuan drejtuesit e Universitetit,qeveritarët vendorë të Tetovës dhe Gostivarit dhe qindra student,studente dhe qytetarë me origjinë shqiptare. Ndërkohë, forcat e sigurisë, shërbimet sekrete të këtij vendi, inskenonin skenarë dhe terrore shtetërore në zonat me shumicë shqiptare si në Strugë, Ladorisht, Bit Pazar, Shkup, Tetovë, Gostivar, në të cilat u vranë apo u burgosën, torturuan qindra e qindra shqiptarë. Por pasojat e kësaj politike nuk u vonuan. Ishin studentët e Universitetit të Tetovës dhe jo vetëm ata që, me shumicë, vitin e pare të këtij shekulli, do të rroknin armët, do të rreshtoheshin në radhët e UÇK dhe pavaresisht nga disa anatemime fillestare të padrejta të Tiranës zyrtare dhe ndërkombëtarëve, ata, në një luftë guerile tejet efiçente, do luftonin për liritë dhe të drejtat e munguara dhe shpejt do të krijonin mirëkuptim dhe mbështetje të gjerë për kauzën e tyre të drejtë.

Marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi zemërthyer i saj!

Falë ndërhyrjes energjike dhe përcaktuese të SHBA dhe BE, gatishmërisë të palëve ndërluftuese për dialog, realizmit të Presidentit Trajkovski, konflikti në Maqedoni do të zgjidhej brenda disa muajve. Ky konflikt i rrezikshëm, do të përfundonte me marrëveshjen historike të 13 Gushtit 2001, firmosur në qytetin e Ohrit, nga përfaqësues të lartë të BE, SHBA dhe palëve në konflikt. Marrëveshja e Ohrit, përbën një arritje historike, madhore në përpjekjen e shqiptarëve të Maqedonisë për të drejtat e tyre të munguara. Zbatimi i saj i sinqertë dhe pa komplekse, besoj se do mund të shndërronte, atë dokument dhe anekset e tij, në një marrëveshje paqe të vërtetë për vendin fqinj, do mund të shërbente si bazë solide për një shtet multietnik dhe shoqëri multikulturore në Maqedoni. Kjo marrëveshje, i jepte fund ndëshkimit kushtetues të shqiptarëve si etni jo shtet-formues dhe do të mund të shënonte kalimin e Maqedonisë nga shtet etnik në shtet multietnik në të vertetë post-etnik. Në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe anekseve të saj, në rrafshin institucional, ka progres thelbësor dhe askush nuk mund ta mohojë. Sot, në funksionimin e parlamentit egzistojnë, po të respektohen, mekanizmat mbrojtëse nga abuziviteti i maqedonasve ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në këtë vend, si mekanizmi Badinter apo “shumica” Badinter. Arritjet në fushën e arsimit, me gjithë diskriminimin që përsëri ekziston, janë qartësisht pozitive dhe realisht të mëdha. Por ky është progres zemërthyer dhe jo i plotë. Dhe tani, pas kaq vitesh, përsëri nene shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar, ligji për gjuhët nuk shpreh frymën e Marreveshjes se Ohrit. Decentralizimi është gjysmak dhe i paralizuar nga nacionalizmi maqedonas dhe unitarizmi i tij kushtetues, diskriminim i thellë konstatohet në alokimin e fondeve për kulturën dhe arsimin, dhe më e keqja është se diskutimet për zbatimin e tyre bëhen si midis palëve ndërluftuese dhe jo palëve që shikojnë në marrëveshje, dokumentin e bashkëjetesës së tyre në paqe dhe stabilitet. Vështirësi serioze nxirren për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nga autoritetet maqedonase. Kjo ka ringjallur mosbesim për vlerën e saj. Nga disa kërkohet tejkalim i kësaj marrëveshje me dokumente të reja.

Kështu, në zbatim të marrëveshjes, janë mijëra e mijëra shqiptarë që janë emëruar në detyra të ndryshme por, diku për mungesë “strehimi”, diku për mungesë “zyrash”, ata paguhen 70% të rrogës dhe nuk dalin në punë ndërkohë që, për shkak të mungesës së tyre në punë, emërohen në ato detyra maqedonas. Çdo vit miratohen në buxhet investime në projekte jetike për Maqedoninë Perëndimore, e banuar kryesisht nga shqiptarë, ndërkohë që ky është thjesht një miratim formal, sepse asnjë investim i qenësishëm, nuk është bërë këto 20 vjet në Maqedoninë Perëndimore. Investimet kanë vërshuar të gjitha drejt Maqedonisë Lindore dhe kryesisht në projektin grandoman “Shkup 2014”, projekt që synon maqedonizimin me çdo kusht të qytetit, kryeqendër e dikurshme e shqiptarëve dhe, de facto, ndarjen e tij në pjesën moderne maqedonase, të lavdisë së Aleksandrit që kurrë nuk e ka patur, të ndërtuar edhe me taksat e shqiptarëve dhe, në atë të prapambetur, të banuar kryesisht nga shqiptarë.

Në vizitën time të fundit në Maqedoni, në vitin 2013, u ktheva në Shqipëri me ndjenjën dhe përshtypjen sikur kisha vizituar jo një, por dy vende të ndara dhe aspak miqësore njëra me tjetrën, përshtypje të cilën nuk e pata në vizitën para saj. Por, nga ajo kohë, është kaluar në një seri aktesh albanofobie të rrezikshme në të cilat rol kryesor kanë patur në tërësi, autoritetet zyrtare të Maqedonisë. Kështu rasti i Sopotit, vrasjes së pesëfishtë të dënuar me ashpërsi nga të gjitha forcat politike shqiptare kudo që janë, shndërrohet në një mollë tëvërtetë sherri. Kjo, për shkak të procesit krejtësisht jo transparent të trajtimit të këtij akti të rëndë krimnal. Autoritetet maqedonase e shpallën atë, fillimisht, një akt të terrorizmit islamik, që nuk ishte absolutisht i tillë. Pra, përdorën besimin fetar për të goditur etninë shqiptare. Në takimin tim të radhës pyeta Kryeministrin Gruevski se: përse ata vrapuan ta quanin atë një akt terrorist islamik?. Ai më dha përgjigje absurde se, sipas tij: ta quanin ndëretnik, ishte më e rëndë, ndërkohë që në mes qëndronin grindje për çështje civile kontraktuale. Në maj të këtij viti doli se në një bisedë telefonike të regjistruar ish Ministrja e brëndshme e Maqedonisë Jankullovska thotë se ata i dënuam pa prova.

Vetëm tre vjet më parë, në kundër përgjigje të vizitës dhe nderimit ceremonial me vendosjen e një kurore të Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, shqiptarë me origjinë, në varrezën e luftëtarëve të UÇK, sakrifica e të cilëve qëndron në themelin e Marrëveshjes së Ohrit, Kryeministri Gruevski, jo vetëm dënoi publikisht aktin e Ministrit të kabinetit të tij, por me shpejtësi të rrufeshme, dërgoi në parlament ligjin për shpërblim, pensionin e paramilitarëve maqedonas, banditë të vërtetë që, njëlloj si çetnikët serbë, kishin bërë masakër në fshatrat shqiptare. Ky akt zgjoi zemërimin dhe reagimin e shqiptarëve, të cilët e bllokuan ligjin në parlament, nëpërmjet paraqitjes së mijëra e mijëra amendamenteve për të. Në vizitën e fundit në Tiranë, i kërkova kryeministrit Gruevski që, në ligjin në fjalë, të përfshihen edhe luftëtarët e UÇK-së dhe më këtë, bënte një gjest pajtimi dhe mbyllte një kapitull të historisë së vendit të tij. Përgjigja e tij ishte se: kjo nuk mund të bëhet. Kjo do, së paku, 30-40 vjet për t’u bërë. Pra mora një përgjigje të ngjashme me atë që më dha Presidenti Gligorov 21 vjet më parë për Fakultetin e Mësuesisë në gjuhën shqipe në Shkup. Në fushatën e parë pluraliste zgjedhore në Maqedoni, nacionalistët maqedonas kërkonin votën e qytetarëve të tyre me sloganet: “vdekje shqiptarëve”, “Maqedonia është e maqedonasve”. Sot, 24 vjet më vonë, në fushatën e fundit elektorale, kryeministri i vendit do të lëshonte në një komunë të banuar më së shumti nga shqiptarë thirrjet: “Kërçova është e maqedonasve” ndërkohë që aty,për shkak se shumica e banorëve janë shqiptarë, fitoi kandidati i tyre. Ai, pasi humbi aty, kërkoi falje për slloganet që përdori në fushatë.Këtu, mjerisht, më duhet të them se, në jetën time politike kam takuar vetëm një politikan kryesor të këtij vendi, një ish kryeministër i cili ishte thellësisht i bindur në domosdoshmërinë jetike të marrëdhënieve të mira me shqiptarët dhe që ishte i përkushtuar ndaj tyre.

Sot, edhe 14 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, përsëri mund të thuhet, siç provoi ngerci në zbatimin e saj si dhe rasti i Sopotit dhe ne veçanti i Kumanovës se në Maqedoni baruti i albanofobisë ende nuk është lagur dhe se, ky progres i shënuar në këto vite në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, nuk ka ngushtuar kanionin e frikshëm që ndan shqiptarët dhe maqedonasit në këtë vend. Përkundrazi, ai është sot i thellë, në disa aspekte psikologjike e shpirtërore, ndofta sa ç’ishte në fillimin e viteve ’90.

Maqedonia si laborator i klonimit te nacionalizmave!

Pse ndodh kjo? Cili është shkaku që ndryshimet e mëdha ligjore dhe kushtetuese, progresi i pamohueshëm në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit nuk ka ngushtuar hendekun që ndan, në qëndrimet ndaj njëri-tjetrit, dy etnitë kryesore në këtë vend? Shkaqet mund të jenë të shumta, por mendoj se: Së pari, shkaku më kryesor qëndron në shndërrimin në këto vite, të Maqedonisë nga autoritetet zyrtare maqedonase në laborator të klonimit, farkëtimit dhe kultivimit të nacionalizmave. Fill pas firmosjes së marrëveshjes së Ohrit, kur erdhi problemi tek formulimi i amendamenteve kushtetuese dhe ligjeve të jetësimit të saj, që i jepnin fund shtetit etnokratik, pala maqedonase u përpoq përsëri, nëpërmjet interpretimit, për një legjislacion minimialist, gjë që kërkoi ndërhyrjen direkte të ndërkombëtarëve në hartimin dhe miratimin e tyre. Në kundërshtim me përcaktimin e marrëveshjes së Ohrit për një shtet postetnik, d.m.th. që në preambulën e Kushtetutës të mos citohej asnjë etni, udhëheqja maqedonase e refuzoi atë, shkeli marrëveshjen. Maqedonia me ndryshimet kushtetuese në preambulë u përcaktua si shteti i “Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas si dhe popujve që jetojnë në territorin e saj dhe janë pjesë e popullit shqiptar, turk, vlleh, serb, rom, boshnjak dhe të tjerë”. Përveç këtyre duhet thënë se ndonëse marrëveshja e Ohrit krijoi njëfrymë besimi dhe klime pozitive të pamohueshme midis palëve, ende pa u tha boja e firmave, përfaqësuesi i shumicës Maqedonase që e kishte firmosur marrëveshjen e Ohrit si kryeministër i vendit, Ljubçe Georgevski, do të parashtronte projektin e organizimit të Maqedonisënë zona të pastërta etnike dhe propozojë gjer ndarjen me mure tëshqiptarëve nga këto zona, në rast se ata e refuzonin këtë plan. Me kalimin e kohës u bë e qartë se, jo zbatimi i marrëveshjes së Ohrit në germë dhe në frymë për një Maqedoni shtet multietnik, multikulturor por, në vend të saj, do të vazhdonim të kishim një Maqedoni laborator i nacionalizmit më të ri dhe më paranojak, siç është nacionalizmi shtetëror maqedonas antik, i cili po rritet si shartesë me anët më të zeza të nacionalizmit maqedonas sllave dhe në djepin e tij. Ky nacionalizëm, me shpejtesi po çon marrëdhëniet ndëretnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve, në kohërat të vështira, duke privuar kështu nga shpirti apo fryma, dhe efektet pozitive, arritjet e padiskutueshme të marrëveshjes së Ohrit. Autoritetet maqedonase, nga njëra anë pretendojnë, se pajtohen me faktin se Maqedonia është një vend multietnik, së fundi, vet kryeministri Gruevski deklaroi këtë, në një konferencë në Bruksel, kurse nga ana tjetër, ata farkëtojnë, ditën dhe natën, me të gjitha mjetet institucionale nacionalizmin shtetëror maqedonas antik. Në sheshin qëndror të Shkupit në zbatim të Projektit 2014, në këtë qytet i cili 100 vjet më parë ishte kryeqendra e kombit shqiptar mbretërojnë statuja e buste të mbretërve, perandorëve, gjeneralëve, dijetarëve, kryengritësve, luanëve e kuajve druaj më të shumtit në numër se ata të Londrës dhe Parisit, të marra së bashku duke i dhënë një pamje që ai nuk e ka patur as në kulmin e lulëzimit të mbretërisë Dardane si kryeqytet i saj. Në vizitat në pallatet qeveritare të Maqedonisë, nga statujat dhe reliktet e sallave dhe korridoreve, të duket sikur hyn në një muzeum arkeologjik, në zyrën kryesore të të cilit të pret Kryeministri apo Presidenti, që besojnë se kryesojnë qeverinë dhe shtetin pasardhës të Aleksandrit. Krahas këtyre dhe në funksion të këtij nacionalizmi dhe kundër shqiptarëve, autoritetet zyrtare maqedonase me qëllim, angazhohen në një politikë filoserbe e filoruse dhe i lëshojnë, haptas dhe me dashje, terren nacionailzimit serb. Sigurisht, Maqedonia do të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë, por është absurde që, në një akt të hapur armiqësor ndaj shqiptarëve në tërësi dhe vecanërisht atyre në Maqedoni, festohet zyrtarisht 100 vjetori i betejës së Kumanovës, betejës së genocidit të egër dhe shfarosjes së shqiptarëve në të cilën, sipas raporteve të Lev Davidovic Trockit, asokohe korrespondent lufte në Shkup dhe raporteve të tjera, Vardari u mbush me koka dhe trupa të shqiptarëve civil të masakruar. Po në këtë kontekst, është edhe vendosja në Shkup e shtatores së Dushanit. Shkupin me Dushanin e lidh vetëm pushtimi i egër i Carit më mizor në historinë e Ballkanit, nga barbaritë e të cilit kombet e gadishullit, përveç shqiptarëve, e humbën përfundimisht identitetin e tyre dhe nuk u zgjuan më ata që ishin. Udhëheqja maqedonase ju fryn pandërprejre borive të nacionalizmit shtetëror maqedonas antike, ndonëse është plotësisht e vetëdijshme se kjo është njëkohësisht nxitje e nacionalizmave të tjera: serbe, bullgare, greke dhe atij shqiptar në këtë republikë. Mirëpo, ky nacionalizëm, të duket se beson se nacionalizmi bullgar, serb dhe grek, pavarësisht se nga njëra anë vertetë i kërcënojnë dhe i kërkojnë atij kishën, emrin, gjuhën, identitetin por, nga ana tjetër, tëduket sikur ai mendon se pavarësisht nga këto rivendikime i shërbejnë atij për t’u konsoliduar gjithnjë e më fort si i tillë, dhe për të mos thënë se ndonjëherë të krijohet përshtypja se atyre, maqedonasve të pasigurt në identitetin e tyre, ju duhen të gjithë nacionalizmat e këtij rajoni kundër nacionalizmit shqiptar. Ky nacionalizem i ri, njëlloj si ai i vjetri pra, nacionalizmi maqedonas sllav, konsideron si rrezik më madhor për sigurinë e tij të brendshme, pra konsideron armikun e tij të brendshëm, nacionalizmin shqiptar. Ky i fundit në dallim nga nacionalizmat e fqinjëve tanë që vuajnë nga anemi dhe brishtësi të identitetit dhe për rrjedhojë ndjenja thuajse gjenetike e pasigurisë dhe agresivitetit primitiv që e shoqëron këtë brishtësi, identitetin e ka me bollëk. Kjo sepse në rastin tek shqiptarët, identiteti nuk bazohet në besimet fetare apo mitet e hershme mesjetare por bazohet në gjuhën shqipe dhe kulturën dhe në një farë mase dhe Skenderbeun që është një realitet dhe mit sa shqiptar aq dhe perëndimor. Me këto dua të them se shqiptarët në Maqedoni, në trojet e tyre shekullore, problemet e identitetit dhe të nacionalizmit të tyre, nuk i pengojnë për të jetuar në bashkëjetesë pa komplekse dhe dinjitoze si qytetare të barabartë para ligjit me të tjerët.

