Nga qyteti i Ohrit, aty ku Zoran Zaev mirëpriti liderët e aleancës së re të “islamit dhe ortodoksisë politike ballkanike”, BE-ja mori mesazhin e qartë, përmes të cilit nënkuptohet se projektet e mëdha në këtë pjesë të Europës, mund të bëhen edhe pa BE-në. Që mesazhi të jetë domethënës dhe alternativbërës, u kujdesën vet protagonistët. Rama, Vuçiç dhe Zaev, ia bënë të qartë BE-së, se projekti për Unionin Ballkanik mund të implementohet edhe në rastin kur anashkalohet tërësisht interesi kombëtar i shqiptarëve. Ky mesazh shqetësues për gjeopolitikën, përveçse goditje e rëndë për interesat e nacionalizmit shqiptar, godet rrufeshëm edhe interesat e kryeqendrave të mëdha të kontinentit tonë, siç janë Brukseli, Berlini, Londra dhe Roma. Të mos harrojmë se mbështetja disavjeçare e Presidentëve Putin dhe Erdogan për liderët aktual të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, jo vetëm se ndikoi, por edhe ndihmoi që të riaktulizohet suksesshëm projekti i vjetër për ndarjen e sferave të interesit politik, ekonomik, ideologjik dhe fetar. Andaj, nuk është për t’u habitur që ky projekt ka siguruar edhe mbështetjen e disa vendeve të BE-së, e sidomos mbështetjen e Francës, e cila, në momentin aktual po e luan rolin e saj kryesorë.
Zhvillimet e pafavorshme për interesin tonë kombëtar dhe sidomos për Kosovën e rrethuar në të katër anët, dëshmojnë se elita politike e shqiptarëve ndodhet në krizë të thellë. Kjo krizë e elitës politike e ka zanafillën dhe arsyen e saj. Një kohë të gjatë, elita politike shqiptare ka hezituar të përballet me realitetin e instrumentalizimit të besimit fetar dhe me realitetin e zymtë të indoktrinimit ideologjik në politikën kombëtare. Tani, elitës politike shqiptare po i ofrohet rasti të bindet, të dorëzohet dhe të kapitulojë pa e shkrepur asnjë “plumb”. Pse? – Sepse pjesa më e madhe e elitës politike me aftësi vendimmarrëse përbëhet nga drejtuesit e subjekteve të kapura e të instrumentalizuara. Pra, te elita politike është praktikuar me sukses e njëjta metodë instrumentalizimi sikurse te bashkësitë fetare islame dhe ortodokse.
Shpresojmë se pas disa muajve, e ndoshta edhe para zgjedhjeve në Serbi, për projektin e Unionit Ballkanik do të kristalizohet edhe qëndrimi i prerë i Administratës së Sheteteve të Bashkuara. Në rast se SHBA-të e mbështesin projektin për themelimin e një unioni të tillë ballkanik, atëherë, në Kosovë dhe Shqipëri, si shpresë e vetme që simbolizon vazhdimësinë e luftës politike për Shqipni Europiane, për Shqipni të Shqiptarëve, për një Shqipni të lirë, të bashkueme dhe demokratike, do të mbetet Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë.