LUFTËTARI NGA SHQIPËRIA QË NJË PJESË TË TRUPIT IA FALI BETEJËS SË KOSHARES DHE PAS LUFTËS VENDOSI TË JETOJË NË KOSOVË – 2

Bisedë me Xajë Qela – Intervistën e realizoi Sefedin Krasniqi …vazhdim

Atëherë si rrodhi ky proces dhe sa kohë zgjati?

Xajë Qela : Kah fundi i marsit 1998, me grupin e Sali Çekajt prapë u futëm në Kosovë. Kishte ardhur koha të kryenim detyra edhe më të rëndësishme, sepse lufta trokiste në çdo derë shtëpie në Kosovë. Pasi kryem detyrat që na ishin ngarkuar, grupit që u fut në Kosovë, në të kthyer në Shqipëri iu bashkëngjit Adem Ukëhaxhaj, Daut Berisha, Halil Geci dhe Hamid Gashi. Kur kaluam në territorin e Shqipërisë jemi ndalur në Sopot në shtëpinë time dhe fjetëm një natë. Të nesërmen, Shpend Qela i ka përcjellë deri në Bajram Curr, prej aty për Tiranë. Adem Ukëhaxhaj kishte takuar në Tiranë Ahmet Krasniqin-ministrin e Mbrojtjes së Kosovës dhe kishte marrë detyra prej tij. Këtë ma tha Ademi kur u kthye pas një jave në bazë të Tropojës. I pranishëm ka qenë edhe Daut Berisha nga Duboviku. Jemi ngarkuar me armatime dhe prapë kemi hy në Kosovë. Kësaj radhe kemi hy në drejtimin e Papajve.

Sa veta keni qenë kur u kthyet serish në Kosovë?

Xajë Qela : Kemi qenë tre veta: Adem Ukëhaxhaj, Daut Berisha dhe unë. Pasi kaluam kufirin nga C2, Kërshi Yllit, Livadhi i madh, Sloka arritëm në shtëpinë e Sadri Lokajt, në Voksh, aty edhe pushuam pak. Pastaj, natën shkuam në Carrabreg në shtëpinë e Adem Ukëhaxhajt ku kaluam natën. Të nesërmen, Ademi ka filluar të organizojë disa djem për të marrë armatime në Tropojë. Ishin njëzet e dy veta. Ademi ka ardhur me ne deri në Voksh. Atyre u dha detyra ushtarake dhe në ndarje u ka thënë: “Nga ky moment jeni nën përcjelljen e Xajë Çelës”. Fillimisht i porosita të mos ndiznin cigare, të mbajnë qetësi dhe të mbajnë distancë nga njëri-tjetri. Ademi ndej në Voksh e ne vazhduam rrugën për në Tropojë ku e kishim bazën e armatimeve. Pas dy ditësh, pasi u pajisëm me armë dhe municione, u kthyem në Voksh. Prapë u takuam me Adem Ukëhaxhajn, i cili vazhdoi të kontrollojë dhe organizojë djem edhe nga fshatrat tjera të Deçanit. Këtu do të veçoja vetëm një rast atë të Strellcit të Ulët dhe të Epërm ku si njohës i mirë i terrenit për përcjellje të më se nëntëdhjetë vetave erdhi me ne edhe Shaban Ramë Avdimetaj.

Si i përgjigjej populli mobilizimit? Si kaluat kufirin dhe në ç’drejtim, sepse të shoqërosh nëntëdhjetë veta është përgjegjësi i madhe kur dihej rreziku nga forcat serbe?

Xajë Qela : Për mobilizim nuk ka pasur probleme, sepse njerëzit mezi e kishin pritur këtë ditë, por armatime duheshin edhe atë të gjithë kalibrave.

Nisja për Shqipëri u bë nga Strellci i Epërm, te mulliri. Vazhduam kah Gurrat e Bardha, Guri i Nuses, pra nga Bjeshkët e Strellcit në drejtim të Roshkodolit, nga aty në Bogiçe, te trekëndëshi në kufi në mes të Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë, për të vazhduar në drejtimin Dobordol, Sylbicë, Tropojë. Ky ka qenë rrugëtim shumë rraskapitës dhe tepër i rrezikshëm. Disa djemve u kishte rënë krejt lëkura e këmbëve. Edhe pse u pajisen me armatime, para një jave nuk munden të kthehen. Tre ushtarë mbeten aty, sepse nuk ishin shëruar ende. Kështu vendosen Adem Ukëhaxhaj dhe Shaban Avdimetaj për t’iu shmangur ndonjë prite të mundshme në drejtim të Vokshit.

Pasi u pajisën të gjithë me armatime dhe municione të nevojshme u bëmë gati për rrugë.

Dhe prapë ti Xajë me ta u kthve në Kosovë? Si ia dilje?

Xajë Qela : Po, po, kjo ishte zgjedhja dhe dëshira ime e flaktë. Pra, u nisëm për Kosovë në drejtimin Papaj, Padesh, Rebje, C2, Kërrshi Yllit, poshtë Jedovës dhe kemi arritur në Voksh. Kështu kam pritur e përcjellë andej e këndej kufirit grupe të ndryshme vullnetarësh, ushtarësh , çlirimtarësh të ngarkuar me armatime dhe municione që shërbyen për kryerjen e aksioneve kundër forcave serbe deri në çlirimin e Kosovës.

VAZHDON…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top