Si përfundim, mund të thuhet se, ata që ende besojnë në mundësinë e ndërtimit të një shteti multietnik dhe multikulturor në Maqedoni në statuquonë aktuale, druaj shumë se nuk janë realistë. Ngjarja tejet tronditëse e Kumanovës, e cila pati më shumë viktima se të gjitha aktet e terrorit shtetëror të autoriteteve maqedonase, të marra së bashku të Ladorishtit, Bit Pazarit, Tetovës, Gostivarit dëshmon se, klonimi i nacionalizmit dhe shoqëria multietnike nuk bashkëjetojnëdhe se, nacionalizmi maqedonas antik është i gatshëm të ndërmarrë akte terrori kundër shqiptarëve. Pas marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia “de jure” është një shtet multietnik ndërsa “de fakto” është përsëri njështet etnik, më sakt i nacionalizmit të ri maqedonas antik dhe kjo përbën një problem madhor për stabilitetin e këtij vendi.

Maqedonia midis Perëndimit dhe Rusisë!

Së dyti, kriza aktuale e Maqedonisë është një krizë shumëplanëshe dhe Maqedonia sot është në udhëkryq tejet të rrezikshëm. Kriza aktuale në këtë vend është krizë politike pra e marrëdhënieve pozitë opozitës maqedonase, është krizë e integrimit europian dhe euroatllantik, për shkak të bllokimit nga veto greke e procesit të integrimit dhe krize e thellë besimi në marredheniet ndëretnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Ish-ambasadori amerikan, lëshoi disa muaj më parë, para largimit të tij nga Shkupi, paralajmërimin serioz për lidershipin politik të këtij vendi, se: në rast se vazhdoni në këtë mënyrë, do të përballeni me skenarin e Ukrainës. Në realitet, kriza e Maqedonisë përbën krizën më të ndërlikuar, më të zgjatur dhe të rrezikshme të Europës, pas asaj të Ukrainës. Kjo sepse, në këtë vend, nuk përballen vetëm qeveria dhe opozita e tij apo vetëm nacionalizmat ballkanike serbe, greke, bullgare, maqedonase, shqiptare, por e vërteta është se aty përballen haptas Perëndimi dhe Rusia. Maqedonia, sic ka theksuar shkurtin që kaloi Sekretari Kerry, me disa vende të tjera europiane “ndodhet në linjen e zjarrit, kur është fjala për marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës”. Në këtë përballje, qëndrimi i Perëndimit, që ka bërë investime kolosale në këtë vend, është për një Maqedoni europiane multietnike, multikulturore, shtet i qytetarëve të lirë dhe të barabartë para ligjit, me perspektivë të qartëpër t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.

Kurse për ngjarjen e Kumanovës, BE dhe SHBA, kërkuan hetim serioz dhe të gjithanshëm të kësaj ngjarje dramatike dhe nuk pranuan tezat e autoriteteve maqedonase për një akt të një grupi terrorist me mbështetje nga jashtë. Ndërsa, qëndrimi i Moskës ndaj Maqedonisë, është krejt tjetër, madje i kundërt me të Perëndimit. Cilido që ka ndjekur zhvillimet në këtë vend, konstaton lehtë se Maqedonia nga një vend, në tërësi, pas shumë kohe i parëndësishëm për Rusinë, është shndërruar së fundmi, në një vend i një rëndësie nevralgjike, si zonë influence për ndikimin e saj në Ballkan, dhe si territor kyç për kalimin drejt perëndimit të gazsjellësit “South Stream 2” apo “Turkish Stream”. Kjo është shprehur qartë në qëndrimin negativ të Lavrov ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe akuzat e tij të hapura ndaj perëndimit se, po përpiqet të rrëzojë qoftë edhe me puç qeverinë pro ruse tëGruevskit, apo akuzat e tij banale se, dy vende anëtarë të NATO-s, Shqipëria dhe Bullgaria, që janë edhe miqtë më të mira të Maqedonisë, kanë plane për ndarjen e saj.

Ndaj dhe në këtë kontekst kriza e brëndshme politike maqedonase dhe sidomos ngjarja e Kumanovës, me shpejtësi u ndërkombëtarizuan, në formën e një përballjeje midis Perëndimit dhe Rusisë. Lavrov, në vizitën e tij në Maj të këtij viti, në Beograd, do të deklaronte se, në agjendën e tij përveç marrëdhënieve bilaterale, dyishin çështjet kryesore që ai do të diskutonte me Beogradin – Kosova dhe kriza e Maqedonisë. Për Ministrin e Jashtëm Rus “trazirat në Maqedoni janë të nxitura nga Perëndimi dhe kanë si shkak refuzimin e Gruevskit për t’ju bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe vullnetit të tij për të bashkëpunuar në ndërtimin e linjës së gazsjellësit Turkish Stream”. Natyrisht, Moska nuk harron asnjeherë që për të akuzuar shqiptarët të denoncojë edhe përpjekjet inekzistente për krjimin e Shqipërisë së Madhe.

