Bisedë me Xajë Qelën – INTERVISTEN E REALIZOI SEFEDIN KRASNIQI – 2012
Kosova është çliruar nga okupimi klasik serb dhe para katër viteve është shpallur edhe Pavarësia e shumëpritur. Para luftës çlirimtare, në Kosovë kanë ndodhur shumë ngjarje të jashtëzakonshme që kanë tronditur edhe opinion botëror. Si janë reflektuar këto në Shqipëri ? A ka ndonjë ngjarje që ka bërë jehonë që Xajë Qela të mendojë për Kosovën si territor shqiptar, të cilin duhet çliruar nga Serbia ?
Xajë Qela : Është e vërtete që çdo ngjarje me karakter kombëtar, që ka ndodhur në Kosovë, është reflektuar edhe në Shqipëri. Me theks të veçantë në veriun e saj, por as jugu s’ka qenë indiferent, sepse për problemet kombëtare në tërë Shqipërinë patriotët as s’kanë munguar, as nuk mungojnë. Por, gjeneratën time, jehona bujshme e demonstratave të viti 1981 e ka vetëdijesuar më së shumti dhe te ne ka mbjellë dëshirën e zellin për çlirimin e Kosovës. Vazhdimisht kam menduar sesi të jap kontributin tim për këtë çështje. Veprimtarinë time e kam filluar në vitet 1994-1996 kur mu dha rasti të bie në kontakt me Grupin e Sali Çekajt ku bënin pjesë Saim Tahiraj, Ismet Çeku dhe Zenun Idrizi, me të cilët u takova në shtëpinë e kushëririt tim Shpend Qela në Sopot ku kishim një sasi armatimesh dhe të municioneve. Prej momentit të takimit u bëra besniku i bazës së armatimeve dhe besnik im kësaj grupe që edhe më herët kishte vepruar në territorin e Shqipërisë. Më vonë u bëra edhe shoqërues i tyre në bartjen e armatimeve nga territori i Shqipërisë për në Kosovë. Me te kanë qenë Ismet Çeku, Osman Ferizi dhe Zenun Idrizi. Me këta njerëz u njoha nëpërmes kushëririt tim Shpend Qela, e këta me Shpendin ishin njiheshin shumë më herët. Një natë kur donin të kalonin kufirin për Kosovë, Shpendi që i kishte shoqëruar herëve tjera, nuk mundi, sepse e pati babën të sëmurë. Atëherë këtë detyrë ma besoi mua. Pra, kontributin tim të parë e kam dhënë kur këta djem i kam shoqëruar me armatime nga territori i Shqipërisë në drejtim të Kosovës.
Cili vit ka qenë kur u bëtë edhe shoqërues ? Nga cila pikë jeni nisur dhe në ç ‘drejtim ?
Xajë Qela : Ka qenë viti 1996. Jemi nisur nga Viçidoli në drejtim të Lugut Zi, që gjendet në terrenin e Shqipërisë dhe depërtuam në Kosovë. Në këtë rrugë, kur kalohet në territorin e Kosovës është një urë ku forcat serbe, shpesh, bënin roje. Pasi këtë mision e kisha marrë shumë seriozisht, kur iu afruam urës iu thashë : Ndaluni ju për një moment dhe më prisni këtu derisa ta kontrolloj urën. Këta nuk pranuan dhe më thanë : « Ti vetëm nuk do të vritesh, ose do të vritemi të gjithë ose do të shpëtojmë të gjithë ». Bëmë përgatitjet e duhura duke u rreshtuam në formacion luftimi, me distancë të mjaftueshme deri në dhjetë metra largësi mes njëri tjetrit. Urën e kemi kaluar të armatosur. Fatmirësisht nuk kishte pasur pritë. Kemi vazhduar rrugën nëpër male duke kaluar afër Smolicës, pastaj kah Pacajt, Rasatavicë e deri në Beleg tek shtëpia e Saim Tahirajt ku qëndruam disa ditë. Kështu edhe jam njoftuar me terrenin që shpesh e kisha imagjinuar.
Meqenëse ju njiheshit dhe ishit takuar për herë të parë a keni vërejtur ndonjë dyshim ndaj teje, pasi kalimi i kufirit Shqipëri-Kosovë apo anasjelltas ka qenë gjithnjë me rreziqe të mëdha ?
Xajë Qela : Gjatë rrugës kur bisedonin më bëhej se kishin rezerva ndaj meje. I kuptoja. Ishte situata e rrezikshme, sepse grupi i Sali Çekajt kishte njerëz që vepronin edhe brenda në Kosovë. Këtë e kuptova kur këta që i shoqëroja i dërguan një porosi Adem Ukëhaxhajt për tu takuar. Përmbajtjen më në detaje nuk e dija sepse as që më interesonte sespe mua më shumë më impresiononte vullneti dhe ideali i tyre. Nga ana tjetër edhe unë shkëlqeja nga kënaqësia që mu kishte dhënë rasti ta realizoj dëshirën time duke dhënë një kontribut për Kosovën që aq shumë e kisha ëndërruar.
Pasi u krijua, do të thosha, besimin reciprok, si vazhdoi ky bashkëpunim, apo ky ishte udhëtimi yt i parë dhe i fundit në Kosovë në kuptimin e pjesëmarrjes në përgatitjen e luftës çlirimtare të Kosovës?
Xajë Qela : Bashkëpunimi jonë ka vazhduar madje edhe më vrullshëm dhe më i frytshëm u realizua me kyçjen time në shumë aksione në luftën e haptë deri në Betejën e famshme të Koshares. Përpjekjet e mia për çlirimin e Kosovës u ndërprenë vetëm atëherë kur u plagosa rëndë në Koshare, më 20 prill 1999. Plaga ishte aq e rëndë sa eprorët e mi kishin vendosur të më dërgonin për shërim në Tiranë e pastaj në Itali (Milano). Para se të flas për këto ngjarje do të ndalesha në aktivitetin tim dhe bashkëpunim personal me Grupin e Sali Çekajt
Atëherë si rrodhi ky proces dhe sa kohë zgjati?
Xajë Qela : Kah fundi i marsit 1998, me grupin e Sali Çekajt prapë u futëm në Kosovë. Kishte ardhur koha të kryenim detyra edhe më të rëndësishme, sepse lufta trokiste në çdo derë shtëpie në Kosovë. Pasi kryem detyrat që na ishin ngarkuar, grupit që u fut në Kosovë, në të kthyer në Shqipëri iu bashkëngjit Adem Ukëhaxhaj, Daut Berisha, Halil Geci dhe Hamid Gashi. Halil Geci na thonte se per ne ka vetem dy rruge, ose me Rusine, ose me Ameriken. Kur kaluam në territorin e Shqipërisë jemi ndalur në Sopot në shtëpinë time dhe fjetëm një natë. Të nesërmen, Shpend Qela i ka përcjellë deri në Bajram Curr, prej aty për Tiranë. Adem Ukëhaxhaj kishte takuar në Tiranë Ahmet Krasniqin-ministrin e Mbrojtjes së Kosovës dhe kishte marrë detyra prej tij. Këtë ma tha Ademi kur u kthye pas një jave në bazë të Tropojës. I pranishëm ka qenë edhe Daut Berisha nga Duboviku. Jemi ngarkuar me armatime dhe prapë kemi hy në Kosovë. Kësaj radhe kemi hy në drejtimin e Papajve.
Sa veta keni qenë kur u kthyet serish në Kosovë?
Xajë Qela : Kemi qenë tre veta: Adem Ukëhaxhaj, Daut Berisha dhe unë. Pasi kaluam kufirin nga C2, Kërshi Yllit, Livadhi i madh, Sloka arritëm në shtëpinë e Sadri Lokajt, në Voksh, aty edhe pushuam pak. Pastaj, natën shkuam në Carrabreg në shtëpinë e Adem Ukëhaxhajt ku kaluam natën. Të nesërmen, Ademi ka filluar të organizojë disa djem për të marrë armatime në Tropojë. Ishin njëzet e dy veta. Ademi ka ardhur me ne deri në Voksh. Atyre u dha detyra ushtarake dhe në ndarje u ka thënë: “Nga ky moment jeni nën përcjelljen e Xajë Çelës”. Fillimisht i porosita të mos ndiznin cigare, të mbajnë qetësi dhe të mbajnë distancë nga njëri-tjetri. Ademi ndej në Voksh e ne vazhduam rrugën për në Tropojë ku e kishim bazën e armatimeve. Pas dy ditësh, pasi u pajisëm me armë dhe municione, u kthyem në Voksh. Prapë u takuam me Adem Ukëhaxhajn, i cili vazhdoi të kontrollojë dhe organizojë djem edhe nga fshatrat tjera të Deçanit. Këtu do të veçoja vetëm një rast atë të Strellcit të Ulët dhe të Epërm ku si njohës i mirë i terrenit për përcjellje të më se nëntëdhjetë vetave erdhi me ne edhe Shaban Ramë Avdimetaj.
VAZHDON…