Në këtë përballje, midis Perëndimit dhe Rusisë, autoritetet maqedonase, në aparencë janë me qëndrimin e parë por, në esencë me qëndrimet, veprimet dhe disa vendime të tyre, anojnë qartas nga i dyti. Ata vërtet kanë kërkuar antarësimin në NATO, por nuk kanëdenoncuar pushtimin hitlerian të Krimes nga Moska dhe nuk janë bashkuar me sanksionet perëndimore ndaj saj. Dekleratat e tyre, për zhvillimet e fundit në Maqedoni, janë të njëjta apo të sintonizuara me Moskën dhe Beogradin. Sipas autoriteteve zyrtare maqedonase, ngjarja e Kumanovës për tëcilën pothuaj mjerisht nuk flitet më, është vepër e një grupi terrorist shqiptar, të nxitur nga jashtë, që nënkuptojnë Kosovën por edhe dhe Perëndimin. Këtë linjë mbajnë pa kushte edhe Moska dhe Beogradi.Ndërkohë, të dhëna dhe indicie që nuk mund të injorohen, pohojnë se Kumanova është vepër e shëmtuar e fundit e albanofobisë, një skenar terrori shtetëror, ndaj popullatës civile shqiptare i stisur nga shërbimet maqedonase, mbase me ndihmesën edhe të shërbimeve ruse dhe të Beogradit. Ky skenar u paralajmërua me qëllim, tre javë para se të ndodhte, me një letër nga kreu i shtetit të Maqedonisë, dërguar disa homologëve të tij. Në këtë kontekst, një hetim i paanshëm ndërkombëtar, do të ishte vendimtar për të gjithë transparencën e këtij skenari, gjetjes së shkaqeve, qëllimeve, autorëve dhe organizatorëve të tij.

Ky hetim, në çdo aspekt, kushton shumë më pak se sa pasojat e hetimit të njëanshëm apo mos hetimit të kësaj ngjarje. Uroj që, komuniteti ndërkombëtar ta konsiderojë në mënyrën më serioze hetimin e kësaj ngjarjeje, i cili duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve: Së pari, a ishte kjo ngjarje, siç pretendojnë autoritetet maqedonase,vepër e një grupi terrorist shqiptar të UÇK dhe për rrjedhojë fillimi i një lufte të re në Maqedoni? Gjer sot, asnjë forcë politike shqiptare në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri apo gjetiu, nuk është gjetur se qëndron prapa këtij grupi. Së dyti a ishte ky një skenar i autoriteteve maqedonase, shërbimeve të këtij vendi dhe shërbimeve të tjera aktive në rajon, ruse dhe serbe, për të ndihmuar qeverinë Gruevski, duke krijuar një dominancë tensioni tjetër jashtë Shkupit, ku çmimin duhet ta paguanin shqiptarët, në mënyrë që Gruevski dhe Zaevi të pajtoheshin për shkak të “Anibalis anti portam”? Dhe se treti, a mos ishte kjo një grishje e nacionalisteve maqedonase për të nisur ndarjen e vendit të tyre dhe së fundmi cili ishte roli i rusëve dhe serbëve në këtë skenar? Padyshim, ajo që ndodh në Shkup, në një plan është një krizë politike, një përballje për pushtet midis shumicës dhe opozitës maqedonase. Kjo e fundit, për vite është pranuar si një nga opozitat më të dobëta por, e rënë në një burim informacioni regjistrimesh, ajo, nëpërmjet tyre ka nxjerrë në pah afera kriminale dhe korruptive të mazhorancës në pushtet, e cila me sa duket, kontrollon çdo gjë dhe nuk do t’ia dijë për aferat e publikuara nga opozita.

Komuniteti ndërkombëtar, gjer para ngjarjes tragjike dhe terrorit shtetëror në Kumanovë, i përcolli zhvillimet në Shkup me një farë apatie. Pas Kumanovës, qëndrat ndërkombëtare u alarmuan. Brukseli u vendos në krye të përpjekjeve për zgjidhjen e krizës politike. Posaçërisht, Komisioneri Hahn, u angazhua direkt dhe intensivisht me takime në Bruksel dhe Shkup me udhëheqsit kryesorë politikë të Maqedonisë si dhe ambasadorët e BE dhe SHBA në Shkup. Këto përpjekje u kurorëzuan me sukses me ndërmjetësimin e Komisionerit Hahn në vizitën e tij të fundit në Shkup. Marrveshja e fundit në mes katër forcave politike të Maqedonisë jo vetëm zgjidhi kirzën midis qeverisë dhe opozitës maqedonase, por mendoj se zgjidhi një problem madhor për qytetarët dhe shoqërinë e këtij vendi. Kjo marrveshje përcaktoi rregulla që bëjnë të mundur një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në Maqedoni.

Por Marrëveshja politike e Shkupit nuk trajtoi dhe nuk zgjidhi bllokimin e anëtarësimit në NATO dhe BE të këtij vendi nga Greqia për kundërshtitë tashmë të njohura. Marrëveshja druaj se nuk i dha përgjigjen e merituar, qëndrimit rusofil të qeverisë së Maqedonisë tejet të dëmshëm dhe kërcënues për shoqërinë e ketij vendi? Dhe së fundi ajo le siç ishte krizën më të thellë, të këtij vendi, krizën ndëretnike për të cilën konstatoj se dhe nuk ka dëshirë të flitet. Kancelarja Angela Merkel, në Samitin e Dubrovnikut vitin e kaluar, sipas mediave ka pranuar se, ajo është marrë dhe duhet të merret me zgjidhjen e kundërshtive dhe arritjen e një kompromisi midis Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit të vendit dhe problemet, ndofta, edhe më të ndërlikuara të pas emrit, d.m.th. gjuhës dhe identitetit etj. Ndofta ky nuk është momenti më i përshtatshëm por, jam i bindur se,kjo është çështje kohe, dhe do të ndodhë. Kjo zgjidhje nuk duhet të shtyhet nga palët në kalendat greke, ajo ka rëndësi shumë të madhe për avancimin e perspektivës europiane dhe euroatlantike të këtij vendi dhe distancimin e tij nga ndikimi rus. Askush nuk duhet të injorojë se kusht i një bashkëjetese të qëndrueshme midis shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë vend, është kursi pro europian, pro perëndimor i tij. Shqiptarët nuk janë të prirur të pranojnë një Maqedoni vasale të Rusisë të një shteti historikisht me qëndrime të njohura antishqiptare dhe që edhe sot nxit maqedonasit kundër shqiptarëve. Mjafton të rikujtoj këtu se pikërisht në këtë kontekst, Lavrov, në një bisedë informale me autoritete maqedonase jo pa cinizëm dhe për ti ndërsyer kundër shqiptarëve, do t’i pyeste ata se “pse nuk përdorin emrin Republika shqiptare e Maqedonisë”. Shkëputja e Maqedonisë nga ndikimi rus është i një rëndësie kapitale për stabilitetin e këtij vendi por edhe të rajonit. Shqiptarët në Maqedoni nuk mund të pajtohen, të qëndrojnë, për interesat ruse apo nacionalizmave ekstreme maqedonase, jashtë Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Kriza ndëretnike në Maqedoni duhet zgjidhur!

Maqedonia qe tani së fundmi, zgjidhi me një marrveshje krizën politike dhe mund dhe do të zgjidhë dhe çështjen e emrit dhe te pas emrit me Greqinë, dhe do të hapë negociatat me BE-në, ajopërsëri, mbetet njëlloj e kërcënuar nga Albanofobia dhe pasojat e saj. Krizën, tensionin në mardhëniet ndëretnike në këtë vend të gjithë e prekin, e ndjejnë, e shohin atë të pranishme kudo, por më shumë kanëtendencë ta anashkalojnë. Patatja e nxehtë është përvëluese. Mirëpo pa zgjidhjen e kësaj krize, stabiliteti i Maqedonisë është i rremë, jo i vërtetë, është i përkohshëm dhe jo i qëndrueshëm.

Kësaj krize që ka në themel albanofobinë do mund ti jepej përgjigjia e duhur vetëm duke mbajtur parasysh:

Se pari, se Maqedonia europiane nuk mund të jetë tjetër, veçse realisht dhe jo fiktivisht, një shtet multietnik. Maqedonia tjetër, ajo e hegjemonisë së etnisë maqedonase, e mbështetur nga Moska dhe Beogradi, do të vazhdojë vendosmërisht dhe pashmangërisht të ecidrejt destabilizimit.

Së dyti, udhëheqja maqedonase nuk deshiron të ndërtojë një shtet multietnik, ajo punon me të gjitha mjetet për farkëtimin dhe klonizimin e nacionalizmit maqedonas antik, pavarësisht nga zgjimipër rrjedhojë, demonëve të nacionalizmave të tjera? Mendoj se udhëheqja maqedonase ka dëshmuar qartë e, saktë, se ajo de jureështë dakort për një shtet multietnik por de facto e minon atë. Kështu që të pretendosh një gjë të tillë prej tyre është thjesht një utopi.

Së treti, shqiptarët nuk mund të ndërtojnë dhe të mbajnë në Maqedoni një shtet multietnik, të cilin shumica maqedonase nuk e do. Dhe lidhur me këtë, shqiptarët, nuk mund të pranojnë të jetojnë për hir të stabilitetit të Maqedonisë, si qytetarë të dorës së dytë, më së fundi jo me ligj, por me vullnetin e prerë të shumicës maqedonase dhe mbështetjen serbe dhe ruse për këtë të fundit.

Shumë e rëndësishme për të dalë nga ky udhëkryq në të cilin ndodhet ky vend, është një përpjekje e re e fuqishme në dy drejtime: së pari, në zbatimin në gërmë dhe në frymë të marrëveshjes së Ohrit, kapërcimi i të gjitha qëndrimeve dhe praktikave që ushqejnë segregacionin. Sot, nuk janë të pakët shqiptarët në Maqedoni, që pretendojnë një marrëveshje të re. Përsëri insistoj se, problemi nuk është çështja e dokumentit, por çështja e vullnetit dhe mungesës së tij nga shumica dhe se, dokumenti nuk zëvendëson dot vullnetin. Mendoj se është e domosdoshme dhe jetike për vendin që, bashkëfirmëtarët ndërkombëtare të marrëveshjes së Ohrit, BE dhe SHBA, të ulen së bashku me autoritet e vendit dhe, me të njëjtën vendosmëri, si në fillim, të garantojnë si dhe të monitorojnë zbatimin e plotë të akteve, neneve të marrëveshjes së Ohrit dhe anekseve tësaja, duke i interpretuar ato në përputhje të plotë me standartet e shteteve demokratike multietnike perendimore. Ligji për gjuhët duhet plotësuar dhe Maqedonia duhet të pranojë, në tëgjithë territorin dhe institucionet e saj, bilinguizmin në interesin më tëmire të saj. Gjithashtu, është e domosdoshme edhe shtrirja e mekanizmit mbrojtës (Badinter), që parashikohet për parlamentin, edhe në qeveri dhe institucione të tjera, si Gjykata Kushtetuese, për të mos lejuar diskriminimin mbi baza etnike. Në kabinetin e Maqedonisë, ministrat shqiptarë nuk kanë asnjë fuqi minorancë bllokuese, kur është fjala për të mbrojtur interesat legjitime të popullatës shqiptare. E vetmja e drejtë e tyre, në këtë rast, është të braktisin mbledhjen, gjë të cilën kanë qenë të detyruar ta bëjnë disa herë. Së fundi, stabiliteti i Maqedonisë nuk mund të arrihet duke zhvlerësuar dhe zvogëluar me manipulime, makinacione politike etj, peshën rolin e shqiptarëve ne jetën zhvillimin e vendit të tyre.

Federalizimi i Maqedonisë si zgjidhje përfundimtare e krizës ndëretnike!

Per paqen e qëndrueshme të këtij vendi, është e domosdoshme dhe jetike një autonomi rajonale e garantuar e shkallës së lartë e tipit te shteteve multietnike federative apo konfederatave perendimore. Në pranverën e vitit 1992, jam pritur si Presidenti i sapo zgjedhur në Elize nga Presidenti Mitterrand. E tërë biseda jonë, në atë takim, u përqëndrua rreth zhvillimeve në ish-Jugosllavi. Natyrisht, qëndrimet e mia bazoheshin në bindjen time të thellë se, Federata Jugosllave ishte federata më artificiale që ishte krijuar në planet dhe e ndërtuar mbi padrejtësitë me te medha që ishin bere ndonjehere, para së gjithash kombit shqiptar. Në këtë mbretëri dhe më pas federatë të sllavëve të jugut, perëndimi kishte krijuar jo Serbinë e madhe por Serbinë e stërmadhe. Në atë diskutim theksova se, problem themelor në Ballkan është problemi midis shqiptarëve dhe serbëve, bashkëjetesa e të cilëve në një shtet i çdo lloji qofte ai, është e pamundur. Natyrisht, dënova masakrat serbe në Bosnjë, sulmet ndaj Dubrovnikut dhe qyteteve të tjera të Kroacisë, shpreha mendimin se kantonizimi i Maqedonisë do të mund t’i jepte këtij vendi stabilitetin e duhur.

Kurse, Presidenti Mitterrand, ndofta ende vazhdonte të besonte, në një mënyrë ose në një tjetër, se hegjemonia serbe ishte e dobishme për të vendosur njëfarë “rregulli” në gadishull, parim mbi të cilin ishte themeluar, çerekun e parë të shekullit që shkoi, Mbretëria dhe pas luftës së dytë botërore, Federata e Jugosllavisë. Memoria dhe shënimet e mia për atë takim të paharruar, më rikujtojnë se Presidenti Mitterrand, në përgjithësi, nuk ishte dakord dhe nuk mbështeti mendimet e mia, madje megjithë vokacionin e njohur të tij për kulturën dhe vlerat e saj, ai nuk u tregua i ndjeshëm as me denoncimin që i bëra bombardimeve të Dubrovnikut nga forcat e Ushtrisë Jugosllave, që kishin filluar pikërisht atë javë pasi, në përgjigjen e tij, më tha se: Serbia duhet të ketë një dalje në det, iu përgjigja se: Ajo nuk ka patur det të saj ndonjeherë dhe se Ragusa nuk kishte qenë kurrë e saj. Por, në këtë takim, Presidenti Mitterrand, vetëm në një çështje ishte dakord me mua. Ai më tha se, ndofta ke të drejtë me idenë e kantonizimit, ose diçka të kësaj natyre, të Maqedonisë. Që nga ajo kohë, debate për kantonizimin, federalizimin e Maqedonisë, nuk është mbyllur. Madje, mund të thuhet se 3-4 vitet e fundit, ky problem po diskutohet më gjerë.

Memorjet nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe, por mendoj se, vetëm zbatimi qoftë edhe i çdo neni të marrëveshjes së Ohrit, nuk do të zgjidhë problemin thelbësor të tensioneve ndëretnike të thellimit të segregacionit midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Unitarizmi kushtetues i Maqedonisë është një tjetër mekanizëm i fuqishëm i albanofobisë është shpata e Demokleut që qëndron mbi autonominë, që duhet të gëzojnë komunat e banuara nga shqiptarët. Ai përbën bazën ligjore për autoritetet nacionaliste maqedonase për të vendosur ndaj komunave të banuara kryesisht nga shqiptarë një vartësi qendrore dhe diskriminimi buxhetor. Mendoj se, është e domosdoshme që, kushtetuta e këtij vendi të clirohet nga nocioni i shtetit unitar. Heqja e unitarizmit të shtetit maqedonas nga kushtetuta duhet kuptuar jo si një lëshim ndaj shqiptarëve por si një interes madhor i paqes dhe stabilitetit afatgjatë të këtij vendi.

Unë e di se, udheheqja maqedonase jeton me frikën e dizintegrimit të vendit, dhe unitarizmin kushtetues të shtetit e konsiderojnë garancine e tyre. Por kjo është plotësisht e pa justifikueshme. Në Maqedoni e verteta është tjetër. Jeta paralele e etnive kryesore është realiteti më i spikatur i këtij vendi. Nuk është unitarizmi kushtetues, aq më pak frika nga dizintegrimi, por liria dhe bashkimi reth vlerave të saj, ajo që do sigurojë bashkëjetesën paqësore të etnive të saj në këto vleradhe mbrojnë vendin nga dizintegrimi. Pretendimi se, federalizimi nuk funksionon mbasi në komunat, me popullatë kryesisht shqiptare apo maqedonase, ka edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera, është absurd. Në vendet e lira ky parim nuk synon të sigurojë pastërinë etnike Përkundrazi, prania e komuniteteve të tjera në një zonë të caktuar, vetëm se e bënë më funksionale federatën. Si përfundim mendoj se është jetik të përpunohen mekanizmat ligjorë që garantojnë autonominë më të lartë të rajoneve të banuara nga shqiptarët. Modelet e shoqërive dhe shteteve multietnike pra, federatave apo konfederatave, në Europë dhe Perëndim, nuk mungojnë. Vetëm aplikimi me guxim i këtyre standarteve europiane, pa frikë dhe komplekse në kuadrin e një shteti funksional do të mund të garantonte stabilitetin e qëndrueshem të Maqedonisë fqinjë dhe shndërrimin e saj në një shembull për rajonin tonë, shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë.

Me të drejtë sot mund të shtrohet pyetja: Cili është roli dhe përgjegjësia e forcave politike shqiptare? E vërteta e pamohueshme është se, aq sa kanë arritur shqiptarët në Maqedoni, i kanë arritur në sajë të përpjekjeve të jashtëzakonshme dhe me të gjitha mjetet të te tyre dhe forcave politike shqiptare dhe këtu, ata së bashku kanë meritën e madhe. Pakënaqësitë, kritikat nuk janë të pamotivuara.Por nuk mund të mohoj kontributin e tyre historik dhe askush nuk mund t’i fajësojë shqiptaret dhe forcat e tyre politike për shndërrimin e Maqedonisë nga udheheqja maqedonase në një laborator të prodhimit dhe klonimit të nacionalizmave. Po keshtu ato nuk janë përgjegjës se përfaqësojnë shqiptarët, të cilët maqedonasit i konsiderojnë si kërcënim për sigurinë e etnisë së tyre. Nuk jam aspak kundër kritikave por jam kundër përpjekjeve për çvelersimin e tyre me sllogane absurde, vlerësimi në procese zgjedhore është rruga e pranueshme demokratike. Jam kundër tentativave të Tiranes për imponim të dekleratave të përbashkëta extempora, të servirura për firmë si ç’ndodhi në takimin Rama – Meta në Pogradec, me Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin, si dhe kundër kërcënimit të ketij vendi me bllokim nga Shqipëria për anëtarësimin në NATO. Udheheqja politike e shqiptarëve të Maqedonisë i din mirë qëndrimet që duhet të mbajë në interesin e tyre më të mirë.

Por, përsëri disa pretendime ndaj tyre jane te drejta. Ato nuk janë pa përgjegjesi në suksesin e pamohueshem të nacionalistëve maqedonas në zvogelimin e rolit dhe peshës së tyre politike në jetën e vendit. Mendoj se kanë dëmtuar dhe dëmtojnë qëndrimet dhe interpretimet e tyre krejt të ndryshme për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në varësi nga qënia në pushtet dhe opozitë si dhe ambjentimi i tyre me statuskuonë e gjendjes në vend. Po keshtu nuk justifikohet indiferenca e tyre për emrin e ri që duhet të ketë Maqedonia në një marreveshje me Greqine, sikur të mos jenë qytetarë të atij vendi që do të ndërroje emrin. Por mbi të gjitha, ata në asnjë rrethanë nuk mund dhe nuk duhet të pajtohen kurrë me shndrimin e Maqedonisë në vend vasal, zonë influence ruse, gjë që përbën një rrezik serioz madhor për Shqiperinë, Kosovën dhe rajonin në terësi. Shqiptarët pavarësisht nga çmimi, nuk mundet në asnjë rrethanë të mbeshtesin interesat ruse në rajonin tonë. Së fundi në ngjarjen e Kumanoves, mendoj se udhëheqja politike e shqiptarëve në Maqedoni do mbajë parasysh se coprat e granatave dhe plumbat nuk moren vetëm 22 jete njerzish, nuk kanë shkatërruar vetëm banesat e qytetarve shqiptarë dhe terrorizuar ata, por kanë plagosur edhe kredibilitetin e tyre. Prandaj dhe hetimi i pavarur ndërkombetar, do të kishte një rëndësi përcaktuese, për Maqedoninë, shqiptarët e Maqedonisë, kombin shqiptar dhe rajonin në tërësi.

Si perfundim Maqedonia eshte nje vend me rendesi te veçante per paqen dhe stabilitetin ne rajonin tone. Ajo sot ndodhet ne udhekryq e mberthyer nga nje krize shumplaneshe. Shkeputja e saj nga ndikimi rus, çbllokimi i integrimit te saj ne BE dhe NATO, zgjidhja e krizes nderetnike nepermjet zbatimit te Marreveshjes se Ohrit sipas standarteve perendimore te shteteve multietnike dhe federalizimi i saj do mund te kurorezonte me sukses perpjekjet e medha te popujve te saj per ndertimin e nje Maqedonie europiane qe ata meritojne.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top